4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Forcim i kritereve për pranim të studentëve në konvikte

Konviktet-prUlja e tarifave për Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës ka ndikuar edhe në uljen e të hyrave në këtë Qendër. Drejtues të Qendrës së Studentëve, thanë për Radio Kosovën, se nuk do të ketë mungesë të mjeteve, pasi u është premtuar se ato do të kompensohen me ri-shikimin e buxhetit. Ndërkohë, pritet që të forcohen kriteret për pranimin e studentëve për banim në konvikte.

Qendra Studentore e Universitetit të Prishtinës gjatë një viti ka realizuar të hyra buxhetore rreth dy milionë euro.

Por, me vendimin e Qeverisë për uljen e tarifave, kjo shumë tashmë do të përgjysmohet.

Drejtori i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se vendimi i Qeverisë për uljen e tarifave ndikon në zbritjen e të hyrave për Qendrën Studentore.

“Në momentin kur është marrë ky vendim neve na është premtuar nga nivele të ndryshme të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që me rastin e ri-shikimit të buxhetit do të kompensohen për atë shumë të mjeteve e cila do të na mungojë gjatë këtij viti si e hyrë vetanake e Qendrës”, tha Sfishta.

Edhe pse ende nuk është bërë ri-shikimi i buxhetit dhe ky vendim ka filluar të zbatohet nga 1 maji i këtij viti, Sfishta tha se mungesa e mjeteve nuk vërehet deri nga muaji nëntor, pasi siç tha, kompensohen nga grandi qeveritar në vlerë prej 2 milion e 100 mijë euro, i cili është ndarë në fillim të vitit buxhetor.

“Edhe nëse nuk do të ketë rishikim të buxhetit, jemi në konsultime të ngushta me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, me Ministrinë e Financave dhe mendoj që do të gjinden forma të ndryshme që të kompensohen”, vlerësoi Sfishta.

Por, nëse nuk do të ketë mjete shtesë, Sfishta tha se do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e cilësisë së ushqimit në Mensën e Studentëve.

Sipas tij, me uljen e tarifave në Qendrën e Studentëve pritet të ketë një dyfishim të numrit të kandidatëve që do të aplikojnë për banim në konvikte.

“Për këtë mund të forcohen edhe kriteret”, tha drejtori Sfishta.

“Sivjet presim deri në 4 kandidatë të aplikojnë për një vend. Sigurisht do të gjendemi në një situatë jo të favorshme sepse duhet të refuzojmë një numër të madh të aplikuesve. Për këtë po mendojmë të forcojmë disa kritere, në mënyrë që të pranohen vetëm ata studente që vërtetë e meritojnë. Te nota mesatare sivjet mendojmë ta ndryshojmë si kriter, nga 8 deri në 10 mendojmë se do të fitojnë pikë më shumë në krahasim me ata nga 6 deri në 8”, bëri të ditur drejtori Sfishta.

Buxheti i përgjithshëm i Qendrës Studentore është 4 milion e 200 mijë euro në vit, nga të cilat rreth 2 milion janë të hyra, ndërsa pjesa tjetër ndahet nga buxheti i Qeverisë.

Me vendimin e Qeverisë studentët do të paguajnë pesëdhjetë për qind më pak për strehim dhe ushqim në Qendrën Studentore.

Qendra Studentore ka kapacitet për rreth 3 mijë e 600 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim, si dhe hapësira për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

Më Shumë

Lajmet e Fundit