17.8 C
Prizren
E martë, 12 Maj, 2026
Home Blog Page 8581

LDD-ja e gatshme për zgjedhjet nacionale

0

Daci-lddLidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Në takimin e Kryesisë së LDD-së, Nexhat Daci ka njoftuar shkurtimisht për aktualitetin politik në Kosovë, kurse pikë kryesore e rendit të ditës ishte përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Kryesia e LDD-së, pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje, ka vendosur unanimisht rreth numrit të kandidatëve për deputetë, të cilët LDD-ja duhet propozuar në listën e përbashkët të koalicionit AAK-LDD si dhe rreth kritereve që ata kandidatë duhet plotësuar për t’u propozuar.

Kryetari Daci dhe kryesia e LDD-së, kanë kërkuar nga degët që propozimet e tyre të sillen në selinë e partisë gjatë javës tjetër.
Kryetari Daci, gjithashtu ka vlerësuar shumë lartë vizitat dhe mbledhjet e Kryesisë së LDD-së në Degët e Mitrovicës dhe Gjilanit dhe organizimin e degëve përkatëse.

Filmi ”Ada” më 29 prill premierë në Kosovë

0

Filmi AdaProdhimi më i fundit i kinematografisë shqiptaro-angleze, filmi ”Ada”, më 29 prill do të shfaqet premierë në Kosovë, në kuadër të Festivalit PriFilmFest. Edhe pse nuk do të jetë në konkurencë zyrtare, “Ada” e regjisorit Spartak Pecani dhe skenaristit Matt Maude, pritet të zgjojë interesimin e publikut kosovarë, e veçanërisht të kritikëve të kinematografisë e të artistëve në përgjithësi edhe për faktin e përfshirjes së një kaste të madhe aktorësh të gjeneratave të ndryshme nga Kosova e Shqipëria.

Në rolet kryesore paraqiten dy aktorët e rinj kosovarë Afrim Muçaj dhe Lira Blakaj, bashkë me emrat e njohur të kinematografisë shqiptare, të tillë si Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Enver Petrovci, Reshat Arbana, Eshref Durmishi etj.

Filmi “Ada”, i cili është bazuar në romanin e Fatos Kongolit “Te porta e Shën Pjetrit”, ka në qendër dy histori dashurie të ndërprera verbërisht, kufomën e braktisur të një të riu dhe një inspektor të ndjekjes së krimeve në kërkim të vrasësve. Një vajzë e re në stacionin policor, duart e saja janë të lidhura, një inspektor është i ulur përballë saj. Ajo është e akuzuar për vrasje, ka dëshmi; armë e zbrazët në dorën e saj, gjak në mur. Shumë trupa të larguar nga rruga. Duhet përgjigje për dy pyetje. Pse? Si? I ndërtuar si ndërthurje me personazhe të mjediseve nga më të ndryshmet, kryeqytetase dhe periferike, intelektuale apo mafioze, filmi zhytet në realitetin e sotëm shqiptar.

“Ada” do të shfaqet në “Teatrin Kombëtar të Kosovës” më 29 prill, në orën 21:00, si film mysafir i Festivalit PriFilmFest 2014. Ndërkaq, repriza e tij do të jepet në një ambient të hapur, në një ekran gjigand, më 1 Maj, në orën 21:00, në pllatonë e Sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë, hyrja do te jetë falas.

Filmi është kooproduksion shqiptaro-anglezo-kosovar dhe si i tillë është realizuar me bashkëfinancimin e Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë dhe të kompanive filmike “Sea Trimex” producent Agim Halili “Left Eye Blind” nga Anglia producent Harvey Ascott dhe “Concordia Pictures” nga Kosova producent, Nehat Fejza.

Hoti në Malishevë: Do të qeverisim me duar të pastra

0

AvdullahHoti-LDKKrahas drejtuesve të Degës së LDK-së së Malishevës, Januz Kastratit, Rrahim Morinës, Sami Kafexhollit e Ramadan Buzhalës, në aktivitetin e tyre për shpalosjen e programit qeverisës të LDK-së në Banjë, ishin edhe prof.dr. Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë qendrore të LDK-së dhe koordinator i grupit të ekspertëve të ekonomisë, si dhe anëtari tjetër i kësaj kryesie, e njëherësh deputet i LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Salih Morina.

Duke shpjeguar pjesë nga siç tha shtyllat kryesore të draftprogramit të LDK-së, profesori Avdullah Hoti, tha se janë në të tilla bashkëbisedime me anëtarësinë e LDK-së në Degë e Nëndegë, që të shpalosim programin qeverisës për vitet 2014 – 2022. Oferta jonë qeverisëse është mirëpritur nga qytetarët, pasi që ky është program që i prek nevojat e qytetarëve, vazhdoi ai dhe tërhoqi vëmendjen se “që nga viti 2007, e deri tani, situata e vendit është degraduese, pasi që është rritur shkalla e korrupsionit, është rritur edhe më shumë papunësia e varfëria, nuk ka sundim të ligjit e të rendit etj.”. Profesori Universitar Hoti u zotua se me qeverisjen e drejtuar nga LDK-ja, “do të qeverisim me duar të pastra, do ta ndërrojmë modelin e qeverisjes, do i japim më shumë përparësi zhvillimit ekonomik e të sektorit privat”,transmeton botapress.

Ai me këtë rast veçoi katër shtyllat kryesore të programit qeverisës të LDK – së, : si zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe sundimin e ligjit. Oferta e LDK-së për qeverisjen e ardhshme e të përgjegjshme tetë vjeçare, është oferta më serioze për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me programin qeverisës të LDK-së, Kosova, do të ketë kthim të normalitetit në vend, nga stërkeqja e deritashme qeverisëse, zhvillim të hovshëm ekonomik, zhvillim të biznesit privat, sundim të ligjit dhe të rendit, ulje të shkallës së papunësisë, ndalje të migrimit të të rinjve, ulje të ndjeshme të shkallës së varfërisë, arsimim e shëndetësi të mirëfilltë etj.

“Zhvillimin ekonomik, LDK-ja e sheh përmes sektorit privat e jo publik, por bujqësia do të ketë prioritet, meqë mbi gjysma e popullsisë së Kosovës merret me bujqësi dhe ky sektor ka mundësi të mëdha për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Hoti.

Vuçiq 4 orë ekspoze – pak për Kosovën, asnjë fjalë për Vojvodinën

0

Aleksandar Vucic2Nenad Çanak thotë se mandatari për formimin e qeverisë së re serbe, Aleksandar Vuçiq në ekspozenë e tij shumë pak e përmendi Kosovës, më pak sesa të gjithë mandatarët e deritashëm, kurse Vojvodinën nuk e përmendi fare.
Lideri i LSV-së nga një anë e ka falënderuar eskpozenë duke thënë se ishte me gjata që deri më tash u është prezantuar deputetëve si dhe është hera e parë në historinë moderne të Serbisë që kryetari i partisë më të fortë bëhet kryeministër.

Në seancën e përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë, të dalë nga zgjedhjet e fundit të parakohshme, mandatari i Qeverisë së re serbe, Aleksandar

Vuçiq, tha se ai personalisht do t’i udhëheqë bisedimet me Kosovën.
Në ekspozenë e tij të gjatë katër orë, kreu i ri i qeverisë serbe bisedimet e deritashme me Kosovën i renditi ndër pesë sukseset e arritura të qeverisë së kaluar, në të cilën ai ishte në postin e zëvendëskryeministrit të parë.

“Pikërisht marrëveshja me Prishtinën ishte një nga sukseset e qeverisë së mëparshme dhe në të ardhmen unë nuk do të ik nga problemi i Kosovës dhe as të fus kokën në rërë”, tha ai.

Kompozitorja Donika Rudi vazhdon rrugëtimin nëpër botë

0

DonikaRudi-kompozitoreKompozitorja Donika Rudi ka vazhduar rrugëtimin me veprën e saj të quajtur “Voyage vers l’inconnu”, më 18 prill në koncertin akusmatik në Bari të Italisë, ndërsa të shtunën ajo performoi në mbrëmjen belge të organizuar nga Alcome në Francë, në festivalin “Saint-Leu la foret”.

Rudi me tjetrën vepër të saj, Emotion Machine, do të marrë pjesë në festivalin “Deep Wireless” në Toronto të Kanadasë, ku ndër tjerash luhen edhe veprat e kompozitorëve Aynsley Moorhouse, Werner Cee, James Andean dhe Brona Martin, raporton Kosovalive.

Dy veprat të cilat do të jenë pjesëmarrëse ne Toronto, Bari dhe Saint-Leu la forêt, janë ndihmuar nga Ministria e Kulturës në Belgjikë.

Sipas kompozitores Rudi, interpretimi (spacializimi) i veprës “Voyage vers l’inconnu” realizohet përmes më shumë se 40 autoparlantëve, kurse difuzimin (spacializimin) e tij, e realizoi Daniela Dirusi.

Donika Rudi, tash katër vite është anëtare e rregullt e Shoqatës së Kompozitorëve Belg të muzikës elektroakustike. Veprat e saj janë luajtur në Kolumbi, Spanjë , Porugali, Itali, Francë, Zvicërr, Belgjikë, Kosovë, Shqipëri dhe së fundmi në Kanada. Poashtu, veprat jane transmetuar në radiot me renome si : Radio Spanja, Radioja Nacionale e Holandes, France Musique etj.

Gati njohja e diplomave të Fakultetit të Edukimit

0

Fakulteti edukimitStudentëve të Fakultetit të Edukimit, që kanë studiuar në programet gjatë periudhës së reformimit të këtij Fakulteti, e që janë interpretuar si ta paakredituara, do t’u njihen diplomat. Këtë vendim e ka marrë Ministria e Arsimit.
Udhëheqës të Fakultetit të Edukimit, sqaruan për Radio Kosovën, se gjatë periudhës së transformimit të programeve lëndore në fakultetet përkatëse, ato programe ishin të akredituara me kusht për një vit.

Studentët e gjeneratës së vitit 2011 dhe të vitit 2012-2013 në Fakultetin e Edukimit, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se diplomat e tyre nuk do të njihen, pasi programet ku ata kanë studiuar ishin interpretuar si të pa-akredituara. Një studente, e cila tashmë është para diplomimit, ka frikën se për këtë arsye nuk do të mund të vazhdojë studimet Master.

“Kam frike se nuk do të na njihen diplomat pasi programet nuk janë akredituar nga Agjencia e Akreditimit. Kemi kërkuar sqarime nga udhëheqësit e Fakultetit, na kanë thënë që janë në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe po presim të bëhet një zgjidhje”, tha studentja.

Prodekani për Çështje Mësimore në Fakultetin e Edukimit, Zeqir Veselaj, sqaroi për Radio Kosovën, se në vitin 2010 kur është bërë akreditimi i Fakultetit të Edukimit, kanë aplikuar për akreditim me 10 programe për nivelin Bachelor dhe dy Master. Nga niveli Bachelor, tetë prej programeve lëndore janë akredituar me kusht një vit, që brenda atij viti të bëhet transferimi në bazë të reformës nga Fakulteti i Edukimit në Fakultetet të Shkencave, Filozofik dhe Filologjik. Veselaj sqaroi se ai transferim duhet të priste një vendim të Ministrit të Arsimit, i cili ndodhi dy vjet më vonë. Ndërkohë, në atë periudhë janë regjistruar studentë në tetë programe lëndore, që u interpretuan si programe të pa-akredituara. Prodekani i Edukimit, bëri të ditur se këto ditë Ministria ka marrë vendim që diplomat e studentëve të asaj gjeneratë të njihen.

“Këtë javë Ministri e ka lëshuar një vendim që siguron njohjen e diplomave të studentëve për qëllime të vazhdimit të studimeve Master. Me këtë vendim është qartësuar situata që këta studentë të mos kenë më brenga”, tha Veselaj.

Selvie Halimi, këshilltare e Ministrit të Arsimit Ramë Buja, tha se këto gjenerata i përkasin periudhës së transformimit të Fakultetit të Edukimit. Në këtë mënyrë, ajo tha se Ministria ka marrë të gjitha masat që ata studentë të mos kenë probleme për studime të mëtejshme.

“Ne nuk mund të rikthejmë, apo të veprojmë në mënyrë retroaktive, as Ministria e as Agjencia, që të bëhet akreditimi apo riakreditimi i këtyre programeve të cilat studentët i kanë ndjekur. Mirëpo, studentëve të kësaj faze të transformimit të Fakultetit të Edukimit, do t’u njihen diplomat edhe për studimet Master edhe për punësim”, tha këshilltarja Halimi.

Janë rreth 1000 studentë në këto tetë programe, që tani janë absolventë dhe pritet të diplomojnë. Studentët i përkasin gjeneratave të viteve 2011 dhe 2012, ndërkohë në gjeneratën e fundit 2012-2013 janë regjistruar vetëm nga 20 studentë në këtë programe.

Liderët vendosin për Ushtrinë, para shpërndarjes së Kuvendit

0

Thaci, mustafa,pacolliNesër është paralajmëruar takimi i liderëve për çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, takim që pritet të jetë përcaktues, para shpërndarjes së Kuvendit.
Themelimi i ushtrisë nga parlamenti po kushtëzohet nga pakicat, të cilat po kërkojnë vazhdimin e mandateve të rezervuara. Pa votat e dy të tretave të deputetëve dhe votat e shumicës së pakicave në Kuvend, ligji nuk miratohet.

Kryeministri Thaçi tha gjatë ditës së djeshme se formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës është shans që iu dha vendit tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.Sipas tij Kosova nuk guxon ta humbë këtë rast historik për të formuar ushtrinë e saj.

Kreu i qeverisë beson se të hënën kryesia e Kuvendit do ta fusë këtë çështje në rend dite. Ai beson se para shpërbërjen së Kuvendit partitë politikë duhet t’i tejkalojnë interesat e tyre partiake.

E ndërkohë paralajmërohet për një takim të liderëve të partive politike ditën e hënë për të parë nëse plotësojnë kushtin që kanë komunitete pakicë për t’i votuar Forcat e Armatosura të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës do të votoj themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës thotë lideri i saj, Isa Mustafa, duke shtuar se nuk guxon të implikohet ky proces në pazare politike, por duke vlerësuar si të përmbushura detyrimet ndaj minoriteteve.

E ndërkohë paralajmërohet për një takim të liderëve të partive politike ditën e hënë për të parë nëse plotësojnë kushtin që kanë komunitete pakicë për t’i votuar Forcat e Armatosura të Kosovës. /RTK

Rexhep Qosja i penduar që nuk mbrojti studentët

0

Rexhep QosjaSot pritet të bëhet promovimi i ditarëve (1966-2014) të Akademikut Rexhep Qosja, ku rrëfehet për ngjarjet më të rëndësishme dhe pengjet që i kanë mbetur profesorit,- pendesa e thellë për marrëdhënien me gruan dhe fëmijët, por edhe mosguximi për të mbrojtur studentët që arrestoheshin zënë vend në ditarët e profesor Rexhep Qosjes.

Akademiku rrëfen në “GSH” përmbajtjen e ditarëve (1966-2014), jep një gjykim për politikën shqiptare sot, për letërsinë shqipe, suksesi i së cilës u shënua para 1990-ës, për emrat e saj, për mungesat e saj dhe nuk lë jashtë vëmendjes Festivalin e Librit dhe Artit, mangësitë e posterit dhe vlerësimin për çmimin “Ardian Klosi”.

Keni nisur botimin e ditarëve nga viti 1966 deri më 2014. Pse i mbajtët ata ditarë dhe pse fillojnë më 1966?

Ditarët kapin kohën prej 1966 deri në 2014. Do doja të bëheshin 50 vite, sepse aktualisht janë 48, por kjo, nëse unë jetoj më gjatë. Ditarët mbahen për të thënë ato gjëra të cilat njeriu nuk mund t’i thotë lirisht, në mënyrë publike zakonisht. Pra, thuhen ato të cilat nuk mund të thuhen lirisht në kohën kur ndodhin ngjarjet, dukuritë, fenomenet për të cilat shkruan. Stefan Cavjg thotë se ditari është bisedë me Zotin, e njerëzit mund ta kuptojnë këtë fjalë në mënyra të ndryshme, unë e kam kuptuar kështu si e thashë: në ditar thuhen ato që nuk thuhen publikisht.

Ditari fillon në vitin 1966, për arsye se në atë vit, ka ndodhur një ngjarje shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në të cilën janë qëruar hesapet me UDB-në dhe me ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, nënkryetar i Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviç. Qërimi i hesapeve me UDB, që ka bërë tmerre në Kosovë, sadokudo i ka zgjeruar mundësitë tona për t’u shprehur, dukshëm më lirisht se përpara dhe për të bërë disa punë, që përpara nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë, në përgjithësi në Kosovë. Në Ditar, duke filluar prej asaj ngjarjeje, jam marrë me dukuri të ndryshme, me figura të ndryshme politike, intelektuale që kanë vepruar në atë kohë, që kanë vepruar mirë, por më shumë jam marrë me veprimet që më janë dukur që nuk janë në pajtim me kohën dhe me ardhmërinë e Kosovës dhe popullit shqiptar.

A u jeni treguar besnik të atyre që keni shkruar në atë kohë në ditar, edhe pse përgjatë viteve mund të ketë ndodhur që të keni ndryshuar mendim, për çështje e persona të ndryshëm?

Aty janë portretet e një vargu vetjesh, personazhesh, personalitetesh politikë, shtetarë, intelektualë e krijues të ndryshëm, gazetarë e publicistë. Unë i kam paraqitur ngjarjet ashtu si kanë ndodhur në një moment të caktuar, por edhe individët, ashtu si kanë vepruar në një çast, në një situatë, në një ditë, e nëse në një ditë tjetër, në lidhje me ngjarje të ndryshme, ata kanë vepruar ndryshe, unë i kam paraqitur ndryshe. Nëse në një situatë ata kanë vepruar mirë, në pajtim me interesat e përgjithshme, e jo sipas interesave të tyre a grupeve të tyre, i kam paraqitur me përkushtim e me simpati, por nëse kanë vepruar në kundërshtim me interesat e përgjithshme, unë i kam paraqitur ashtu si kanë vepruar. I njëjti person, e njëjta figurë politike, shtetare, tek unë, mund të paraqitet në një situatë dukshëm pozitive e në një situatë tjetër, në lidhje me ngjarje të tjera, mund të paraqitet dukshëm negative.

Domethënë, nuk ka nota subjektivizmi?

Unë jam përpjekur të jem objektiv deri në fund, çka nuk është e lehtë, në ditarë e në kujtime sepse kanë përmasa subjektive. Keni hedhur në kujtime edhe ditarët mbi Kongresin e Drejtshkrimit. Si e shihni atë kongres sot?

Unë në atë kongres kam qenë anëtar i këshillit organizues si drejtor i Institutit Albanologjik. Më kanë propozuar e zgjedhur me Idriz Ajetin, anëtar të këshillit organizues dhe kam marrë pjesë në të gjithë takimet e kongresit, madje kam qenë edhe në kryesinë e tij. E kam përshkruar në vija të përgjithshme se si është zhvilluar ai dhe kam përshkruar një numër intelektualësh, shkrimtarësh, gjuhëtarësh, shkencëtarë e historianë dhe individë të tjerë me të cilët jam takuar. Disa i njihja më para e disa i kam njohur aty. I kam paraqitur në ditar ashtu si i kam parë, çmuar e përjetuar krijimtarinë e tyre, duke u përpjekur të jem objektiv në paraqitjen e tyre dhe në paraqitjen e tyre në kongres dhe kontributin që kanë dhënë ata në të, për gjuhën, për standardin. E kam parë si një ngjarje të madhe, si një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në historinë e popullit shqiptar, sepse një popull-një gjuhë standarde, ose një popull-një gjuhë, ky ka qenë parimi ynë. Me këtë ide ne kemi mbajtur në Kosovë atë që njihet si Konsulta Gjuhësore.

Ju trajtoni në këto ditarë edhe raportet shkrimtar-shtet, në Kosovë dhe në Shqipëri. Cilat janë në fakt këto raporte?

Nuk ka shumë dallim mes raportit shkrimtar-shtet në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtu ka mbizotëruar doktrina e realizmit socialist, që ka vënë kufizime, dhe kufizime të forta krijuesve, në mënyrë të veçantë shkrimtarëve, historianëve, krijuesve të shkencave shoqërore. Në Kosovë nuk ka qenë doktrinë e detyrueshme realizmi socialist. Jugosllavia është shkëputur me realizmin socialist në vitin 1948, por megjithëse realizmi socialist nuk ka qenë doktrinë e obliguar, doktrinë politike shtetërore, megjithatë, edhe në Kosovë shkrimtarëve u janë vënë kufizime. Nuk kemi mundur të shkruajmë si duam e çfarë duam në mënyrë të veçantë për traditën tonë, për letërsinë, për krijimtarinë, për studimet albanologjike, etj. Nuk kemi mundur të shkruanim si të donim, ka pasur disa kufizime që u janë vënë ideve, qëndrimeve, atdhetarizmit dhe pikëpamjeve tona, e në mënyrë të veçantë qëndrimit tonë ndaj Shqipërisë. Jugosllavia në vazhdimësi është sjellë me censura politike, ideologjike ndaj Shqipërisë, duke na kufizuar edhe ne krijuesve./gazetashqiptare/

Konvertimet fetare në rritje

0

xhamiaXhamia dhe kisha qëndrojnë pak metra larg njëra-tjetrës. Ezani (thirrja e cila përdoret për të shpallur kohën e faljes së Namazit) dhe kambanat e kishës, jehojnë nëpër fshat me radhë sipas kohës së paraparë për kryerjen e lutjeve fetare, duke e nisur, shoqëruar dhe përfunduar kështu një ditë, në raporte të ngrohta mes banorëve të fshatit Kervasari që ndodhet nën administrimin e komunës së Malishevës.

Festa e Pashkëve është përcjellë, por pritet të vijë Festa e Bajramit. Myslimanë, katolikë dhe protestantë, jetojnë në fshat të shkëputur nga tematika botërore dhe shpesh e theksuar dhe për Kosovën si radikalizëm fetar. Termi radikalizëm fetar është i panjohur për banorët e Kervasarisë/zeri/

Kosova i paguan Japonisë Borxhet e ish- Jugosllavisë

0

thaqi ne japoniJaponia mund të japë në vazhdimësi donacione për Kosovën, por nuk harron të kërkojë edhe borxhet e veta.
Bëhet fjalë për borxhet e trashëguara nga marrëveshjet që ky shtet i ka bërë më herët me ish- Jugosllavinë, e që Qeveria në Prishtinë është zotuar se do t’i mbulojë të gjitha që janë realizuar në territorin e Kosovës, shkruan Tribuna.

Për ekspertët e ekonomisë, nëse vendi ynë dëshiron të ruajë qëndrueshmërinë e tregut ndërkombëtar, duhet të kthejë çdo cent të investuar në Kosovë.

Shteti i parë që pritet të përfitojë nga ky veprim është Japonia.