23 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025
Home Blog Page 7907

Qeveria teknike, opsion rezervë

0

QeveriaKosoves-NdertesaTejkalimi i krizës institucionale e politike përmes krijimit të qeverisë teknike në Kosovë, ka pak gjasa të ndodhë, thonë analistët politikë në Prishtinë.
Çështja e një qeverie teknike është përmendur këto ditë si një nga idetë e shumta, për të evituar ngërçin politik, pas ndarjes së spektrit politik në dy blloqe.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, sheh pak mundësi që Kosova të ketë një qeveri teknike.

“Në qeveritë teknike përfshihen zakonisht personalitetet, të cilat nuk është se kanë ndonjë bazë votuese, mirëpo (qeveritë teknike) krijohen në situata të atilla kur vendet janë në kriza të thella politike. Unë konsideroj se Kosova nuk është në një krizë politike. Ne mund të paragjykojmë se është mirë të krijohet një qeveri teknike, por duhet të presim se çka do të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe më pas kur do të propozohet zgjedhja e qeverisë”, vlerëson Mushkolaj.

Edhe analisti tjetër politik, Shpend Kursani, thotë se qeveri teknike mund të ketë vetëm nëse Kosova vazhdon të jetë në një vakum institucional dhe se, sipas tij, mundësitë për diçka të tillë janë të pakta.

“Kjo për shkakun se një qeveri teknike është e padëshirueshme në kontekstin ku ndodhet Kosova, sepse pala ndërkombëtare, e cila po duket të ketë ndikim në atë çka do të ndodhë në të ardhmen, nuk është e interesuar të ketë një qeveri teknike, që domosdo do të jetë e dobët. Një qeveri teknike e dobët nuk mund të futet as në dialog me Serbinë, e ky dialog me Serbinë është prioriteti kryesor i komunitetit ndërkombëtar. Është prioritet edhe mbi demokracinë, mbi luftimin e varfërisë e kështu me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Kursani.

Veç tjerash, Kursani konsideron se një qeveri teknike, nuk do të mund ta luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sipas Kursanit, ajo qeveri do të jetë e paaftë edhe për ta çliruar gjyqësorin nga ndikimet që i ka pasur deri tash.

Analisti Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast të formimit të një qeverie teknike, ajo nuk do të ketë jetëgjatësi.

“Unë besoj se do të ketë përputhje edhe me përfundimin e mandatin të presidentit/presidentes së tanishme në mënyrë që eventualisht pas një viti e gjysmë, respektivisht dy të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme dhe parlamentare dhe presidenciale”, thekson Mushkolaj.

Përcaktimi i grupeve parlamentare në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës pritet të jetë çështja kryesore në këtë fazë të konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Presidentja Atifete Jahjaga, ka caktuar datën 17 korrik për mbajtjen e seancës konstitutive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Duke u thirrur në rezultatin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës insiston se asaj i takon vendi i grupit më të madh dhe rrjedhimisht edhe e drejta e kandidimit të kryetarit të Kuvendit.
Kurse, duke u thirrur në marrëveshjen pas zgjedhjeve të njëjtin pretendim e kanë edhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat janë bashkuar në një grup të vetëm parlamentar, në mënyrë që të përbëjnë shumicën në Kuvend. /rel/

Ligji johistorik për Qendrën e Prizrenit

0

ura e gurit ne prizrenLigji për Qendrën Historike të Prizrenit, edhe pse ka hyrë në fuqi para dy viteve me shumë kontestime, ende nuk ka arritur të implementohet plotësisht. Për këto dy vite janë raportuar me dhjetëra raste të ndërtimeve pa leje dhe dëmtimit të pronave të trashëgimisë kulturore, e që komuna dhe organet tjera që parashihen me ligj, nuk kanë ndërmarr asgjë.

Organizata joqeveritare ‘Ec Ma Ndryshe’, e cila është marrë më së shumti me këtë problem dhe jo vetëm, konsideron se kjo gjendje veç sa e ka rritur bilancin e përgjithshëm të degradimit të qytetit kur këto raste ia shtojmë atyre që kanë ekzistuar para hyrjes në fuqi të ligjit, shkruan Tribuna.

“Prizreni sot është më i shëmtuar se para një viti, më i degraduar se para dy vitesh. Në këtë përvjetor të ligjit, pyetja që vazhdon të jetë aktuale është e thjeshtë: cili ka qenë qëllimi i miratimit të këtij ligji?”, shkruhet në rrjetin social të organizatës joqeveritare Ec Ma Ndryshe. Kjo e fundit konsideron se Prizreni dhe ligji për qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar.

S’ka qeveri pro evropiane pa PDK-në

0

Petrit SelimiAnëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se logjika e shëndoshë dhe numrat në Kuvend tregojnë se në Kosovë nuk mund të ketë një qeveri pro evropiane dhe pro amerikane pa PDK-në.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka deklaruar se qeveria e ardhshme nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të bazohet në një konsensus të gjerë dhe unitet politik. Sipas tij, këtë unitet e ofron vetëm PDK-ja. “Logjika e shëndoshë dhe numrat parlamentarë tregojnë se një qeveri pro – Evropë, pro – Amerikë dhe pro – progres nuk mund të bëhet pa PDK-në. Edhe ata që kundërshtojnë më së thelli publikisht dialogun me PDK-në, thellë në vete e dinë se që kjo Kosovë të ketë sukses në katër vjetët e ardhshëm, një qeveri nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të spirancohet në një konsensus të gjerë dhe unitet. PDK-ja ofron këtë unitet”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se nëse dikush mendon ndryshe, PDK-ja do t’i drejtohet sovranit, duke u shprehur i bindur në triumf. “Nëse dikush ka dëshirë ta kallë lojën duke u marrë me politika personale, ne do t’i kthehemi sovranit përsëri dhe nuk ka asnjë dyshim se populli do t’i dënojë rëndë ata që harrojnë principet duke u marrë me personat”, është shprehur Selimi.

I pyetur nëse PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit LDK-së, AAK-së apo Vetëvendosje!-s, ai ka thënë se nuk është i njoftuar për një gjë të tillë. Megjithatë, Selimi ka vlerësuar se partia më e madhe në vend për çdo partner të mundshëm ofron “Misionin e Ri” dhe Hashim Thaçin si burrështetas.

Ky i fundit, sipas tij, është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës. “PDK-ja ofron dy gjëra: ‘Misionin e Ri’ si ofertë për të punuar shumë drejt zhvillimit ekonomik dhe Hashim Thaçin si burrështetasin e vetëm në Republikën e Kosovës me pëlqim dhe votëbesim nacional që është si motor në çdo mision që e merr e përfundon. A është kryeministri Thaçi pejgamber dhe perfekt? Larg qoftë! Asnjëri mbi tokë nuk është i tillë. A është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës pa u skuqur për përkrahjen elektorale ose të bëmat e kaluara, besoj se numrat flasin vetë”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se deklarimet e partive të tjera, se gjoja PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit, bëhen për ta rritur pazarin në bisedë me njëra-tjetrën për poste./Epoka e Re/.

Kryeprokurori Kabashi përpiqet t’ia fshehë dosjet Enver Hasanit

0

IsmetKabashi-kryeprokuroriIsmet Kabashi është kujdesur personalisht për ta “pastruar” figurën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Ka lëshuar një deklaratë me të cilën mohon se ka hetime penale kundër tij. Ka folur edhe në emër të EULEX-it duke mohuar se edhe ky mision po kryen hetime, shkruan sot Koha Ditore.

Por dokumentet që ka siguruar “Koha Ditore” dhe deklarata e EULEX-it dëshmojnë për hetime, subjekt i të cilave është edhe Enver Hasani. Pos hetimeve zyrtare, në Prokurori ekzistojnë të paktën edhe katër kallëzime penale kundër Hasanit të cilat nuk janë shqyrtuar nga Prokuroria.

Deklaratës i ka paraprirë një marrëveshje në mes të Hasanit dhe Kabashit. Hasani, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe Kabashi, në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesues i Këshillit Prokurorial, janë marrë vesh qysh të martën për këtë deklaratë, pas pyetjeve të dërguara nga gazeta.

Gazeta ka mësuar se pas pyetjeve që i kishte dërguar “Koha Ditore” në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarime nëse pjesëmarrja e Hasanit në kolegjin që ka vendosur për kryeprokurorin e Shtetit përbën konflikt interesi për shkak të hetimeve që po kryen prokuroria kundër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kabashi i kishte garantuar se do të dilte me deklaratë për ta dëmtuar këtë. Pikërisht kjo ka ndodhur. Të mërkurën pasdite ka lëshuar një deklaratë me të cilën mohon hetimet.

I mbyllur

0

Ramadan Muja 1Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është i vetmi kryetar i komunave në Kosovë, që është i kualifikuar me titullin, doktor shkencash. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar si ligjërues nëpër institucionet shkollore -universitare.

Edhe pas zgjedhjes kryetar i Prizrenit, Muja ka vazhduar të ligjërojë në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Është zgjedhur edhe anëtar i Bordit në Universitetin “Ukishn Hoti” në Prizren.

Pavarësisht kualifikimit dhe punës shumëvjeçare që ka bërë nëpër institucionet arsimore, Ramadan Muja, ende nuk ka arritë të kuptojë termin Transparencë. Ai është i vetmi kryetar që për dy mandate është treguar jo transparent në marrjen e vendimeve në Ekzekutivin e Prizrenit. Edhe mandatin e tretë e ka vazhduar me të njëjtin qëndrim dhe qasje.

Mediave nuk dëshiron as me ia pa sytë. Pas zgjedhjes kryetar i Prizrenit në vitin 2007, Muja vendimin e parë që ka marrë ka qenë mbyllja takimeve me media me drejtorët e Ekzekutivit. Këtë praktikë e vazhdon edhe sot me drejtorët.

Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha thotë se nuk është obligim ligjor hapja e mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të Ekzekutivit.

“Nuk e obligon ligji Mujën që t’i hapë mbledhjet e Ekzekutivit”, thotë Berisha.

Ai nuk pajtohet se janë mbyllur mbledhjet e Ekzekutivit të Prizrenit. Sipas tij, pavarësisht mosprezencës së mediave, mbledhjet drejtorëve monitorohen nga Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”.

“Në një analizim të kryetarit ka dalë si e panevojshme edhe parnia e mediave ,përderisa aty janë përfaqësuesit e OJQ-së “Ec Ma Ndryshe”, tregon Berisha.

Mbyllja e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja i ka bërë bashkë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave. Ata kanë themelor Forumin “Transparenca”. Ky forum do të ketë vetëm një mision; atë të rritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit.

Forumin “Transparenca”, synon që të koordinojë dhe promovojë veprimet e aktivistëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve që janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike.
Deri më tash Forumi Transparenca ka organizuar tri debate me drejtorët e Ekzekutivit të Mujës. Në këto debate janë trajtuar problemet në arsim, ndërtimet pa leje dhe mungesa e transparencës.

Përfaqësuesit e Forumit “Transparenca” dhe partive politike këmbëngulin që kryetari Ramadan Muja, duhet të ndërrojë dhe ndërpresë qëndrimin dhe praktikën e mbylljes së deritashme të takimeve të Ekzekutivit dhe të lejojë praninë e medieve t’i përcjellin mbledhjet e mbajtura me drejtorët komunalë. Ata kërkojnë rritjen e nivelit të transparencës.

Anëtarja e Forumit “Transparenca”, Elmedina Baxhaku, vlerëson se mbyllja e takimeve të ekzekutivit ka qenë njëra ndër veprimet më kundërthënëse dhe njëkohësisht më dëmtuese për demokracinë lokale, që është ndërmarrë në mandatin e dytë të kryetarit Muja, që po vazhdon edhe në fillim të të tretit.

“Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyet e këtij hapi. Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë”, thotë Baxhaku.

Ajo thotë se Forumi “Transparenca” shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të Komunës me drejtorët komunalë.

“Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik”, vlerëson Baxhaku.

“Nisur nga kjo, Forumi “Transparenca” i bën thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit, që sa më parë të anulojë vendimin për mbylljen e takimeve të ekzekutivit dhe t’i rihapë ato duke u mundësuar pjesëmarrjen gazetarëve, monitoruesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve. Çdo vonesë e kryetarit të Komunës për realizimin e kësaj kërkese është dështim për të promovuar një standard elementar të qeverisjes transparente dhe cenim i së drejtës së qytetarëve për informim”, shprehet Baxhaku.

Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe”, Hajrulla Çeku thotë se këshilltarët komunalë në mbledhjen e ardhshëm duhet të propozojnë Kuvendit, që të ndikojë te kryetari Ramadan Muja, që t’i hapë takimet për media.

“Kërkojmë të na lejohet pjesëmarrja edhe në mbledhjet e Parabordit të drejtorëve ku zakonisht përcakotohen pikat prioritare për mbledhjen e Ekzekutivit në të cilat lejohet vetëm pjesëmarrja e jonë si OJQ, por jo edhe mediat”, thotë Çeku.

Edhe Naim Cahanaj nga KDI vlerëson se nga viti 2009, Komuna e Prizrenit ka shënuar regresë në aspektin e transparencës.

“Komuna e Prizrenit në vend që të avancojë transparencën nga viti në vit ka shënuar regresë”, thotë Cahanaj.

Vlerësim të njëjtë kanë edhe gazetarët. Ata thonë se transparenca në komunën e Prizrenit nuk është në nivelin e dëshiruar.

Qazim Morina gazetar i “Zërit” thotë se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nuk po tregohet jo transparent vetëm te mbyllja e mbledhjeve të Ekzekutivit për mediat.

“Në këtë kontekst, ka pasur një kthim prapa, pasi mbledhjet të cilat vetë i pat hapur në mandatin e parë, Muja i mbylli më pas, duke mbajtur gazetarët larg vendit ku “thyhen arrat””, thotë Morina.

Sipas tij, transparenca në komunën e Prizrenit, mungon pasi gazetarët e kanë të vështirë të komunikojnë edhe me kryetarin Muja, për shkak të paragjykimeve të tij selektive ndaj mediave, që për çështje mbijetese i “lariten” pushtetit.

“Ka kohë që unë s’kam parë ndonjë njoftim nga Zyra për Media rreth projekteve të cilat realizohen, pos një aktiviteti të paralajmëruar ditë më parë për dezinfektim të qytetit”.

“Ueb faqja zyrtare është shndërruar një lloj dekori “bajat” të komunës, pasi në të mungon freskimi me aktet e fundit dhe vendimet e komunës, me planin zhvillimor urban apo edhe procesverbalet e mbledhjeve të KK-së”, vlerëson Morina.

Gazetarja e Radio Kosovës, Valbona Musliu thotë ndërkaq se raportet e auditorit tregojnë më së miri se sa transparente dhe llogaridhënëse është Komuna e Prizrenit.

“Shumë herë më ka rastisur të dëgjojë nga vet pushtetarët e Prizrenit se si kjo komunë gjoja është shumë transparente për vendimet që merr. Në çdo takim, debat, apo edhe konferencë me gazetarë, kjo shprehje është përsëritur pa rreshur. E për transparencën dhe llogaridhënien është folë shumë edhe në kohën e fushatave zgjedhore, atëherë kur kërkohej vota dhe besimi i qytetarëve”. Por cila është e vërteta ?

“Ndonëse me gojën plotë zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit, pohojnë se janë qind për qind transparent dhe se kohëve të fundit u dëgjua edhe ajo se kjo komunë është e para në shkallë vendi sa i përket transparencës, në përditshmëri nuk reflektohet diç e tillë, madje në të shumtën e rasteve po ndodh e kundërta”, vlerëson Musliu.

“Takimet e mbylluara të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me drejtorët e drejtorëve komunale, aty ku edhe prezantohen projekt- porpozimet nga ana e vartësve të tij, dëshmojnë më së miri sa është transparent pushteti aktual në Prizren”.

“Por, jo vetëm kjo. Edhe shpenzimi i parasë publike për të cilën kryetari ka përgjegjësi ligjore të jep llogari para taksapaguesve e madje të kërkojë edhe mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve nuk është në nivelin e kënaqshëm. Kjo u pa më së miri në debatin e këtij gjysmëviti ku kërkesat e atyre pak qytetarëve të pranishëm në sallë ishin të shumta. Bile nuk mund të thuhet se paraja shpenzohet në mënyre transparente përderisa brenda vitit Komuna organizon vetëm dy debate me qytetarë dhe në to të bien në sy më shumë zyrtarë komunalë sesa ata që edhe janë thirrur, ndoshta për të dhënë sygjerimet e veta”.

Musliu kritikon edhe qasjen në dokumentat  zyrtare.

“Sipas organizatave që bëjnë monitorimin e punës së ekzekutivit dhe legjislativit kjo është shum e vështirë të realizohet. E ndërkohë, po t’i referohemi raportit të auditorit, shihet më së miri se sa ka qenë dhe është transparente komuna e dytë më e madhe në shkallë vendi”.

“Raporti i auditorit të bredshëm nxjerr në pah shumë parregullësi sikurse janë shpenzimet e pa kontrolluara nga ana e kryetarit të komunës, për të cilat nuk është parë se është dhënë llogari të paktën në një rast të vetëm”.

“Edhe shpenzimet tejet të larta për dreka dhe darka zyrtare, duke mos lënë anash këtu pa e cekur darkën e kryeministrit me mësimëdhënësit e kësaj komune gjatë fushatës zgjedhore në fillim të qershorit për të cilën kryetari Muja është treguar dorëshlirë dhe ka paguar rreth 20 mijë euro, dhe ato për karburante nuk janë arsyetuar asnjëherë nga ana e kryetarit të komunës edhe pse shoqëria civile sikurse është Instititui Demokratik i Kosovës KDI dhe ‘Ec ma ndyshe’, e patën ngritur zërin duke i bërë thirrje kryetarit t’i zvogëlojë shpenzimet”.

Përfaqësuesit e partive politike,Arbër Rexhaj(VV) dhe Mybere Mustafa kritikojnë kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën se po tregohet jo transparent. Rexhaj thotë se Muja për shkak mungesës së transparencës ka përfunduar në gjykatë, ku edhe është dënuar bashkë me ish-drejtorët e Ekzekutivit.

“Po të ishte treguar transparent, Muja nuk do të kishte përfunduar as në gjykatë”, thotë Rexhaj. Ai propozon që çdo vendim i Ekzekutivit, duhet të jetë transparent për media dhe qytetarët.

Mybera Mustafa(LDK), ndërkaq kritikon pushtetin për mungesë të freskimit të uebfaqes, që sipas saj ekziston vetëm sa për sy e faqe.”Aty nuk mund të shkarkohen rregulloret, por as nuk freskohet “, thotë Mustafa.

Përfaqësuesit e Forumit “Transparenca” dhe partive politike janë pajtuar që të propozohet ndryshimi dhe plotësimi i rregullores për transparencë në Komunën e Prizrenit.

Kryesuesi i Asamblesë Komunale, Kujtim Gashi thotë se do të mirëpresë çdo propozim që është në të mirë të rritjes së transparencës.

“Asambleja konsideroj se është e hapur dhe mjaft transparente.Mirëpo, nëse shoqëria civile dhe partitë politike vlerësojnë se ka nevojë të plotësohet rregullorja atëherë unë do të mirëpres propozimin e tyre dhe do të procedojë në Kuvend”, thotë Gashi. /PrizrenPress.com/

Haradinaj: I kemi përafruar qëndrimet me minoritetet dhe Vetëvendosjen

0

iftari-3 ramushiPas iftarit të shtruar për minoritetet, kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë përafruar qëndrimet edhe me minoritetet, mirëpo nuk kanë marrë garancë se do të kenë mbështetje të pakusht.
“Kemi provuar edhe më herët të takohemi me minoritetet dhe kam kuptuar që të gjithë janë më Ramazan. Kam vendosë me iu shtru një iftar. Përveç që kemi darkuar bashkë, kemi folë edhe për shqetësimet tona në lidhje me shtetin, njëkohësisht edhe për formimin e qeverisë së re dhe koalicionit.

Nuk kemi marrë garanci që do të kemi mbështetje të pakusht, mirëpo qëndrimet i kemi mjaft të përafërta”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq sa i përket Vetëvendosjes, ai ka thënë se edhe me këtë parti kanë përafrime.

“I kemi përafruar shumë qëndrimet. Nuk po mundem të flas me garanca se do të kemi mbështetje të pakusht prej Vetëvendosjes, mirëpo qëndrimet i kemi shumë të përafërta dhe bisedimet po zhvillohen në një frymë mjaft pozitive”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se nesër do të takohen sërish në selinë e Vetëvendosjes.

Haradinaj, Mustafa dhe Limaj vazhdojnë takimin edhe pas iftarit

Minoritetet jo serbe që kanë marrë pjesë në iftarin e shtruar nga koalicioni i bllokut, janë larguar nga ambientet ku ishte shtruar iftari.

Ndërkaq kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ai i LDK’së, Isa Mustafa dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, kanë vazhduar takimin.

Koalicioni LDK AAK NISMA shtron iftar për minoritetet jo serbe

Koalicioni LDK –AAK, NISMA ka organizuar një takim ku ka ftuar për iftar të gjitha minoritetet jo serbe.

Në këtë takim, veç tjerash pritet të diskutohet edhe për mbështetjen e minoriteteve për koalicionin e bllokut opozitar.

Thaçi tërhiqet nga gara për Kryeministër?

0

Thaci-misioni i ri14Express ka mësuar se të gjithë ndërmjetësuesit e Kryetarit të PDK’së, të nisur në LDK, AAK, NISMA dhe VV tashmë janë kthyer duarbosh në selinë e PDK’së. Askush nuk dëshiron as të bisedojë me Kryetarin e PDK’së.
Partia Demokratike e Kosovës me gjasë është në fundin e energjive të saja për të provuar që përmes ndërmjetësuesve të saj të thyej marrëveshjen e lidhur ne mes të LDK-AAK-NISMA.

Express ka mësuar se Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, kishte angazhuar njerëz të ndryshëm, për t’i dërguar si mësit te Isa Mustafa, te Ramush Haradinaj, e edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

Tashmë secili prej atyre njerëzve është kthyer te Thaçi me mesazh negativ. “Askush nuk dëshiron, as të takohet për të biseduar”, ka thënë ky burim. Kjo më gjasë edhe e ka thyer jashtë mase liderin e PDK’së, i cili është duke e menduar opsionin që të tërhiqet komplet prej të qenurit i mandatuar.

“Ka mundësi që Thaçi të tërhiqet. Është duke shqyrtuar modalitetet”, thotë një burim i besueshëm i Gazetës Express.

Arkivi: Çka i tha Bekim Fehmiu Ibrahim Rugovës me 1989?

0

Ibrahim RugovaIshte viti l989. Në një qoshe të ëmbëltores «Elida» në Prishtinë, ishte i ulur aktori ynë me famë botërore Bekim Fahmiu.

Derisa e pinte kafen e mëngjesit,e sheh dr Ibrahim Rugovën me miqët e tij në një tavolinë përballë. Për një çast, Bekimi ,ngritët në këmbë,i afrohet Rugovës dhe i thotë: «Të admiroj për guximin intelektual dhe për këllqet e tua deri n fund të këmbëve» Kaq ishte. Asnjë fjalë më tepër.

Për këtë, ka shkruar edhe Halil Matoshi, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim.

Shikojeni nivelin “akademik” të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

0

njoftimi me gabimNë tabelën publikimeve në Universitetin Publik “Ukshin Hoti” në Prizren është vendosur një njoftim se provimi në lëndën “E Drejta Kushtetuese I”, do të mbahet të shtunën më 28 qershor.

Por, ky njoftim, me autorësi nga Dekanati i Fakultetit, ka dhjetëra gabime gramatikore që nuk do të duhej t’i bënte një fëmijë i klasës së pestë të shkollës fillore.

Njoftimi është shkruar me vetëm një fjali, ku edhe mbiemri i profesorit ishte shkruar gabimisht.

upz5

Ndoshta, ata që e kanë shkruar këtë njoftim duhet të rikthehen edhe një herë në shkollën fillore dhe të rinisin mësimin e gjuhës shqipe.

Shikojeni më poshtë njoftimin e Universitetit të Prizrenit./express/

Diplomatët nuk kanë kohë për Hashim Thaçin

0

Thaci14-17aDitëve të fundit në Kosovë ka qëndruar diplomati austriak Jan Kickert. Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Austrisë takoi Presidenten e shtetit dhe pothuaj gjithë spektrin politik dhe , por jo edhe Hashim Thaçin.
Kryeministrit në largim nuk po i ecin mirë punët në raport me diplomatët e huaj. Pas injorimit në Ambasadën e SHBA’së, ku diplomatja kryesore amerikane “harroi” ta përshëndet atë, për Thaçin duket se nuk gjeti kohë as një diplomat tjetër.

Jan Kickert, tani drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Austrisë dhe një vizitor i moçëm i Kosovës, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi po thuaj të gjithë aktorët politikë. Nga të gjitha takimet e tij janë dërguar fotografi por nuk ka pasur një të tillë me Hashim Thacin. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë për Express se Mustafa është takuar me Kickert, edhe pse as ky subjekt nuk ka dërguar ndonjë foto nga takimi me diplomatin austriak.

Ndryshe Kickert, ka takuar edhe Liderin e AAK’së Ramush Haradinajn, Albin Kurtin, Fatmir Limajn, nga PDK ka takuar Hajredin Kucin dhe Enver Hoxhaj si dhe Zëvendëskryeministren Edita Tahirin. Po ashtu Kickert është pritur edhe nga Presidentja Jahjaga.

Siç dihet Partia Demokratike e Kosovës ishte përfshirë në një incident diplomatike pak para zgjedhjeve të 8 qershorit pas një letre përkrahëse të Zëvendëskancelarit austriak Michael Spindelegger për Isa Mustafën. Ndaj kësaj kishte reaguar bashkëpunëtori i Thaçit Enver Hoxhaj duke akuzuar Spindelegger’in për ndërhyrje në procesin zgjedhor./express/