7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Sinjalistika krijon kaos në hyrje-daljet e rrugës Prizren-Gjakovë

Rruga-kolonaNë hyrje-daljet në rrugën Prizren-Gjakovë, sinjalistika po krijon kaos në trafik nga radhët e gjata, shkruan Koha Ditore.

Haziz Hodaj, qytetar nga fshati Gjonaj, që njëherësh është edhe këshilltar i KK të Prizrenit nga radhët e LDK-së përditë udhëton në këtë rrugë magjistrale dhe pritjet e gjata ia përkujtojnë kalimin e kufirit në pikun e sezonit veror.

“Mënyra e funksionimit të semaforit në këtë hyrje-dalje të qytetit është absurde. Askund në botë nuk mundeni me gjet, që rrugët dytësore të kenë përparësi dhe kohëzgjatje më shumë në semafor se sa rruga kryesore, në këtë rast magjistralja Prizren – Gjakovë.
Rast unik është ky në hyrje daljen e Prizrenit për në Gjakovë. Po qe se udhëtoni në këtë rrugë, patjetër se do t’i nënshtroheni një kolone të gjatë që pret në semafor”, ka thënë Hodaj.

Ai u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që të rishikojnë mënyrën e funksionimit të semaforëve në këtë pikë në lagjen “Arbanë”, ngase pritjet e gjata jo që ua humbin kohën kot qytetarëve, por shkaktojnë edhe frustrim të përditshëm.

“Qytetari dhe vizitori i Prizrenit nuk e meritojnë një trajtim të këtillë”, ka deklaruar Hodaj. Komandanti i Njësisë rajonale të trafikut në Prizren, Lulzim Shala, ka konfirmuar se ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve në lidhje me problemet në këtë pikë, dhe se për këtë arsye njësitë policore të trafikut dhe inspektorët komunalë kanë dalë në terren për të vlerësuar punën e këtij semafori në veçanti, por edhe të semaforëve të tjerë në përgjithësi.

“Vlerësimi i Policisë dhe i Inspektoratit ka qenë se aktualisht kjo është mënyra e vetme për të siguruar qarkullimin për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Metoda që po zbatohet tani rrjedh kryesisht për shkak të nevojës për të siguruar lëvizjen e sigurt të këmbësorëve, që në këtë pikë duhet të kalojnë nëpër 4 korsi, prandaj dhe pritja në semafor është paksa më e gjatë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se kjo është një zgjidhje e përkohshme, e cila do të ndryshohet me lëshimin në përdorim të rrugës te transiti i ri, që pritet të shkarkojë këtë pikë të komunikacionit. Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka pohuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike angazhohet për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror në këtë komunë me sinjalistikë evropiane, në mënyrë që të gjithë pjesëtarët në komunikacion të kenë qasje të barabartë në trafik dhe se pas ankesave të qytetarëve është krijuar një komision profesional.

“Është formuar komisioni me inxhinierë të fushës përkatëse dhe ata na kanë sugjeruar që funksionimi aktual në këtë pikë është zgjidhja më e avancuar e mundshme teknike. Jemi në dijeni të ankesave të qytetarëve dhe do të kërkojmë edhe një herë nga ky komision profesional që të dalë në terren dhe të analizojnë këtë pikë të rregullimit me semafor dhe nëse ata gjejnë mënyrë për të rirregulluar kohëzgjatjen e pritjes e lëvizjes, sigurisht se do ta bëjnë më të mirën”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një problem më shumë të natyrës teknike sesa vendimmarrësve prandaj ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët deri në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.

Më Shumë

Dragash: Një grua dërgohet pa shenja jete në QKMF

Një rast i rëndë ka ndodhur në Dragash gjatë së mërkurës. Rreth orës 15:55, në fshatin Brezna, një grua u dërgua pa shenja jete në...

Peja apo Ylli – Sot mësohet finalisti i dytë i play-offit

Sot do të mësohet finalisti i dytë i play-offit, në Superligën e Basketbollit kosovar. Kampioni në fuqi, Peja është nikoqire e Golden Eagle Yllit. Fituesi...

Lajmet e Fundit