Home Blog Page 7046

Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës, 6 shkelje ligjore për 9 muaj

0

Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës në nëntë muajt e parë të këtij viti në raste të caktuara kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Gjatë kësaj periudhe kohore, në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal del se në KK-në e Gjakovës janë evidentuar dy shkelje ligjore, derisa në ata të Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit janë gjetur nga një shkelje ligjore, ndërkohë që në KK-në e Pejës dhe atë të Mitrovicës jugore nuk është identifikuar asnjë shkelje.

Sipas informatave të marra nga MAPL-ja, KK-ja e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës nuk kanë adresuar nga një vendim me shkelje, derisa KK-ja e Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit kanë ndërmarrë veprime korrigjuese për harmonizimin e akteve me legjislacionin në fuqi.

MAPL ka sqaruar se në KK-në e Prishtinës gjatë periudhës janar-shtator 2015, është konstatuar një shkelje ligjore.

“Vendimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur më 14.01.2015, që anëtarët e komisioneve të aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale të sjellin informatë me shkrim para anëtarëve të Kuvendit brenda 7 ditësh për çdo veprim të marrë deri me sot. MAPL më datën 12.02.2015, i ka dërguar shkresën KK-së së Prishtinës për ta harmonizuar aktin, por KK-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur më këtë shkelje”, thuhet në shkresën e kësaj ministrie.

Në vendimmarrjen e KK-së së Gjakovës MAPL ka konstatuar dy shkelje ligjore:

“Vendimi 01 Nr.-01-31359 i Kuvendit të Komunës së Gjakovës i miratuar më 29.04.2015 për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të komunës. MAPL shkresën ia ka dërguar komunës më 22.05.2015, por komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta rishqyrtuar aktin”.

“Vendimi nr. 011-43953, për themelimin e grupit punues për hartimin e rregullores për bashkësi lokale në mbledhjen e mbajtur më 30.06.2015. MAPL shkresën ia ka dërguar komunës më 03.08.2015, kurse Kuvendi i Komunës së Gjakovës në mbledhjen e mbajtur më 28.09.2015, e ka shfuqizuar vendimin në përputhje më kërkesën e MAPL-së për rishqyrtim”.

Në Prizren, MAPL ka kthyer në rishqyrtim një vendim:

“Vendimi Nr.01/011-011-157145 për këmbimin e pronës komunale i miratuar më 27.08.2015, ndërsa shkresa nga MAPL i është dërguar komunës së Prizrenit me datën 10.09.2015. Kuvendi i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e mbajtur më 17.09.2015, e ka rishqyrtuar vendimin dhe e ka harmonizuar sipas kërkesës së MAPL-së”.

Ndërkaq në Ferizaj, pas vlerësimit të ligjshmërisë, MAPL ka kthyer prapa një rregullore:

“Rregullorja për dekorata e KK Ferizaj e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 04.03.2015, MAPL- shkresën ja ka dërguar komunës së Ferizajt më datën 17.03.2015, ndërsa Kuvendi i Komunës e ka rishqyrtuar dhe harmonizuar rregulloren më datën 31.04.2015”.

Në Gjilan, MAPL ka kthyer në rishqyrtim një vendim:

“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8 me sipërfaqe prej 233 metra katror, në mbledhjen e mbajtur më 27 janar 2015, Kuvendi i komunës së Gjilanit e ka rishqyrtuar dhe harmonizuar aktin në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2015”.

Në anën tjetër gjatë vlerësimit të ligjshmërisë se akteve të komunës së Pejës dhe Mitrovicës Jugore, MAPL ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes. Po ashtu përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t’i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit.

Prandaj, EC Ma Ndryshe rekomandon KK-të që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-ja.

Gjithashtu i bëjmë thirrje KK-ve të lartpërmendura që të angazhohen në përmirësimin e reputacionit të tyre, duke u angazhuar në mënyrë të sinqertë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe zhvillimin e përgjithshëm të komunave përkatëse. /PrizrenPress.com

UNESCO sot voton për Kosovën

0

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s në Paris do të vendosë sot për rekomandimin që Kosova të pranohet si anëtare e kësaj organizate.

Këshilli Ekzekutiv ka 58 anëtarë, 32 prej të cilëve janë përfaqësues të vendeve që e kanë njohur Kosovën, dhe rreth njëzet prej tyre e kanë mbështetur kërkesën e Shqipërisë për pranim të Kosovës në UNESCO.

Aplikimi për pranimin e Kosovës në UNESCO është dorëzuar formalisht nga Shqipëria dhe është mbështetur nga 45 vende.

Pas votimit të sotshëm nëse Kosova arrin të marrë shumicën e votave, atëherë, pranimi do të duhej të ndodhte në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, e cila do t’i zhvillojë punimet nga data 3 deri më 18 nëntor.

Konferenca e Përgjithshme përbëhet nga përfaqësues të 195 vendeve anëtare. Çdo vend anëtar ka një votë dhe vendimi kërkon një shumicë prej dy të tretash.

Veseli: Çmimin ta paguajë politika, jo qytetarët

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se partitë opozitare janë duke bërë sjellje tërësisht antidemokratike dhe të papranueshme.

Veseli në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se insistimi i veprimit të opozitës në këtë mënyrë është një rrugë pa krye, që nuk i shërben askujt, as opozitës, aq më pak qytetarëve të vendit. Ai e ka vlerësuar iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga që ka ndërmarrë në kontekst të situatës së krijuar, duke mos e vlerësuar këtë si krizë institucionale, por si tentativë për ta futur vendin në krizë të panevojshme për qëllime të luftës për pushtet.

Veseli ka theksuar se gjatë tërë kësaj situate si kryetar i Kuvendit është përpjekur ta ruajë nivelin e komunikimit në Kuvendin e Kosovës, që t’i jepet mundësia secilës palë ta thotë qëndrimin dhe argumentet e saj, të veprojë mbi bazën e racionalitetit dhe të shmanget demonstrimi i forcës.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kuvendit duhet t’i kthehet normaliteti i punës, për të cilin edhe është votuar nga qytetarët e vendit.

“Ende konsideroj se duhet të vazhdohet rruga e komunikimit të përbashkët. Tash kemi një iniciativë të presidentes Jahjaga, e cila është në funksion të kësaj rruge, si dhe qëndrimet e qarta të vendeve perëndimore nëpërmjet pranisë së tyre diplomatike në Prishtinë, se Kuvendi i Kosovës nuk bën të bjerë nën diktatin e dhunës”, ka deklaruar Veseli, duke u bërë thirrje zërave të arsyeshëm opozitarë, që bashkërisht ta kapërcejnë këtë situatë.

“Me këtë rast u bëj thirrje zërave të arsyeshëm opozitarë, që besoj se janë shumica, të ndihmojnë që të gjithë së bashku ta kapërcejmë këtë situatë”, është shprehur Veseli.

Ai ka shtuar se askush nuk ka të drejtë ta bllokojë punën e Kuvendit, aq më pak me metoda të vrazhda dhe antidemokratike.

“Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të punojë sepse nuk bën ta lejojmë bllokimin e sistemit demokratik në vend. Obligimet tona kushtetuese janë shumë të qarta në këtë drejtim. Është për keqardhje që dëgjojmë zëra opozitarë, që funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës e quajnë provokim. Provokime janë sjelljet e dhunshme në sallën e seancave, hedhja e gazit lotsjellës, lëndimi dhe rrezikimi i shëndetit të përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, provokimi më i madh po i bëhet popullit të Kosovës me injorimin dhe mospërfilljen totale që opozita po ua bënë thirrjeve të miqve tanë perëndimorë dhe partneritetit të shtetit tonë me ta.

“Deri këtu kemi arritur falë këtij partneriteti dhe lëndimi i këtij partneriteti është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet këtij vendi”, është shprehur Veseli.

Ai ka thënë se Kosova ka lëvizur përpara sa herë që ka funksionuar trekëndëshi i partneritetit Uashington – Prishtinë – Bruksel. Ky trekëndësh, sipas tij, i ka sjellë lirinë, pavarësinë, shtetndërtimin, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, marrëveshjet e fundit për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë.

“Dalja nga ky trekëndësh partneriteti është provokimi më i madh që mund t’i bëhet popullit të Kosovës, por unë jam i bindur thellësisht se qytetarët tanë janë shumë të pjekur politikisht për të mos ndjekur këtë aventurë politike të opozitës”, ka thënë ai.

Veseli ka deklaruar se veprimet e tij të deritanishme kanë pasur për qëllim që tensionet e fabrikuara nga politika të mbahen brenda institucioneve e të mos barten në rrugë dhe tek qytetarët.

“Mesazhi është tejet i qartë: çmimin duhet ta paguajë politika, jo qytetarët”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ai e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

“Vendi aktualisht ka një shumicë parlamentare funksionale dhe një qeveri legjitime që e ka mbështetjen e kësaj shumice demokratike. Për aq kohë sa funksionon formati ekzistues qeverisës, duhet ta presim kalendarin e rregullt të procesit elektoral që përcaktohet nga ligji, e jo nga gazi lotsjellës”, ka pohuar Veseli. /Epoka e Re

Dekriminalizimi, i bllokuar nga PDK-LDK

0

Procesi i dekriminalizimit të shtetit dhe politikës është lënë në harresë pas tensioneve të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Njohësit e sundimit të ligjit dhe analistët politikë e shohin si një zhvillim tepër të dëmshëm lënien pas dore të dekriminalizimit të institucioneve. Sipas tyre, një gjë e tillë iu konvenon kryesisht partive në pushtet, të cilat do të provojnë ta ruajnë këtë gjendje deri në zgjedhjet e radhës, për të pasur në dispozicion strukturat e kriminalizuara për kapjen më të lehtë të institucioneve të shtetit nga mafio-politika.

“Kosova prej pasluftës ka mbetur peng i kriminelëve, hajnave, banditëve, servilëve, uzurpatorëve, dallaveraxhinjve, mashtruesve, profiterëve dhe të korruptuarve të politikës dhe parapolitikës. Edhe sikur të mos kishim këtë krizë politike, dekriminalizimi i pushtetit nuk do të ndodhte kurrë, sepse pushteti dhe skena politike është në duart e atyre që do të duhej të largoheshin nga skena politike dhe të burgoseshin për krimet e tyre. Prandaj, është vështirë të ndodhë dekriminalizimi i pushtetit dhe institucioneve shtetërore”, tha analisti politik, Faik Krasniqi, për “Kosova Sot”.

Riza Smaka i AAK-së, ka thënë se PDK-LDK po synojnë që t’i ruajnë strukturat e veta të inkriminuara deri në zgjedhjet e reja.

“Këto dy subjekte politike po synojnë që t’i ruajnë strukturat e veta të inkriminuara deri në zgjedhjet e reja, që të jenë aktive në manipulimin e procesit dhe rihapjen e shtetit, gjë që është tepër skenar i rrezikshëm dhe i dëmshëm për qytetarin e zakonshëm dhe perspektivën e tij në pritje për ndryshime”, tha Riza Smaka për “Kosova Sot”.

Nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët

0

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Prishtinë nuk do të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës politike në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se pozita dhe opozita nuk po arrijnë pajtim për vazhdimin e seancave.

Legjislativi ka më shumë se një muaj që është bllokuar nga deputetët e opozitës, madje këta të fundit kanë hedhur gaz lotsjellës në dy seancat e fundit, duke e pamundësuar mbajtjen e seancave plenare pa tërheqjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Edhe presidentja Atifete Jahjaga gjatë dy ditëve të fundit ka takuar drejtuesit e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar punën e Kuvendit, mirëpo asnjëra nga palët nuk po lëshon pe në kërkesat e tyre.

Opozita po kërkon tërheqjen e marrëveshjeve, gjë të cilën nuk po e pranojnë partnerët e koalicionit qeverisës. Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se qytetarët e Kosovës kanë shumë probleme tjera dhe ky fakt, sipas saj, do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm që përfaqësuesit e popullit ta tejkalojnë këtë situatë. /Zëri

Gjykata Speciale: Dhjetëra dëshmitarë të mbrojtur kanë arritur në vendet e BE-së

0

Dhjetëra dëshmitarë të mbrojtur, që pritet të dëshmojnë në proceset gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK’së, që do të nisin vitin e ardhshëm në Gjykatën Speciale, tashmë janë vendosur në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gjykata Speciale, e cila pritet të nis punën vitin e ardhshëm në Holandë, që të trajtojë akuzat për krime lufte të cilat burojnë nga Raporti i Martit, pritet të funksionalizohet pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës Holandës dhe BE’së.

Sipas burimeve të Gazetës Express, dëshmitarët e mbrojtur janë ish –pjesëtarë të të UÇK’së, që kanë njohuri për krimet e luftës që kanë ndodhur . Po ashtu bëhet e ditur se tashmë komandantët janë në dijeni për dëshmitarët të cilët pritet të dëshmojnë me identitet të mbrojtur për krimet e luftës.

Krerëve të UÇK’së të cilët aktualisht mbajnë poste të larta politike në skenën kosovare mund t’u ngrihen akuza menjëherë pas fillimit të punës të Gjykatës Speciale. Sipas zyrtarëve të lartë të BE’së aktakuzat e para pritet të ngrihen në fillim të vitit të ardhshëm. /Gazeta Express

Limaj: Referendumi, e vetmja zgjidhje (Video)

0

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, thotë se referendumi është e vetmja zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar.

Ai thotë se edhe pse nuk ka hapësirë ligjore për referendum, ajo mund të krijohet shpejt.

“Në këtë situatë adekuat është referendumi. Kemi pasur situata kur kemi bërë ndryshime kushtetuese brenda ditësh. Ne mund të kemi një ligj për referendumin brenda dy ditësh. Qytetarët duhet të flasin”, ka thënë Limaj në emisionin “Click” të RTV 21.

Limaj ka thënë se pozita dhe opozita fillimisht nuk pajtohen edhe në pikën se a ka apo nuk ka krizë në Kosovë. Për pozitën, thotë Limaj, në Kosovë nuk ka krizë. Por kjo sipas tij nuk është e vërtetë.

“Në Kosovë ka krizë dhe ky konstatim është shumë i rëndësishëm sepse nëse paradite thonë nuk ka krizë e pasdite thonë hajde bëjmë dialog, atëherë si nuk ka krizë. Kemi një situatë jonormale, kush i ka fajet dhe pse ka ardhë dhe si ka ardhë, debatojmë. Gjendja është keq dhe ka krizë”, ka thënë Limaj.

Qëndrime të njëjta Limaj ka shprehur edhe në emisionin “Rrokum Roll” me Fidan Jupollin në TV Rrokum.

Opozita: Thirrja e seancës, provokim për ne

0

Grupet Parlamentare të Opozitës kanë reaguar me një komunikatë të përbashkët në lidhje me ftesën për seancë të radhës Kuvendit, që siç është thënë do të mbahet këtë të premte nga ora 16:00.

Mirëpo thirrja e kësaj seance nga ana e partive opozitare po shihet si provokim dhe papërgjegjshmëri politike.

Deklarata e përbashkët e partive opozitare:

Në kohën kur Qeveria e Kosovës me marrëveshjet e veta që e rrënojnë dhe falimentojnë republikën e ka sjellur vendin në një situatë të jashtëzakonshme, insistimi i vazhdueshëm në mbajtjen e seancave të rregullta plenare nga Koalicioni është tentim kontrabandimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ dhe faljes së tokave të Kosovës Malit të Zi.

Thirrja e seancës dhe insistimi që ajo të mbahet do ta përshkallëzojë tutje situatën.

Seanca e ardhme është caktuar të mbahet në mbrëmje, nga ora 16 të premten. Ky vendim i Kryesisë së Kuvendit më së miri e paraqet punën e koalicionit qeverisës, dhe e Kryetarit të Kuvendit: ata punojnë natën, sa më larg syve të publikut, në kundërshtim të plotë me praktikat e deritashme parlamentare.

Ashtu siç i kanë arritur marrëveshjet fshehtas, tash po duan t’i përvjedhin ato me këto seancat të natës.

Nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet. Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë.

Ne si deputetë të Opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj.

Hani i rrënuar në Prizren, aktakuza dhe darka e ‘mistershme’

0

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj rrënuesit të hanit të familjes Mullafazliu. Akuzohet se kreu kundërligjshëm këtë veprim. Arben Berisha pretendon se kishte leje për ta rrënuar objektin. Ai komenton edhe darkën me kryeinspektorin Bedri Bytyqi që ndodhi një ditë para se objekti të rrënohej.

Hani i familjes Mullafazliu, një prej objekteve të rralla në Prizren, kaloi më 2 gusht të këtij viti në pronësi të një biznesmeni të shitjes së tekstilit.

Tri ditë më vonë u rrënua.

Arben Berisha, pronar i butikut “Beni”, në Prizren thotë se kishte leje për ta rrënuar.

“Kam blerë vend që ka kushtuar 500 mijë euro. Kush kishte me marrë kësi vendi pa pasur dokumente,” thotë Berisha.

As gjoba e shqiptuar nga Inspektorati Komunal nuk e ka bindur Berishën se rrënimin e ka bërë kundërligjshëm.

“Inspektorati kanë ardhë edhe ma kanë lëshu një gjobë prej 500 eurosh të cilën e kam pagu, ngase në momentin e prishjes nuk e kam poseduar lejepëlqimin nga Drejtoria e Inspektoratit, e kam pas vetëm atë të ministries,” thotë Berisha.

Ministria e Kulturës mohon se ka dhënë leje për rrënimin e Hanit të Familjes Mullafazliu.

“MKRS respektivisht Komisioni per Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese –Konservuese të Trashëgimisë Kulturore nuk ka dhënë lejepëlqim për rrënimin e Hanit dhe as që është në mandatin e komisionit dhënia e lejeve apo pëlqimeve për rrënim,” tha Aliu nga MKRS.

Aliu thotë se ky komision ka bërë vetëm vlerësimin e gjendjes së objektit dhe ka rekomanduar që çdo veprim të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Ne nuk jemi përgjegjës për dhënie të lejeve për rrënime,” thotë Aliu.

Komisioni konkludoi se 80 për qind e ndërtesës ka pësuar dëme të pakthyeshme dhe se në rast restaurimi vetëm 20 për qind od të jetë origjinale, ndërsa pjesa tjetër duhet të riindërtohet.

Ngjashëm thotë edhe Samir Hoxha, nga Qendra Regjionale e Trashegimisë Kulturore në Prizren. Hoxha thotë se kanë dalë në terren pas kërkesës për rrënim të bërë nga familja Mullafazliu.

“QRTK-ja e Prizrenit përmes raportit ka paraqitur gjendjen reale të ndërtesës, mundësitë dhe problematikën. Ky raport është diskutuar edhe në Komision, po i njëjti nuk ka mandat dhënien e lejeve apo pëlqimeve për rrënim,” tha Hoxha.

Hoxha konfirmoi se Hani i Familjes Mullafazliu ka qenë në listën e ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Hani dhe shtëpia e familjes Mullafazliu ka qenë në listën e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit (kategoria “objekte banimi” nr. 13),” thotë Hoxha.

Por Nizam Mullafazliu, njëri nga trashëgimtarët e kësaj familjeje tha se ky objekt asnjëherë nuk ka qenë nën mbrojtje si objekt i trashëgimisë kulturore.

Objekti, sipas tij, ka rrezikuar jetën e pronarëve dhe kalimtarëve.

“Objekti ka qenë gjysmë i rrënuar me vite, pa kurrfarë vlere arkitektonike, thjesht shtalla, tavanë për sanë dhe 3 dhoma të fjetjes. Përndryshe në Prizren janë rrënuar shumë objekte me vlerë, por askush nuk ka reaguar sepse kanë qenë të ‘fortë’, por këtu i kanë gjetur të butit,” tha Mullafazliu.

Ai thotë se kishte dashur t’ia shiste komunës objektin, por ideja e tij nuk ishte mbështetur nga autoritetet komunale.

Pas refuzimit kishte vrapuar për të nxjerrë leje për rrënimin e shtëpisë.

“Ne bëmë kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit, ata na udhëzuan të kërkojmë leje nga Enti i Mbrojtjes së Monumenteve, pastaj këta na drejtuan të kërkojmë leje nga Ministria e Kulturës dhe komisioni miratoi kërkesën…në ndërkohe e shitëm patundshmërinë dhe dokumentet i dorëzuam pronarit të ri, më tutje vazhduan ata vetë,” thotë Mullafazliu.

Për rrënimin e Hanit të Familjes Mullafazliu, reagim të menjëhershëm pati shoqëria civile.

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, rrënimin e këtij objekti e quajti dështim i radhës i institucioneve në mbrojtjen e trashëgimisë së Prizrenit.

Ai thotë se investuesi nuk e posedon lejen e rrënimit nga Drejtoria e Urbanizmit.

“Kemi bërë të ditur se institucionet edhe tri javë pas rrënimit nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim ligjor lidhur me këtë rast,” thotë Hajrulla Çeku nga “Ec ma Ndryshe”, kur pyetet për hapat që ka ndërmarrë kjo organizatë joqeveritare.

Aktakuza

Rrënimi i këtij objekti i ka kushtuar Arben Berishës me deponim të kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Kallëzimin penal e ka deponuar më 1 shtator 2015 Drejtoria komunale e Inspeksionit.

Kryeinspektori komunal Bedri Bytyqi konfirmoi se më 6 gusht të këtij viti i kanë shqiptuar Berishës dënimin me gjobë në vlerë prej 500 eurosh.

Bytyqi tha se ndëshkimi është bërë bazuar në Udhëzimin Administrativ 20/2013 për shkak të mosprezantimit të dokumenteve në vend punishte.

Ai i referohet mungesës së lejes për rrënim.

Edhe Nijazi Kryeziu, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, thotë se objekti i Hanit nuk ka pasur leje për rrënim.

Përveç kallëzimit penal të autoriteteve komunale edhe Prokuroria e Prizrenit konfirmoi se ka lëvizur drejt zbardhjes së këtij rasti.

Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren, i deklaroi Gazetës Jeta në Kosovë se më 31 gusht ka autorizuar policinë për të mbledhur informata lidhur me këtë rast.

Ndërsa një ditë më vonë është pranuar kallëzimi penal nga Inspeksioni Komunal kundër të dyshuarit Arben Berisha, për shkak të veprës penale dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paatorizuar e monumenteve, ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”.

Hetimet e autorizuara nga Hoxha kanë rezultuar me ngritje të aktakuzës.

“Prokurori i çështjes pas shqyrtimit të hollësishëm të shkresave përcjellëse të lëndës dhe provave të bashkëngjitura me datë 04.09.2015, është ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren kundër të dyshuarit Arben Berisha për veprën e cekur më lartë,” konfirmoi Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Fotoja e diskutuar

Një ditë para se objekti të rrënohej më 6 gusht, kishte ndodhur që biznesmeni Arben Berisha dhe kryeinspektori Bedri Bytyqi të darkonin së bashku.

Takimi kishte ndodhur më 5 gusht.

Biznesmeni Berisha e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka darkuar me kryeinspektorin një natë para se ta rrënonte objektin. Thotë se ka shoqëri qe 20 vjet me kryeinspektorin.

“Atë natë që kemi dalë në foto, kemi ba muhabet shoqëror. Mirëpo në ndërkohë ia kam përmend që kam ble vend dhe kam me e rrënu. Bedriu më ka thënë ‘bëni dokumentet gati edhe nuk ke me pasë problem’. Asgjë nuk më ka premtuar, edhe pse më ka shok dhe nuk ka vazhduar më tutje,” thotë Berisha.

Takimin në darkë e konfirmoi edhe kryeinspektori Bytyqi. Edhe ai ngjashëm si Berisha thotë se kanë miqësi të vjetër mes vete.

Bytyqi thotë se shqiptimi i gjobës dhe ngritja e kallëzimit penal ndaj Berishës dëshmojnë objektivitetin e tij në ushtrimin e pozitës zyrtare.

“Sa i përket fotos e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale është e vërtet[ se qytetarin në fjalë e kam mik të vjetër si plot qytetarë të Prizrenit dhe foto nuk ka asgjë të përbashkët me objektin të cilin e ka blerë pala dhe punës zyrtare të cilën e ushtroj unë si zyrtar i Komunës së Prizrenit,” thotë ai.

Derisa Berisha thotë se i ka treguar kryeinspektorit se do ta rrënojë objektin, tjetër gjë thotë Bytyqi.

Kryeinspektori Bytyqi deklaron se nuk kanë biseduar lidhur me objektin në fjalë dhe këtë mund ta dëshmojnë edhe miqtë tjerë që kanë qenë presentë në takim. /Gazeta Jeta në Kosovë/

Dezinfektohen objektet shëndetësore dhe shkollat në Rahovec

0

Ka filluar faza e dytë e projektit për Deratizimin, Dezinsektimin dhe Dezinfektimin e të gjitha objekteve shëndetësore dhe shkollave të komunës së Rahovecit.

Ky projekt është duke u realizuar në kuadër të drejtorisë së Shëndetësisë.

Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Rahovecit, Munib Durguti, thotë se projekti që ka të bëjë me Deratizimin, Dezinsektimin dhe Dezinfektimin e të gjitha objekteve shëndetësore dhe shkollave në gjithë territorin e komunës së Rahovecit, ka filluar nga 17 tetori dhe do të përfundoj me 23 tetor 2015. /PrizrenPress.com