Home Blog Page 8147

Një lojë e fëlliqtë

0

Imer MushkolajShkruan: Imer  MUSHKOLAJ

Partia e Hashim Thaçit po bllokon gjithçka dhe po zvarrit krijimin e institucioneve duke synuar me çdo kusht vazhdimin e qeverisjes. Thotë se i ka numrat, ndërkohë që përdor propagandë e shantazhe pikërisht për sigurimin e këtyre numrave. Bën lojë të fëlliqtë. As të tjerët nuk lënë gjë mangut në luftën për pushtet.
Partia Demokratike e Kosovës po bën gjithçka që të mbetet në pushtet. Përderisa në njërën anë thotë se i ka numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të formimin e Qeverisë, në anën tjetër po përdor shantazhe dhe luftë speciale ndaj partive të tjera, në përpjekje për t’i siguruar numrat.

Pas shtatë vitesh në pushtet, PDK nuk e ka të lehtë të shkëputet nga gjithë privilegjet që i ka gëzuar, ndërkohë që ka shtrirë rrjetin e njerëzve të vet gjithandej nëpër institucione, agjenci e organizata.

Kur dëgjon zyrtarët e lartë të partisë teksa thonë se nuk i kanë problem numrat për krijimin e institucioneve të krijohet përshtypja se ata veç për qejf nuk po duan t’i krijojnë ato, paçka se tash sa muaj vendi ndodhet në bllokadë. Por, e vërteta është ndryshe dhe është e vërtetë e hidhur për PDK’në.

Partia e Hashim Thaçit po bllokon gjithçka dhe po zvarrit krijimin e institucioneve duke synuar me çdo kusht vazhdimin e qëndrimit në pushtet. Ndryshe nuk ka si të arsyetohen veprimet e ditëve të fundit të strukturave të saj.

PDK, nëpërmjet deputetes Flora Brovina, iu bëri thirrje partive parlamentare për konsultime para seancës së Kuvendit, që u caktua për 12 shtator. Nëse partia fituese e zgjedhjeve i ka numrat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë pse paska nevojë për konsultime?

Vendi gjendet në një situatë absurde kur subjekti që i ka fituar zgjedhjet nuk ka mundësi t’i krijojë institucionet, ndërkaq një shumicë parlamentare ekziston, por nuk po i jepet mundësia ta bëjë një gjë të tillë.

PDK po pret që blloku opozitar të përçahet dhe ndonjëra nga partitë t’i bashkohet në qeverisje, por opozitarët që synojnë pushtetin nuk po japin shenja dobësimi. E propaganda dhe lufta speciale vazhdon – që nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK’së se po negociohet me LDK’në dhe se koalicioni me këtë parti është punë e kryer, e deri te ato për blerje deputetësh.

* * *

Një ditë pasi Hashim Thaçi paralajmëroi rritje pagash për mësimdhënësit edhe për 25 për qind, nga fillimviti i ardhshëm, një këshilltar i tij propozoi zgjedhje të reja, si zgjidhje për ngërçin politik në të cilin është futur vendi. Thaçi po sillej sikur të ishte zgjedhur për herë të tretë në krye të qeverisë, ndërkohë që këshilltari i tij po propozonte formulën e daljes nga kriza. E vendi ndodhet në krizë jo vetëm politike, por edhe financiare. Në krizë financiare është futur që kur kryeministri në ikje merrte vendime me implikime të mëdha buxhetore, gjë që po vazhdon edhe tash.

Jo vetëm këshilltari, por edhe bashkëpartiakë të tij po trumbetojnë së fundi zgjedhjet e reja, si formulë për dalje nga kriza. Në këtë mënyrë, ata po shpresojnë se do të fitojnë sërish dhe do të vazhdojnë të qeverisin. Mënyra si po sillet tash PDK’ja – ose ne në pushtet, ose s’ka pushtet – tregon për një mentalitet uzurpues dhe të partisë-shtet, i cili s’ka të bëjë fare me demokracinë. Institucionet dhe shteti i Kosovës nuk janë pronë e asnjë partie politike dhe kushdo që pretendon të uzurpojë pushtetin, duhet të ndëshkohet.

Hashim Thaçi dhe partia e tij e kanë sjellë veten në të atillë situatë, kur askush nuk i dëshiron për partnerë në qeverisje. Athua pse?

Është e rëndë, shumë e rëndë t’i fitosh zgjedhjet dhe të mos kesh me kë t’i krijosh institucionet. Dhe, çfarë të bëhet tash? Të mbetemi të gjithë peng i dëshirës së Thaçit? Sa më shpejt që hapin rrugë për të tjera opsione, aq më mirë.

* * *

Dhe, zgjidhja e ngërçit politik do të jetë e dhimbshme për akterët politikë. Nëse blloku opozitar ia del t’i krijojë institucionet, e dhimbshme do të jetë për PDK’në. Edhe më e dhimbshme do të jetë për bllokun nëse detyrohet të hyjë në negociata dhe të lëshojë pe. E shumë më e dhimbshme do të jetë për Rasmush Haradinajn nëse kusht për krijimin e institucioneve do t’i vihet që postin e kryeministrit t’ia lëshojë ndonjë bashkëpartiaku të tij.

E, në gjithë këtë dhimbje të madhe dhe luftë të fëlliqtë për pushtet, viktima janë qytetarët. Ata kanë mbetur peng i një grupi njerëzish, të cilët nuk po arrijnë të merren vesh se cili duhet të qeverisë. Ata kanë mbetur peng i interesave klanore e partiake të atyre që me çdo kusht duan të ulen në karriget e pushtetit. Ata kanë mbetur “veç tue i këqyr seri” këta tipa që pushtetin e konsiderojnë privilegj, e jo përgjegjësi. Ata janë viktima të lojës së fëlliqtë për pushtet.

Disidenca te “Dimri i madh”

0

kadare-_libri-212x320Shtëpia Botuese “Saras” ka hedhur në treg librin “Intertekstualja dhe disidentja” te “Dimri i vetmisë së madhe” me autor Met Dervishin/ Për herë të parë në studimet shqipe merret në analizë një vepër e plotë, e cila nxjerr në pah disidentin e fshehur në librat e Kadaresë

Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e vetmisë së madhe” iu dorëzua, në maj të 1973-it, Komitetit Qendror nga sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”.

Itelektualistja Ismail Kadare Në kulmin e lulëzimit të komunizmit në Shqipëri, në kapërcyell të viteve ‘70, Ismail Kadare do të përballej me një nga sfidat më të mëdha që një shkrimtar në ish-vendet komuniste, do ta kishte të vështirë ta realizonte, të kthente në një personazh pikërisht diktatorin e tij. Me intuitën e një shkrimtari që di të futet thellësive, Kadare duket se zbuloi pikën e dobët të Enver Hoxhës, që ishte kulti i tij, duke e çarmatosur me shijen e tij të mrekullueshme tërheqëse e të hollë në letërsi. Hoxha e kishte shprehur prej vitesh dëshirën e tij për të shkruar kujtime, dhe për të botuar lira me emrin e tij, por një roman i cili do ta çonte emrin e tij shumë larg kornizave të Shqipërisë socialiste, ishte padyshim një joshje para së cilës Hoxha do të dorëzohej. Kadare e mori në lëkurë sfidën, për t’u përballur hapur me sistemin, i bindur se letërsia ka qoshka magjike prej së cilave mund të fshihte mesazhe, që tej në Europë, ku librat e tij kishin nisur të lexoheshin do të kuptoheshin lehtë, ndërsa lexuesin e vendit të tij do ta bënte të mendonte. “Dimri i vetmisë së madhe” një nga veprat më të kritikuara në historinë e letrave shqipe, në kohën e botimit të tij të parë, do të ishte fitorja e parë e shkrimtarit ndaj sistemit dhe një shfaqje e hapur e një disidenti i cili ishte aty, në zemër të një prej regjimeve më të egra të ish-kampeve socialiste. Me këtë roman, Kadare do të shfaqë jo vetëm gjenialitetin e një shkrimtari tashmë të konsoliduar, por dhe një opozitar tashmë të hapur ndaj regjimit, gjë që do t’i kushtonte më shumë përqendrim të kritikës zyrtare ndaj veprave të tij. Gati 40 vjet nga botimi i parë i këtij romani, profesori dhe studiuesi i letërsisë, Met Dervishi, i rikthehet këtij libri, për të sjellë për herë të parë një në historinë e studimeve shqipe, analizën e një vepre të plotë. “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’” quhet libri i cili sapo është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Saras”. Një libër i cili vjen pikërisht në kohën e debateve mbi disidencën në letërsinë shqipe, dhe që tregon qartazi se disidentja te një shkrimtar i kalibrit të Kadaresë qëndron pikërisht në librat e tij. Nën kujdesin e prof. Xhevat Lloshit, Dervishi bën një analizë të kujdesshme të romanit, të parë në kontekstin e kohës dhe jashtë saj. Sipas tij, përzgjedhja e “Dimrit të vetmisë së madhe” për të depërtuar në misteret e dispozitivit stilistik të Kadaresë ka shumë arsye. Në krahasim me veprat e tjera të Kadaresë, por dhe në krejt prodhimin letrar nën diktaturë, ky roman ka pasur një fat të veçantë. I botuar për herë të parë në vitin 1973, ai u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar. “Trukimi stilistik që i ka bërë Kadareja botimit të tij të dytë, do të meritonte një punim tjetër. Të rikthehemi te arsyet e përzgjedhjes së “Dimrit…”:

Së pari, ky roman është njëri ndër kulmet e Kadaresë. Në këtë roman kemi kristalizimin e plotë të dispozitivit të tij stilistik, që vepron në tekst me gjithë plotfuqishmërinë e tij sugjestionuese. Fakt është që 20.000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës. Ky ka qenë një rekord i papërsëritshëm.

ismail kadareSë dyti, ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orkestruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Dhe, gjithashtu për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë dhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani”, thotë Dervishi, megjithëse sipas tij kjo fushatë do të mjaftonte për t’i vënë këtij romani kurorën e disidencës së letërsisë shqiptare.

Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e Vetmisë së Madhe” iu dorëzua, në maj të 1973-it, Komitetit Qendror nga Sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”. Të nxitura nga kjo kritikë, polemikat rreth romanit u ndezën për disa muaj rresht. Në një denoncim të mëtejshëm, në maj të vitit 1973, nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, temat e “degjenerimit moral të rinisë” dhe “tendencat feministe” konsiderohen si të papërshtatshme për letërsinë shqiptare. Romani mbeti në qarkullim, por spastrimi vazhdoi duke fuqizuar diktaturën e duke u bërë të qartë liberalëve të mos merrnin zemër nga kjo fitore. Kadareja e rishikoi dorëshkrimin, siç iu kërkua, dhe e dorëzoi për diskutim në parti dhe nëpër komisione. Por dhe në rishkrimin e librit, Kadare mundi të sfidonte. Në përgjigjen zyrtare nga Dalan Shapllo, në nëntor të 1973, rishikimet u pranuan, por u konsideruan të pamjaftueshme. U përpilua një listë e re kërkesash, ku u vu në dukje “revizionizmi” i Kadaresë, si dhe mungesa e figurave pozitive midis intelektualëve, nostalgjia e tyre për Rusinë, trajtimi ironik i parimeve të socializmit dhe përkrahja e fshehtë e “liberalizmit”. Përgjigjja zyrtare ishte e thellë dhe e hollësishme e kjo tregon sesa seriozisht merrej letërsia dhe fjala e shkruar në Shqipëri dhe në vendet socialiste në përgjithësi. Dashnor Mamaqi vë në dukje theksimin në mbledhjet me Hrushovin të revizionizmit të tij, në vend që të nxirren në pah çështja politike e drithërave, marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe rëndësia e bazës së Vlorës.

Sipas Dervishit, në fillim të viteve ‘90, ky roman do të jetojë periudhën e dytë të heshtjes ndaj tij. “Më vonë, në debatet e gjera për disidencën shqiptare/pafuqinë shqiptare për të prodhuar disidencë, ky roman zë kryet e vendit. Në një ekstrem, për të ripohuar karakterin pllakatesk e propagandistik të saj, nga ekstremi tjetër për të provuar nëpërmjet tij kulturën e simulim-manipulimit, pra, për të vërtetuar dhe nëpërmjet tij që në kulturën shqiptare kemi simulim të disidencës, kur kemi pasur thjesht vepra pllakateske komuniste, por dhe manipulimin publik nëpërmjet këtij simulimi”, thotë ai.

Në këtë kontekst, ky libër mëton t’i japë përgjigje dhe këtij paradoksi. Nga vjen ky? Mos vallë është teksti që e shkakton këtë paradoks receptues? Mirëpo, ndërkaq, si do të shpjegohej receptimi refuzues dhe fushata kundër botimit të tij të parë?

“Përkundrazi, kemi një debat që shmang pavetëdijshëm raportet e drejtpërdrejta me tekstin duke dialoguar kësisoj me dekodimin komunist që iu bë këtij teksti pas botimit të dytë, në përputhje me qëllimet e propagandës komuniste? Pra, në receptimin pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, mos vallë kemi të bëjmë, në të vërtetë me një dialog me mënyrën se si e përvetësoi propaganda komuniste këtë tekst për qëllimet e saj?

Fillimisht thamë që joshja ka të bëjë me dispozitivin stilistik të Kadaresë. Por, ky dispozitiv unikal në kohën kur është kristalizuar si i tillë, ka qenë në raporte dekoduese me, përkundrejt metodës zyrtare, socrealizmin. Që ka pasur problem me dekodimin e dispozitivit stilistik të Kadaresë me metodën askush nuk e vë në dyshim. Dhe në receptimin pas viteve ‘90 e këndej, ka autorë që konsiderojnë disidencën estetike të prozës së Kadaresë. Problemi këtu qëndron që, nëse një dispozitiv stilistik është njëkohësisht një këndvështrim i botës, në ç’raporte ishte/ është ky këndvështrim me këndvështrimin marksist të botës? Dhe, nëse kjo pyetje merr përgjigje pozitive në tekst, disidenca estetike shndërrohet në disidencë politike. Është dhe ky rasti? Dhe, më tej, nëse mundemi t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve me instrumente të stilistikës, stilistika provon vetveten si shkencë e kritikës së tekstit. Në këtë kuptim, “Dimri…”, por dhe tekstet e tjera të Kadaresë, janë një sfidë dhe për stilistikën/ poetikën/ kritikën e tekstit, e cila është e vetmja që mund t’u japë përgjigje shkencore paradokseve të receptimit. Por, dhe e vetmja që mund të japë përgjigje shkencore për individualitetet e letrave shqipe”, thotë Dervishi.

Për herë të parë, “Dimri… në këtë libër shihet nga këndvështrimi i konceptit/koncepteve të Michael Bachtin për dialogjiken/polifoniken në letërsi. Libri ka katër kapituj. Në kapitullin e parë: Receptimi i tekstit autori është mbështetur në teorinë e receptimit të Jauss Hans. Në këtë kapitull ai ka shqyrtuar receptimin e romanit në kohën e botimit, receptimin e tij pas ribotimit si dhe receptimin e tij në vitet pas rënies së diktaturës.

Në kapitullin e dytë: Tekst monologjik apo dialogjik/polifonik ka shqyrtuar dispozitivin stilistik të Kadaresë te “Dimri…”, gjegjësisht përkatësinë e tij stilistike. “Meqë Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, e studiues të tjerë, te Joice etj., ne mëtojmë të kemi provuar që, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Joice, Kadare është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij. Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Sipas mendimit tonë, të cilin e kemi vërtetuar në tekst, te Kadare horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik te Kadare krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin”, thotë Dervishi.

Në kapitullin e tretë: Ideologjemat versus klisheve për herë të parë shqyrtohen ideologjemat e “Dimrit…” në raport me klishetë politike të diktaturës. Ky kapitull, në veçanti, është dhe guri i provës për karakterin disident/socrealist të tekstit. “Gjatë analizës së ideologjemave ne mëtojmë të kemi provuar disidencën politike të tekstit, madje mëtojmë se në tekst kemi një Enver Hoxhë tjetër si personazh kundrejt Enver Hoxhës si diktator (Maska e Kadaresë).

Në kapitullin e katërt dhe të fundit: Hipoteksti/përbindëshi/ djali me yll në ballë, autori shqyrton hipo e hipertekstin, në përputhje me konceptin e Gerard Genette etj. Ky libër nuk është vetëm një studim i hollësishëm mbi një vepër të njohur, por dhe një përballje me elemente të disidencës që studiuesit e huaj e kanë vërejtur herët në letërsinë e Kadaresë, dhe që në Shqipëri gjithnjë është shmangur të shihet.

Dy tërmete në Turqi

0

turqiaNë Turqi janë regjistruar dy tërmete prej 5.2 dhe 4.7 shkallësh të Richterit, raportojnë mediat turke.

Nuk ka të dhëna për të plagosur apo për dëme materiale nga tërmetet që kanë ndodhur natën e kaluar.

Tërmeti prej 5.2 shkallësh është regjistruar në Detin Mesdhe, pranë vendpushimit të njohur Antalia, në jugperëndim të Turqisë.

Epiqendra ka qenë në thellësi prej 25 kilometrash.

Tërmeti i dytë është regjistruar në Detin Egje, pranë ishullit Gokçeda, në veriperëndim të Turqisë.

Malishevë, kërkohet anulimi i konkursit për mësimdhënës

0

ram buja me malishevMinistri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur në takim një grup mësimdhënësish, të cilët ditë më parë protestuan para dyerve të Kuvendit Komunal në Malishevë, në shenjë pakënaqësie ndaj procesit të pranimit të mësimdhënësve në tri shkollat e mesme të kësaj komune.
Ministri Buja, me këtë rast ka njoftuar mësimdhënësit për hapat të cilët i ka ndërmarrë Ministria e Arsimit në zgjidhjen e kësaj situate.

Sipas një njoftimi të MAShT, Buja ka bërë të ditur se MAShT ka angazhuar Drejtorinë e Inspektoratit në këtë drejtim dhe se veprimet do të ndërmerren vetëm pas hartimit të raportit të plotë nga të gjeturat lidhur me ecurinë e konkursit.

“MAShT do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, konform mekanizmave ligjorë sepse detyra e mësuesit është mision dhe për hir të kësaj ndjehem i obliguar që të ndihmoj në zgjidhjen e kësaj situate”, është shprehur ministri Buja.

Ndërsa, përfaqësuesi i grupit të mësimdhënësve, Sedat Sahitaj, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë e procesit të pranimit të mësimdhënësve në këtë komunë.

Sahitaj ka thënë se ata tashmë kanë bërë kërkesë për anulim të këtij konkursi, duke e cilësuar këtë proces të jashtëligjshëm. /Telegrafi/

LDK-AAK-NISMA: S’kemi ndryshuar asgjë, Isa përsëri kandidat për kryeparlamentar

0

ramushi, limaj  mustafa

Koalicioni LDK-AAK-NISMA, pas një takimi konsultativ të mbajtur sot, me temë vazhdimin e seancës konstituive, kanë bërë të ditur që do t’i përgjigjen thirrjes për vazhdimin e seancës.

Pas takimit është prononcuar kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë të ditur se deputetët e koalicionit LDK-AAK-NISMA do të qëndrojnë në seancë për të pritur siç tha ai dështimin e kandidatit të PDK’së, për të proceduar më pas me pikën 127 të vendimit të kushtetueses sipas të cilit deputetët duhet ta gjejnë zgjidhjen për të dalë nga ngërçi politik dhe për t’ju shmangur zgjedhjeve.

“Ne i përgjigjemi seancës, me vizion të qartë, e dimë se e drejta që i është atribuuar PDK’së dështon, sepse nuk kanë vota, dhe ne do t’i shqyrtojmë modalitetet si me e gjetë zgjidhjen në parlament, sepse ne e kemi votën,” ka thënë Haradinaj pas takimit.

Ai ka shtuar se lajmet që po qarkullojnë se ky koalicion mund të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit për ta tejkaluar bllokadën, janë të rreme.

“Nuk ka ndryshuar asgjë brenda koalicionit. Qëndrimi ynë është i njëjti si në fillim, deputetët po ashtu, kështu që këto informata po përdorën për të krijuar konfuzion tek qytetarët,” ka thënë ai.

Ndërkaq kandidati i bllokut për kryeparlamentar, Isa Mustafa, ka mbështetur deklaratën e Haradinajt, duke i cilësuar këto siç tha ai spekulime, logjikisht të pakuptimta.

“Nuk ka kuptim që dikush ta lëshojë kryeparlamentarin dhe të marrë qeverinë, pasi që këto të dyja janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën,” ka thënë Mustafa, duke ripërsëritur se ata i kanë numrat dhe procedura e zgjedhjes së tij për kryeparlamentar do të bëhet në mënyrë plotësisht legjitime.

Ai e ka quajtur absurd vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka shtuar se kushtetuesja nuk mund t’ju tregojë deputetëve për kë të votojnë.

“Vendimi ka qenë absurd. Mirëpo, ajo çka nuk mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese është t’i detyrojë deputetët të votojnë sipas shijes së kushtetueses,” ka thënë Mustafa.

Koalicioni LDK-AAK-Nisma, ka paralajmëruar takime me Vetëvendosjen para vazhdimit të seancës konstituive.

Sot takohet blloku LDK-AAK-Nisma

Pas vendimit të kryesueses së seancës, Flora Brovina, që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet me 12 shtator, liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma, do të takohen sot për konsultime dhe strategjinë e tyre lidhur me këtë seancë.

Takimi i tyre pritet të ndodhë sot rreth orës 13 :00. Ndërkohë, ata dje nuk kanë qenë në takimin e Flora Brovinës me përfaqësuesit e subjekteve politike, takim ky ku është caktuar 12 shtatori, si dita kur do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, Isa Mustafa sot ka vazhduar të shpreh pakënaqësinë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese muajin e kaluar solli një vendim sipas porosisë së PDK-së, me të cilin ngatërruan tërësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, shkruan Isa Mustafa në Facebook.

Prokuroria ngritë aktakuzë të re, kundër drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt

0

Nexhat cocaj DKAProkuroria Themelore në Prizren, ka ngritë aktakuzë të re kundër drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt. Bashkë me Çoçajn, akuzohen edhe Nezir Osmani, Gëzim Gergi dhe Sami Makolli.

Prokuroria akuzon Çoçajn dhe tre të tjerët për një tender për furnizim të shkollave me kopjutera.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress”-it brenda Prokurorisë Themelore tregojnë se aktakuza e ngritur është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren. “Çoçaj bashkë me tre të tjerë dyshohet për dhënien e një tenderi për furnizim të shkollave me kopjutera. Vlera për të cilën ata dyshohen sillet dikund rreth 1000 euro”, tregon burimi brenda Prokurorisë në Prizren.

Sipas të njëjtit burim ky rast është në shqyrtim e sipër në Gjykatë. “Janë mbajtur nja dy-tri seanca dëgjimore, por ende nuk është vendosur asgjë”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, ndërkaq konfirmon për “PrizrenPress” se ky rast është në shqyrtim e sipër në Gjykatë. “Lënda kundër Çoçajt dhe tre të tjerëve përmbanë numrin 331/13 dhe është në fazën e shqyrtimit. Informacione tjera shtesë për këtë lëndë nuk kemi”, tha Kicaj./PrizrenPress.com/

Sot e nesër, net xhazi dhe vere në Berat

0

Jazz Wine International Festival ne BeratRingjallja e muzikës bizantine përmes tingujve jazz do të jetë në qendër të edicionit të parë të “Jazz &Wine International Festival”, që do të zhvillohet në datat 5-6 shtator 2014, në qytetin e Beratit. Himnet e Jan Kukuzelit që deri më sot janë njohur e dëgjuar prej publikut në variantin e tyre tradicional, do të vijnë tashmë të ripunuara duke ruajtur bazën origjinale, por edhe duke i mbivendosur elemente moderne si parakusht për të pasuruar stilin dhe larminë e tingujve. Ky aktivitet, i cili ka për qëllim të kthehet në një ritual të përvitshëm, është një iniciativë e artistëve shqiptarë për të krijuar një frymë bashkëpunimi të qëndrueshme me artistë të huaj, raporton Mapo.

Eda Zari, ideatorja dhe producentja e këtij festivali, ka thënë se edicioni i parë i “Jazz &Wine International Festival” do të bëjë të mundur ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikore, të cilat janë quajtur “Trashëgimi Botërore” nga UNESCO, Jazz-i dhe Isopolifonia jonë! UNESCO festoi në 30 prill 2014 “Ditën Ndërkombëtare të Xhazit” edicioni III, në Osaka të Japonisë, ndërkohë që Isopolifonia shqiptare festoi më 5 nëntor 2014 përvjetorin e 9-të të marrjes së titullit “Kryevepër e paprekshme e Trashëgimisë gojore” (nga UNESCO).

Elementi i verës që do të shoqërojë aktivitetin, do të jetë jo thjesht për t’u degustuar nga njerëzit, por edhe për të sjellë një pjesë të traditës shqiptare të verave të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës pranë turistëve dhe vendasve që do të vijnë të vizitojnë Panairin e Verës, nën tingujt e muzikës xhaz. I gjithë aktiviteti është konceptuar si një event i madh që do të mirëpresë në djepin e kulturës shqiptare, Berat, dashamirësit e muzikës nga të gjitha grupmoshat.

Berati është një qytet që mbart shumë vlera kulturore në art, muzikë, kulturë si edhe në kulinarinë e verës. Eventi synon të kthehet edhe në një promovues të fuqishëm të vlerave historike të vendit tonë, duke solidarizuar qytetarët dhe artistët në një ambient që si rrallëherë do të kthehet në një festë të vërtetë.

“Ne duhet t’u lëmë brezave jo kopjen e fotografisë së Beratit, por vlerat reale të tij”, ka thënë artistja e njëkohësisht producentja e festivalit, Eda Zari. “Kulturat e mëdha nuk kanë nevojë të shfaqen në metropole! -Ky ishte slogani që na motivoi të ndërmarrim këtë iniciativë, për të nisur një edicion dialogu kulturor në një djep të lashtë si Berati”,  tha Vasil Tole.

Abazi: Gjykata përmbysi Republikën

0

haki-abazi1Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në fakt e ka përmbysur Republikën Parlamentare dhe ka shndërruar Kosovën në shtet monist me të drejtë ekskluzive të një partie, ngjashëm në ish-sistemin”, ka thënë Abazi

Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit “Rockfeller Brother”, Haki Abazi, në një intervistë për gazetën Tribuna, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka lënë hapësirë për strategji dhe ka mbyllur çdo hapësirë dhe mundësi të funksionalizimit të institucioneve. Kjo, sipas tij, ka konfirmuar përshtypjen vendore dhe atë ndërkombëtare se kryetari dhe vartësit e tij në Gjykatën Kushtetuese janë të anshëm dhe përkrahin PDK-në. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sipas, Abazit e ka përmbysur Republikën Parlamentare dhe e ka shndërruar Kosovën në shtet monist.

Tribuna: Z. Abazi, a mendoni se LAN-i ka strategji se si të veprojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Abazi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përveç vendimit të gjykatësit amerikan, nuk ka lënë hapësirë për strategji, në fakt e ka mbyllur çdo hapësirë dhe mundësi të funksionalizimit të institucioneve, duke konfirmuar përshtypjen edhe vendore edhe ndërkombëtare se kryetari dhe vartësit e tij në Gjykatën Kushtetuese janë të anshëm dhe përkrahin PDK-në. Tani strategjitë që LAN-i mund t’i ketë, janë çështje të vullnetit politik por jo domosdoshmërisht mund ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në fakt e ka përmbysur republikën parlamentare dhe ka shndërruar Kosovën në shtet monist me të drejtë ekskluzive të një partie, ngjashëm në ish-sistemin.

Tribuna: A mendoni se mund të thirret seancë e jashtëzakonshme?
Abazi: Unë mendoj që askush nuk mund të ju ndalojë 40 deputetëve të thërrasin seancë të jashtëzakonshme dhe të procedohet me formimin e institucioneve. Burimi i mandatit të deputetit vjen nga vota e qytetarit dhe në demokraci parlamentare shumica vendos. Nuk ka interpretim tjetër të kësaj të drejte dhe as autoritet më të madh se sa vota e cila është vërtetuar dhe konfirmuar nga KQZ.

Tribuna: A duhet shqyrtuar mundësia që LAN-i ta bëjë qeverinë edhe në rrethanën kur kryeparlamentari i takon PDK-së?
Abazi: Kjo përveç që është e pamundur, është dhe një trik i radhës sikurse marrëveshja që PDK kishte nënshkruar me LDK-në dhe AKR-në, për presidenten që nuk e respektoi. Kush mund ta detyrojë LDK-në që edhe njëherë të besojë se nuk do t’i ndodhë e njëjta gjë. Do të ishte vetëvrasje politike për udhëheqësinë e LAN-it, sikur të hyjnë në një aventurë të tillë dhe të dalë i lagur nga një proces që kryekëput është jodemokratik dhe joinstitucional. Parlamenti është ai që vendos dhe jo marrëveshjet jashtë institucionale të odave. Përndryshe, prodhohen efekte Jahjaga.

Tribuna: Në cilësinë e njohësit të zhvillimeve politike, çfarë ka sjellë deri te ky fragmentarizm i skenës politike?
Abazi: Politika është arti i zgjidhjes së problemit dhe jo art i forcës. Parlamenti nuk është ring boksi apo vend për muskujt apo platformë mashtrimi e manipulimi. Të gjitha kanë ndodhur në dy mandatet e papërfunduara të udhëheqjes së PDK-së. Deri aq larg është shkuar që janë quajtur parti antievropiane e antiamerikane përderisa kanë privatizuar asetet e shtetit për kompani aziatike siç është rasti i distribucionit të energjisë elektrike. Gjithashtu të gjitha partitë janë vendosur nën presion pa diskutim të brendshëm dhe është margjinalizuar plotësisht përbërja e parlamentit të kaluar. Rezultati i këtyre veprimeve është fusnota, mosliberalizim i vizave, një MSA gjysmake, zvogëlim i investimeve, rritje e shkallës së korrupsionit, më shumë refugjatë kosovarë në BE dhe me ekonomi më pak të zhvilluar. Dyshoj që ndokush që ka bërë analizë dhe ka ide për të vepruar ndryshe, do të donte për partner një grup politik të udhëhequr nga një mendësi e tillë.

Tribuna: Z. Abazi, kur prisni të krijohet qeveria e re?
Abazi: Në këtë situatë është e vështirë të jepet afat kohor, por sigurisht që Presidenca apo vetë LAN-i, duhet të jenë më të përcaktuar në hapat e mëtutjeshëm. Ky autorizim vjen nga Kushtetuta dhe votat e qytetarit.

Tribuna: A i duhet Kosovës qeverisje e përkohshme siç mund të ishte një teknike?
Abazi: Qeverisja teknike është e pamundur tani pa Parlament, por mund të ketë një qeveri “caretaker”, që është neutrale dhe ka për detyrë që të mbajë administratën dhe sektorët vitalë të shtetit funksional dhe të mbështesë KQZ që të përgatisë zgjedhje të reja, fer nga një nivel i barabartë i të gjitha partive dhe koalicioneve të mundshme.

Qeveria serbe: Marrëveshja me Kosovën nuk është ndërshtetërore

0

Milivoje MihajlovicZyra e Qeverisë serbe për marrëdhënie me media njoftoi se Serbia kurrë nuk do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje ndërshtetërore me Prishtinën.

Drejtori i Zyrës, Milivoje Mihajlovic tha se do të ketë “përafrim marrëveshje” që do t’ia lehtësojë jetën qytetarëve të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Serbia do të nënshkruajë marrëveshje për energjinë, telekomunikacionin, çdo gjë që ka të bëjë me lehtësimin e jetës për qytetarët në Kosovë. Asnjë marrëveshje ndërshtetërore nuk do të nënshkruhet, kjo është një gënjeshtër për t’ia ngritur vlerën Hashim Thaçit”, tha Mihajlovic.

I pyetur nëse pikat e kontrollit në pikat kufitare do të jenë montazh apo prej materialit të hekurt, ai edhe për këtë çështje tha se është “ngjyrim politik i Prishtinës”.

“Ky është stili i bisedimeve në Bruksel. Ndryshe interpretohet në Prishtinë, ani pse bisedimet janë teknike, atyre iu jepen ngjyrime politike në Prishtinë, por që nuk ka arsye për këtë”, tha Mihajlovic.

Kujtojmë se në Bruksel, dje u arrit marrëveshja për të rritur numrin e kalimeve kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Brovina: Liderët vendosin nëse do të shkelet kushtetuta apo jo

0

Brovina-RugovaKryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina beson që vazhdimi i seancës konstituive të shkojë mirë dhe u mbetet liderëve të subjekteve politike që të vendosin nëse do të shkohet përpara apo do të shkelet Kushtetuta e Kosovës.

Brovina ka thënë se me përfaqësuesit e subjekteve politike e veç ka dashur të pi kafe para se të caktohet data e seancës sonstituive.

Ajo tha për RTK se pika për formimin e grupeve parlamentare nuk do të shqyrtohet për shkak se me ato do të merret kryetari i zgjedhur i kuvendit.

“Kryesia e kaluar ka bërë shkelje të qëllimshme dhe unë nuk kam mund ta zbatojë atë”, ka thënë ajo.

Brovia ka shtuar se ka pritur që do ta respektojnë moshën e saj, sidomos nga koleget e saj që merrnin ’turr’ nga ajo. Në fund, Brovina ka thënë se pas asaj që ndodhi në seancën konstituive nuk do të kishte dëshirë që ta udhëhite atë.