6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Gecin e lëshoi toka, policia bie në gjumë!

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Krimi në Skenderaj ngjet para hundëve të policisë. Policët nuk e shohin të dyshuarin për vrasje Gani Gecin! As pas tri ditësh nuk kapet ai. Nuk dihet për të ku gjendet, është në Kosovë, apo jashtë Kosovës. Flitet se Geci e ka kushtëzuar dorëzimin e tij nëse rastin e marrin “në dorë” njerëzit e EULEX-it. Shteti s’merret me kësi lloj dëshirash.
Tmerr, trishtim, lemeri, dhembje…
Turpi gërshetohet me krimin.
Shkrimtarët nga pezmi shprehin ndjenjën e tyre. Shkruajnë: Jemi popull idiot!
Shkrimtari Ag Apolloni në romanin e tij “Ulurima e ujkut” citon Aldous Huxley: “Ndoshta kjo botë është ferri i një planeti tjetër”. Breshëria e plumbave në vend publik, në qendër të qytetit. E hamë njëri-tjetrin. Njeriu s’vlen as sa një leckë!
Për dikë ligji është ligj, për të tjerët lodër! Këta “të tjerët” janë shumicë. Kjo është fatkeqësia, tragjedia jonë.
Ç’po ndodhë me ne?
E fshijmë njeriun nga faqja e dheut vetëm pse na shikon vëngër. Motivet mund të jenë edhe banale sipas asaj: Kush je ti që më përshëndet, që më flet, mbylle gojën… Të mençurit lëshojnë pe… Gjeniu i letrave tona Faik Konica, më 1921, ka shkruar: “Ky popull, që të shpëtojë, më parë se çdo gjë tjetër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i spastrohet zemra”.
Në kohë paqe vritet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I dyshuari për vrasje, po ashtu pjesëtar i UÇK-së!!!
Serbia armike i fërkoi duart, iu gëzua këtij fundi tragjik.
Jo rastësisht nuk e titullova opinionin tim: Gecin e lëshoi toka, policia bie në gjumë!
Përse them “policia bie në gjumë”? Krimi ndodhë para hundëve të saj. Policët nuk e shohin të dyshuarin për vrasje Gani Gecin, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili arrin të ikë nga vendi i ngjarjes dhe të fshihet.
Policia reagoi post festum, pasi u “krye puna”.
Shqiptarët vriten për një fjalë goje. Njëri tjetrit i drejtohet: A e di ti kush jam unë?
Vështirë e kemi të bëhemi si anglezët, të njehim “deri në dhjetë”, të na kalojë nervozi, të mos ndodhë më e keqja, vrasja…
Vrasja në Skenderaj ngriti në këmbë Kosovën, tronditi shqiptarët edhe jashtë vendit tonë.
Kur thyhet qerrja, dalin fjalët. Shpërthejnë emocionet. Flet katundi, flet qyteti, flet shteti. I fërkojnë duart edhe avokatët. Avokatët rrojnë nga krimet, nga krimet përfitojnë. E kanë profesion t’i mbrojnë klientët, të dyshuar për vrasje.
Kureshtarët janë të prirë të shohin e lexojnë kronikat e zeza. Njëri tabor ia mban anën viktimës, tjetri të dyshuarit për vrasje. E zëmë në gojë Kanunin (e Lekë Dukagjinit), ligjin. Merremi me kanune e ligje.
Shprehet mllefi, pezmi, dhembja sipas asaj: Ç’po ndodh kështu me ne?
Kjo vrasje e kishte prekur edhe një të afërm tim, mërgimtarin që rron në Gjermani. Ai më thotë: Edhe gjermanët janë gjaknxehtë, zihen mes vete, bërtasin, shkëmbejnë të shara, por njëri-tjetrin nuk e prekin as me gisht të vogël, nuk e qëllojnë me ndonjë mjet. Nuk e qëllojnë, ngase i frikësohen ligjit. Gjermanët i frikësohen ligjit. Ne nuk ndiejmë për ligjin!
Nuk i përmbahemi urtisë sonë: Prite punën sa s’është bërë…
Një pjesë të fajit e kanë edhe ata që i njohën viktimën e të dyshuarin, dhe nuk ndërhynë që t’i ulin gjakrat, lejuan që të ndodhë ajo çfarë ndodhi.
Dhe vrasja ndodhi në qendër të Skenderajt, në orët e mbrëmjes, të hënën (4 gusht). Arma vringëllon në restorantin “N’Qosh”.
Viktima e dorasi janë të një komune, njëri nga fshati Baks, tjetri nga Llausha, që të dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Viktima Ruzhdi Shaqiri varroset. Të dyshuarin për vrasje Gani Gecin e lëshoi toka. As pas tri ditësh nuk dihet për të ku gjendet, në Kosovë apo jashtë Kosovës.
Policia jonë ishte në gjumë. Nuk reagoi në kohë për ta kapur të dyshuarin. Reagoi post festum, pasi u “krye puna”. Ajo ra në provim.
Sipas të dhënave të para, thuhet se Shaqiri është qëlluar me katër plumba në pjesën e përparme të trupit. Ndërkaq, në portalet tona del deklarata e Gecit të ketë thënë: “Jam detyruar ta vras për ta mbrojtur veten”. E përmend ai vetëmbrojtjen.
“Zmbrapsja e sulmit”, siç del nga pohimi i të dyshuarit bëhet me katër plumba!
A ka vetëmbrojtje me katër plumba?!
Ekspertizat, ajo balistike dhe e mjekësisë ligjore i heqin dilemat, pikat e zeza, se në rastin konkret ka apo nuk ka vetëmbrojtje. Rastin konkret e spastrojnë ekspertët. Fjalën meritore e ka gjyqi.
Flitet se Geci e ka kushtëzuar dorëzimin e tij vetëm nëse njerëzit e EULEX-it e marrin “në dorë” rastin e tij. Kjo i bie t’i bëjnë gjyqin prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it. Nëse ky pohim qëndron, sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit vendorë të jenë “në aut”.
Shteti s’merret me kësi lloj dëshirash!
Traumat, streset, neurozat janë pasoja të luftës.
A kishte trauma dhe strese Gani Geci?

(Autori është analist për çështje juridike, opinionist i rregullt i Tribunës)

Më Shumë

Lajmet e Fundit