20.6 C
Prizren
E mërkurë, 30 Korrik, 2025
Home Blog Page 8167

Juliana për Valerin: Ai është alamet çuni, nuk është njeri i keq

0

nevi-julard4.5Banorët nisin të përgatisin ‘mëngjesin’ duke qene se jo të gjithë u zgjuan herët. Me ardhjen e ushqimeve ata nisin edhe nga sistemimi i tyre. Juliana, Arditi dhe Nevila dalin sërish në oborr duke diskutuar për zënkat dhe debatet që kanë pasur shpesh, sidomos gjatë vakteve. Juliana u shpjegon se ndryshe nga banorët e tjerë, ata gjithmonë kanë ngrënë bashkë me të tjerët dhe asnjëherë nuk janë munduar të hapin debate, kur banorët kanë qenë duke ngrënë. Gjatë bisedës, ajo e fokuson edhe një herë vëmendjen tek xhelozia e Jonës, duke i premtuar Nevilës se nëse do të hedhin kunja për lidhjen e tyre, ajo do të puthë Arditin gjithmonë në sy të gjithëve.

Duket se Arditit dhe Nevilës u pëlqeu ideja, duke nisur të qeshin me njëri-tjetrin. Bisedën e tyre e ndërpret Mikela, e cila kërkonte ‘tërshërën’ duke pyetur çdo banor në shtëpi dhe duke i vënë në kërkim të saj.

Ata kthehen sërish në oborr, duke vazhduar komentet për Jonën dhe mënyrën si ka reaguar ajo pas ikjes së Matildës. Julianës i duket se ajo nuk ka më forcë pa Matildën dhe kjo gjë është e dukshme, sipas saj.

Ata shohin Valerin nga xhami dhe Juliana e komenton menjëherë duke thënë se ’ai është alamet çuni’, por loja e bën të atillë. Arditi pohon se aty brenda, askush nuk është i keq, ndërkohë që vazhdon të dredhë cigare.

A është Amerika gati për një përballje të re Klinton-Bush?!

0

lincoln-mitchellShkruan: Lincoln Mitchell

Me garën presidenciale të 2016, 30 muaj larg, mundësia e një përballjeje Klinton-Bush duket diçka mjaft e ngjashme. lincoln mitchellKjo garë do të vinte përballë dy familjet më të famshme politike të vendit përballë njëra-tjetrës që prej 1992. Jeb Bush do të ishte Bushi i tretë në kërkim të Presidencës që prej 1980-ës, ndërsa Hillary Klinton do të ishte e dyta nga kjo familje në kërkim të zyrës që prej 1992. Që prej 1980-ës, përveç një rasti, në të gjitha zgjedhjet ka pasur një Klinton apo një Bush që, ose ka qenë në garën për president, ose ka bërë një garë të fortë për të qenë pjesë e zgjedhjeve brenda partive.

Një përballje Klinton vs Bush më 2016 do të ishte kulmi i kësaj historie. Ka pasur edhe më herët familje të fuqishme politike në SHBA më herët, përfshi Kenedit, Adams, dhe Byrd, por këto zgjedhje mund ta çojnë këtë dinamikë në një nivel tjetër. Të thuash sot se Hillary Klinton është garuesja kryesore për partinë e saj është e mirëkuptuar. Nuk ka kandidat të tjerë të shpallur, edhe pse Klintoni ende formalisht nuk e ka përcaktuar kandidaturën. Madje më shumë se kaq, kandidatë të mundshëm si senatorja e Massachuset Elizabeth Uarren, kanë bërë deklarata të tipit që nuk do të futen fare në garë nëse Klinton vendos apo thjesht merr në konsideratë kandidimin.

E parë kështu mënyra se si demokratët po e bëjnë të sigurt që Klinton është kandidatja e tyre, është tronditëse. Jeb Bush është në një situatë të ndryshme. Në fushën e lojës së Republikanëve ka disa kandidatë, që edhe pse nuk e kanë shpallur këtë formalisht, duhet të merren seriozisht, kjo përfshin Paul Ryan, Marco Rubio dhe Rand Paul. Nga ana tjetër, Bush është mes kandidatëve më të fortë Republikanë në sondazhet e fundit, nëse ai futet në garë, ai me siguri do të përfitojë prej organizimeve, njohjeve dhe marrëdhënieve të kultivuara më herët nga babai dhe vëllai i tij në tre dekadat e fundit. Bush dhe Klinton janë sipas standardeve të kohëve tona, shumë të kualifikuar për të qenë presidentë. Bush është një politikan i suksesshëm, ndërsa Klinton, edhe pse nuk ka fituar ndonjëherë në ndonjë garë zgjedhore, duket një kandidate e shkëlqyer për 2016-ës. Në kontekstin e sistemit kjo duket bizantine, jo fort e pastër dhe shtyrë prej parave të mëdha.

Edhe pse Klinton dhe Bush kanë dalë si garues të parë në mënyrë të ndershme. Të dy kanë përfituar prej njohjes së emrin dhe rrjetit të shkëlqyer të mbledhjes së fondeve dhe mbështetjes politike, por nga ana tjetër të dy kanë aftësitë e nevojshme dhe rezymenë e duhur për të qenë kandidatë seriozë. Rritja e shanseve për një përplasje të re Klinton-Bush nga ana tjetër reflekton një problem serioz të demokracisë sonë. Në ndonjë vend tjetër, gruaja e një ish-presidenti dhe vëllai e djali i një ish-presidenti që garojnë për postin do të ishte një rast i pastër i problemit strukturor dhe shenjë e korrupsionit të përhapur masivisht. Këto zgjedhje sidoqoftë nuk do të shihen si të tilla, sepse  Hillary Klinton është e adhuruar prej shumë demokratëve, dhe Bush mund të bëhet i adhuruari i republikanëve nëse ata besojnë se ai mund të mposhtë Klintonin në garë. Sidoqoftë, nëse sheh nga afër se çfarë sjell një përballje e tillë për vendin, mund të mësosh edhe diçka për demokracinë tonë.

Një garë Klinton-Bush do të sjellë shpenzime të jashtëzakonshme në zgjedhjet për president. Edhe pse është e qartë që jo gjithkush për shkak të emrit mund të jetë një kandidat i denjë për president, pasja e një emri të famshëm është një prej atyre gjërave që duhen për të mbledhur mjaftueshëm para, veçanërisht në fillim të garës dhe për të qenë një kandidat serioz. Kjo përballje po ashtu do të nxjerrë në pah se në sa pak gjëra ndahen politikat në amerikanë.

Klinton dhe Bush të dy janë përfaqësues të rrymave kryesore të partive të tyre dhe ndajnë pikëpamje të ngjashme mbi politikën e jashtme dhe politikat ekonomike në një pikë që pakkush mund të bëjë dallimin. Një garë e tillë do të ketë pak debat për thelbin, sidomos në politikën e jashtme dhe çështjet e saj, dhe debati ekonomik mund të jetë më i ashpër, por nuk do të prekë strukturën bazë të ekonomisë amerikane. Një garë Klinton-Bush do të ishte e fortë, por në fund të saj do të fitojë establishmenti politik.

Visar Zhiti: Edi Rama, pas daljes nga burgu, më dha Kafkën e ndaluar

0

VisarZhiti-burg-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…

Libri më i vjetër në bibliotekën time të re, se jam shkëputur nga shtëpia prindërore, është një botim i shek. XIX i Naim Frashërit, «Bagëti e Bujqësija», botim i Bukureshtit, i vitit 1886, me alfabetin e para-Kongresit të Manastirit. Më emocionon shumë, më duket sikur e ka prekur vetë Naimi. Kam dhe ca të tjerë të këtyre viteve, të trashëguara natyrisht.

-Librat i zgjidhni nga autori, apo zhanri?

Nga përmbajtja shkohet tek vlerat dhe tek autori më pas, zhanri s’ka rëndësi më duket.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo, por i di të gjithë ç’kanë. Janë dhe enciklopeditë e fjalorë, që i hap vetëm kur duhet…

-Libri i parë që keni lexuar…

Kam dëgjuar «Konti i Monte Kristos», kur e lexonte me zë im atë e të gjithë mblidheshim rreth tij, ishim familje e madhe atëherë, të varfër e të përndjekur. E ndjej si të lexuar atë roman. Kujtoj që leximet e para të miat kanë qenë përralla, por cilat, s’e di, se s’më dukej se kishin rëndësi autorët dhe titujt e librave atëherë. Mjaftonte të treguarit. I ndërgjegjshëm në rrugën e leximit, në fillesat e mia kam Shekspirin, «Hamletin» me atë fantazmën, që, sa mirë, del shumë shpejt, që në faqet e para, një lloj tjetër përrallë kjo, për të rritur, ndjellëse dhe ankthkallëse. Po kështu dhe Hamletin e fëmijëve, «Pinoku» e kam lexuar po në atë kohë. Në fakt jam pa libër të parë, i kam të shkrira brenda vetes.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Ka qenë «Revizori» i Gogolit, më kishin dhënë lekë për t’i prishur si të doja. Im atë ishte aktor në atë kohë, isha i ndikuar nga skena.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Së pari me vëllezërit e mi, më të mëdhenj se unë. Gjimnazistë në Lushnjë na janë gjendur me libra dhe miku i tim eti, regjisori Tahsim Demiri dhe mësuesi im, poeti Faslli Haliti. Me shokët e klasës, me shoqet më shumë, i përcillnim libra njëri-tjetrit, me rrethin letrar. Atëherë s’kishte televizor, për internet s’bëhet fjalë. Kurse student lidhja me poetin Rudolf Marku, Lezha e tij, ka ndikuar marramendshëm në lexime tek unë. Me studentët e tjerë shkëmbenim libra e flisnim për sidomos me poetët e ardhshëm Agim Spahiu, Skënder Rusi, Simon Vrusho, pedagogun dhe studiuesin Rahim Ombashi etj.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Gjimnazist në Lushnjë dhe student në Shkodër mund të kem shkuar dhe dy herë në javë e më shpesh. Sot shkoj rrallë, kur dua atë që më duhet e s’e gjej dot përveçse në Bibliotekë.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse?

Nuk di t’i kem mbajtur libër ndokujt me qëllimin që të mos ia kthej, s’më është dukur e drejtë e trimëri, ka që mburren me të kundërtën. Libri më shumë se në çdo raft e ka vendin në mendje e zemër, thosha. Më kanë dhuruar libra, po, edhe botime të çmuara. Di që më kanë mbajtur libra, harronin të m’i jepnin edhe kur ua kujtoja, ishin më të mëdhenj se unë. Tani janë më të vegjël…

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

-Po. Burgu, shpërnguljet ishin shkaku. I shoh mungesat e tyre me dhimbje. Madje ribotimi i mëvonshëm i ndonjë libri të tillë më duket si ngushëllim i paplotë. Është rastin të tregoj se tim eti i ka marrë shteti i porsadalë nga lufta libra nga biblioteka e tij, erdhën me një karrocë me dy kuaj, kur ai nuk ishte në shtëpi, para se ta arrestonin. Dhe s’e dinte ku i çuan. Kur interesohej, i thoshin: eh, ruaj kokën tani !…

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

Po, kam lexuar libra të ndaluar, kishin mjaft rëndësi për ne e mbase ka interes për të rinjtë sot të dinë diçka si u edukua dhe u vetëduka fshehurazi një rini tjetër para tyre, nën diktaturë. Pra, mund të zgjatem disi, jam i falur, ndërkohë është dhe mirënjohje të kujtosh. I kërkonim librat e ndaluar, jo thjesht si kërshëri, por si domosdoshmëri, megjithëse mundësitë ishin të pakta për mua dhe të dënueshme për shumëkënd. Çdo emër ka një rëndësi të veçantë, se janë si treguesit e një rruge, që tregonin dhe humnerat e ti duhej të zgjidhje se nga po shkoje.

Për ne ishin të ndaluar pabesueshmërisht Konica e Fishta e Koliqi e Haxhiademi, Musine Kokalari etj, ndërkohë ndaloheshin, pasi botoheshin dhe përkthime të autorëve si Gi Dë Mopasan apo Esenini, Hemingueji e Remarku, Shollohovi apo Gollsuorthi apo nxirreshin nga qarkullimi libra shqiptarë si romani «Tuneli» i Xhuvanit apo poezia e Bilal Xhaferrit etj, etj. I gjenim libra të tillë, ia kalonim njërit-tjetrit me mirëbesim, mes shokësh të ngushtë, shumë të paktë. Për atë që duhej letërsi e verdhë, por e ndaluar, nuk kam patur shumë interes. Ndërkaq gjenim libra të ndaluar dhe në fabrikë të letrës, ku i sillnin për t’i bërë karton, të ricikloheshin në harresë të bardhë, në mosqenie, thoshim mes nesh, na i jepnin miqtë që punonin atje, s’besoj se ishin provokime, kam pas siguruar p.sh, revista të vjetra të paraçlirimit, ku ishte dhe një poemë pacifiste e tim eti, partizanët kishin urdhër ta digjnin, po ta gjenin, më ka treguar xhaxhai im partizan, por dhe botime bashkëkohore vinin në fabrikë të letrës, që kritikoheshin ashpër pas plenumeve të partisë-shtet, p.sh, romane të Petro Markos e kemi poezi të Fatos Arapit, «Më jepni një emër».

Më pas na u bë, si të thuash, mjeshtëri jona të kërkonim libra të ndaluar dhe kaluam në një fazë më të lartë, të atyre të pabotuar në Shqipëri, autorë të famshëm, por të ndaluar rreptësisht si emra, po i them pa rend të caktuar; Dostojevski, Tomas Eliot, Niçe, Frojd, Jevtueshenko, Xhem Xhojs,antologji të poetëve anglezë, italianë, francezë, «Lulet e së keqes», Jonesku, Apdajk, por dhe socialiste si Brehti e Pol Eluar etj, etj.

I siguronim me miq të ngushtë, fshehurazi dhe në mirëbesim, shpesh dhe me shqetësime. Në Lushnjë Ivo Andriqin p.sh. dhe Zhak Preverin m’i ka dhënë poeti Faslli Haliti, nga Dostojevski e Niçe prozatori Halil Jaçellari, kurse një shoqe klase, me babanë në burg, Eva, më ka dhënë Cvajgun etj, etj, i kam rrëfyer dhe në librat e mi, që i kam quajtur «burgologji», kurse student e më vonë, ishte poeti dhe romancieri Rudolf Marku, që e bëri Lezhën e tij «Jerusalem të leximeve të ndaluara», të shkrimeve dhe përkthimeve të dënueshme, pa të cilat do të kisha një rini më të vobektë për sa u përket letrave. Aty mora Oscar Wilde, Joneskun, Jevtueshenkon e rrezikshëm, me poezi kundër Enverit, Heminguejin, Xhojsin, aty mësova që ishte dhe argjentinasi Borges etj, etj. Po vazhdoj, në Shkodër na ka dhënë libra të ndaluar prof. Hasan Leka, «Toka e shkretë» të Eliotit, p.sh, kurse dramaturgu Fadil Kraja «Kanunin e Lek Dukagjinit» të Gjeçovit me parathënie të Fishtës dhe Konicës, poetë të Kosovës, botime të Prishtinës, Shkreli, Podrimja etj, me poetin Frederik Reshpja shkëmbenim «letërsi subversive», më pas në Kukës, ku më caktuan mësues në një fshat të largët me poetin Agim Saphiu e shkrimtarin Zija Çela e skulptorin Ilmi Hoxha etj, por më shumë u jepja ç’merrja në Lezhë. Kur kam dalë nga burgu dhe ishte ende diktaturë e unë isha pa asnjë të drejtë, punëtor krahu, skllav né fabrikën e tullave, shkëmbenim letërsi të ndaluar me mikun tim atëherë, poetin Bujar Xhaferri, ndërsa Edi Rama, kryeministri i sotshëm, më dha italisht Franc Kafkën, që ishte ëndërr dhe torturë për mua. Ma solli në shtëpi, në Lushnjë, kur pakkush guxonin të trokisnin tek unë. ‘E ke për 5 ditë, – më tha, – se duhet ta kthej’. Im vëlla la punën në fermë dhe e kopjoi me dorë në ca fletore shkolle. I kemi dhe tani. Kafka më trondit aty më shumë sesa në botimet e tij luksoze… Libri i ndaluar ishte personazh jete, si ata që duhej t’u ruheshe se kishin qenë në burg apo të arratisur, më misteriozë e më tërheqës për ne.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Librat zgjidhen vetë, por dhe dhurohen, mbi të gjitha ndjeja nevojën e përvojës së leximit të të tjerëve që u besoja. Sot në bibliotekën tënde s’ke pse sjell libra qé nuk do t’i lexosh.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

I kam provuar të gjitha llojet që thoni ju, madje në burg kam lexuar dhe në këmbë, në rresht, pas kurrizit të tjetrit, por kur dua të lexoj seriozisht tani, si punë, e bëj vetëm mbi skrivani, me stilolaps në dorë.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Italisht më shumë, përkthej dhe poetë, edhe anglisht, por librin e poetit japonez Isikava Takuboku e kam përthyer dikur nga rusishtja, ishte nga librat e ndaluar…

-Çfarë po lexoni këto ditë?

Nobelistin hebre Elias Canetti, vazhdoj poetin e njohur Adonis. Kam një «Iliadë» të re ndër duar, një përkthim të Ilia V. Ballaurit, mbushur me shpjegime, komente e ese që sjellin një univers të paparë homerik. Lexoj disa libra njëkohësisht, pata dhe poezitë e Azem Qazimit. Këto kohë lexova mjaft letërsi shqipe bashkëkohore, isha në jurinë e konkursit kombëtar të letërsisë, forcova bindjen se letërsia jonë e pas ’90 është më e mirë se para ’90.

-Mbani shënime kur lexoni?

Nënvizoj, rrallë edhe shënoj.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?

Letërsia e vërtetë, ajo që na duhet, çfarëdo qoftë, më tërheq, e kërkoj dhe mundohem ta gjej. Poezia dhe romani më joshin si dikur. Autorët që dua, dua t’i lexoj me gjithsej, nëse është e mundur.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Nuk guxoj të rekomandoj. Nëse do t’u thosha të rinjve të shohin dhe nga letërsia e munguar jona, eposi i Fishtës, nuk është aq i vështirë sa ç’thonë, proza magjike e Kutelit me atë Koliqit…ah, sa të begatë janë në gjuhë. Është 200-vjetori i De Radës, lexohet bukur “Milosao”… Do të thosha se duhen patjetër dhe Tolstoi, dhe Servantesi, dhe Shekspiri, dhe Dante, tragjedianët grekë, ja, nga emrat që kujtuam më lart, të ndaluarit e mëdhenj, por patjetër Borgesi, Kafka, Markezi… o Zot, janë shumë e shumë të domosdoshëm. Nga letërsia e Ballkanit, gadishullit tonë, më poetiku në botë, duhet të dinë patjetër, fillohet me veten, me fqinjët…

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Nuk e di, mbase Bibla, Kurani, Torah-u… kjo trini universale. Eh, prandaj ka letërsi se asnjë libër i vetëm nuk e përballon “libërnajën”e botës. Një nga mrekullitë e letërsisë mbase është, sipas meje, dhe mungesa e totalitarizmit të një libri.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Prapë e kam të vështirë të përgjigjem. E kush mund të ishin? Tre, vetëm tre?! Sa mizore! Tani po them, një: eposin homerik, Iliadën dhe Uliksin (por të Xhojsit), dy: Shekspirin, mbyll sytë dhe kap “Hamletin”, tre: Uollt Uitman “Fije bari”, por si shqiptar që jam, brenda tij do të fusja kontrabandë ca fletë nga Naimi, nja 10-15 poezi. Ditë tjetër do të zgjidhja libra të tjerë, sa herë të më ofrohet apokalips.

-Na thoni një maksimë për librat, që e mbani mend ose e përsërisni shpesh… Kujtohem që kam bërë të dielave faqen letrare në RD, ishte gazetë opozite dhe atëherë, kishte kaluar viti ’97, por jo traumat e tij dhe vazhdimisht si moto a kredo vija në krye të faqeve të mia sentencën “Sa më shumë libra, aq më pak armë, deri sa të arrijmë vetëm tek arma e librit”. Dhe befas, pas ca kohe u mbyll faqja letrare, s’e di pse.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Di poezi përmendësh, më janë gjendur dhe në raste të vështira, të rënda. Ndodh t’i them me zë dhe tani, s’e di pse më vijnë, p.sh: Dhe vrasës dhe buzëqeshur!… Shekspiri e thotë. Ja prapë ai: Këtu çdo buzëqeshje është një kamë/, më i afërti në gjak, më afër ta pi gjakun…Dikur përsërisja vargun e një poeti rus: Çdo gjë në këtë jetë ndodh/, të dashurojnë nuk dinë të gjithë. Një poet francez: Dhe nga puthjet bëjmë njerëz. Unë ende besoj se poezia na bën më njerëz. Ditë tjetër, besoj, do të thosha vargje të tjerë. Një libri kam dashur t’i vë titullin: Që loti yt të rrjedhë në faqen time. Është fjala për lot dashurie njerëzore. Të gjitha orët na mashtrojnë, thotë Lorka.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Vetë romani i mirë në vetvete bëhet personazh për ty, janë shumë, më pengon njëshi, nuk më ndihmon dot ta gjej.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

I çmoj gjersa i kam, do të thosha. Dhe secili përçon tek mua diçka, një emocion të veçantë. Në fillim kam patur autografe nga shkrimtarët e Lushnjës, isha nxënës dhe pastaj nga shokët e mi që botonin libra, më gëzonin, ma bënin më të afërt të shkruarin. Më i rëndësishmi m’u bë autografi i parë nga Kadarea në një roman të tij, ia mora kur isha student. Tani kam autografe dhe nga nobelistë, nga Derek Walcott, Wole Soyinka, Tomas Tranströmer, por ai i Jevtushenkos më jep emocionin e një sfide njerëzore, se ai ishte poeti që e kam patur në akt-akuzë, kur jam dënuar. Dhe ta takosh i lirë nëpër botë…Kam nga Koliqi, por s’është për mua, ma kanë dhuruar ashtu romanin e tij. Të gjithë librat e poetit Ali Podrimja i kam me autograf. I fundmi është ai i romanit më të ri të Teodor Laços, u promovua para disa ditësh në panair. I çuditshëm ka qenë ai i Kasëm Trebeshinës “Kujtim nga kjo pasdite e mërzitshme shqiptare”, por më i çuditshëm, të kuptohemi, këto kanë vlerë vetëm për mua, është autografi i një poeti amerikan John Borling, s’jemi takuar dhe nuk njihemi, por një lexues nga Kosova në SHBA, as atë nuk e njoh, në promovimin e librit të amerikanit, poezitë e të cilit janë shkruar kur ai ishte në burg në Vietnam, i jep atij librin tim me poezi anglisht, janë shkruar në burg dhe këto, i thotë dhe i merr për mua me autograf librin e tij e ma nis nëpërmjet njerëzve të tij, që vijnë nga Kosova në panairin e librit në Tiranë. Më prek më shumë rruga e këtij autografi për tek unë. Buzëqesh kur shoh autografet e shkrimtarit Jashar Qemal, që nuk i kuptoj në libra që s’i kuptoj, janë turqisht, të Jevrem Bërkoviçit apo Martinoviçit nga Mali i Zi dhe ca më pak të Adonisit në arabisht etj, etj. Autografet në fund të fundit kështu janë, jo për t’i kuptuar, por që t’i gëzohesh asaj dore që shkruajti veprën./mapo/

Vajza e çmimeve

0

Flakarta QorriKëngëtare, pianiste, balerinë, poete, modele, piktore… këto janë disa nga ato që e bëjnë një artiste të lindur. Fituese e shumë çmimeve, kurorave, mirënjohjeve në fusha të ndryshme të artit. Është kjo Flakarta Qorri, me vetëm 14 vjet dhe më gjithë atë bagazh artistik mbi supe.
Më të drejtë thuhet që artistët e vërtet lindin rrallë, edhe Flakarta i kishte vetëm 3 vjet kur i kishte hyrë botës së artit për ta përvetësuar gjithnjë e më shumë. Ajo qysh atëherë nisi me këngë, ku dhe e realizoi këngën e saj të parë “Macja ime”, së cilës ja bashkangjiti edhe videoklipin. Ajo mori pjesë në shumë festivale të fëmijëve që u organizuan si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Vendet fqinje si Maqedonia, Shqipëria janë vende që tashmë Flakarta ka krijuar reputacionin e saj prej një artisteje të vërtetë. Ajo për KultPlus tha se ëndrra e saj për tu bërë një këngëtare tashmë ishte bërë realitet.
“Deri më tani kamë realizuar shtatë këngë të ndryshme, ku prej këtyre këngëve dy prej tyre ua kam realizuar edhe klipet. Tani për tani nuk merrem më këndim sepse jam në fazën e pubertetit dhe zëri ka nevojë që të piqet” rrefeu Qorri për KultPlus.

Kënga e saj e fundit “Flamuri Kombëtar” ishte realizuar për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë këngë ajo kishte marr pjesë në “Video Kid’s Awards Albania”, në të cilin festival u shpërblye me çmimin “Best folk music”.

Përveç këndimit, Flakarta merret edhe më balet dhe vallëzim popullor. Ku më këtë të fundit edhe ishte shpërblyer me çmimin “Vallëtarja më e mirë”. Ndërsa për baletin, ajo ushqen një dashuri të madhe.
“Baletin e dua shumë, jam shumë e përkushtuar për të, në të ardhmën besoj që do të jem balerinë shumë e mirë por, njëkohësisht dua të jem edhe pianiste” tregoj Flakarta.
Ajo tani ndjek mësimet në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku mëson për piano.
Aktivitet tjetër i një rëndësie të madhe është edhe perkushtimi i saj në fushën e letërsisë, ku në vitin 2011, Flakarta botoi librin e saj të parë me proza poetike të titulluar “Flaka dhe imagjinata”, ku njëherit ky libër nga shumë kritikë u tha të jetë i një standarti të lartë shkrimi për fëmijë.

Për të përmbledhur gjithë pasionin dhe përkushtimin që ka Flakarta për artin është e vështirë pasi që ajo është e zënë gjatë gjithë ditës me angazhime.

“Merrem edhe më pikturë, më pëlqen të pikturoj kohë pas kohe, zakonisht dëshiroj të pikturoj në pelhurë. Vizatimet që gjenden brenda librit tim të parë janë të realizuara nga unë, edhe kopërtinen e librit e kamë dizajnuar unë” tha Flakarta e cila shpalosi shpërblimet dhe trofetë e shumta të saj të cilat ia kanë zënë gjithë hapësirën e dhomës së saj.

“Ka qenë një garë e të gjitha shkollave për film të metrazhit të shkurtër, gara quhej “Ëndrra e shekullit 21”, ku edhe shkolla jonë ka qenë pjesëmarrëse, filmit më të cilin ne si shkollë morëm pjesë dhe u shpërblyem me çmim, unë ia kam realizuar skenarin”tregon për KultPlus Flakarta, ajo gjithashtu tregoj që është shumë e mirë edhe në dizajn.

“Gjithashtu në një konkurs në mes të shkollave “Sfida e dizajnit” ku shkolla jonë është shpërblyer me vendin e dytë, kemi pasur për të dizajnuar lojrat olimpike unë i kam përgaditur ato dizajne” tha Qorri.

Me Flakarten nuk kemi përfunduar ende. Kalojmë tek diçka tjetër, jo me një rëndësi më pak, përkundrazi që ka një ndërlidhje shumë të madhe me artin.
Modelimi, suksesi i radhës i Flakartës. Modelimin e filloj pak vite më parë, të cilin ja mëson më një mjeshtëri të rrallë producentja e grupit KSSID, që njëherësh edhe Flakarta është pjesë e këtij grupi. Ajo në fushën e modelimit fal talentit që ka dhe punës së producentes së saj, mori shumë çmime.
As në këtë fushë ajo nuk mbeti pa u shpërbluer. Së fundi, në muajin mars të këti viti, Flakarta ishte në Bullgari në një konkurs bukurie “Little Miss & Misster Galaxy 2014”, ku ishte e përzgjedhura në mesin e shumë fëmijevë nga Kosova. Por, Flakarta në këtë eventiment përfaqësonte gjithë Kosovën sepse aty ishin fëmijët nga e gjitha bota.

Ajo në këtë ngjarje fitoi dy çmime, “Miss model of the World” dhe çmimin “Little Miss Galaxy 2014 – Internet”
Më shumë çmime, shumë trofe, shumë mirënjohje, dhe shumë angazhime e përcjellin artisten e madhe të së ardhmes. Presim suksese të tjera të Flakartes./KultPlus.com

Një libër për gabimet e amerikanëve me Afganistanin

0

Anand GopalGazetari Anand Gopal mundohet t’ia gjejë kuptimin gjithë kësaj rrëmuje, në librin e tij të parë “No Good Men Among the Living: America, the Taliban, and the War Through Afgan Eyes” (Nuk ka burra të mirë midis të gjallëve: Amerika, Talebani dhe lufta në sytë e afganëve).

Është kjo një kohë e përshtatshme për të reflektuar rreth rivalitetit të kamotshëm amerikan në Azi – zgjedhjet presidenciale afgane u mbajtën në fillim të këtij muaji dhe ShBA-ja po planifikon të tërheqë shumicën e ushtarëve deri në fund të vitit.

Nisma për Kosovën themelon nëndegën në Ratkoc të Rahovecit

0

Jakup Krasniqi, nismaNisma për Kosovën në Rahovec  ka njoftuar se sot në Ratkoc themelohet nëndega e këtij subjekti politik.

Kjo parti ka ftuar banorët e fshatit Ratkoc që të marrin pjesë në tubimin themelues të Nismës për Kosovën në fshatin Ratkoc.

Tubimi themelues do të mbahet në sallën e Shtëpisë së Kulturës ne Ratkoc, duke filluar nga ora 20:00.

Në këtë tubim do të marrin pjesë, kryetari i degës së Nismës në Rahovec Sadik Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi si dhe disa anëtar të kryesisë qendrore dhe të degës në Rahovec.

Flasin për nominimet dhe finalistët; Jona: Mos e nominoni Meridianin kot e më kot. Ai është në finale

0

jona-prap4.5Jona dhe Valeri, pasi janë ngritur nga krevati, shkojnë në dhomën e ndenjjes, ku vazhdojnë të flasin për banorët dhe nominimet. Ata flasin për Nevilën, që sipas Valerit, po fshihet pas historisë së saj, duke u viktimizuar dhe duke mos u përshfaqur vërtet.

Në lidhje me nominimet, Jona shprehet e nervozuar në lidhje me daljen e Matildës, pasi ishte e padrejtë që ajo të dilte aq shpejt dhe mbi të gjitha përpara Lorit. Sipas saj, Arditi, Juliana dhe Lori duhet të kishin dalë me kohë. Publiku nuk ka nevojë të shikojë histori me dashuri, se mund të shohin telenovela dhe filma – shprehet ajo, duke iu referuar çiftit Ardit-Juliana.

Ata i kthehen sërish bisedës së nominimeve. Mos e nominoni Meridianin kot e më kot. Ai është në finale – shton ajo. Valeri dukej i pasigurtë për besimin që kishte Jona për Meridianin, duke shtuar se ai nuk e di nëse do të jetë në finale, por Jona i shpreh sigurinë e saj dhe i kërkon të mos tregohet modest, se pavarësisht gjithçkaje, qoftë ai apo Meridiani e meritojnë të shkojnë në finale.

Rita Ora: Si e binda Jay Z se kam talent për t’u bërë yll

0

RitaOra-material girlNga një vajzë e thjeshtë, e larguar në moshë të re drejt Britanisë së Madhe, në një super yll muzikor, që sot e njeh gjithë bota. Rita Ora vjen në një rrëfim të fundit për revistat londineze për rrugën që ka ndjekur deri kur u bë megastar. Ne jua sjellim të përkthyer dhe përshtatur edhe në shqip, që të njohim më mirë shqiptaren e famshme.
Rita, prindërit janë larguar nga Kosova drejt Londrës që juve dhe familjarëve t’ju japin një jetë më të mirë. Çfarë mendimi ka për ju vendi juaj?

Ndihem shumë e afërt me vendin tim, që nga koha kur jam larguar si e vogël. Unë nuk dua që njerëzit të mendojnë se unë nuk ndiej afërsi me popullin nga e kam prejardhjen. Momentalisht punoj me UNICEF për të ndihmuar popullin tim, por gjithashtu i admiroj prindërit e mi për vendimin që të largohen për një jetë më të mirë.

Si fëmijë, e ke pasur parasysh se çfarë kanë qenë në gjendje të bëjnë prindërit për ju?

Ata asnjëherë nuk kanë folur në gjuhën angleze dhe për mua ka qenë plus i madh. Familja është sakrifikuar në maksimum për mua, ka pasur momente interesante, të vështira, saqë tani i mendoj me shumë ëndje.

Sinqerisht prindërit e japin jetën për një jetë më të mirë për fëmijët, si kanë reaguar ata kur ke vendosur të lësh shkollën për karrierën muzikore?

Ka qenë një moment shumë i vështirë për mua dhe për ata. Mendoja se ishte vendimi më i mirë për mua në atë kohë dhe thosha me vete se do e bëj.
Tentove të studiosh?

Tentova, tentova shumë dhe do tentoj deri në fund. E bëra botën për vete, pse të mos i kryej edhe studimet?

Pse, definitivisht keni qenë e sigurt në atë që keni dashur të bëni?

Unë thjesht doja të bëhem artiste, nuk çaja kokën çka e si. Doja të tregoja talentin tim në art dhe bota të ketë një vizion për mua, njësoj si ajo në mendjen time. Prindërit më në fund më lejuan të bëja atë që doja, në një moshë shumë të re.

Gjërat ndryshuan në momentin që jeni bërë pjesë e Jay-Z label Roc Nation?
Kam mësuar shumë gjëra aty që në fillim, por ende jam ajo vajza e cila mëson gjëra të reja, megjithëse për momentin e di shumë mirë si shkon ky biznes.

Si është të kesh shef Jay Z?

Unë e dashuroj mënyrën se si Jay është në këtë biznes. Definitivisht gjithçka shkon me kohë, me të është shumë lehtë të punohet, sepse thjesht të bën pyetjen “çfarë dëshiron, si ndihesh në atë që bën”. Nuk kursen asgjë për artistët që kanë talent.

A kishe përgjigje gjithmonë për pyetjet e tij?

Jo, asnjëherë nuk kisha përgjigje për pyetjet e tij. Madje, mundohesha t’i tejkaloja me anë të këndimit, që t’ia bëj me dije se unë vërtet kam talent për muzikë.

Megjithatë, ky dialog i shkurtër ka bërë që ju të njiheni akoma më shumë mes njëri-tjetrit?

Po, sigurisht. Tashmë që e kam bërë ëndrrën realitet, sepse nuk ishte e lehtë që një vajzë, e cila nuk kishte lindur në Londër, por me prejardhje nga Kosova, të bëhet yll botëror. Sepse të tilla ishin aspiratat për mua dhe për të, por tani që e përjetoj si një realitet, vërtet më vjen mirë. Megjithatë, askush nuk e beson rrugën që kam ndjekur deri më këtu, mendojnë se unë dola brenda natës.

E kanë pritur mirë këtë lajm prindërit e tu dhe a janë krenarë?

Janë krenarë, por gjithnjë më rrinë në telefon të dinë a kam ngrënë, a jam me shëndet mirë, a kam bërë gjumë…

Atëherë, çfarë vendimi ke marrë për studimet?

Ndoshta një ditë do u kthehem studimeve…

Për tri ditë mbi 3 500 gjoba

0

Policia-rrugorePolicia e Kosovës bën me dije se nga fillimi i implementimit të planit “Java e sigurisë në trafik”, kanë qenë më rigorozë (jo tolerantë) në shqiptimin e gjobave për kundërvajtësit në trafik.

Vetëm gjatë tri ditëve të para të muajit maj, policët e trafikut kanë shqiptuar mbi 3,500 gjoba për kundërvajtje në trafik. Më 1 maj në gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar 1.238 gjoba, më 2 maj 1.331 gjoba, ndërsa më 3 maj janë shqiptuar 1.041 gjoba.

Policia bënë me dije se do të jenë zero tolerantë ndaj shkelësve të ligjit.

“Policia e Kosovës nuk ka për qëllim ndëshkimin e qytetarëve, por ka për qëllim ngritjen e nivelit më të lartë të sigurisë në trafik. Andaj kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve”, njofton policia.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore në komunikacion, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe gjithë pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Spërkatja kundër rriqrave, filloi një ditë para planifikimit në Malishevë

0

Sperkatja ne malishevFushata e spërkatjes kundër rriqrave, në kuadër të luftimit dhe parandalimit të etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), ka filluar një ditë para planifikimit. Sipas drejtorit të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ahmet Morina, sot ka filluar spërkatja, në fshatin Kijevë, gjegjësisht në oborrin e një familjeje, me kërkesën e kryefamiljarit.

Shkak për fillimin e parakohshëm, ka qenë kërkesa e një familjeje në Kijevë, pasi anëtarët e kësaj familjeje, në vazhdimësi, janë thumbuar nga rriqrat, dhe pas kërkesës, drejtoria komunale për mbrojtje dhe shpëtim dhe kompania e angazhuar nga Ministria e Bujqësisë, për spërkatjen e zonave endemike në Malishevë, “Trulli Nolen”, kanë bërë dezinsektimin kundër rriqrave në oborrin e kësaj familje në Kijevë.

Përndryshe, spërkatja e zonave endemike, kundër rriqrave, në kuadër të strategjisë kombëtare për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), do të vazhdoj të hënën në fshatin Senik, ku edhe regjistruar rasti i parë dhe i vetëm deri më tani, për këtë vit, me ethe hemorragjike.

Sipas drejtorisë komunale për mbrojtje dhe shpëtim, pas dezinsektimit në Senik, sipas planit të paraparë, do të vazhdohet me spërkatjen në zona tjera dhe opinioni do të lajmërohet me kohë. Në të njëjtën kohë, ju bëhet thirrje bletarëve, që të bëjnë kujdes me bletët, që mos ti lëshojnë apo ti largojnë, pasi preparati që përdoret kundër rriqrave, ndikon edhe tek bletët.