23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Një lojë e fëlliqtë

Imer MushkolajShkruan: Imer  MUSHKOLAJ

Partia e Hashim Thaçit po bllokon gjithçka dhe po zvarrit krijimin e institucioneve duke synuar me çdo kusht vazhdimin e qeverisjes. Thotë se i ka numrat, ndërkohë që përdor propagandë e shantazhe pikërisht për sigurimin e këtyre numrave. Bën lojë të fëlliqtë. As të tjerët nuk lënë gjë mangut në luftën për pushtet.
Partia Demokratike e Kosovës po bën gjithçka që të mbetet në pushtet. Përderisa në njërën anë thotë se i ka numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të formimin e Qeverisë, në anën tjetër po përdor shantazhe dhe luftë speciale ndaj partive të tjera, në përpjekje për t’i siguruar numrat.

Pas shtatë vitesh në pushtet, PDK nuk e ka të lehtë të shkëputet nga gjithë privilegjet që i ka gëzuar, ndërkohë që ka shtrirë rrjetin e njerëzve të vet gjithandej nëpër institucione, agjenci e organizata.

Kur dëgjon zyrtarët e lartë të partisë teksa thonë se nuk i kanë problem numrat për krijimin e institucioneve të krijohet përshtypja se ata veç për qejf nuk po duan t’i krijojnë ato, paçka se tash sa muaj vendi ndodhet në bllokadë. Por, e vërteta është ndryshe dhe është e vërtetë e hidhur për PDK’në.

Partia e Hashim Thaçit po bllokon gjithçka dhe po zvarrit krijimin e institucioneve duke synuar me çdo kusht vazhdimin e qëndrimit në pushtet. Ndryshe nuk ka si të arsyetohen veprimet e ditëve të fundit të strukturave të saj.

PDK, nëpërmjet deputetes Flora Brovina, iu bëri thirrje partive parlamentare për konsultime para seancës së Kuvendit, që u caktua për 12 shtator. Nëse partia fituese e zgjedhjeve i ka numrat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë pse paska nevojë për konsultime?

Vendi gjendet në një situatë absurde kur subjekti që i ka fituar zgjedhjet nuk ka mundësi t’i krijojë institucionet, ndërkaq një shumicë parlamentare ekziston, por nuk po i jepet mundësia ta bëjë një gjë të tillë.

PDK po pret që blloku opozitar të përçahet dhe ndonjëra nga partitë t’i bashkohet në qeverisje, por opozitarët që synojnë pushtetin nuk po japin shenja dobësimi. E propaganda dhe lufta speciale vazhdon – që nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK’së se po negociohet me LDK’në dhe se koalicioni me këtë parti është punë e kryer, e deri te ato për blerje deputetësh.

* * *

Një ditë pasi Hashim Thaçi paralajmëroi rritje pagash për mësimdhënësit edhe për 25 për qind, nga fillimviti i ardhshëm, një këshilltar i tij propozoi zgjedhje të reja, si zgjidhje për ngërçin politik në të cilin është futur vendi. Thaçi po sillej sikur të ishte zgjedhur për herë të tretë në krye të qeverisë, ndërkohë që këshilltari i tij po propozonte formulën e daljes nga kriza. E vendi ndodhet në krizë jo vetëm politike, por edhe financiare. Në krizë financiare është futur që kur kryeministri në ikje merrte vendime me implikime të mëdha buxhetore, gjë që po vazhdon edhe tash.

Jo vetëm këshilltari, por edhe bashkëpartiakë të tij po trumbetojnë së fundi zgjedhjet e reja, si formulë për dalje nga kriza. Në këtë mënyrë, ata po shpresojnë se do të fitojnë sërish dhe do të vazhdojnë të qeverisin. Mënyra si po sillet tash PDK’ja – ose ne në pushtet, ose s’ka pushtet – tregon për një mentalitet uzurpues dhe të partisë-shtet, i cili s’ka të bëjë fare me demokracinë. Institucionet dhe shteti i Kosovës nuk janë pronë e asnjë partie politike dhe kushdo që pretendon të uzurpojë pushtetin, duhet të ndëshkohet.

Hashim Thaçi dhe partia e tij e kanë sjellë veten në të atillë situatë, kur askush nuk i dëshiron për partnerë në qeverisje. Athua pse?

Është e rëndë, shumë e rëndë t’i fitosh zgjedhjet dhe të mos kesh me kë t’i krijosh institucionet. Dhe, çfarë të bëhet tash? Të mbetemi të gjithë peng i dëshirës së Thaçit? Sa më shpejt që hapin rrugë për të tjera opsione, aq më mirë.

* * *

Dhe, zgjidhja e ngërçit politik do të jetë e dhimbshme për akterët politikë. Nëse blloku opozitar ia del t’i krijojë institucionet, e dhimbshme do të jetë për PDK’në. Edhe më e dhimbshme do të jetë për bllokun nëse detyrohet të hyjë në negociata dhe të lëshojë pe. E shumë më e dhimbshme do të jetë për Rasmush Haradinajn nëse kusht për krijimin e institucioneve do t’i vihet që postin e kryeministrit t’ia lëshojë ndonjë bashkëpartiaku të tij.

E, në gjithë këtë dhimbje të madhe dhe luftë të fëlliqtë për pushtet, viktima janë qytetarët. Ata kanë mbetur peng i një grupi njerëzish, të cilët nuk po arrijnë të merren vesh se cili duhet të qeverisë. Ata kanë mbetur peng i interesave klanore e partiake të atyre që me çdo kusht duan të ulen në karriget e pushtetit. Ata kanë mbetur “veç tue i këqyr seri” këta tipa që pushtetin e konsiderojnë privilegj, e jo përgjegjësi. Ata janë viktima të lojës së fëlliqtë për pushtet.

Më Shumë

Policia në Prizren gjobit motoristët kundërvajtës, sekuestrohen disa motoçikleta

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me datë 2 dhe 3 maj 2024 patrullat policore të policisë në kuadër të Njësisë Rajonale...

Vdes tragjikisht në vendin e punës mërgimtari 30-vjeçar nga Malisheva

Ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Belgjikë, 30-vjeçari, Arian Gashi. I ndjeri ishte nga qyteti i Malishevës. 30-vjeçari humbi jetën mëngjesin e sotëm...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit