18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Dy huqje të mëdha të Qeverisë së re

Adriatik Kelmendi

Propozimi që në kuadër të asaj që po quhet pakoja e re fiskale të rikthehet dividendi prej 10 për qind për bizneset, si dhe të hiqet kufiri i vjetërsisë për automjetet që importohen, janë dy veprime stihike që mund t’i sjellin shumë dëme të panevojshme vendit

MINISTRIA E FINANCAVE, si një ndër kryesoret në Qeverinë Mustafa, e ndodhur nën presionin e madh të qytetarëve që në fillim të mandatit, ka filluar të marrë iniciativa stihike dhe të ndryshojë procedura, disa prej të cilave duken krejt të pastudiuara, dhe si rrjedhojë shumë të dëmshme.

Kur them të dëmshme, mendohet në disa rrafshe, do të ndikojnë negativisht në rritjen e punësimit, në rënien e investimeve nga jashtë dhe nga brenda, në shmangien e standardeve të BE-së dhe ndotjen e ambientit.

Konkretisht bëhet fjalë për propozimin që në kuadër të asaj që po quhet pakoja e re fiskale, të rikthejë dividendin prej 10 për qind për bizneset, si dhe të heqë kufirin e vjetërsisë për autoveturat që importohen.

Propozimi i futjes së dividendit

NJË NGA INICIATIVAT e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e cila u përshëndet nga të gjithë, ishte heqja e dividendit në fitimin e bizneseve, si një hap i cili do të sillte lehtësira për bizneset, qofshin vendëse ashtu edhe ato të huaja.
Mirëpo, pa na treguar asnjë rezultat konkret të kësaj mase, Qeveria e re ka propozuar që e njëjta të kthehet. Kjo i bie që, përveç tatimeve të tjera, në qoftë se një biznes ka realizuar të ardhura gjatë vitit 50 mijë euro, në momentin që i tërheq ato të ardhura të paguajë edhe 5 mijë euro tatim në emër të dividendit.

Tash, ne kemi parë se jo vetëm LDK-ja, e cila udhëheq Ministrinë e Financave, por edhe thuaja të gjitha subjektet e tjera garuese në zgjedhje kanë premtuar se ata do të ndihmojnë në krijimin e një klime më të mirë për investime, zhvillim ekonomik e rritje të biznesit. Mirëpo masa e propozuar tash, nëse miratohet, do të bëjë pikërisht të kundërtën.
T’i marrim disa shembuj:
Një investitor i huaj serioz që ka vendosur të investojë në Kosovë, sigurisht se i ka bërë të gjitha përllogaritjet se si do të zhvillohet biznesi i tij këtu, për sa kohë mund të kthejë investimet dhe për sa kohë të nxjerrë fitim. Ai këtë analizë e bën gjithsesi për një periudhë të caktuar kohore, ta zëmë minimumi për 10 vjet. Tash përnjëherë i shtohet një 10-përqindësh minus në fitim, të cilin nuk e kishte paraparë më herët. Kjo tregon jostabilitet të vendit dhe tremb investitorët aktualë dhe ata të ardhshëm, të cilët do të druajnë se të tilla veprime do të mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

Tjetra, nëse një ndërmarrës, i cili deri më tash nuk ka paguar dividend, ka pasur të punësuar 20 punëtorë, duke u detyruar ta paguajë dividendin për 10 për qind, mund të detyrohet ose të largojë nga puna 2 punëtorë, ose të ulë pagat e punëtorëve aktualë.
Të gjitha këto vetëm sa mund të rrisin papunësinë në sektorin jopublik, ose do të rrisin çmimet në përgjithësi, teksa mund të ruajnë vetëm stabilitetin në administratën publike edhe ashtu të tejngarkuar, si dhe qeverinë me numër gjigant të dikastereve.

Heqja e kufizimit të vjetërsisë së automjeteve

VENDIMI I MINISTRISË së Financave për të mundësuar importimin e veturave pa kufizim të vjetërsisë dhe pa përcaktim të standardeve bashkëkohore është një ndër veprimet më të dëmshme për vendin. Pa marrë mundin fare që të elaborohet racionaliteti i një veprimi të këtillë, Qeveria është e gatshme që të ndikojë që edhe më tej të ndotet ambienti edhe ashtu i ndotur në nivele alarmante, që vendi të kthehet edhe në një varrezë masive të veturave të vjetra nga e gjithë Evropa, që të rritet rrezikshmëria në komunikacion, të jemi edhe një hap më larg integrimit në Bashkimin Evropian, e një vistër me çështje të tjera, me konotacione negative si këto.

Ekspertët e ambientit ishin shumë të shqetësuar edhe në kohën kur para 4 vjetësh Qeveria e atëhershme vendosi që pragun e vjetërsisë nga 8 vjet ta shtyjë në 15, dhe pritej që së paku me Qeverinë e re ky gabim të përmirësohej dhe jo, përkundrazi, të thellohej.

Ata pohojnë se veturat që janë në masë të madhe të vjetra në Kosovë ndikojnë deri në rreth 40 për qind në ndotjen e ajrit. E njëjta përqindje do të mund të ishte edhe shumë më e madhe, në qoftë se në Kosovë tashmë të mos kishte edhe ndotës përtej çfarëdo norme evropiane, siç është rasti me termocentralet ekzistuese të KEK-ut. Në qoftë se edhe më këtë nivel të madh të ndotjes do të shtoheshin edhe dhjetëra mija vetura që do të hynin pa u respektuar standardet e përcaktuara të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropë (UN/ECE) e të adaptuar si standard i vendeve të Bashkimit Evropian (me emërtimin EURO 1 deri në 6) për lejimin e transmetimit të gazrave nga automjetet – kjo ndotje vetëm sa do të rritej.

Transporti rrugor në Bashkimin Evropian është përgjegjës për rreth 20 për qind të transmetimit të monoksidit të karbonit.
Me Protokollin e Kyotos është paraparë një ulje prej 8 për qind deri në vitin 2012 për ndotësit në të gjithë sektorët e ekonomisë krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Parlamenti Evropian, në vitin 2005, ka kaluar një rezolutë me të cilën detyron prodhuesit e automjeteve që respektojnë standardin EURO për të zvogëluar nivelin e monoksidit të karbonit në ajër, kur është kërkuar që të gjitha automjetet prej këtij viti të prodhohen në standard EURO 4, që ul shumëfish ndotjen krahasuar me veturat e prodhuara në vitet ’80.

Në çdo shtet normal, një situatë e këtillë gjithsesi do të nxiste në radhë të parë në reagime të ashpra në vetë resorët ministrorë, si Ministria e Ambientit dhe ajo e Integrimeve për shembull, por në Kosovë kjo heshtet.
Si qëndrojnë vendet e rajonit?

Vendet e rajonit, për të arritur standardet e BE-së, si dhe për të përmirësuar ambientin për qytetarët e vet dhe për të stimuluar blerjen e automobilave të rinj, kanë marrë hapa shumë seriozë, që e lanë Kosovën shumë prapa edhe kështu siç është sot.
Në Shqipëri ka kohë që është hequr fare taksa doganore për veturat e reja nga BE-ja, si masë e ndërmarrë në përgatitje të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit. Edhe pse edhe më parë paguhej vetëm 2 për qind zhdoganim e vlerës së veturës së re, kurse 15 për qind për veturat e vjetra.

Në Maqedoni, po ashtu, është në fuqi vendimi për 0 dogana për veturat e reja nga BE-ja.
Në Mal te Zi kufizohet në 3 vjet vjetërsia dhe kërkohet katalizator konvertues funksional dhe standard EURO 3.
Kurse në Serbi, që nga viti 2005, ka vendosur që të heqë dorë nga kufizimi i vjetërsisë së automjeteve, që deri më atëherë ishte 3 vjet, kurse ishte vendosur se mund të importoheshin vetëm veturat me standardin EURO 3.
Në Bosnjë-Hercegovinë ka kufizim 7-vjeçar për vjetërsinë dhe kërkesë për katalizator konvertues funksional.
Në Kroaci kërkohet standardi EURO 3 për veturat e vjetra dhe EURO 4 për të rejat.

Deri më tash Kosova edhe ashtu ka qenë vendi me veturat më të vjetra në rajon dhe pritet të mbetet dele e zezë në këtë fushë edhe në të ardhmen.
Të dhënat nga Dogana tregojnë se më pak se 10 për qind e gjithë veturave të importuara gjatë një viti në Kosovë janë me kilometrazh 00. Bile ky numër do të mund të ishte edhe shumë më i vogël po të mos bliheshin numër i madh i veturave të reja me para të buxhetit nga taksat e qytetarëve për nevoja të institucioneve të Kosovës.

Për shembull, në vitin 2009 zyrtarisht ishin importuar gjithsej 13.597 vetura, nga të cilat 12.617 kanë qenë të përdorura, kurse pas hyrjes në fuqi të kufizimit të vjetërsisë në 15 vjet, ky numër gjithsesi i vogël ishte zvogëluar sërish shumëfish. Si krahasim, në shtetin fqinj, Maqedoni, për çdo vit mbahet një konstante prej rreth 10 mijë veturave të reja të importuara, ndonëse ky vend nuk qëndron shumë më mirë se Kosova sa i përket standardit të përgjithshëm jetësor.
Tash, duke qenë se në Maqedoni dogana është 0, kurse në Kosovë mbetet 10 për qind për të gjitha veturat – pavarësisht a të reja ose të vjetra – kjo shpërpjesëtueshmëri do të rritet edhe më tepër në dëm të Kosovës.

Kurse, duke qenë rreth 95 për qind të veturave të vjetra në qarkullim, atëherë edhe rrezikshmëria e incidenteve në komunikacion është shumë më e madhe se në vendet e rajonit, pasi që, natyrshëm, veturat e vjetra kanë shumë më tepër predispozita të prishen se të rejat.

Dhe, përfundimisht, duke shkruar në drejtimin e kundërt me të cilin kërkojnë standardet e Bashkimit Evropian, Kosova, si shteti i fundit në Evropë në rrugën drejt aderimit, vetëm sa ia shton edhe një arsye tjetër vetes për t’u larguar edhe më tepër.
Përfundimisht, me këtë veprim qytetarëve do t’iu duhet të shpenzojnë më tepër në barna dhe mjekim për shkak të ndotjes së ambientit dhe rritjes së probabilitetit të aksidenteve në trafik, si dhe thellimit të izolimit evropian, ose – pse jo?! – edhe përkeqësimit të imazhit në rrugë që do të sjellin shtimi i veturave të vjetra.

Në qoftë se kjo qeveri është e vendosur për të rritur mirëqenien e qytetarëve – dhe jo vetëm për të mbuluar lajthitjet e veta – do të duhej dhënë fund praktikës së hedhjes së hirit syve me zgjidhje të lehta të çastit, që çojnë në dëme edhe më të mëdha të garantuara në të ardhmen./koha ditore/

Më Shumë

Shpallja e finalistit të dytë, Juli dhe Meritoni në televotim kokë më kokë

Juli dhe Meritoni janë në televotim kokë më kokë, ku njëri prej tyre do të jetë finalisiti i dytë. Të martën njëri prej banorëve të...

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Lajmet e Fundit