13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ku mbeti Imeti?

Shkruan: Alban Selimi

Pas një tendence për reformë të thellë në sistemin shëndetësor, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, e kishte të vështirë të lëshojë nga dora njërin prej dikastereve më jetik për qytetarin, atë të shëndetësisë.

Agani s’e kishte idenë që sistemi që e menaxhoi për disa vite, do të mbetej në udhëkryqin ku e ka lënë, duke bërë që 100 ditë pas marrjes në dorë të këtij sektori nga Imet Rrahmani, asnjë veprim të mos reflektohet i planifikuar, por ad-hoc dhe me qëllim të “arnimit të thesit të shqyer”.

Nuk është Agani ai që bëri ndonjë punë shumë konkrete që do t’i ndryshonte kualitetin e jetës qytetarit, megjithatë, duke pasur parasysh ambiciet e tij, shpresohej në një ndryshim.

Qeveria u formua pas një bllokade disamuajshe dhe një njeri që punonte në Emergjencën e Gjilanit, e që njihej me ordinancën e tij ilegale në Gjilan, me emër që më shumë i përshtatej një qebaptoreje, do të bëhej shumë aktual.

Jo me fuqinë e “shkopit magjik” për zgjidhjen e problemeve në shëndetësi, por me pafuqinë për të bërë diçka të mirë në sistemin që në krye do t’i vinte një njeri nga “fundi i pusit”.

Lutfi Haziri, i painteresuar të qëndrojë gjatë në nivelet lokale, dërgoi për fuqizim në Prishtinë Imet Rrahmanin, duke e bërë protagonist kryesor të sistemit më të degraduar të vendit. Më keq s’kish se ç’bëhej për shëndetësinë. Sëpatës duhej vënë bishtin e vet. E me atë “bisht” matrapazët do të vazhdojnë të presin lisat e mbetur.

Rrahmani, pasi gjeti me vështirësi karrigen e tij prej ministri në Kuvend, nuk do të shfaqej një kohë të gjatë në publik. Batutat që kishte lëshuar në Gjilan, se “Luta po e ruante për më lart” i mbyllën gojën skeptikëve.

I heshtur, rrinte në zyrë. Shfaqej me ndonjë komunikatë, për t’u bërë i gjallë në ndonjë takim. E vështirë për një mjek që kishte ecur me rollë, të fillojë të lidhë kravatën e ministrit. Aq më parë, kur vjegëzën e asaj kravate e mbajnë të tjerët.

Nuk kishte konsideratë se spitalet nuk kishin ilaçe elementare, nuk kishte konsideratë se mjekët specializantë kërkonin pagesat siç ishin futur në lista, nuk kishte konsideratë për kontratën kolektive, as për protestat e paralajmëruara. Së paku, nëse kishte nuk reflektonte. Për gjithçka i duhej një sinjal. S’mund të bënte asnjë veprim, pa reagensin e quajtur Lutfi Haziri.

Siklet i madh për të, kur do të shfaqej në “provim” para komisionit të shëndetësisë, ku për fatin e tij, do t’i bëheshin pyetje periferike nga deputetët. Nuk mungonte edhe konsiderata për njeriun që “nuk i merr vesh këto gjëra”.

Mezi dëgjohej bëzama e ministrit, që ende s’e kishte thyer tabunë për fjalën në publik.

Skandali me ordinancën do ta përcjellë gjatë këtë ministër, ndonëse Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka dhënë ende fjalën e saj për mosdeklarimin e saj.

Rrahmani, pa hezitim ka thënë se ka mbyllur shumë vite më parë biznesin e tij ilegal, derisa doli të jetë aktive në institucionet e Republikës së Kosovës, ku ai është një bashkëdrejtues.

Një njeri tjetër që ishte zënë duke punuar në ordinancën e tij private në Ferizaj gjatë kohës kur do të duhej të ishte aktiv në punë në QKUK, do të bëhej këshilltar i Rrahmanit, duke vërtetuar se shkelja e ligjit është një gjë normale.

Në këtë kohë, vetëm koincidenca e 1 prillit mund të justifikojë sukseset e këtij ministri. Rrahmani pikërisht më 1 prill, bëri 100 ditë qeverisje. Aq të hidhëta janë këto për pacientët, sa që nuk i “ëmbëlsojnë” as tullumbat për të cilat thuhej se ishte maestro paraardhësi i tij Sadik Idrizi, që para se të bëhej ministër, ishte një ëmbëltorist i shquar.

Më Shumë

Ndodh përsëri: Blero ndahet nga e dashura e tij

Këngëtari i njohur Blero Muharremi ka konfirmuar ndarjen nga e dashura e tij e fundit. Lajmi është konfirmuar “Prive”, ku në një kronikë të javës...

Vajza në Rahovec raporton se i është zhdukur nëna

Një vajzë nga Rahoveci, ka raportuar në Polici se nëna e saj është larguar nga shtëpia të shtunën e javës së kaluar dhe nuk...

Lajmet e Fundit