20.6 C
Prizren
E mërkurë, 30 Korrik, 2025
Home Blog Page 7930

Ministri Gashi paralajmëron aksion të ri për ndërtimet pa leje në Prevallë

0

DardanGashi-MMPHPronarët e villave në fshatin turistik në Prevallë që kanë leje por nuk u janë mbajtur asaj, këto ditë do të marrin vendimet nga Ministria e Mjedisit.

Ata do të obligohen të ndërmarrin vetë masat e parapara, ose do të detyrojnë Ministrinë që t’i rrënojë ato.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë ministri në detyrë i Mjedisit, Dardan Gashi.

“Ditëve në vijim do të fillojmë t’ua shpërndajmë vendimet. Këta që kanë tejkalime duhet që në një afat të caktuar të fillojnë të ndërhyjnë”, ka thënë Gashi, duke sqaruar se edhe ku janë bërë tejkalime më të mëdha.

Familjarët e të zhdukurve akuzojnë Jacobson-in dhe Zhbogar-in

0

faMIljaret e te zhdukerveSerbia po luan një lojë që fyen familjet e të pagjeturve, por edhe vetë viktimat e krimeve dhe masakrave të cilat i kreu në Kosovë, ndërsa ndërprerja e punimeve në gjurmimin e varrezës në Rudnicë, paraqet edhe një krim tjetër të shtetit të Serbisë.
Kështu u tha gjatë takimit të Këshillit Koordinues të shoqatave të të pagjeturve të Kosovës, të dielën në Skenderaj.

Përveç kësaj, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovës, Samuel Zhgobar dhe ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, janë cilësuar si fajtorët kryesorë për ngecjen e procesit të zbardhjes së të pagjeturve dhe ndërprerjen e gjurmimeve në Rudnicë.

Bajram Çerkini, nënkryetar i këshillit dhe kryetar i shoqatës së të pagjeturve në Mitrovicë, “Zëri i prindërve”, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të bëjnë më shumë, por ata që nuk kanë punuar fare për të zhdukurit janë BE-ja, përkatësisht përfaqësuesi special në Kosovës, Zhgobar dhe ambasadorja amerikane Jacobson.

“Ata nuk kanë bërë asgjë. Zhbogar i ka në tavolinë të gjitha të dhënat për të pagjeturit, për varrezat e dyshuara, dhe të gjitha hollësitë e tjera, por nuk është i interesuar ta shtyjë procesin. Ai nuk dëshiron të bëjë asgjë në këtë drejtim. Edhe ambasadorja Jacobson nuk ka bërë asgjë. Te dy këta janë adresa ku ne do të bëjmë trysni, sepse këta e kanë ngecur procesin. As Serbia nuk do të guxonte t’i ndërprente punimet në gjurmimin e varrezës së dyshuar në lokacionin 3, sikur këta të bënin trysni, por siç duket, për ta të pagjeturit nuk kanë rëndësi”, ka thënë Çerkini.

Ai ka kritikuar edhe Arsim Gërxhaliun, për siç tha “fshehjen e të vërtetave përkitazi me gjurmimet në Rudnicë”.

Haki Kosumi, kryetar i Këshillit Koordinues, bëri të ditur se deri tani Kosovën në rajon e ka përfaqësuar një serbe, Ollgica Bozhdaniq, nga Rahoveci.

“Ne kemi bërë gjithçka që vetë ne të jemi ata që përfaqësojmë Kosovën në të gjitha nivelet, e jo ata që kryen krime ndaj nesh”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i komisionit qeveri tar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, pranoi se nuk është bërë shumë për të pagjeturit dhe se misioni nuk është kryer.

Ai ripërseriti, se ndërprerja e gjurmimeve në lokacionin nr. 3 në Rudnicë të Rashkës, është e vrazhdë, e rëndë dhe e dhembshme.

“Ndërprerja e punimeve është edhe një krim i Serbisë, ata duan që të përfitojnë në emër të fatkeqësisë se të tjerëve, sepse thirrren kinse nuk kanë mjete. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, janë dalluar 45 trupa, por janë gjetur edhe pjesë kockore, që mund të jenë të 87 trupave, por që nuk mund të themi asgjë derisa të përfundojnë analizat”, theksoi Gjetaj.

Këshilli Koordinues i shoqatave të të pagjeturve të Kosovës, ka formuar grupin të përbërë nga Hakim Kosumi, Metë Thaçi, Sevdije Franku, Halit Berisha dhe Bajram Çerkini, i cili do t’i bëjë kërkesë Zhbogarit të hënën, për t’u takuar me të, pasi që kanë vlerësuar se pik ërisht Zhbogar, por edhe Jacobson, janë njerëzit kyç, të cilët mund të ndikojnë për t’i çuar këto procese përpara.

Universiteti i Prishtinës, dallavere me pagat e profesorëve

0

UP-rektoratiUniversiteti i Prishtinës (UP) ka lëshuar pagesa për pesë profesorë e kjo në vlerë prej 10,170 euro, pa dhënë ndonjë dëshmi për vijueshmërinë e procesit mësimor për semestrin dimëror 2013/2014, gjithashtu UP kishte punësuar punonjës në administratë, pa konkurs të hapur publik.

Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, ku brenda raportit thuhet edhe se kanë hasur në dy raste ku stafi i angazhuar i UP-së kishte marrëdhënie pune edhe me një institucion tjetër, ku në të dy vendet e punës janë deklaruar me pagë primare, duke mos respektuar kështu kërkesat ligjore për deklarimin e punëdhënësit kryesor dhe atij sekondar.
Më tutje në raport thuhet, se për 10 profesorë të angazhuar në programin “Aftësimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve”, iu është paguar shuma totale prej 44,820 euro, ku këto pagesa janë tejkaluar nga orët e mbajtura në të vërtetë nga profesorët në fjalë, transmeton KP.
Pra, sipas raportit, vetëm pjesa prej 26,324 euro është mbështetur me evidencat e vijueshmërisë, ndërsa për pjesën tjetër prej 18,496 euro nuk janë gjetur evidence të vijueshmërisë së stafit të angazhuar.

Raporti flet edhe për rastin e një personi të caktuara si ushtrues detyre për zhvillim akademik deri në muajin tetor 2012, mirëpo veprimtaria dhe pagesa ndaj tij kishin vazhduar edhe për gjashtë muaj shtesë.

Sipas raportit, njësitë akademike gjatë vitit 2013 nuk kishin raportuar për obligimet e tyre dhe si pasojë UP nuk ka arritur të inkorporonte shumta e sakta në PVF.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm thotë se UP kishte lidhur kontratë me OE për shërbimet e Dezinfektimit, Deratizimit dhe Dezinsektimit në hapësirat e objekteve të UP-së, por që puna ishte e bërë para nënshkrimit të kontratës.

Gjithashtu, raporti thotë, se në 46 raste kanë vërejtur që janë lidhur kontrata mbi normë dhe në kundërshtim me rregulloren e brendshme për të ardhurat personale.

23-vjeçari shqiptar u vra për 500 euro

0

7da89f170c54782b8004522a0fa4cc6cDy ditë pas vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar Novi Kaçorri, policia italiane ka zbardhur detaje të krimit të rëndë të ndodhur në qytetin e Bronit, provincë e Pavias.

Sipas medieve italiane, Kaçorri është vrarë mbrëmjen e së premtes nga shqiptari tjetër, Sokol Miza, 30 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë të mitur, i cili banonte në të njëjtin pallat me viktimën e tij.

Mësohet se 23 vjeçari Kaçorri ka shkuar në apartamentin e Mizës, së bashku me kunatin e tij, për të sqaruar një debat që kishte lindur për 500 euro. Deri pak ditë më parë, Sokoli kishte strehuar kunatin e Kaçorrit, që ishte në arrest shtëpie, dhe pretendonte një shumë prej 500 eurosh.

Pikërisht ky ka qenë motivi i konfliktit mes palëve që përfundoi në mënyrë tragjike për të riun Kaçorri. Sokoli dhe Novi kanë nisur të përleshen në shkallët e pallatit ku banonin, në qendër të Bronit, dhe gjatë sherrit, Miza e ka goditur disa herë me thikë 23-vjeçarin.

I plagosuri është dërguar nga e fejuara e tij në urgjencën e spitalit të Stradellës, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Ndërkohë Miza është larguar menjëherë me automjetin e tij “Opel Tigra” dhe megjithë kërkimet e policisë, nuk është bërë ende i mundur arrestimi i tij, ëmadje në kërkime është përfshirë edhe Interpoli.

Në momentin kur karabinierët kanë shkuar në pallat kanë gjetur gruan e Mizës duke larë gjakun nga shkallët e pallatit. Në shpjegimin e dhënë për karabinierët ajo ka deklaruar se po e hiqte gjakun që të mos trembeshin fëmijët.

Mediat italiane raportojnë se autori i krimit, Sokol Miza, nuk ishte një emër i panjohur për karabinierët, pasi vetëm pak ditë më parë emri i tij kishte dalë gjatë hetimeve që po kryhen për zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur në një lokal në Broni.

Mësohet se si viktima ashtu edhe autori i krimit, ishin emigrantë të rregullt në Itali.

/Shekulli Online/ E.L.

Shkup, protesta përfundon e qetë. Familjarët: Do vazhdojmë derisa të lirohen të pafajshmit

0

protesta ne shkupDhjetëra qytetarë të Shkupit kanë protestuar sot kundër dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë të akuzuarve në rastin “Monstra”. Ndryshe nga protestat dramatike, që u zhvilluan të premten dhe të shtunën në Shkup, protesta e sotme u zhvillua e qetë dhe pa asnjë incident.

Në protestën e sotme forca të shumta policie si dhe automjete të blinduara kanë ndjekur protestuesit nga Çairçanka deri në afërsi të qendrës së lagjes Mavrovasja, prej ku më pas protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Prostesta u zhvilluan ditën e sotme edhe në Tetovë dhe Dibër, pasi ishte lajmëruar më herët në rrjetet sociale. Ndërkaq, po në rrjetet sociale janë paralajmëruar protesta edhe në Tiranë, për ditën e martë.

“Së bashku me çdo qytetar mblidhemi të Martën në oren 18:00 tek Piramida (Tiranë) në mbështetje të vëllezervë tanë Shqiptarë në Maqedoni… Me pjesëmarrjen dhe të Kampionit të Europës, Nuri Seferi…”, njoftohet në rrjetet sociale.

Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, misionet e NATO-s dhe të OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate të përbashkët theksojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë të qetë dhe dënojnë sjelljet e dhunshme. Edhe diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për dialog midis qytetarëve dhe politikanëve, për qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

Familjarët e të dënuarve thanë se protestat e qeta do të vazhdojnë deri në lirimin e të familjarëve të tyre, për të cilët thanë se janë dënuar pafajësisht.

Më herët, gjatë protestës, dhjetëra të rinj kanë marshuar nga qendra e Tetovës në drejtim të Gjykatës, duke vazhduar rrugës kryesore, drejt selisë së BDI-së. Protestuesit kërkojnë drejtësi dhe brohorisnin kundër BDI-së, “Poshtë qeveria”. Gjendja ka qenë e acaruar, për shkak të protestave të paralajmëruara për ditën e dytë. Ato u përkeqësuan që ditën e parë, pasi pati shumë arrestime e të lënduar të cilët për momentin gjenden nën kujdesin mjekësor.

Lovato: Askush nuk e njeh Mileyn

0

LovatoDemi Lovato ka mbrojtur Miley Cyrusin, duke thënë se kritikët nuk e njohin Mileyn e vërtetë.

Këngëtarja e hitit “Heart Attack” ka thënë se njerëzit duhet të harrojnë se Cyrus është një person tjetër nga personazhi i saj i Hannah Montanas.

“Ndryshimi im ishte më i lehtë sepse unë shkova në klinikë rehabilituese. Nuk dridhja vithet- unë vetëm shkova në rehabilitim”, ka thënë Lovato për revistën We Love Pop.

“E dini çfarë, unë mendoj se bota duhet ta harrojë faktin se Miley ishte Hannah Montana kur ajo ishte 16-vjeçare”, ka shtuar këngëtarja.

“Askush nuk e njeh atë, askush nuk e di se kush jam unë. Kështu është edhe me Selena Gomezin dhe Vëllezërit Jonas dhe të gjithë të tjerët që janë rritur në syrin e publikut. Ne jemi të rritur tani”.

Miley Cyrus bën tatuazh qenin

0

cyrus-tatuazh-qenMiley Cyrus ka bërë tatuazh qenin që e la disa muaj më parë dhe në Instagram ajo postoi disa foto që tregonin si u realizua ky tatuazh.

Këngëtarja e bëri tatuazhin gjatë një feste në shtëpinë e saj në Los Angeles. Në foto 22-vjeçarja shfaqet e gjysmë e zhveshur.

Në muajin prill, qeni i Miley Cyrus u sulmua dhe u vra nga një kojotë. Para pak kohësh, Miley mori një qen tjetër duke thënë se është “gati të dashurojë përsëri”.

Raporti i Auditimit gjen shumë shkelje në Komunën e Prizrenit

0

Prizren-shtepia bardheSipas raportit të audtimit, njëra nga kontratat e lidhura ishte kontrata për ndërtimin e stadiumit të qytetit, e cila arrin shumën rreth 200 mijë euro, teksa shuma e zotuar nga komuna për këtë projekt, ishte vetëm 20 mijë euro.

‘’Te Kontrata PZ622-13-097-5-2-1 ‘’Ndërtimi i stadiumit të qytetit’’në shumë prej 193,623€, shuma e zotuar për këtë projekt ishte vetëm 20,000€. Raste të lidhjes së kontratave pa zotim të mjaftueshëm kemi gjetur edhe në 23 mostra të testuara. ZKF-ja nuk kishte ndonjë koment për rastet e tilla’’ thuhe në raportin e auditimit.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, njëherësh këshilltari politik i kryetarit Muja, Ymer Berisha,tha se raporti i auditorit e nxjerr komunën e Prizrenit, si njërën ndër komunat më korrekte, në raport me ligjin dhe politikat administrative në realizimin e tenderëve. Mirëpo ai u pajtua se të gjeturat e auditorit janë të sakta dhe këto vetëm se i ndihmojnë komunës së Prizrenit.

Sa i përket ndërtimit të stadiumit, Berisha tha se është planifikuar që ky projekt të përfundohet me faza dhe në këtë drejtim tha se komuna është shumë rigoroze në realizimin e projekteve.

“Kemi filluar që për çdo vit të ndajmë mjete buxhetore dhe tani në vitin e parë kemi vlerësuar së bashku me ekspertët e ndërtimtarisë dhe transportit që këto mjete janë të mjaftueshme për fillimin e realizimit të këtij projekti dhe ky projekt pastaj për çdo vit kalendarik, mbështetet me shuma të caktuara që ndoshta për 3- 4 ose 5 vjet, komuna e Prizrenit ta ketë një stadium të tillë”.

Po ashtu si të gjetura nga raporti i auditimit, janë edhe ndërtimi i dy rrugëve të fshatrave Piranë- Reti dhe Krushë e vogël- Piranë. Vërejtjet më të mëdha këtu janë për shkak të vonesës në kryerjen e projekteve. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, krejt kjo ka ndodhur për shkak të nënshkrimit të kontratave pa sigurimin e fondeve paraprake.

‘’Te kontrata „Asfaltimi i rrugës Piranë-Reti’’ në vlerë prej 167,137€ sipas planit dinamik, projekti ishte paraparë të përfundojë për 50 ditë pune. Ne kemi vërejtur se ky afat nuk ishte respektuar. Deri në kohën e auditimit, kjo vonesë kishte arritur në 250 ditë kalendarike. Sipas pohimeve të menaxhmentit mungesa e fondeve për këtë projekt ka bërë që të ngecë puna dhe si i tillë të mos përfundojë me kohë. Vonesa të tilla kemi gjetur pothuajse në secilin projekt të ekzaminuar’’.

Berisha, tha se kjo rrugë është e karakerit ndërkomunal, ngase bashkohen dy fshatra, njëri i Prizrenit e tjetri i një komune tjetër, përkundër kësaj, ai e arsyeton komunën dhe operatorin ekonomik, se vonesat mund të kenë ndodhur për shkak të shpronësimit të pronave, e kurrsesi për mungesë të fondeve, ashtu siç është thënë në raportin e auditorit.

“Edhe kompanitë, por edhe ne si komunë, jo gjithherë mund t’i parashohim gjërat gjatë rrugëtimit të një politike publike, daljet që në këtë rast projekti realizohet nëpër prona dhe zona jashtë pjesës urbanistike të qytetit dhe ne e kemi atë tolerancën se e dimë që mund të vonohet projekti, por e kemi një të sigurt se projekti do t’u dorëzohet qytetarëve, atyre që janë më meritorët”.

Ndërsa te kontrata „Ndërtim i rrugës Krushë e vogël – Piranë’’ në vlerë prej 74,855€ auditori ka gjetur se fituesi i tenderit ka ofruar sigurimin e ekzekutimit të kontratës për 40 ditë më të shkurtër sesa plani dinamik i punimeve.

“Punimet nuk ishin kryer në afatin e garancionit, ndërsa komuna nuk kishte kërkuar ripërtëritjen e sigurimit te ekzekutimit. Sigurimi ishte bërë me datën 29.04.2013 deri me 08.06.2013 në shumë prej 7,405€” thuhet në raport.

Këtë vërejtje të auditorit siç duket Komuna e Prizrenit nuk e mori me seriozitet, ngase zëdhënësi Berisha, thotë se në rast se punët janë duke u kryer korrektësisht, nuk ka nevojë për ripërtëritje të kontratave.

Nëse na vjen nga komisioni, nga inxhinierët, se gjithçka është duke u realizuar drejt dhe mirë, atëhere lejohet operatori që të mos e ndërprejë dinamikën e punimeve, kështu që aspektet administrative rregullohen’’.

Po ashtu, parregullsi në Komunën e Prizrenit është gjetur edhe në lëndën “Furnizimi me kripë industriale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve” për të cilën është lidhur kontrata me vlerë prej 19,920 euro.

“Ne kemi analizuar përmbajtjen e kontratës dhe kemi vërejtë se Autoriteti Kontraktues nuk e ka sqaruar si duhet çështjen e furnizimit me kripë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Komuna i ka paguar Operatorit Ekonomik vlerën prej 15,000€ për furnizim me kripë, por nuk është specifikuar se çka ndodh nëse nuk ka të reshura dhe nuk ka nevojë për përdorimin e kripës dhe kush do të jetë pronar i kripës. Ne nuk kemi gjetur se kripa është në kuadër të depos së komunës. Pra, liferimi i mallit nuk është bërë në depo të komunës por në kuadër të depos së operatorit ekonomik”, thuhet në raport.

Për këtë vërejtje, zëdhënësi Berisha tha se është më shumë “humor” ngase ne jetojmë në Ballkan dhe bazohemi në vitet paraprake për t’u furnizuar me kripë industriale.

“Në rast se nuk bjen borë, sigurisht që ajo kripë industriale është e komunës dhe ne e dimë se sa tonë kripë dhe normalisht kompania fituese në vitin vijues do ta shfrytëzojë atë kripë. Pse ka qëndru kripa në depot e operatorit ekonomik, e jo në depot e komunës? Po ne nuk kemi kapacitete, tash ta zëmë edhe për depo të kripës industrial, sepse kjo është shumë problem’’.

Në fund Berisha e përshëndeti punën e Auditorit të Përgjithshëm, duke thënë se kjo do t’i ndihmojë Komunës së Prizrenit, në avancimin e performancës më të lartë sa i përket politikave tenderuese.

“Përshëndesim edhe politikat e auditorit të cilat vit pas viti na japin sugjerime ose na japin ide se si mund të realizohet një politikë publike me performancë më të lartë dhe jemi të kënaqur se Komuna e Prizrenit llogaritet ndër 3-4 komunat e para të Kosovës, të cilat me përpikmëri zbatojnë kërkesat ligjore dhe politikat toleruese për të realizuar një project të caktuar’’./kallxo.com/

Presidenca: Vendimi për Kuvendin brenda dy ditësh

0

Atifete jahjagaKuvendi i ri i Kosovës nuk pritet të konstituohet të premten e tretë të këtij muaji por seanca e parë pritet të mbahet një ditë tjetër. Sipas një përgjigje per Express të Zyrës së Presidentes Jahjaga, vendimi për ditën e konstituimit të Kuvendit të ri të Republikës do të merret brenda dy ditësh.

Presidentja ka sqaruar se së pari do të konstituohet Kuvendi e pastaj do të mandatohet kandidati për Kryeministër të ri.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Presidentja bazuar në afatet ligjore do ta përcaktojë brenda dy ditësh datën e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend bëhet konstituimi i Kuvendit, që hap rrugën për mandatimin e kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Lexojeni të plotë deklaratën e Presidencës:

Të gjitha informatat e publikuara gjatë ditës së djeshme në mediat e Kosovës, për kinse përcaktimin e datës së mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më datë 18 Korrik, janë spekulime të qëllimshme politike që kanë për qëllim ta sjellin stafin e Presidentes dhe vetë Presidenten përpara një presioni politik.

Gjithashtu stafi i Presidentes nuk e ka sjellë përpara dilemës as Presidenten dhe as vetveten për hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë fillimisht me çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pastaj përcaktimin e afatit kohor për dërgimin e mandatarit në Kuvend.

Dilemat e ngritura në media janë përpjekje të dëmshme për të ndërruar kursin e rrjedhës ligjore dhe logjike të veprimeve dhe vendimeve.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Presidentja bazuar në afatet ligjore do ta përcaktojë brenda dy ditësh datën e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend bëhet konstituimi i Kuvendit, që hap rrugën për mandatimin e kryeministrit.

Gramatika e parë shqipe?!

0

90245Një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes ishte dhe Anton Xanoni, i cili dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegërishten në gjuhën shqipe. Anton Xanoni lindi më 12 Janar 1862 në Durrës dhe që në moshë fare të vogël zhvendoset në qytetin e Shkodrës, ku si shumë shkrimtarë të tjerë gegë të asaj kohe shkollimin e mori nga jezuitët në Kolegjin Saverian . Etërit jezuitë e dërguan të kryente shkollën e lartë jashtë vendit në Manastirin Kartusian në Porto Koeli në Valencia të Spanjës deri në vitin 1883. Duke parë aftësitë e tij etërit jezuitë nuk e lanë për shumë kohë në një vend dhe kështu në vitin 1884 e dërgojnë të ndjekë një kurs tjetër në Kolegjin Jezuit në Krajlevicë të Kroacisë, e më pas për të ndjekur studimet në Kremona të Italisë. Gjatë viteve 1890-1892 Xanoni studioi në Fakultetin Teologjik në Universitetin Gregorian në Krakov të Polonisë sëbashku me atdhetarin e shquar Ndre Mjeda, i cili më vonë do të ishte një ndër bashkëpunëtorët e tij në hartimin dhe botimin e teksteve shkollore. Para se të kthehej në Shqipëri më 1896 dha mësim rreth një vit në kolegjin Gregorian në Kieri të Torinos, Itali. Pas përfundimit të studimeve shërben si prift jezuit në Krakov, Poloni. Xanoni vendos të kthehet në atdhe për të punuar si mësues i gjuhës shqipe në Kolegjin e “Shën Françesk Saverit” në Shkodër , një nga shkollat më të mira të asaj kohe ku kishte studiuar edhe vetë më parë. Si nxënës të tij pati edhe shkrimtarin dhe figurën politike madhore të Rilindjes Kombëtare Luigj Gurakuqin, të cilit i transmetoi të gjithë dëshirën e pasionin për të shkruar.
Në vitin 1901 u themelua Shoqëria letrare “Agimi” e kryesuar nga Ndre Mjeda, ku pati si anëtarë atdhetarë të shquar ndër to edhe Anton Xanonin , Lazër Mjedën etj . Kjo Shoqëri ishte vatra e hartimit të teksteve shkollore si dhe e hartimit të alfabeti të ri të gjuhës shqipe që do të propozohej nga Mjeda në Kongresin e Manastirit që u mbajt në vitin 1908. Edhe pse Xanoni sëbashku me Mjedën i hynë një punë të ngutshme dhe të vështirë, bashkëpunimi mes tyre ishte një mbështjetje frytdhënëse për shoqërinë “Agimi” .Në drejtim të metodave të mësimit kishte një gjendje mjaft anemike sepse mungonte në masë baza materiale për të konkretizuar mësimin.Këtu nis puna e tyre e cila i përgjigjet vullnetit të punës së pa lodhur për botimin e teksteve ku Xanoni bashkë me anëtarët e tjerë të kësaj shoqërie arritën të botojnë deri në 25 tekste të ndryshme për shkollat fillore duke u bërë veprimtarë aktivë të një pune shkencore pedagogjike psikologjike, didaktike, metodike, historiko-pedagogjike.
Rreth vitit 1904 hartuan tekstin shkollor ” Këndime për shkollë të parë të Shqypënisë” , libër me tre vëllime që u botua në Vjenë pa datë botimi. Gjatë periudhës së vitetve 1904-1908 librat u ribotuan disa herë.Tekstet ishin perceptuar me një shtrirje pedagojike -shkencore, me periudha historike , duke mbartur njohuri të domosdoshme të lidhura mbi një bosht patriotik të thellë.Libri i parë i shërbente kryesisht klasës së parë ,shkallëzimi i njohurive ishte bërë me kujdes sipas moshës së fëmijëve kurse në librin e dytë autorët kishin vendosur pjesë të zgjedhura në prozë , poezi ,kallëzime, fjalë popullore, fabula e rrëfenja me kërkesa të tilla që i përshtateshin rritjes së moshës por edhe të aftësive të fëmijëve. Libri i tretë përmbante një lëndë të pasur mësimore . Të tre librat pasqyronin njohuri të ndryshme nga gjuha, letërsia ,gjeografia , historia, fizika ,bujqësia etj. Autorët u munduan që në fillim që të ngjallin emocione , pastaj të nxisin veprime psikologjike te fëmijët për të thelluar e përvetësuar sa më mirë njohuritë mësimore e shkencore të pasqyruara në tekst dhe ku teksti do t’i shërbente deri në fund edukimit dhe ndjenjave të pastra për atdheun dhe nderimit për dëshmorët e atdheut . Anton Xanoni përveç teksteve shkollore , shkroi punime studimore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë.Ndër librat e tij me karakter teoriko-pedagogjik përmendet “Prisi në lâmë të Letratyrës” 1911-1912 , “Shkurtorja e Historisë së Moçme” 1910. Xanoni është autor i veprës “Skënderbeu” i botuar pas vdekjes së tij dhe autor i vjershës “Rrnoftë Shqypnia” dedikuar shpalljes së Pavarësisë . Me rëndësi të veçantë është edhe libri biografik kushtuar Shën Françeskut të Saverit me titullin “Jeta e Shen Françesk Saverit”.Pjesën më të madhe të shkrimeve të tij i pasqyroi në revistën jezuite të kulturës fetare “Elçija e zemers t’Jezu Krisctit” me artikuj për letërsinë , kulturën , historinë, dhe politikën etj. Anton Xanoni si një lëvrues i shquar i gjuhës shqipe , ashtu si Mati Logoreci dhe Atë Shtjefën Gjeçovi , kishte si qëllim të pastronte gjuhën nga arkaizmat e gjuhës osmane dhe nga fjalët e panevojshme sllave si dhe pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja.
Një ndër veprat me karakter gjuhësor të njohura të Xanonit është “Gramatika Shqyp” e botuar më 1909 në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyeme” në Shkodër e shkruar me alfabetin e ri që u vendos në Kongresin e Manastirit 1908, dhe e cilësuar nga studiuesit si vepër e rëndësishme në fushën e gjuhësisë. Ky libër do të shërbente si tekst bazë në lëndën e gjuhës shqipe në Kolegjin e Jezuit. Ndonëse para dhe mbas vitit 1909 kishin qarkulluar edhe gramatika të tjera, Xanoni shënon në hyrje të librit se:
“Mbas Gramatikes t’ P. Jungut , t’ Folmarmes t’ Bashkimit e t’Shkroitores t’S.H.Frasherit e qitme ket t’onen .Fjalëskâjet e shkolles gadi t’ana i perdorueme latinisht, tui kenë se me ket gjuhë losin neper lulishtë t’letratyres e t’dituniis. Se s’â pa gjymtime âsht e ditun , e prandei ardht’ i bardhë kush me vreme t’veta t’dalin me na nimue t’a permirsoim m’nji dorë tieter , e cilla na mban uzdaja, se s’kaa per t’vanue.”
Gramatika është ndërtuar si tekst mësimor, në të dallohet trajtimi shkencor e metodik i problemeve gjuhësore. Libri është i shkruar në dialektin geg dhe ka gjithsej 172 faqe e 9 krerë. Në fillim të librit autori trajton probleme me karakter fonetik si : zanoret, shqiptimin, rrokjet, theksin , fjalët e bashkëngjitura. Ndërsa te pjesët e gramatikës në ligjëratë në kreun e parë trajtohet : Substantivi ( emri) , e më pas në kapitujt vijues trajton Artikullin ( nyjen) , Adiektivin (mbiemrin), Pronomin ( përemri) , Verbin ( folja), Prepozicionin ( parafjala), Adverbin ( ndajfolja), Koniukcionin ( lidhësat) dhe në kreun e nëntë trajtohet Interiekcioni ( pjesëzat). Në faqet e fundit të librit jepen termat e shqiptimit të fjalive që janë përdorur në tekst, me gjegjësen në italisht. Edhe pse i shkruar në dialektin gegërisht, nga ky tekst mund të kuptohet se në çfarë niveli ishte mendimi gjuhësor para një shekulli.
Anton Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915 , në moshën 53 vjeçare.Veprimtaria e tij luajti një rol të veçantë në përmbushjen e një qëllimi madhor të intelektualëve shqiptar të periudhës së botimit të librave në gjuhën shqipe duke lënë pas kontributin e tij me vepra me rëndësi për pasurimin e gjuhës letrare , arsimit e kulturës shqiptare.
———————-*——-
Bibliografi
– Elsie, Robert .” Histori e Letërsisë Shqiptare”, Dukagjini, Tiranë -Pejë 1997.
– Idrizi, Rinush ” Ndre Mjeda”.Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1980.
– Instituti i Studimeve Pedagogjike ” Historia e Arsimit 6″,Tiranë 2004.
– Kraja, Musa ” Pedagogjia”, Mirgeeralb, Tiranë 2009 .
– Xanoni, Anton. ” Gramatika Shqyp”, Shtypshkroja e Zojës Papërlyeme , Shkodër 1909.