Home Blog Page 7069

Prizren: Gjejnë portofolin me 765 euro, e dorëzojnë në polici

0

Dy të rinj të Prizrenit të hënën, rreth orës 21:00 kishin gjetur një portofol meshkujsh teksa po lëviznin përball restorantit Vila 100 në këtë qytet dhe e kanë dorëzuar atë në Policinë në Prizren.

“Përpos disa kartelave bankare, në portofol ndodheshin edhe 765 euro dhe një fotografi. Policia e ka identifikuar personin i cili e kishte humbur portofolin dhe të njëjtin ia ka kthyer sipas procedurave të pranim-dorëzimit”, njofton zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Pas pranimit të portofolit, qytetari ka falënderuar gjestin human të të rinjve dhe Policinë e Kosovës. /PrizrenPress.com

Mustafa: Folëm për përmbylljen e misionit të EULEX-it

0

Kryeministri Isa Mustafa, thotë se në Nju Jork, janë zhvilluar shumë takime me rëndësi për Kosovën, si për njohje, procesin e integrimeve, sigurinë, ekstremizmin dhe mandatin e EULEX-it.

Në një intervistë për RTK-në, Mustafa ka përmendur një kronologji të takimeve të deritashme.

“Kemi pasur disa takime që mendoj se janë shumë të rëndësishme. Kemi pasur takime me Mogherinin, takim me kryeministrin e Luksemburgut, me zyrtarë të Norvegjisë. Kemi kërkuar përkrahjen për Kosovën në anëtarësimin në UNESCO dhe Interpol. Kemi zhvilluar çështje që kanë të bëjnë me agjendën tonë evropiane, që lidhen kryesisht me MSA-në dhe procesin e liberalizimit të vizave. Me përfaqësuesit amerikan, kemi biseduar për transformimin e FSK-së në FAK”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për përmbylljen e misionit të EULEX-it.

“Me përfaqësuesit amerikan dhe të BE-së kemi diskutuar edhe përmbylljen e misionit të EULEX-it në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Publiku do ta ndihmojë përzgjedhjen e Anglisë për Eurovizion

0

Anglia viteve të fundit ka treguar rezultate të dobëta në garën e Eurovizionit.

Kësisoj, është vendosur që sivjet edhe publiku të marrë pjesë në votimin për të zgjedhur këngën përfaqësuese në Eurovision Song Contest.

Zakonisht kënga është përzgjedhur nga BBC, por sivjet këngët do të konkurrojnë deri me 20 nëntor e më pas do të organizohet finale me më të mirët.

“Është vendimi më i mirë që kemi marrë së fundmi. Kemi nevojë për përfaqësim më të fortë anglez në këtë festival. Viteve të kaluara kemi qenë shumë më mirë” thotë Alex Randall.

Vitin e kaluar Electro Velvet përfunduan në fund të tabelës, në vendin e 24-të.

Anglia e ka fituar festivalin pesë herë në tërë historinë e festivalit. Vitin 2003 kënga përfaqësuese ka dalë me zero pikë.

Fatmir Limaj po shantazhohet

0

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se qëllimisht në këtë periudhë kohore është publikuar aktakuza ndaj Limajt dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e “MTPT”-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se qëllimi i EULEX-it është që vazhdimisht ta mbajë të shantazhuar Fatmir Limajn.

“Nuk është e rastësishme që tash është caktuar vlerësimi i ankesës së prokurorit në rastin ‘Kleçka’ si dhe është dërguar kjo aktakuzë me përmirësime të caktuara, që i bie se për një periudhë kohore prej tre vjetësh EULEX-i ka mundur qëllimisht ta mbajë këtë aktakuzë dhe në momentin që i është dukur e përshtatshme, ta dorëzojë tek Gjykata Themelore. Qëllimi i EULEX-it është që vazhdimisht ta mbajë të shantazhuar Fatmir Limajn”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se nuk është e rastësishme që aktakuza është publikuar në kohën kur liderët opozitarë kanë paralajmëruar protesta gjithëpopullore. Në këtë kontekst, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndikimit të politikës në këtë rast.

“Nuk mund të them se ka prova se politika ka ndikim, por sigurisht nuk është e rastësishme që është bërë publike kjo aktakuzë tani kur po kundërshtohet procesi i dialogut me Serbinë, përkatësisht nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura së fundmi në Bruksel. Fatmir Limaj, si pjesë e opozitës, së bashku me Ramush Haradinajn dhe Visar Ymerin, kanë paralajmëruar se në çaste të përshtatshme do të organizojnë protesta gjithëpopullore kundër nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Gashi.

Ai ka vlerësuar se EULEX-i me këto veprime po tenton ta paraqesë si të suksesshëm përfundimin e punës në Kosovë.

“Kohët e fundit EULEX-i është duke përdorur taktika të publikimit të punës së vet. Kështu që, publikimi i kësaj aktakuze dhe dhënia e një peshe të caktuar në medie nga ana e EULEX-it tregon se ky mision dëshiron të paraqesë se, kinse, me sukses është duke u përfunduar puna e tij në Republikën e Kosovës, e që unë mendoj se është krejtësisht e kundërta”, është shprehur Gashi.

MSA shtyn aplikimin në Këshillin e Evropës

0

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, me të marrë postin e shefit të diplomacisë, premtoi se Kosova shumë shpejt do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE), megjithatë kjo ende nuk është bërë. Ministria e Punëve të Jashtme këtë fakt e arsyeton me pritjen për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimit (MSA) me Bashkimin Evropian, dhe se pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në KE.

Megjithatë, sipas anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ky arsyetim nuk qëndron pasi këto dy procese nuk kanë kurrfarë ndërlidhje. Ata thonë se aktualisht Kosova i ka të sigurta votat e nevojshme për anëtarësim në KE, ndërsa, sipas tyre, nëse aplikim vonohet edhe më tutje, mund të ndryshojë qëndrimi i disa prej anëtarëve të kësaj organizate.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë për gazetën “Zëri” se aplikimi në Këshillin e Evropës bëhet me konsultim të plotë me shtetet anëtare të KE-së prej të cilave, Selimi ka thënë se presin pastaj ndihmë në lobim. Ai më tej ka thënë se miqtë e Kosovës, u kanë sugjeruar që të mos aplikojnë për anëtarësim në KE para se të nënshkruhet MSA-ja.

Lakmia për pushtet, rrënuese për LDK-në

0

Lakmia për pozita në fundin e karrierës mund t’i kushtojë rëndë Isa Mustafës, kreut të LDK-së, që u mashtrua nga Hashim Thaçi, lider i PDK-së, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, i cili i la në dorë një patate “përvëluese” të pazareve të pista politike, të nisura e të orkestruara të gjitha nga ish- kryeministri në bisedimet e dëmshme me Serbinë. Ky është një konstatim i vetë njerëzve të politikës, por edhe analistëve politikë, të cilët tani e shohin të bllokuar dhe dëmtuar rëndë kreun LDK-së.

“Unë kam frikë se e gjithë kjo mund t’i kushtojë shumë LDK-së, sepse edhe të gjitha lojërat dhe veprimet e opozitës janë të orientuara kundër kryeministrit dhe LDK-së. Përderisa heshtat thyhen në mes opozitës dhe LDK-së, PDK-ja qëndron e qetë aty në mes dhe sillet sikur e gjithë kjo nuk ka fare të bëjë me të. Lufta rraskapitëse në mes opozitës dhe LDK-së e gëzon PDK-në, e cila mund të jetë përfituese në këtë rast”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Sidoqoftë, ai rikujton se edhe PDK-ja dhe të tjerët kanë përgjegjësi të njëjtë për këto pazare, pasi ato rrjedhin nga Plani i Ahtisarit miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Tash gjithë këtë situatë po mundohen ta shfrytëzojnë ‘Vetëvendosje’ dhe dy partitë e tjera opozitare për ta sulmuar kryeministrin që vjen nga LDK-ja. Duket interesante kjo situatë në Kuvendin e Kosovës. Është shumë i dukshëm një koketim i kryetarit të Kuvendit me ‘Vetëvendosjen’ dhe simpatia e ndërsjellë për ta sulmuar kryeministrin. Shefi i SHIK-ut po i ofron Lëvizjes “Vetëvendosje” hapësirë dhe kohë të pakufizuar në Kuvend për ta sulmuar kryeministrin e Qeverisë së Kosovës”, ka pohuar deputeti Salihaj.

Kur nisi DokuFest, nisi me vetëm 2500 marka

0

Kështu ka treguar drejtori i Festivalit më të njohur në rajon, Veton Nurkollari i cili në kuadër të Forumit BarCamp ka treguar për vullnetin e këtij ekipi për themelimin e këtij festivali. Por, sipas tij, ky vullnet të mban vetëm në fillet e një nisme, por jo pa financa mund të organizohet më pas edhe një festival i madh sikurse është sot DokuFest

Forumi BarCamp Prishtina filloi me sezonin e tij të ri, me c`rast në edicionin e tij të 31-të, i cili u mbajt pasditen e së martës në Teatrin Oda u diskutua rreth asaj që kërkohet për të organizuar një festival të suksesshëm në vendin tonë, çfarë vlera shpalosin dhe sjellin ato, si dhe si priten këto festivale në Kosovë.

Të ftuar në këtë forum diskutimi ishin Veton Nurkollari dhe Eroll Bilibani nga DokuFest, Rron Bajri nga Anibar dhe Rafet Rudi nga ReMusica. Në formë rrethi i formuar nga ulëset e mbushura me të interesuar kishin ardhur për të dëgjuar diskutimet dhe këshillat se si të organizohet një festival i suksesshëm në vendin tonë ku kushtet ekonomike ta vështirësojnë gjithnjë rrugën e suksesit, e të cilët ishin të gjithë veshë për të dëgjuar sa më mirë për atë se çfarë po thuhej.

I pari që hapi BarCamp të këtij edicioni ishte drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari. Ai para të pranishmëve tregoi eksperiencën e tij me edicionin e parë të DokuFest, duke treguar vështirësitë e shumta që kishte hasur në atë kohë. Ai tha se ideja e themelimit të një festivali siç është edhe DokuFest ka lindur nga kinemaja e braktisur në atë kohë, kinemaja “Lumbardhi”.

“Në vitin e parë të hapjes së DokuFestit krejt çka kemi pas nga mjetet financiare kanë qenë 2 mijë e 500 marka të asaj kohe, mirëpo vullnetin dhe besimin e kemi pasur shumë të madh”, filloi të tregoj rrugëtimin e DokuFestit, drejtori artistik i këtij festivali, Veton Nurkollari.

“Nëse keni vullnet dhe dëshirë dhe jeni një grup i vogël apo sado persona që jeni, dhe besoni në atë që doni të filloni atëherë nuk ka asgjë që nuk mund të bëhet. Gënjeshtra janë ato që thuhet se pa para nuk mund të bëhet asgjë, ne jemi dëshmitarë që së paku tre vitet e para të DokuFest kemi realizuar pa para. Është e kuptueshme që pa të holla nuk mund të realizojmë një festival siç është tani DokuFest-i, mirëpo mund të fillohet diçka për tu rritur gjatë viteve”, tha Nurkollari.

Sipas tij, ëndrra e parë e gjithë secilit mund të realizohet edhe pa para.Ndërsa drejtori i përgjithshëm i DokuFest, Eroll Bilibani tregoi se tani DokuFest-i ka të angazhuar 18 punëtorë që merren me organizimin e tij gjatë gjithë vitit, po ashtu falë festivalit në fjalë, në qytetin e Prizrenit gjatë gjithë kohës është funksionale Dok Kino që është kinemaja e dytë në Kosovë.

Gjithashtu edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, Rafet Rudi, në këtë forum foli rreth sfidave që mbizotërojnë në Kosovë sa i përket organizimit të festivalit, mirëpo edhe mundësitë që ekzistojnë për zhvillimin e muzikës klasike, promovimin e krijimtarisë së re muzikore shqiptare, si dhe evidentimin e talenteve të reja nga perspektiva e krijuesit.

“Festivali ReMusica është festival i muzikës moderne, muzikës bashkëkohore. Është interesante nisja e festivalit, ka shumë momente që e kanë determinuar dhe e kanë përcaktuar festivalin, gjithsesi vendimtare dhe një pikënisje ka qenë se unë si muzicientë gjatë jetës jam marrë me shkrime, dhe gjatë interesimeve të mija që kanë qenë tash e tri decenie gjithnjë ka qenë arti modern dhe muzika bashkëkohore, natyrisht kjo për shkak se unë jam krijues por edhe për shkak se rrethanat kanë qenë të tilla në fillimin e moshës së re, që unë disi të njihem me festivale, e sidomos me festivale të muzikës moderne”, kështu filloi të tregoj për fillimet e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, drejtori i këtij festivali Rafet Rudi.

Gjithashtu edhe drejtori Artistik i Anibar, Rron Bajri, tregoi më shumë rreth sfidave që dalin nga organizimi i festivalit të vetëm për film të animuar në Kosovë. “Anibar”, mbahet ne muajin gusht në qytetin e Pejës. Ai tregoi se qëllimi i festivalit është shfaqja e trendeve të fundit botërore në lëmin e filmit të animuar për publikun kosovar dhe krijimi i ambientit për autorët e rinj të cilët merren me krijimtarinë e filmave të animuar./KultPlus.com

Politikanët i tremben referendumit

0

Me ligj, ende nuk lejohet të shprehet vullneti popullor për çështje të rëndësishme

Deputetë dhe analistë vlerësojnë se frika e të inkriminuarve të politikës po bën që të mos lejohet organizimi i referendumeve për tema të ndjeshme, siç janë Asociacioni, Demarkacioni etj.

Asnjë nga qeveritë pas pavarësisë së Kosovës nuk e ka nxjerrë në planin legjislativ hartimin e Ligjit për referendumin, e drejtë e garantuar me nenin 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Fakti që politika e inkriminuar mbikëqyr dhe dirigjon vetë edhe përbërjen e Kuvendit të Kosovës, shumica qeverisëse është edhe një arsye shtesë pse deri më tani nuk ka pasur as nisma parlamentare për ta bërë Ligjin për referendumin.

Deputetë, qoftë nga pozita dhe opozita, theksojnë se kjo zbrazësi ligjore është lënë qëllimshëm, në mënyrë që të anashkalohet vullneti qytetar i garantuar me Kushtetutë në procesin vendimmarrës, sidomos për çështjet që janë të një rëndësie të veçantë, sikur është tani situata me marrëveshjet e fundit në Bruksel, kundër të cilëve qytetarët po japin firmën e tyre në peticionin e organizuar nga opozita.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, është tepër i sigurt që frika e politikës për t’i nxjerrë çështjet e mëdha për shtetin, që vendosen përmes referendumit popullor, është arsyeja e vetme pse është anashkaluar deri më tani bërja e një ligji të tillë. /Kosova Sot

Zafir Berisha: Do t’i shkojmë deri në fund

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse, sa i përket tërheqjes së nënshkrimit të Kryeministrit Mustafa nga Marrëveshjet e Brukselit.

Berisha e ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të PDK-së, Adem Grabovit, i cili pati thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më në Kuvend për marrëveshjet në fjalë. Sipas tij, kjo nuk paraqet ndonjë gjë të re apo “lajm” siç ai e ka quajtur, ngase në vetë kulturën e Qeverisë, është “injorimi i Kuvendit”.

“Z. Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk përbën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës në Komisionin për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Ai më pas, gjatë intervistës, ka folur edhe për largimin e Qeverisë së tanishme, si dhe për nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët, të cilat u mundësuan me organizimin e partive opozitare.

Gazeta Blic: Opozita ka mbledhur diku më shumë se 90 mijë nënshkrime për tetë ditë. Çka prisni të ndryshojnë këto nënshkrime?

Zafir Berisha: Nënshkrimet e qytetarëve përmes peticionit janë mishërim dhe fuqizim i kërkesave të opozitës, drejtuar Kryeministrit Mustafa, lidhur me “Zajednicën” dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjet me Serbinë, ku Serbia bëhet faktor determinues i funksionimit të brendshëm të shtetit tonë, gjë që për ne është e papranueshme.

Gazeta Blic: Keni paralajmëruar bllokim të Kuvendit deri në tërheqje të nënshkrimit nga Marrëveshjet. A ekziston ndonjë mundësi tjetër (psh., dialogu me qeverinë)?

Zafir Berisha: Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse në kërkesat e veta, drejtuar Isa Mustafës dhe të veprojë brenda rregullave ligjore e demokratike, edhe pse shumë rregulla janë jashtë funksionit, për arsye se, Qeveria e ka vendosur opozitën dhe qytetarët para aktit të kryer, gjë që pamundëson disa hapa që janë dashur të merren, para se të bëhen veprimet e dëmshme për vendin.

Gazeta Blic: Mirëpo, deputeti Grabovci ka thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më. Si e komentoni ju këtë?

Zafir Berisha: Z.Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk bën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur.

Gazeta Blic: A mendoni se do të arrini ta rrëzoni këtë Qeveri? Kur dhe çka do të bëhet më pas, nëse po?!

Zafir Berisha: Qeveria për ne e ka rrëzuar veten me dëmtimin që është duke ia bërë funksionalitetit të vendit. Kështu që, sa më parë që e kupton, aq më mirë është për vendin dhe qytetarët, ndryshe shkuarja e kësaj qeverie në shtëpi, është urgjente për perspektivën evropiane të Kosovës dhe funksionimin demokratik të vendit.

Letra e hapur e Ramadan Zejnullahut drejtuar Arsim Bajramit

0

Ramadan Zejnullahu, rektori i Universitetit të Prishtinës, i ka drejtuar një letër publike ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ku e ka kritikuar këtë të fundit për ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj çështjeve aktuale në UP.

“E kam të qartë se ju jeni ministër në një shtet ku, përveç politikës zyrtare, ka edhe “politika” të tjera, partiake, personale, grupore e klanore, prandaj edhe nuk është lehtë të mos ndikohesh prej tyre”, ka shkruar ndër të tjera rektori Zejnullahu.

Më poshtë letra e hapur e rektorit Zejnullahu, drejtuar ministrit Bajrami:

Ministri Bajrami: MASHT përkrah standarde të larta, por ne jemi Kosovë, nuk jemi Kembrixh.

Të kërkosh standarde të larta të cilësisë dhe, njëkohësisht, të kesh rezervë ndaj zbatimit të kritereve minimale akademike, të përcaktuara me Statut që nga viti 2004, është kundërthënie logjike. Larg jemi ne nga Kembrixhi zoti Ministër, e larg jemi edhe nga vendet e tjera të rajonit. Pra, nuk bëhet fjalë këtu për Kembrixh, por për kritere minimaliste çfarë nuk gjeni në asnjë vend tjetër të rajonit, përveç ndoshta në Shqipëri. Plotësimi i këtyre kritereve nuk quhet “standard i lartë”, përderisa ato janë minimaliste. Problemi ynë është, z. Ministër, se edhe këtyre kritereve minimaliste po ju shmangemi dhe po duam t’i zhbëjmë. Po mundohemi ta “shesim” një revistë të një kolegji privat të Kosovës si ndërkombëtare, ose siç thot populli, po shesim dushk për gogla. Ju lutem mos i përkrahni standardet e larta se atëherë duhet ta mbyllim universitetin. Mjafton t’i jepni mbështetje respektimit të kritereve tona minimaliste që janë në fuqi nga viti 2004, kur Ju keni qenë prorektor për mësim, dhe kjo na ndihmon të bëhemi pak më të mirë se që jemi tani.

Ministri Bajrami: Çështjet duhet të zgjidhen në proces e jo me prerje kirurgjike.

Po Ministër, pajtohem me Ju sepse nga funksionimi joligjor i institucioneve kemi përfituar të gjithë. Prandaj zgjidhja në proces e problemeve që ka sot UP-ja d.m.th. te lejojmë që përfituesit joligjorë të vazhdojnë zhvatjen edhe për disa vjet, por me intensitet diç më të vogël. Në fund, ajo që mbetet nuk i duhet më askujt. Paramendoni sikur të fillonim t’i ndalonim regjistrimet joligjore të studentëve,në proces, duke negociuar me argatët e së keqes.

Ministri Bajrami: Jemi të pakënaqur me trendin, atje nuk ka kurrfarë përmirësimi, atje universiteti nuk po e zhvillon komponentën kryesore – cilësinë, nuk është cilësia çështje administrative.

Nuk e mendoj se mendoni ashtu, të paktën në takime tona të punës e keni thënë të kundërtën. Nëse e keni thënë për të balancuar me ata që humbën mundësinë e ndërhyrjes në vendimmarrje në UP do ju mirëkuptoj se ata janë ende të “fuqishëm”. Por ama mos pritni që gjendja do të përmirësohet brenda një viti pas 15vjet katandisje të UP-së, nga e cila përfituan dhe vazhdojnë te përfitojnë të gjithë ata që kanë “fuqi”, nga majat e shtetit deri te ata që kryejnë shërbime për UP. Për këtë kam qenë i vetëdijshëm që në fillim.

Ministri Bajrami: Ne do të vërejmë cilësi nëse rektori do t’i përkushtoj dekanët që të punojnë me mësimdhënësit, që të japin ligjërata me cilësore.

Për fat të keq, asnjëherë në këtë universitet nuk është biseduar për cilësinë e ligjëratave dhe Ju e dini këtë fare mirë. Bile kur studentët flasin për cilësinë e ligjëratave dhe mungesat e profesorëve prej ligjëratave, ua mbyllim gojën. Por, një gjë dihet – cilësinë e sjellin njerëzit e kualifikuar, të përkushtuar dhe të përgatitur në aspektin profesional. Dhe, nëse Ju e quani “bllokim” insistimin e menaxhmentit për t’i marrë me meritë gradat akademike, atëherë nuk po e inkurajoni zhvillimin e cilësisë në Universitet, por po e shndërroni cilësinë në viktimë të ambicieve personale të individëve.

Ministri Bajrami: I kam kërkuar rektorit të jetë me fleksibil, të hap debatin të mos bllokoj zgjedhjet.

Zoti ministër, do të ju rikujtoj se, para një muaji, vet e keni propozuar debatin me dekanët e njësive akademike rreth zgjedhjeve të stafit, madje e kemi caktuar edhe datën për mbajtjen e debatit. Kjo ndodhi pasi e keni pranuar një grup të senatorëve që kërkuan nga Ju të merrni masa ndaj menaxhmentit, ndërsa unë bashkë me dekanët e kemi pritur idenë e debatit me shumë kënaqësi. Pse nuk po e sqaroni para publikut arsyen e anulimit të pjesëmarrjes Suaj në debatin që e propozuat vet? A ishte ky vendim i Juaji apo i dikujt tjetër? Tregoni opinionit për kërkesat që i shtruat para meje për mbrojtje te kritereve akademike, bile edhe duke u thirrur në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. Debatin e kemi zhvilluar edhe në Senat, por kërkesa ishte që ky debat të mbyllet me shumicë votash që, në praktikë, do të thotë të avancohen të gjithë, pavarësisht plotësimit të kritereve ligjore. Bile, shkuam aq larg në debat sa që filluam të diskutojmë nëse një revistë që publikohet nga një kolegj privat në Prishtinë është revistë ndërkombëtare.

Ministri Bajrami: Zgjedhjet nuk janë bllokuar as në kohën e okupimit

Zoti ministër,nëse 16 vjet pas përfundimit të okupimit ne dëshirojmë të veprojmë si në vitet e 90-ta, kjo do të thotë se, jo që nuk jemi ambicioz, por as nuk dëshirojmë përparim. Kriteret nuk i ka vendosë rektori, por Statuti. Këtë e dinë të gjithë. Nëse dëshironi, ndërrojeni Statutin dhe nuk e kam problem që të zbatoj standarde më pak rigjide. Por, nëse e anashkalojmë me vetëdije dhe me shumicë votash, atëherë nuk mbetet më universitet.

Ministri Bajrami: Unë vet kam qenë rektor, por çdo mëngjes kam pas takim me dekanë dhe të gjitha çështjet i kemi zgjidhur me mirëkuptim.

Më kujtohet mirë koha kur ju ishit prorektor, por nuk e besoj se as Ju as opinioni akademik mendon se ajo ishte kohe e lavdisë së UP. Përkundrazi, ajo ishte koha kur në UP u krijua një atmosferë e kontrollit të rreptë politik, që hapi rrugë për krijimin e grupeve të interesit me qëllim sigurimi të përfitimeve personale dhe joligjore. Si rrjedhojë, në këtë aspekt shpesh është vepruar pa kurrfarë kriteri, si gjatë pranimit të studentëve, ashtu edhe gjatë promovimit në thirrje akademike dhe pranim të kuadrit. Falë politikës që u promovua në atë kohë, u katapultuan në jetën akademike individë që njiheshin në opinion si shpërdorues të financave publike dhe të tillë që ishin të lidhur me klane që abuzuan dhe vazhdojnë ta abuzojnë këtë Universitet.

Dhe, pasi i analizova të gjitha, z. Ministër mbetet tek unë dilema se çfarë pret një ministër i arsimit, që ka deklaruar si prioritet të vetin cilësinë, nga rektori i Universitetit më të madh në vend – insistim për respektim të kritereve të cilësisë apo ruajtje të sqatus quo-së që na solli deri këtu ku jemi?
Me respekt,

Ramadan Zejnullahu

Autori është rektor i Universitetit të Prishtinës

Qëndrimet e shprehura janë personale