11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

I mbyllur

Ramadan Muja 1Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është i vetmi kryetar i komunave në Kosovë, që është i kualifikuar me titullin, doktor shkencash. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar si ligjërues nëpër institucionet shkollore -universitare.

Edhe pas zgjedhjes kryetar i Prizrenit, Muja ka vazhduar të ligjërojë në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Është zgjedhur edhe anëtar i Bordit në Universitetin “Ukishn Hoti” në Prizren.

Pavarësisht kualifikimit dhe punës shumëvjeçare që ka bërë nëpër institucionet arsimore, Ramadan Muja, ende nuk ka arritë të kuptojë termin Transparencë. Ai është i vetmi kryetar që për dy mandate është treguar jo transparent në marrjen e vendimeve në Ekzekutivin e Prizrenit. Edhe mandatin e tretë e ka vazhduar me të njëjtin qëndrim dhe qasje.

Mediave nuk dëshiron as me ia pa sytë. Pas zgjedhjes kryetar i Prizrenit në vitin 2007, Muja vendimin e parë që ka marrë ka qenë mbyllja takimeve me media me drejtorët e Ekzekutivit. Këtë praktikë e vazhdon edhe sot me drejtorët.

Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha thotë se nuk është obligim ligjor hapja e mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të Ekzekutivit.

“Nuk e obligon ligji Mujën që t’i hapë mbledhjet e Ekzekutivit”, thotë Berisha.

Ai nuk pajtohet se janë mbyllur mbledhjet e Ekzekutivit të Prizrenit. Sipas tij, pavarësisht mosprezencës së mediave, mbledhjet drejtorëve monitorohen nga Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”.

“Në një analizim të kryetarit ka dalë si e panevojshme edhe parnia e mediave ,përderisa aty janë përfaqësuesit e OJQ-së “Ec Ma Ndryshe”, tregon Berisha.

Mbyllja e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja i ka bërë bashkë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave. Ata kanë themelor Forumin “Transparenca”. Ky forum do të ketë vetëm një mision; atë të rritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit.

Forumin “Transparenca”, synon që të koordinojë dhe promovojë veprimet e aktivistëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve që janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike.
Deri më tash Forumi Transparenca ka organizuar tri debate me drejtorët e Ekzekutivit të Mujës. Në këto debate janë trajtuar problemet në arsim, ndërtimet pa leje dhe mungesa e transparencës.

Përfaqësuesit e Forumit “Transparenca” dhe partive politike këmbëngulin që kryetari Ramadan Muja, duhet të ndërrojë dhe ndërpresë qëndrimin dhe praktikën e mbylljes së deritashme të takimeve të Ekzekutivit dhe të lejojë praninë e medieve t’i përcjellin mbledhjet e mbajtura me drejtorët komunalë. Ata kërkojnë rritjen e nivelit të transparencës.

Anëtarja e Forumit “Transparenca”, Elmedina Baxhaku, vlerëson se mbyllja e takimeve të ekzekutivit ka qenë njëra ndër veprimet më kundërthënëse dhe njëkohësisht më dëmtuese për demokracinë lokale, që është ndërmarrë në mandatin e dytë të kryetarit Muja, që po vazhdon edhe në fillim të të tretit.

“Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyet e këtij hapi. Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë”, thotë Baxhaku.

Ajo thotë se Forumi “Transparenca” shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të Komunës me drejtorët komunalë.

“Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik”, vlerëson Baxhaku.

“Nisur nga kjo, Forumi “Transparenca” i bën thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit, që sa më parë të anulojë vendimin për mbylljen e takimeve të ekzekutivit dhe t’i rihapë ato duke u mundësuar pjesëmarrjen gazetarëve, monitoruesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve. Çdo vonesë e kryetarit të Komunës për realizimin e kësaj kërkese është dështim për të promovuar një standard elementar të qeverisjes transparente dhe cenim i së drejtës së qytetarëve për informim”, shprehet Baxhaku.

Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe”, Hajrulla Çeku thotë se këshilltarët komunalë në mbledhjen e ardhshëm duhet të propozojnë Kuvendit, që të ndikojë te kryetari Ramadan Muja, që t’i hapë takimet për media.

“Kërkojmë të na lejohet pjesëmarrja edhe në mbledhjet e Parabordit të drejtorëve ku zakonisht përcakotohen pikat prioritare për mbledhjen e Ekzekutivit në të cilat lejohet vetëm pjesëmarrja e jonë si OJQ, por jo edhe mediat”, thotë Çeku.

Edhe Naim Cahanaj nga KDI vlerëson se nga viti 2009, Komuna e Prizrenit ka shënuar regresë në aspektin e transparencës.

“Komuna e Prizrenit në vend që të avancojë transparencën nga viti në vit ka shënuar regresë”, thotë Cahanaj.

Vlerësim të njëjtë kanë edhe gazetarët. Ata thonë se transparenca në komunën e Prizrenit nuk është në nivelin e dëshiruar.

Qazim Morina gazetar i “Zërit” thotë se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nuk po tregohet jo transparent vetëm te mbyllja e mbledhjeve të Ekzekutivit për mediat.

“Në këtë kontekst, ka pasur një kthim prapa, pasi mbledhjet të cilat vetë i pat hapur në mandatin e parë, Muja i mbylli më pas, duke mbajtur gazetarët larg vendit ku “thyhen arrat””, thotë Morina.

Sipas tij, transparenca në komunën e Prizrenit, mungon pasi gazetarët e kanë të vështirë të komunikojnë edhe me kryetarin Muja, për shkak të paragjykimeve të tij selektive ndaj mediave, që për çështje mbijetese i “lariten” pushtetit.

“Ka kohë që unë s’kam parë ndonjë njoftim nga Zyra për Media rreth projekteve të cilat realizohen, pos një aktiviteti të paralajmëruar ditë më parë për dezinfektim të qytetit”.

“Ueb faqja zyrtare është shndërruar një lloj dekori “bajat” të komunës, pasi në të mungon freskimi me aktet e fundit dhe vendimet e komunës, me planin zhvillimor urban apo edhe procesverbalet e mbledhjeve të KK-së”, vlerëson Morina.

Gazetarja e Radio Kosovës, Valbona Musliu thotë ndërkaq se raportet e auditorit tregojnë më së miri se sa transparente dhe llogaridhënëse është Komuna e Prizrenit.

“Shumë herë më ka rastisur të dëgjojë nga vet pushtetarët e Prizrenit se si kjo komunë gjoja është shumë transparente për vendimet që merr. Në çdo takim, debat, apo edhe konferencë me gazetarë, kjo shprehje është përsëritur pa rreshur. E për transparencën dhe llogaridhënien është folë shumë edhe në kohën e fushatave zgjedhore, atëherë kur kërkohej vota dhe besimi i qytetarëve”. Por cila është e vërteta ?

“Ndonëse me gojën plotë zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit, pohojnë se janë qind për qind transparent dhe se kohëve të fundit u dëgjua edhe ajo se kjo komunë është e para në shkallë vendi sa i përket transparencës, në përditshmëri nuk reflektohet diç e tillë, madje në të shumtën e rasteve po ndodh e kundërta”, vlerëson Musliu.

“Takimet e mbylluara të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me drejtorët e drejtorëve komunale, aty ku edhe prezantohen projekt- porpozimet nga ana e vartësve të tij, dëshmojnë më së miri sa është transparent pushteti aktual në Prizren”.

“Por, jo vetëm kjo. Edhe shpenzimi i parasë publike për të cilën kryetari ka përgjegjësi ligjore të jep llogari para taksapaguesve e madje të kërkojë edhe mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve nuk është në nivelin e kënaqshëm. Kjo u pa më së miri në debatin e këtij gjysmëviti ku kërkesat e atyre pak qytetarëve të pranishëm në sallë ishin të shumta. Bile nuk mund të thuhet se paraja shpenzohet në mënyre transparente përderisa brenda vitit Komuna organizon vetëm dy debate me qytetarë dhe në to të bien në sy më shumë zyrtarë komunalë sesa ata që edhe janë thirrur, ndoshta për të dhënë sygjerimet e veta”.

Musliu kritikon edhe qasjen në dokumentat  zyrtare.

“Sipas organizatave që bëjnë monitorimin e punës së ekzekutivit dhe legjislativit kjo është shum e vështirë të realizohet. E ndërkohë, po t’i referohemi raportit të auditorit, shihet më së miri se sa ka qenë dhe është transparente komuna e dytë më e madhe në shkallë vendi”.

“Raporti i auditorit të bredshëm nxjerr në pah shumë parregullësi sikurse janë shpenzimet e pa kontrolluara nga ana e kryetarit të komunës, për të cilat nuk është parë se është dhënë llogari të paktën në një rast të vetëm”.

“Edhe shpenzimet tejet të larta për dreka dhe darka zyrtare, duke mos lënë anash këtu pa e cekur darkën e kryeministrit me mësimëdhënësit e kësaj komune gjatë fushatës zgjedhore në fillim të qershorit për të cilën kryetari Muja është treguar dorëshlirë dhe ka paguar rreth 20 mijë euro, dhe ato për karburante nuk janë arsyetuar asnjëherë nga ana e kryetarit të komunës edhe pse shoqëria civile sikurse është Instititui Demokratik i Kosovës KDI dhe ‘Ec ma ndyshe’, e patën ngritur zërin duke i bërë thirrje kryetarit t’i zvogëlojë shpenzimet”.

Përfaqësuesit e partive politike,Arbër Rexhaj(VV) dhe Mybere Mustafa kritikojnë kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën se po tregohet jo transparent. Rexhaj thotë se Muja për shkak mungesës së transparencës ka përfunduar në gjykatë, ku edhe është dënuar bashkë me ish-drejtorët e Ekzekutivit.

“Po të ishte treguar transparent, Muja nuk do të kishte përfunduar as në gjykatë”, thotë Rexhaj. Ai propozon që çdo vendim i Ekzekutivit, duhet të jetë transparent për media dhe qytetarët.

Mybera Mustafa(LDK), ndërkaq kritikon pushtetin për mungesë të freskimit të uebfaqes, që sipas saj ekziston vetëm sa për sy e faqe.”Aty nuk mund të shkarkohen rregulloret, por as nuk freskohet “, thotë Mustafa.

Përfaqësuesit e Forumit “Transparenca” dhe partive politike janë pajtuar që të propozohet ndryshimi dhe plotësimi i rregullores për transparencë në Komunën e Prizrenit.

Kryesuesi i Asamblesë Komunale, Kujtim Gashi thotë se do të mirëpresë çdo propozim që është në të mirë të rritjes së transparencës.

“Asambleja konsideroj se është e hapur dhe mjaft transparente.Mirëpo, nëse shoqëria civile dhe partitë politike vlerësojnë se ka nevojë të plotësohet rregullorja atëherë unë do të mirëpres propozimin e tyre dhe do të procedojë në Kuvend”, thotë Gashi. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Zhduket një person në Prizren

Një person ka njoftuar se axha i tij që vuan me probleme të shëndetit mendor ka dalë nga shtëpia e tij dhe nuk dihet...

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Lajmet e Fundit