26.4 C
Prizren
E premte, 15 Gusht, 2025
Home Blog Page 7820

Seanca dëgjimore, pa ndikim substancial

0

Gjykata-peshorjaSeanca dëgjimore, e cila do të mbahet më 21 gusht në Gjykatën Kushtetuese, për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, do të ketë karakter procedural.

Riza Smaka, njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë për “Epokën e re” se Gjykata Kushtetuese ka gjasë ta kthejë nga fillimi seancën konstituive të Kuvendit në të cilën Isa Mustafa është zgjedhur kryeparlamentar. “Kjo seancë dëgjimore e ka karakterin procedural, ku do të dëgjohet njëra dhe pala tjetër. Eventualisht në këtë seancë do të ketë pyetje të ndërsjella dhe do të mbyllet pjesa e parë. Ndërsa pjesa e dytë e seancës është shqyrtimi i çështjes. Unë pres që Gjykata Kushtetuese, sepse edhe politika do të ketë influencë të madhe, ta kërkojë përsëritjen e procedurës së seancës konstituive. Pra, besoj se gjykata do të kërkojë që proceduara e seancës konstituive të nisë nga fillimi. Nuk po e jap këtë interpretim në bazë të komentimit të Kushtetutës, por duke pasur parasysh politikën ditore e cila është shumë e fuqishme në Gjykatën Kushtetuese. Praktikisht kjo gjykatë është instrumentalizuar në funksion të politikave ditore”, është shprehur Smaka, duke shtuar se seanca dëgjimore nuk mund të zgjasë më shumë se dy orë.
Smaka nuk e përjashtuar mundësinë që në seancën dëgjimore të ketë përplasje të argumenteve në mes të PDK-së dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma. “Do të ketë përballje konfrontuese. Natyrisht se do të ketë argumente dhe kundërargumente. Ky konfrontim do të jetë i nivelit të toleruar që mund të praktikohet kudo në seancat gjyqësore”, ka thënë ai.
Në situatën e krijuar, sipas Smakës, Gjykata Kushtetuese fillimisht mund t’i japë të drejtë PDK-së për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. “Kjo gjykatë më siguri do t’i japë prioritet koalicionit parazgjedhor, ashtu siç ka referuar në rastin e mandatarit të qeverisë. Pastaj kryesuesja e Kuvendit, sipas diskrecionit, do t’ia jepte të drejtën edhe koalicionit paszgjedhor për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Cilido prej këtyre dy palëve do ta kishte numrin e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do ta votonte kryeparlamentarin dhe do ta zgjidhte. Kjo pak a shumë do të ishte zgjidhje racionale sepse do ta pengonte nevojën që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do t’i kushtonin Kosovës rreth 10 milionë euro”, ka deklaruar Smaka.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve kushtetuese, Fisnik Korenica, ka deklaruar se seanca dëgjimore e lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës do të ketë karakter procedural. Ai ka thënë për “Epokën e re” se kjo seancë nuk mund të ketë ndikim substancial në vendimin që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. “Seanca dëgjimore, e cila pritet të mbahet më 21 gusht, është thjesht një veprim procedural. Mendoj se nuk do të ketë ndikim substancial në vendimin që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese ndaj lëndës që ka papara vetes. E para, për faktin se palët, në një rast kushtetues, avancimin e argumenteve të tyre mund ta bëjnë në formë të shkruar dhe përballja verbale është vetëm një formalitet që nuk besoj se do të ndikojë në rrjedhën kushtetuese të rastit. Dhe e dyta, për Gjykatën Kushtetuese seanca dëgjimore dhe vetë kërkesa e bllokut është vetëm një veprim i cili i mundëson publikut ta shohë sa në çfarë forme përballen verbalisht argumentet e të dyja palëve”, ka thënë Korenica. Ai ka vlerësuar se argumentet e PDK-së dhe koalicionit paszgjedhor përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit janë të dobëta në përmbajtje. “Mendoj se seanca nuk do të zgjasë shumë sepse përballja do të bëhet në mes të përfaqësuesve të partive politike. Prandaj nuk besoj se do të ketë deputetë të interesuar të shkojë në seancë për t’i dhënë argumentet e tyre në baza individuale. Në anën tjetër, edhe blloku i PDK-së, edhe ai koalicionit LDK-AAK-Nisma, shoh se kanë një dobësi shumë të madhe në argumentimin e kërkesave të tyre. Besoj se për shkak të dobësive të të dyja palëve, seanca dëgjimore nuk do të zgjasë shumë sepse nuk kanë çfarë të thonë më shumë se që kanë paraqitur në kërkesat e tyre”, ka deklaruar Korenica, duke e vlerësuar hap të gabuar kërkesën e koalicionit LDK-AAK-Nisma për seancë dëgjimore. “Kërkesa e bllokut për seancë dëgjimore është veprim i gabuar, sepse veçse e kanë shtyrë se tepërmi procesin e konstituimit të institucioneve dhe në një farë forme e ka futur nën hije momentumin politikë, të cilin e pati fituar në momentin kur e ka zgjedhur Isa Mustafën në krye të Kuvendit”, është shprehur Korenica.
Korenica ka bërë me dije se janë dy skenarë që Gjykata Kushtetuese mund t’i nxjerrë në raport me kërkesën e PDK-së për seancën konstituive të Kuvendit. “Skenari i parë mund të jetë ky: vendimi për zgjedhjen e Mustafës të shpallet kushtetues dhe të vazhdojë rrjedha normale. Kurse skenari i dytë mund të jetë të anulohet vendimi për zgjedhjen e Isa Mustafës. Megjithatë, në rast se anulohet ky vendim, çështja më e rëndësishme sesa vetë akti i anulimit të këtij vendimi është fakti nëse gjykata e sqaron se çfarë nënkuptohet me grup parlamentar, gjë që unë mendoj se është thelbi i problemit, në të cilin fillon e tërë çështja kushtetuese”, ka thënë Korenica.

Pacolli: Bllokada mund të tejkalohet, zgjedhjet mbesin opsion

0

Behxhjet pacolliTejkalimi i ngërçit politik është i lehtë nëse politikanët do të mendonin për institucionet e Shtetit para interesave private. Edhe zgjedhjet e reja janë opsion për të dalë nga kjo situatë. Aleanca Kosova e Re është duke u rikonsoliduar. Në shtator do të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i AKR’së dhe aty do të dalin institucionet e reja. Presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli flet për Express.

Express: Si e shihni zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale?

B. Pacolli: Nuk jam i kualifikuar të flas për këtë temë pasi s’e kam kaluar pragun zgjedhor. Sidoqoftë, nëse njerëzit që janë të përfshirë në këtë proces mendojnë për qytetarët, nëse mendojnë për të mirën e qytetarëve, nëse mendojnë për të mirën e Kosovës, nëse mendojnë për të mirën e institucioneve e kanë shumë lehtë me gjet zgjidhje. Mirëpo, derisa ata të merren me pozitat dhe karriget, ngërçi politik nuk zgjidhet kështu. Gjithmonë janë dy gjëra që njeriu sakrifikon për vendin. Njeriu i sakrifikon interesat e veta për qytetarët dhe institucionet ose e kundërta. Po më duket se ngërçi i krijuar tash është për shkak se po ndodh e kundërta për shkak se po sakrifikohen institucionet e Kosovës për interesa private.

Express: Çka është duke ndodhur me Aleancën Kosova e Re?
B. Pacolli: Ne jemi duke u rikonsoliduar dhe jemi duke punuar me Degët e AKR’së për të ecur më tutje. Diku në shtator do të kemi një rikonsolidim total të AKR’së.

Express: Do të jeni ju apo do të ketë një udhëheqës të ri të AKR’së?

B. Pacolli: Nuk e di, për këtë vendos Kuvendi i Jashtëzakonshëm i AKR’së, i cili do të mbahet në shtator.

Express: Cila është analiza juaj se pse nuk e kaluat pragun elektoral prej 5 përqind?

B. Pacolli: Ndoshta s’kemi qenë ne konform asaj që qytetarët e Kosovës e kërkojnë. Ne s’kemi ditur të shajmë, s’e kemi fyer askënd, s’kemi ditur të shantazhojmë askënd, s’kemi ditur të vjedhim. Por, kemi punuar për institucionet dhe kemi qenë shumë më tepër institucional se sa të merremi me punë private e klanore. Ky është konkluzioni im nga analiza që kemi bërë.

Express: Është përmendur mundësia që AKR në të ardhmen të quhet Partia Liberale e Kosovës. Është e vërtetë kjo?
B. Pacolli: Ne jemi parti liberale. Nuk besoj se do ta ndërrojmë emrin. Ne jemi parti liberale e dëshmuar. Ne jemi qind për qind në të gjitha mekanizmat ndërkombëtare të liberaleve evropianë dhe nuk besoj se do të ketë nevojë që të ndërrohet emri i AKR’së.

Express: Sa jeni të gatshëm të hyni në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar politike?

B. Pacolli: Besoj se po. Unë besoj se do të shkojmë prapë në zgjedhje dhe mund të jenë një opsion për të tejkaluar ngërçin insitucional, duke shpresuar se qytetarët e kanë kuptuar se çfarë janë në gjendje të bëjë skena politike. Besoj se ne nuk i mbetemi borxh asnjë qytetari dhe asnjë institucioneve. Me krejt potencialin që kemi pasur kemi punuar. Të gjitha kapacitete tona i kemi shfrytëzuar në favor të qytetarëve dhe të shtet-ndërtimit. Ne nuk e kemi keqpërdor të mirën e qytetarëve. Nuk e kemi keqpërdorë buxhetin e Kosovës dhe kemi punuar aq sa kemi mundur. Dhe, normalisht qytetari më së miri është dashur ta vlerësojë.

Begaj dhe Meha, arrijnë marrëveshje për regjistrimin e pronave

0

Begaj-Murat MehaKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha, kanë nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi mes dy institucioneve, për realizimin e projektit të regjistrimit të pronës së paluajtshme në kadastër.

Me këtë rast kryetari Begaj, i ka falënderuar zyrtarët e AKK-së, për këtë projekt, duke e quajtur si shumë të rëndësishëm, pasi tek ne mungojnë të dhënat për pronarët faktik të pronave dhe për kompletimin e të dhënave kadastrale dhe regjistrimin e tyre.

Nga ana tjetër kryeshefi ekzekutiv i AKK-së, z.Murat Meha, duke sqaruar këtë projekt, i cili përkrahet nga Banka Botërore, tha se përfitimet janë të dy anshme, si për komunën, ashtu edhe për vet qytetarët, pasi regjistrimi i pronave do të kryhet falas, përjashtuar rastet e trashëgimisë.

Ky projekt, fillimisht do të zbatohet në gjashtë zona kadastrale, për të vazhduar më pas me zonat tjera, ndërsa Komuna e Malishevës, është prej përfitueseve të këtij projekti. /PrizrenPress.com/

VV-ja e do udhëheqjen e dialogut me Serbinë

0

DardanMolliqaj-vvLëvizja Vetëvendosje këmbëngul që, për t’u bërë pjesë e koalicionit Qeverisës me bllokun LDK-AAK-Nisma, ta udhëheq dialogun me Serbinë.

Sekretari i përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj thotë se nga pesë kriteret e kësaj lëvizjeje, ka mbetur vetëm edhe çështja e udhëheqjes së dialogut që të pranohet nga blloku LDK-AAK-Nisma. Molliqaj thekson se nuk ka asnjë arsye të mos pranohet kjo, kur sipas tij, është vetë i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, ai që e ka propozuar një gjë të tillë në prezencë edhe të Isa Mustafës dhe Fatmir Limajt.

“Kjo është arsyeja e parë pse ata duhet ta pranojnë edhe këtë. E dyta është se subjekti që i njeh më së miri marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet me shtetet tjera fqinje, është Vetëvendosje. Qëndrimi i saj i vazhdueshëm për këto nëntë vjet ka qenë më i thukti, më i drejti dhe i cili do të kishte mundësi të ndërronte qasjen”, tha Molliqaj për Radio Kosovën.

Molliqaj tha se Vetëvendosje nuk tërhiqet në asnjë moment nga marrëveshja e arritur më 16 korrik dhe për këtë, ai tha se duhet të reflektojnë tri partitë e bllokut. Sekretari i Vetëvendosjes nuk e sheh të pamundshëm pranimin e kësaj pike nga ana e bllokut LDK-AAK-Nisma.

“Unë mendoj që është shumë e mundshme. Mendoj që është shtyrë kjo çështje vetëm derisa të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese, sepse nuk shoh asnjë arsye të vetme që kjo gjë mos të pranohet”, tha Molliqaj.

Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë kundër dialogut me Serbinë, por Molliqaj thotë se vetëm atëherë kur ky dialog të udhëhiqet nga Vetëvendosje, do të ketë dialog të mirëfilltë.

“Dialog të mirëfilltë ka vetëm atëherë kur udhëheq Vetëvendosje. Të gjitha dialogët janë me kushte. Deri tani kushtet i ka vendosur Serbia. Ne jemi që kushtet t’i vendos Kosova”, theksoi Molliqaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar vlerësimin e dialogut të deritashëm, vlerësimin e marrëveshjeve në institucionet ndërkombëtare, siç është Komisioni i Venedikut, fillimin e dialogut me serbët lokalë në Kosovë; pika këto që sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, janë pranuar nga ana e bllokut LDK-AAK-Nisma, dhe ka mbetur vetëm pranimi i udhëheqjes së dialogut nga Vetëvendosje, në mënyrë që edhe lëvizja e Albin Kurtit të jetë pjesë e qeverisë që pretendon ta formojë blloku LDK-AAK-Nisma.

Thaçi: Ekstremistët nuk do të gjejnë strehë në Kosovë

0

Thaci-qeveriaKryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e plleshme për radikalët apo ekstremistët.

Lexo të plotë shkrimin e postuar në Facebook:

Kosova është shtet i krijuar bazuar në vlerat civilizuese euroatlantike, pra lirive të pacenueshme individuale, respektim dhe investim në ruajtje të diversitetit dhe pakicave, të drejtave të njeriut, ekonomisë së lirë të tregut dhe sekularizmit.

Kosova kurrë më parë nuk ka qenë më e lirë se sot dhe kosovarët kurrë më herët nuk kanë qenë më të lirë të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre, duke përfshirë të drejtën e besimit. Megjithatë, jam i brengosur se disa individë po mundohen të keqpërdorin këtë drejtë për të imponuar predikime që nuk i takojnë vlerave tona të vërteta kombëtare dhe civilizuese. Këto insistime për mbizotërim të një interpretimi mbi të tjerët kanë krijuar tensione në shoqërinë tonë sidomos gjatë viteve të fundit.

Mirëpo, më lejoni të them se Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e plleshme për radikalët apo ekstremistët që tentojnë të na ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit dhe kombit tonë. Urrejtja apo mosdurimi ndaj pakicave, tendenca të importohen fenomene të huaja si anti-semitizmi apo radikalizmi fetar, do të kundërshtohen me të gjitha kapacitetet e shtetit dhe të ligjit. Armiqtë e demokracisë dhe të vlerave civilizuese perëndimore, nuk do të gjejnë strehë në tokën e atdheut tonë – ky është premtimi im dhe besoj tërë lidershipit demokratik kosovar.

Institucionet e Kosovës do të mbesin besnike ndaj respektimit të Kushtetutës së Republikës dhe do të luftojnë çdo ditë dhe në çdo vend çfarëdo forme të shfaqur të ekstremizmit. Ky është premtimi që iu kemi dhënë edhe fëmijëve tanë – që liritë e tyre mos t’i cenojnë kurrë as armiqtë e jashtëm por as ata të brendshëm.

Sinjalistika krijon kaos në hyrje-daljet e rrugës Prizren-Gjakovë

0

Rruga-kolonaNë hyrje-daljet në rrugën Prizren-Gjakovë, sinjalistika po krijon kaos në trafik nga radhët e gjata, shkruan Koha Ditore.

Haziz Hodaj, qytetar nga fshati Gjonaj, që njëherësh është edhe këshilltar i KK të Prizrenit nga radhët e LDK-së përditë udhëton në këtë rrugë magjistrale dhe pritjet e gjata ia përkujtojnë kalimin e kufirit në pikun e sezonit veror.

“Mënyra e funksionimit të semaforit në këtë hyrje-dalje të qytetit është absurde. Askund në botë nuk mundeni me gjet, që rrugët dytësore të kenë përparësi dhe kohëzgjatje më shumë në semafor se sa rruga kryesore, në këtë rast magjistralja Prizren – Gjakovë.
Rast unik është ky në hyrje daljen e Prizrenit për në Gjakovë. Po qe se udhëtoni në këtë rrugë, patjetër se do t’i nënshtroheni një kolone të gjatë që pret në semafor”, ka thënë Hodaj.

Ai u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që të rishikojnë mënyrën e funksionimit të semaforëve në këtë pikë në lagjen “Arbanë”, ngase pritjet e gjata jo që ua humbin kohën kot qytetarëve, por shkaktojnë edhe frustrim të përditshëm.

“Qytetari dhe vizitori i Prizrenit nuk e meritojnë një trajtim të këtillë”, ka deklaruar Hodaj. Komandanti i Njësisë rajonale të trafikut në Prizren, Lulzim Shala, ka konfirmuar se ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve në lidhje me problemet në këtë pikë, dhe se për këtë arsye njësitë policore të trafikut dhe inspektorët komunalë kanë dalë në terren për të vlerësuar punën e këtij semafori në veçanti, por edhe të semaforëve të tjerë në përgjithësi.

“Vlerësimi i Policisë dhe i Inspektoratit ka qenë se aktualisht kjo është mënyra e vetme për të siguruar qarkullimin për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Metoda që po zbatohet tani rrjedh kryesisht për shkak të nevojës për të siguruar lëvizjen e sigurt të këmbësorëve, që në këtë pikë duhet të kalojnë nëpër 4 korsi, prandaj dhe pritja në semafor është paksa më e gjatë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se kjo është një zgjidhje e përkohshme, e cila do të ndryshohet me lëshimin në përdorim të rrugës te transiti i ri, që pritet të shkarkojë këtë pikë të komunikacionit. Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka pohuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike angazhohet për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror në këtë komunë me sinjalistikë evropiane, në mënyrë që të gjithë pjesëtarët në komunikacion të kenë qasje të barabartë në trafik dhe se pas ankesave të qytetarëve është krijuar një komision profesional.

“Është formuar komisioni me inxhinierë të fushës përkatëse dhe ata na kanë sugjeruar që funksionimi aktual në këtë pikë është zgjidhja më e avancuar e mundshme teknike. Jemi në dijeni të ankesave të qytetarëve dhe do të kërkojmë edhe një herë nga ky komision profesional që të dalë në terren dhe të analizojnë këtë pikë të rregullimit me semafor dhe nëse ata gjejnë mënyrë për të rirregulluar kohëzgjatjen e pritjes e lëvizjes, sigurisht se do ta bëjnë më të mirën”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një problem më shumë të natyrës teknike sesa vendimmarrësve prandaj ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët deri në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.

Nga mesdita pritet të rifillojnë gërmimet në Rashkë

0

Rashke-mbetje mortore14Gërmimet në Rudnicë të Rashkës ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë të cilat u ndërprenë me 3 korrik nga pala serbe me arsyetimin se mungojnë fonde shtesë pritet të fillojnë të enjten duke filluar nga ora 12:00.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaLive, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka thënë se punimet pritet të vazhdojnë në lokacionin numër 3 ashtu siç ka qenë e paraparë edhe më herët.

“Tani jemi duke shkuar atje ndërsa gërmimet do të nisin sot duke filluar nga ora 12:00, ato do të zhvillohen në lokacionin numër 3”, theksoi Gërxhaliu.

Ndryshe gjatë gërmimeve që po zhvilloheshin në Rashkë, në lokacionin numër 1 u nxorën trupat e 45 viktimave të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndërsa në lokacionin numër 2 nuk rezultoi të ketë mbetje mortore.

Gërmimet në Rudnicë kishin nisur në tetor të vitit të kaluar dhe më pas u ndërprenë, ndërsa rifilluan përsëri në dhjetor të vitit 2013.

Trupat e nxjerrë nga gërmimet e fundit në varrezën e Rudnicës bëjnë që numri i të pagjeturve nga 1.710 sa përmenden në statistikat publike, të bie në 1.665

Policia serbe arreston Avni Mavrajn me arsyetimin se ka vrarë serbë gjatë luftës

0

MerdareAvni Rrustem Mavraj është arrestuar mbrëmë në Merdare në pikëkalimin kufitar të Serbisë. Mavraj ishte duke udhëtuar drejt Evropës dhe është marrë nga policia serbe, me akuzën se ka vrarë serbë gjatë luftës.

Lajmin e ka konfirmuar i vëllai, Riza Mavraj. Ai ka thënë për “Epokën e re” se vëllai i tij është ndalur nga policia serbe me arsyetimin se ai ka vrarë serbë gjatë luftës.

“Vëllai mbrëmë është ndalur nga policia serbe në Merdare. Dhe tash s’ka gjysmë orë atë e ka quar për në Leskovc. Sipas informatave që na erdhën, vëllaun po e akuzojnë për vrasje të serbëve në Pejë gjatë luftës. Policia serbe i kanë thënë vëllait se posedojnë një foto kinse ku shihet ai si snajperist. Vëllai në këto gjëra s’ka dorë, por Serbia po do për t’ia veshur këtë aktakuzë”, ka thënë Riza Mavraj, duke shtuar se i vëllai ka qenë një veprimtar që çdo herë i ka ndihmuar atdheut.

Riza Mavraj ka treguar se vëllai gjatë luftës ka qenë i arrestuar nga policia serbe, ku ka mbajtur një muaj e gjysmë burg në Leskovc.

Sipas tij, për të njëjtën akuzë është mbajtur në burg dhe Kryqi i Kuqi pastaj e ka liruar.

Ai ka thënë se tashme i kanë njoftuar edhe policinë në Istog për rastin.

Gecin e lëshoi toka, policia bie në gjumë!

0

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Krimi në Skenderaj ngjet para hundëve të policisë. Policët nuk e shohin të dyshuarin për vrasje Gani Gecin! As pas tri ditësh nuk kapet ai. Nuk dihet për të ku gjendet, është në Kosovë, apo jashtë Kosovës. Flitet se Geci e ka kushtëzuar dorëzimin e tij nëse rastin e marrin “në dorë” njerëzit e EULEX-it. Shteti s’merret me kësi lloj dëshirash.
Tmerr, trishtim, lemeri, dhembje…
Turpi gërshetohet me krimin.
Shkrimtarët nga pezmi shprehin ndjenjën e tyre. Shkruajnë: Jemi popull idiot!
Shkrimtari Ag Apolloni në romanin e tij “Ulurima e ujkut” citon Aldous Huxley: “Ndoshta kjo botë është ferri i një planeti tjetër”. Breshëria e plumbave në vend publik, në qendër të qytetit. E hamë njëri-tjetrin. Njeriu s’vlen as sa një leckë!
Për dikë ligji është ligj, për të tjerët lodër! Këta “të tjerët” janë shumicë. Kjo është fatkeqësia, tragjedia jonë.
Ç’po ndodhë me ne?
E fshijmë njeriun nga faqja e dheut vetëm pse na shikon vëngër. Motivet mund të jenë edhe banale sipas asaj: Kush je ti që më përshëndet, që më flet, mbylle gojën… Të mençurit lëshojnë pe… Gjeniu i letrave tona Faik Konica, më 1921, ka shkruar: “Ky popull, që të shpëtojë, më parë se çdo gjë tjetër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i spastrohet zemra”.
Në kohë paqe vritet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I dyshuari për vrasje, po ashtu pjesëtar i UÇK-së!!!
Serbia armike i fërkoi duart, iu gëzua këtij fundi tragjik.
Jo rastësisht nuk e titullova opinionin tim: Gecin e lëshoi toka, policia bie në gjumë!
Përse them “policia bie në gjumë”? Krimi ndodhë para hundëve të saj. Policët nuk e shohin të dyshuarin për vrasje Gani Gecin, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili arrin të ikë nga vendi i ngjarjes dhe të fshihet.
Policia reagoi post festum, pasi u “krye puna”.
Shqiptarët vriten për një fjalë goje. Njëri tjetrit i drejtohet: A e di ti kush jam unë?
Vështirë e kemi të bëhemi si anglezët, të njehim “deri në dhjetë”, të na kalojë nervozi, të mos ndodhë më e keqja, vrasja…
Vrasja në Skenderaj ngriti në këmbë Kosovën, tronditi shqiptarët edhe jashtë vendit tonë.
Kur thyhet qerrja, dalin fjalët. Shpërthejnë emocionet. Flet katundi, flet qyteti, flet shteti. I fërkojnë duart edhe avokatët. Avokatët rrojnë nga krimet, nga krimet përfitojnë. E kanë profesion t’i mbrojnë klientët, të dyshuar për vrasje.
Kureshtarët janë të prirë të shohin e lexojnë kronikat e zeza. Njëri tabor ia mban anën viktimës, tjetri të dyshuarit për vrasje. E zëmë në gojë Kanunin (e Lekë Dukagjinit), ligjin. Merremi me kanune e ligje.
Shprehet mllefi, pezmi, dhembja sipas asaj: Ç’po ndodh kështu me ne?
Kjo vrasje e kishte prekur edhe një të afërm tim, mërgimtarin që rron në Gjermani. Ai më thotë: Edhe gjermanët janë gjaknxehtë, zihen mes vete, bërtasin, shkëmbejnë të shara, por njëri-tjetrin nuk e prekin as me gisht të vogël, nuk e qëllojnë me ndonjë mjet. Nuk e qëllojnë, ngase i frikësohen ligjit. Gjermanët i frikësohen ligjit. Ne nuk ndiejmë për ligjin!
Nuk i përmbahemi urtisë sonë: Prite punën sa s’është bërë…
Një pjesë të fajit e kanë edhe ata që i njohën viktimën e të dyshuarin, dhe nuk ndërhynë që t’i ulin gjakrat, lejuan që të ndodhë ajo çfarë ndodhi.
Dhe vrasja ndodhi në qendër të Skenderajt, në orët e mbrëmjes, të hënën (4 gusht). Arma vringëllon në restorantin “N’Qosh”.
Viktima e dorasi janë të një komune, njëri nga fshati Baks, tjetri nga Llausha, që të dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Viktima Ruzhdi Shaqiri varroset. Të dyshuarin për vrasje Gani Gecin e lëshoi toka. As pas tri ditësh nuk dihet për të ku gjendet, në Kosovë apo jashtë Kosovës.
Policia jonë ishte në gjumë. Nuk reagoi në kohë për ta kapur të dyshuarin. Reagoi post festum, pasi u “krye puna”. Ajo ra në provim.
Sipas të dhënave të para, thuhet se Shaqiri është qëlluar me katër plumba në pjesën e përparme të trupit. Ndërkaq, në portalet tona del deklarata e Gecit të ketë thënë: “Jam detyruar ta vras për ta mbrojtur veten”. E përmend ai vetëmbrojtjen.
“Zmbrapsja e sulmit”, siç del nga pohimi i të dyshuarit bëhet me katër plumba!
A ka vetëmbrojtje me katër plumba?!
Ekspertizat, ajo balistike dhe e mjekësisë ligjore i heqin dilemat, pikat e zeza, se në rastin konkret ka apo nuk ka vetëmbrojtje. Rastin konkret e spastrojnë ekspertët. Fjalën meritore e ka gjyqi.
Flitet se Geci e ka kushtëzuar dorëzimin e tij vetëm nëse njerëzit e EULEX-it e marrin “në dorë” rastin e tij. Kjo i bie t’i bëjnë gjyqin prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it. Nëse ky pohim qëndron, sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit vendorë të jenë “në aut”.
Shteti s’merret me kësi lloj dëshirash!
Traumat, streset, neurozat janë pasoja të luftës.
A kishte trauma dhe strese Gani Geci?

(Autori është analist për çështje juridike, opinionist i rregullt i Tribunës)

Forcim i kritereve për pranim të studentëve në konvikte

0

Konviktet-prUlja e tarifave për Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës ka ndikuar edhe në uljen e të hyrave në këtë Qendër. Drejtues të Qendrës së Studentëve, thanë për Radio Kosovën, se nuk do të ketë mungesë të mjeteve, pasi u është premtuar se ato do të kompensohen me ri-shikimin e buxhetit. Ndërkohë, pritet që të forcohen kriteret për pranimin e studentëve për banim në konvikte.

Qendra Studentore e Universitetit të Prishtinës gjatë një viti ka realizuar të hyra buxhetore rreth dy milionë euro.

Por, me vendimin e Qeverisë për uljen e tarifave, kjo shumë tashmë do të përgjysmohet.

Drejtori i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se vendimi i Qeverisë për uljen e tarifave ndikon në zbritjen e të hyrave për Qendrën Studentore.

“Në momentin kur është marrë ky vendim neve na është premtuar nga nivele të ndryshme të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që me rastin e ri-shikimit të buxhetit do të kompensohen për atë shumë të mjeteve e cila do të na mungojë gjatë këtij viti si e hyrë vetanake e Qendrës”, tha Sfishta.

Edhe pse ende nuk është bërë ri-shikimi i buxhetit dhe ky vendim ka filluar të zbatohet nga 1 maji i këtij viti, Sfishta tha se mungesa e mjeteve nuk vërehet deri nga muaji nëntor, pasi siç tha, kompensohen nga grandi qeveritar në vlerë prej 2 milion e 100 mijë euro, i cili është ndarë në fillim të vitit buxhetor.

“Edhe nëse nuk do të ketë rishikim të buxhetit, jemi në konsultime të ngushta me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, me Ministrinë e Financave dhe mendoj që do të gjinden forma të ndryshme që të kompensohen”, vlerësoi Sfishta.

Por, nëse nuk do të ketë mjete shtesë, Sfishta tha se do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e cilësisë së ushqimit në Mensën e Studentëve.

Sipas tij, me uljen e tarifave në Qendrën e Studentëve pritet të ketë një dyfishim të numrit të kandidatëve që do të aplikojnë për banim në konvikte.

“Për këtë mund të forcohen edhe kriteret”, tha drejtori Sfishta.

“Sivjet presim deri në 4 kandidatë të aplikojnë për një vend. Sigurisht do të gjendemi në një situatë jo të favorshme sepse duhet të refuzojmë një numër të madh të aplikuesve. Për këtë po mendojmë të forcojmë disa kritere, në mënyrë që të pranohen vetëm ata studente që vërtetë e meritojnë. Te nota mesatare sivjet mendojmë ta ndryshojmë si kriter, nga 8 deri në 10 mendojmë se do të fitojnë pikë më shumë në krahasim me ata nga 6 deri në 8”, bëri të ditur drejtori Sfishta.

Buxheti i përgjithshëm i Qendrës Studentore është 4 milion e 200 mijë euro në vit, nga të cilat rreth 2 milion janë të hyra, ndërsa pjesa tjetër ndahet nga buxheti i Qeverisë.

Me vendimin e Qeverisë studentët do të paguajnë pesëdhjetë për qind më pak për strehim dhe ushqim në Qendrën Studentore.

Qendra Studentore ka kapacitet për rreth 3 mijë e 600 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim, si dhe hapësira për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.