13.5 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8616

Zgjedhjet e reja me ligj të vjetër

0

zgjedhjet5Më shumë se tre vjet diskutime, vërejtje por edhe akuza e kundërakuza mes partive, nuk kanë mjaftuar që procesi i ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të marrë fund. Tash kur po afrohet edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, institucionet përkatëse e kanë përshpejtuar punën rreth miratimit të ligjit të ri, mirëpo pa sukses. Kosovarët, sërish pritet t’u drejtohen kutive të votimit me të njëjtin sistem zgjedhor sikurse në vitin 2010, ndonëse parregullsitë nga ky proces kanë qenë arsyeja pse është kërkuar reformë në këtë dokument.

Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se është një pajtueshmëri e përgjithshme mes partive që të shkohet me ligj të vjetër, pasi nuk ka kohë të përgatitet ky proces me ligj të ri. Zgjedhjet planifikohen të mbahen në fillim të muajit qershor, ndërsa dokumenti ende nuk është votuar për herë të dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Zgjedhjet planifikohen për qershor dhe tashmë nuk ka kohë që KQZ t’i bëjë përgatitjet e duhura, pasi duhen trajnime të komisionarëve dhe ambientimi i shumë çështjeve teknike me ligj të ri e që koha nuk e premton një gjë të tillë. Prandaj sipas të gjitha gjasave, do të shkohet me ligj të vjetër”, ka thënë burimi./Tribuna/

Shqipëria e kërcënuar nga Islami? Studiuesi Cimbalo: Ligjet e shtetit mund ta ndalin!

0

84157Shqipëria është e kërcënuar nga islami, diç të tillë e dëgjojmë të artikulohet shpesh në diskursin publik dhe që pak ka hyrë në hullinë e diskutimeve ndër studiues në media, ndonëse studiuesit kanë ditur përherë ta thonë fjalën e tyre nëpërmjet studimeve që kanë parë dritën e botimit. Nga Tirana, ku u gjend për paraqitjen e një studimi të vyer për pluralizmin e besimeve në Shqipëri, studiuesi italian Prof. Giovanni Cimbalo duke pranuar se ekstremizmi fetar, nuk është diç e largët. Duke shtuar se ky nuk është veçse një realitet shqiptar…ndonëse në gadishull mbizotëron ortodoksia.

‘Ky rrezik nuk është vetëm i Shqipërisë por i gjithë Ballkanit. Po studiojmë statutet e shumë organizmave fetarë të Rajonit por që në fillim të këtij studimi vërehet lidhja specifike e vendit tuaj me islamin, krahasuar me vendet e tjera, njësoj siç vërehet edhe qasje unike. Unë shpresoj shumë që Shqipëria të dijë ta ruajë distancën me Islamin pasi është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar fondamentalizmit’-pohon Profesor Cimbalo i Universitetit të Bolonjës.

Thelbi i studimit të tij është se ligjet e kanë rregulluar dhe diktuar tolerancën fetare në vendin tonë, andaj edhe duket se përballë këtij rreziku, nëse shteti shqiptar do të donte, mundet lehtësisht ta mbajë larg ekstremizmin fetar në Shqipëri.

‘Për momentin, shteti juaj është duke e bërë disi punën e tij për sa kohë ka nënshkruar marrëveshje me të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri. Por tani ka detyrë të vijojë më tej duke njohur specifikat e besimeve fetare që të mos jenë kërcënim. Shqipëria s’ka nevojë për një ligj të posaçëm sepse laiciteti i shtetit është garanci. Vetëm se shteti duhet të dijë të veprojë’- thekson Cimbalo ndërsa shqetësimin e tij mundesh ta lexosh ndër radhë.

Kësisoj, Shqipëria, si një ishull me shumicë islame në gadishullin që mbizotëron ortodoksia, s’mund të mos e orientonte studiuesin italian Giovanni Cimbalo për të analizuar Marrëdhëniet mes shtetit dhe fesë në Shqipëri e tej trajtimeve folklorike të tolerancës fetare, studiuesi flet për ligje dhe një model të cilin Evropa e ka injoruar.

E argumenti i tij për këtë çështje është ky: ‘Për shumë arsye, shqiptarët e kanë injoruar këtë fakt sikurse edhe janë injoruar nga Evropa si kontribues të mëdhenj në pluralizmin fetar që e kanë vendosur me ligj prej viteve ‘20-të. Pra këtu ka lindur ky koncept si normë juridike. Dhe këtë ja ka mësuar Shqipëria Evropës, dhe kjo tregon se bashkëjetesa fetare në vendin tuaj nuk është aspak rastësi sepse ligjet kanë diktuar të mos luftohej për fe këtu ndërsa në Evopë e botë ka ndodhur e ndodh’.

I botuar fundvitin e shkuar, ky libër është i vyer për ata që duan të studiojnë dhe të kuptojnë pse-në e tolerancës fetare e cila gjendet në ligjet e çdo legjislature që ka qeverisur vendin. Është kjo një vepër thelbësore në këtë lëmi studimi që vjen nën logon ‘Naimi’.

Një grua i jep fund jetës në Bellobrad të Dragashit

0

LitariNjë grua i ka dhën fund jetësnë Bellobrad të Dragashit. Policia ka konfirmuar vdekjen tragjike të gruas.

“Të shtunën, në Bellobrad të Opojës, komuna e Dragashit, një grua 61-vjeçare ka kryer vetëvrasje, duke e varur vetën. Shkaqet dhe motivet që e kanë çuar deri në këtë akt, ende janë të panjohura. Policia ka dalë në vendngjarje, ku ka kryer hetimet e para, bashkë me institucionet përkatëse. Trupi i viktimës është shpënë në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gegë e toskë në shtëpinë e Shirokës

0

edith durhamNë njërin prej objekteve që bie në sy në rrugën “Edith Durham” të qytetit të Shkodrës tradita nuk është veç fjalë. Ajo shihet, përjetohet e edhe preket.
Një shtëpi e vjetër prej guri është strehë në të cilën adetet gegë e toskë janë shkrirë në një. Në ballë të objektit është gdhendur portreti i shkrimtarit Filip Shiroka,shkruan KD

E shoqëruar me vitin e lindjes e të vdekjes së rilindësit shkodran, skulptura sinjalizon diçka. Objekti i ndërtuar më 1694, është vend në të cilin për një kohë kishte jetuar shkrimtari i vargjeve të poezisë “Shko dallëndyshe”. Historiku i shtëpisë është i vjetër sa gurët me të cilët është ndërtuar.
Për një kohë ishte braktisur krejtësisht. Para një dekade dikujt i ishte kujtuar ta ringjallte shpirtin e traditës. E ka pagëzuar “Tradita geg’ e toskë”

KGJK’ja skandaloze dhe piramidale, Shabanaj ishte gjyqtar tepër i dobët

0

Gjykata-qekiqiMegjithëse gjyqtari Enver Shabanaj ishte bërë përgjegjës nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për moszbatim të ligjit dhe mosdhënie të mbrojtjes për të ndjerën Diana Kastrati, e cila ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në Prishtinë, gjyqtari Shabanaj është dekretuar si gjyqtar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo ndodhi pas përzgjedhjes dhe propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në krye me Enver Pecin, shkruan Kosova Sot.

Ai ishte përgjegjës për mosmbrojtjen e jetës së Diana Kastratit e cila para se të vritej, kishte kërkuar mbrojtje dhe masë emergjente sigurie në gjykatë.

Sipas kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, Shabanaj është një gjyqtar shumë i dobët.

Përse gënjehen njerëzit nga politika

0

opinion 23Nga Prof. Dr. Ylli Pango

Mjaft gënjeshtra të politikanëve dëgjohen, besohen, më pas vërtetohen si të tilla e përfundimisht kalojnë pa asnjë pasojë për ta. Nuk flitet për ndëshkim, as për ekzekutim politik, madje as edhe vetëm për mosbesim a humbje besueshmërie për ta. Nuk flitet për këto, madje edhe kur vetë ata pohojnë nganjëherë që fjalimi a premtimi i tyre (i thënë publikisht) nuk ishte as i vërtetë e as i bazuar në fakte. Flitet minimalisht, qoftë edhe për një rënie a dëmtim imazhi që do të kishte njëfarë ndikimi në karrierën politike të politikanit. E megjithatë nuk ndodh kështu. Njerëzit vazhdojnë të besojnë te politika e politikanët, edhe kur gënjejnë a provohet se gënjejnë, t’i votojnë ata, të udhëhiqen prej tyre. Në këtë aspekt është interesant të studiohet si dhe pse gënjehet njeriu i thjeshtë, a së paku si mësohet ai me gënjeshtrën e politikanit, dhe ky mbi bazën e kësaj vazhdon me të njëjtin stil. Përse gjithnjë kalohet situata dhe politikanët mësohen, edhe kur nuk e kanë nisur karrierën politike me gënjeshtra, ta bëjnë këtë kaq shpesh më vonë. Cilat janë çështjet etike që heshturazi, nuk janë pjesë e strategjive të përdorura nga liderët politikë e politikanët në përgjithësi duke ia lënë vendin mashtrimit e që i bëjnë njerëzit të besojnë? Pra, si arrijnë shumë prej tyre të gënjejnë, nganjëherë edhe rëndshëm fare, e të vazhdojnë pas kësaj, pa pasoja karrierën politike, ndonëse vazhdojnë të gënjejnë?

Së pari duhet pasur parasysh se vetë njerëzit janë të prirur të besojnë shumë. Madje njerëzit janë shpesh të paaftë të kuptojnë a zbulojnë gënjeshtrën e më pas qoftë edhe thellë në vetvete zhgënjimin soje. Shumica e njerëzve nuk arrin t’i kuptojë a zbulojë gënjeshtrat e përditshme, e sidomos ato mediatike të servirura nga politika, veçse po të qëllojë, pra jo shpesh, rastësisht që të shpërthejë ndonjë skandal i madh politik si pasojë a të ketë një denoncim të guximshëm prej njerëzish që rrallë shfaqen, sidomos në demokracitë ende në shpërgënj si jona. Dhe sado që të gjitha sa thamë, lidhur me paaftësinë e njerëzve për të kapur gënjeshtrën, janë të vërtetuara edhe nëpërmjet testimesh, në të vërtetë shumica e njerëzve mendojnë se munden ta pikasin gënjeshtrën dhe madje mburren se atyre nuk jua hedh dot njeri. Kjo vjen edhe për arsyen e thjeshtë të vështirësisë së identifikimit “në vend”, a menjëherë të gënjeshtrës, sidomos asaj të madhe politike, e cila madje, kur kalon mjaft kohë, harrohet si e tillë, si premtim, si mosrealizim a mashtrim elektoral. Në një aspekt tjetër thjesht psikologjik, që ka të bëjë me psikologjinë njerëzore, shumica e njerëzve janë të prirur, “by default”, të jenë besues ndaj “dredhive, njëanshmërive”. Kjo sepse njerëzit përgjithësisht besojnë atë që thonë të tjerët. E para, sepse njeriu priret të bëjë më të lehtën, ndërkohë që verifikimi, mosbesimi, të menduarit kritik për atë që të thuhet a premtohet janë më të komplikuar, më të vështirë, a të kërkojnë edhe të jesh më “kreativ” nëse mund të thuhet kështu; kurse besimi e sidomos ai i verbër e pa mundim, është më i thjeshtë e më pak lodhës.

Së dyti, edhe sepse të verifikosh, edhe nëse je i prirur a ke njëfarë aftësie ta bësh një gjë të tillë, kërkon prova, kohë, fakte, pra punë, gjë që njeriu i thjeshtë, sidomos në fushë të politikës, pra të inteligjencës spekulative, që e karakterizon politikën e politikanin, është më pak, a thuaj aspak i talentuar, sidomos në raport me politikanin që e ka këtë prirje, dhunti, a aftësi të fituar. Është kjo arsyeja që artistët e politikës, ashtu si artistët e kinematografisë janë aq të suksesshëm. Njeriu i thjeshtë veç këtyre, tenton të besojë spekulantin, të aftin në fjalë e gojëtari, të shkathëtin, atë që tenton t’i ngjajë, por nuk e arrin dot. Hollywood-i quhet me ironi nga amerikanët e thjeshtë, “industria e ëndrrave” por megjithëkëtë, të gjithë e pëlqejnë dhe e admirojnë filmin, lënë kokën për të dhe celebrities e filmit, janë ndër më të adhuruarit. Paralelizmi me politikanin e suksesshëm, sado gënjeshtar, këtu është më se i qartë.

Por ka edhe një besim a “ngrënie të gënjeshtrës”, që lidhet me dëshirën për t’u pëlqyer nga politikani, për t’u bërë i afërt me të e për të përfituar nga favoret e tij. Në këtë rast, të gënjyerit e vetes, është i vullnetshëm, madje “i gënjyeri” mund të bëhet pjesë e strategjisë gënjyese të politikanit apo e stafit të tij të fabrikimit të rrenave dhe ndjekës i tij me besim herë të plotë e herë të pjesshëm në ato që thotë politikani.

Ndonëse gënjeshtra konsiderohet pothuaj në të gjitha shoqëritë e globit, si ves jo aq i rëndë, megjithëse jashtë normave morale, njerëzit e falin më lehtë atë se mjaft vese të tjera ndonëse prej saj mund të derivojnë mjaft vese e pasoja të tjera negative për njerëzit e gënjyer. Megjithëkëtë e megjithë përvojën e gjatë të gënjeshtrës në politikë, njerëzit janë ende më shumë besues se sa mosbesues ndaj liderëve a politikanëve të krahut që besojnë a mbështesin. Kjo edhe për arsye interesash, por edhe sepse njeriu beson atë që i pëlqen të besojë. Këtu natyrisht bëjnë përjashtim vetëm njerëzit që kanë një formim më solid në politikë, por edhe në lëmë të kulturës së përgjithshme, e sidomos, nëse zhvillojmë një mosbesim të mësuar, a mbi bazë përvoje karshi politikanëve. Ka pra edhe njerëz që nuk i besojnë politikanët, por shumica akoma i beson. Mbi bazën e kësaj politikanët mësojnë se mund të gënjejnë pa pasoja, iu bëhet kjo zakon a për më së shumti domosdoshmëri funksionimi, modus vivendi, dhe gënjeshtra bëhet pjesë e pandarë e jetës së tyre politike e më tej edhe asaj të përditshme. Ka ndër të tjera dhe kushte të caktuara në të cilat gënjeshtra e politikanit mund të besohet më lehtë apo më me vështirësi. Dihet për shembull, sado paradoksale të duket në pamje të pare, se kur gënjeshtra është e madhe e guximshme, e pacipë, ajo besohet më lehtë. Njerëzit në këso rastesh mendojnë se “do të ishte e pamundur të gënjehej kaq shumë, dhe sigurisht këtu ka një të vërtetë apo së paku një pjesë të saj”. Dhe përsëri del në pah natyra besuese njerëzore. Hitleri e njihte këtë psikologji njerëzore, dhe e kishte këtë lloj gënjeshtre të madhe moto të politikës së vet. Ai ishte i bindur se gënjeshtra e madhe besohet më lehtë. Ai e përdorte këtë lloj gënjeshtre sidomos për asgjësimin e kundërshtarit politik (kujtoni sajimin për djegien e Reichshtagut), Natën e thikave të gjata kundër Ernst Remit, por edhe në premtimet fantazmagorike për të ardhmen, fitoren, supremacinë botërore, që i bënte popullit gjerman, aq sa arriti t’i ekzaltonte njerëzit deri aty sa të hidheshin me besim të verbër në aventura që së fundmi u morën edhe jetën milionave.

Përtacia konjitive është fenomeni që shfaqet kur njerëzit dëgjojnë një premtim, në dukje gënjeshtër, një diçka nga një politikan dhe e besojnë pa e verifikuar atë, edhe sepse shpesh nuk duan të angazhohen në përpjekje mendore ose fizike për të kontrolluar vërtetësinë e fakteve lidhur me atë që iu thuhet, apo u duket mundim të fillojnë të vrasin mendjen për të vënë në diskutim pohimin. Ekziston edhe një lloj shprehje apo të menduar i pashprehur apatik i tipit “Nëse politikanët i kemi zgjedhur të na udhëheqin, le ta ngasin ata makinën, ata e dinë më mirë ku po na çojnë”. Shpesh gënjeshtra justifikohet me mungesën e etikës së politikanit apo me disa slogane etike të tipit “Qëllimi justifikon mjetin” që vënë në dukje problemet etike të politikës. Në këtë aspekt mund të thuhet se në përgjithësi, politikanët, shpesh kanë një kod të varfër etik që sigurisht e përfshin gënjeshtrën brenda tij, mjafton që ajo të ndihmojë për arritjen e qëllimit, pushtetit, zgjedhjes në parlament, fitimit. Kjo është sidomos tipike për politikën e quajtur ‘politika e pisët’.

Këtu gënjeshtra fillon e përpunohet a hidhet në tregun mediatik e politik, së pari për kundërshtarin, për të cilin, a kundër të cilit mund të përdoret çdo gjë, çdo mjet, gënjeshtër a mashtrim deri në shpifje a sajesë nga hiçi. Nëse trukohet një gënjeshtër për kundërshtarin, kjo konsiderohet e natyrshme, e zakonshme, me vlerë, sepse nëse ai do të zgjidhet a do të jetë në pushtet, kjo do të jetë humbje, disfatë, pra mënxyrë për ekipin politik ku politikani bën pjesë.

Për të gjithë arsyet e mësipërme, e për të tjera, në demokracitë qofshin ato të konsoliduara, por sidomos në ato në zhvillim, autoriteti, pushteti, politika,duhen kontrolluar gjithnjë. Demokracia është reale e funksionale e rreziku i pushteteve korruptive, mashtruese e në ekstrem i diktaturave mund të mënjanohet vetëm nëse qytetari është e kupton se duhet të jetë i informuar. Duhet të kontrollojë faktet. Kurrë nuk duhet të besojë çfarë thotë politikani a lideri pa e verifikuar, sidomos për faktin se politikani është në pozicionin e autoritetit e të pushtetit dhe i intereson të mbetet atje sa më gjatë për interesat e veta e për privilegjet që gëzon.

Por, edhe pasuesit vetë, në politikë, nëse janë të një niveli më të lartë moral, mund e duhet ta kontrollojnë gjithnjë liderin politik, i cili ndër politikanët e të gjithë niveleve është i prirur të gënjejë më shumë, a të organizojë gënjeshtrën e madhe, për vetë pozicionin më suprem, më të privilegjuar e më të pakontrolluar që zotëron, dhe përgjegjësinë që ka për t’i dhënë fitoren ekipit që drejton e për ta mbajtur atë sa më gjatë në pushtet.

‘Çajupi, poezi idiote’, reagon Jorgo Bulo: Krasniqi mbron osmanët

0

JORGO BULORoli i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në tokat shqiptare, ende nxit debate. Ndërkohë që krijimtaria e rilindësve është fokusuar në dëmet e otomanëve, intelektualët e sotëm kanë dasitë e veta sa i takon qasjes që duhet pasur ndaj perandorisë dhe rishikimit të teksteve për hir të saj

148 vjet më parë, një ditë fund marsi të vitit 1866, në familjen e Harito Çakos në Sheper, lindi djalë. I vetmi fëmijë i kësaj dere të madhe u pagëzua me emrin Andon, në Kishën e vjetër paleokristiane të Shën Gjergjit. Meqenëse i ati i tij kishte marrë rrugët e kurbetit, Andoni u rrit në shtëpinë e gjyshit nga nëna, Stefan Bulo, mori mësimet e para në shkollën e njohur gjysmë të mesme të Manastirit, në Nivan, për të kryer më tej studimet në një kolegj lazaristësh në Aleksandri dhe për t’i përfunduar në Universitetin e Gjenevës, ku doktoroi e mori diplomën e juristit, profesion që thuajse nuk e ushtroi kurrë. U vendos përfundimisht në Kajro të Misirit, në lagjen aristokratike “Heliopolis”, ku kaloi jetën derisa mbylli sytë. I larguar nga Sheperi në moshë të re, 17-vjeçare, ai mori me vete si pasuri shpirtërore kujtimet e fëminisë, mallin dhe imazhet e peizazhit të vendlindjes, vetitë morale të familjes e të njerëzve të Zagorisë, dhe mbi të gjitha, pasurinë më të madhe, gjuhën e mëmës.

Por duke qenë se shkollën nuk e bëri në gjuhën shqipe, dhe zotëronte vetëm gjuhën e folur të nënës, por jo gjuhën e shkruar të librave, e nisi veprimtarinë e tij letrare në frëngjisht. Me sa duket, gjurma e thellë që kish lënë në kujtesën e tij fëminia e kaluar në Sheper, bëri që veprën e parë t’ua kushtonte atyre mbresave, kur shkroi në frëngjisht novelën “Besa-besë”, që përfshin tregimet “Histori e një familjeje” dhe “Mysafirët e Çajupit”, hartuar më 1898, ose diçka më parë. Kur lexon sot këtë prozë, me personazhet si Zoti Stefan, që mishëron figurën e gjyshit, me evokimin e zakoneve dhe mendësisë të zagoritëve, me dashurinë me të cilën i përshkruan ata dhe me dhimbjen për tragjedinë që shkakton plaga e kurbetit, me mjedisin natyror e gjeografik ku nuk mungon as Çajupi, as Dhëmbeli, as Nemërçka dhe as Brodani (Prodani i sotëm, toponim në jugperëndim të Sheperit), as Topova dhe gryka e Selckës, na vjen i gjallë para syve koloriti i vendlindjes sonë të dashur dhe kujtimi i të parëve që kanë varret atje. Po me këtë prozë, me sa duket, morën udhë dhe motivet e para të veprave të ardhshme: tema e kurbetit, kritika ndaj zakoneve e mendësive patriarkale, anakronike, si dhe personazhe si Tana, Vangjeli, Gjinua i komedisë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, Mitrua i “Kurbetit” e të tjerë. Dy vjet e ca më pas, kur e kish lënë në sirtar të pabotuar këtë histori prekëse të bashkëfshatarëve të tij, por kish botuar artikullin “Duke kërkuar një alfabet” (1898, po në frëngjisht), më 1900, kishte ikur nga jeta Naimi. Djaloshi nga Sheperi do të shkruante elegjinë më të bukur për poetin kombëtar me titull “Naim Be Frashëri”.

Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.
I bindur se askush nuk mund ta zinte vendin e apostullit të kombit, ndaj të cilit ruajti tërë jetën një veneracion të veçantë, iu kushtua lëvrimit të vjershërisë shqipe dhe më 1902 botoi “Baba Tomorrin”, që befasoi botën letrare shqiptare dhe e bëri qibarin Faik Konica të shkruante me entuziazëm të papërmbajtur “Na leu një vjershëtor”. Prej asaj kohe, poeti nga Sheperi me emrin letrar Çajupi, mbeti një nga ikonat e poezisë shqipe. “Baba Tomorri” ishte vepra më e rëndësishme poetike e Rilindjes, pas veprave të Naimit, aq sa mund të thuhet se ai me këtë vepër jo vetëm mbushi atë zbrazëti që krijoi në jetën letrare vdekja e Naimit, por i çoi më përpara idetë e Rilindjes, duke i mbrujtur ato me një patos të ngritur luftarak, duke kapërcyer frymën panegjirike të poezisë së kohës, duke vënë gishtin në plagët sociale dhe duke sjellë në kulturën shqiptare, bashkë me Konicën, frymën kritike.

Poezia e Çajupit, me patosin e zjarrtë patriotik, u bë zëri i epokës, frymëzim i kryengritjeve antiosmane dhe kushtrim lufte për të rrokur armët dhe për të mbrojtur trojet tona nga synimet e shovinistëve fqinjë. Ai me veprën e tij do të mbetej poet i atdheut, kasnec i lirisë, mjeshtër i këngës patriotike dhe i poezisë lirike, themelues i komedisë shoqërore, mjeshtër i satirës dhe reformator i madh i letërsisë shqipe, duke i çelur asaj rrugën e realizimit.

Çajupi, si u tha, erdhi në letrat shqipe pas shkëlqimit të yllit poetik Naimit dhe në agimin e një kohe kur yje të tjerë do të lindnin në qiellin e letrave shqipe. Por ai nuk mbeti as në hijen e të parit, as si diçka e tejkaluar prej të dytëve. Çajupi rinovoi një traditë letrare dhe krijoi një traditë të re. Vepra e Çajupit nuk është thjesht një hallkë që lidh epokën letrare të Rilindjes me atë që erdhi pas saj, por një faktor i progresit artistik të letërsisë shqiptare në fazën e kapërcimit nga romantizmi në realizëm, nga patosi afirmativ kombëtar e patriotik, në patosin social, kritik. Ky ishte një hap i madh që e integronte letërsinë shqiptare në rrjedhat moderne të zhvillimit të saj. Me Çajupin nis të shfaqet në jetën tonë letrare tipi i poetit qytetar, që, pati kurajën, bashkë me Konicën e ndonjë tjetër ta vështronin të vërtetën në sy, sepse u kishte dalë dehja nga romantizmi nacional i Rilindjes, i cili, i marrë integralisht, pa një qëndrim kritik, nuk i përgjigjej situatës së re historike. Ky vështrim i kthjellët shpjegon edhe atë që quhet ‘afetarizëm i Çajupit’. Mendja e iluminuar e Çajupit është për lirinë e mendimit dhe të besimit, por kundër fanatizmit fetar. Ai nuk pranon besimin e verbër te dogmat dhe idolet; pena e tij volterjane satirizon bigotizmin fetar dhe klerikët sharlatanë. Çajupi di të dallojë qytetërimet që përcjell historia e feve nga roli negativ që lozin fetë dhe institucionet përkatëse kur instrumentalizohen nga politikat.

Shqiptarët e ndarë në disa fe, kishin nevojë për një ide që t’i bashkonte dhe kjo ishte ideja kombëtare, e përpunuar prej rilindësve mbi bazën e njësisë së kombit, që buronte prej njësisë së gjuhës, të traditës e të vazhdimësisë historike, e jo të fesë.
Rilindësit dhe Çajupi, një prej më të mëdhenjve të asaj epoke, morën përsipër dhe ia arritën, ta kthenin idenë kombëtare nga një ideologji të një grushti intelektualësh, në ideologji të një lëvizjeje të madhe, në ideologji të shqiptarëve, por Çajupit dhe disa krijuesve të tjerë të brezit të fundit të Rilindjes u ra barra të kultivonin te shqiptarët kulturën dhe frymën kritike dhe vetëkritike për vlerat por dhe për cenet e tyre morale dhe historike.

Kjo është arsyeja pse u prit në mënyra të ndryshme vepra e Çajupit, nga kritika e cila ose i thuri himne ose i lëshoi anatema. Jo vetëm dje, por edhe sot, ka kritikë a pseudokritikë, që anatemojnë Çajupin, se të vërtetat që thotë Çajupi janë të hidhura, siç qe e hidhur e vërteta se pushtimi osman e ktheu vendin e shoqërinë shqiptare, pas, në një kohë historike të kapërcyer prej saj.
Fshatarësia shqiptare që jetonte në bashkësi të lira fshatare ose malësore, ra nën zgjedhën e një shfrytëzimi të egër prej regjimit feudal ushtarak të timareve; ekspeditat e pushtuesit, siç e provojnë edhe dëshmitë e kronikanëve osmanë, lanë pas pirgje të vrarësh dhe gërmadha shkatërrimesh të monumenteve të qytetërimit vendas, Thënë me fjalët metaforike të Çajupit, ky pushtues u vuri zjarrin atyre arritjeve e rezultateve të zhvillimit historik e kulturor të viseve shqiptare, që në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV ecnin në një hap me zhvillimet evropiane dhe kishin filluar të ndienin erën e humanizmit, duke i dhënë dhe botës humaniste evropiane disa personalitete të shquara, shqiptare, si Leonik Tomeun, Gjon Gazullin, Mikel Marubin, Maksim Artiotin, Marin Barletin e të tjerë.
Vargjet e Çajupit “Shqipërinë e mori turku i vu zjarr” e shqetësojnë profesorin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, jo se nuk i di këto fakte, por, e para se i merr të shkëputura nga konteksti historik, dhe e dyta se ai mendon që pushtimi osman ishte “shpëtimi”, për shqiptarët, se sipas tij, “në Perandorinë Osmane nuk janë diskriminuar kombësitë e tjera, dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur program për shfarosjen e shqiptarëve”. Po atëherë lind pyetja: Pse u ndalohej shqiptarëve shkolla shqipe dhe mësimi i gjuhës së tyre?

T’i ndalosh gjuhën e vet një populli, nuk do të thotë as më shumë, as më pak, por ta vdesësh me eutanazi, pra ta dënosh me një vdekje “të ëmbël”, por të sigurt.

M. Krasniqi pretendon se në Perandorinë Osmane nuk janë diskriminuar kombësitë e tjera, as besimet e tjera, duke sjellë si argument madje njohjen e statusit të organizimit të elementit ortodoks përmes Patrikanës së Stambollit. Por ai nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se vetë kisha bizantine “i dorëzoi pushtuesit Perandorinë dhe Krishterimin” (F. Braudel), e se në rastin e shqiptarëve, Patrikana u përdor prej Perandorisë më mirë se çdo institucion tjetër për ndalimin e gjuhës e të shkollës shqipe dhe për të penguar kombëtarizimin gjuhësor të Kishës Ortodokse Shqiptare. Pastaj, një popull si shqiptarët, që kanë provuar në kurrizin e tyre një gjenocid të egër, siç qe gjenocidi serb ndaj tyre, nuk duhet të harrojnë fatin e një milion e gjysmë armenëve të masakruar prej asaj Perandorie, që prof. Krasniqi na e paraqet si kampion të njohjes dhe mbrojtjes së të drejtave të kombeve të tjera.

I merakosur për miqësinë mes popujve, duke e shkëputur nga konteksti historik, profesori i Prishtinës, bën sikur harron që Çajupi nuk flet për turqit e sotëm, por për osmanët e djeshëm dhe për mentalitetin anadollak, që Turqia moderne e flaku tej me reformat e Ataturkut. Po të kish lexuar pamfletin e Çajupit “Konstitucioni në Turqi”, botuar më 1908, profesori i Prishtinës do ta kish kuptuar se Çajupi, duke ftuar shqiptarët të ndahen nga i “sëmuri i Bosforit”, i fton të heqin dorë nga fanatizma orientale, të marrin udhën e qytetërimit evropian, që, si shkruan ai, “ndriçon botën dhe zbukuron mendjen” duke theksuar “jo të ndërrojnë besën, por të ndërrojnë mendjen”, pra jo të ndërrojnë fenë, por “të sillen si perëndimasit, në duan të rrojnë në mes të Evropës”. Dhe ne për fat jemi në mes të Evropës, duan apo nuk duan “dumbabistët”.

Videoja e prof. Krasniqit, që qarkullon në rrjetet sociale, është një provokim ndaj ndërgjegjes patriotike të çdo shqiptari, se vepra e Çajupit është dhe do të mbetet pjesë e ndërgjegjes atdhetare dhe artistike të kombit; me të janë rritur e do të rriten e edukohen breza të tërë.
*Akademik

Milazim Krasniqi: Poezia idiote e Çajupit kundër turqve
Shqiptarët kanë qenë të sunduar dhe pjesë e strukturave sunduese në Perandorinë Osmane. Unë e shoh këtë perandori nga pikëpamja e legjitimitetit. A ka qenë perandori legjitime, apo siç thonë, një pjesë e nacionalistëve ateistë shqiptarë, kanë ardhur hordhitë barbare, që mua më duket krejtësisht jashtë logjikës”. Prof. Milazim Krasniqi ka një tjetër këndvështrim sa i takon qëndrimit 500-vjeçar të otomanëve në Shqipëri e Kosovë. Në një emision televiziv në Kosovë, ai është shprehur se: “Perandoria Osmane qe shtet legjitim, është krijuar me parimin e drejtësisë sociale për të gjithë, ndërsa islami u përhap (prej saj) përmes thirrjes më shumë sesa përmes dhunës”. Krasniqi shton se shqiptarët nuk luftuan kundër osmanëve në betejën e Kosovës më 1389, pasi ajo betejë qe luftë civile mes serbëve. “Primitivë në atë kohë kanë qenë popujt e Ballkanit e jo osmanët, që vinin nga një perandori me rrezatim universal. Ardhja e tyre e pengoi asimilimin shqiptar nga serbët”, thekson Krasniqi. Ndërkohë, një pikë tjetër në të cilën është ndalur, ka të bëjë me rishikimin e teksteve shkollore, e jo vetëm ato të Historisë. “Duhet bërë rishikimi i përmbajtjeve të teksteve të nxënësve, sepse përmes tyre kemi krijuar paragjykime që janë produkt i ksenofobisë. Mendo një shqiptar që shkon në Stamboll e në kokë ka vargjet e Çajupit: ai do të ketë një jetë të dyzuar, do të ketë ankth, sepse atë që e ka në mendje nuk e gjen në realitet. Duhet të ketë reformë në tekstet shkollore, se tekstet e Historisë kanë paragjykime, nacionalizëm”, thotë ai, duke refuzuar të pranojë se vargje si të Çajupit, janë të justifikuara për shkak të kohës kur janë shkruar. “Unë si nxënës kam mësuar vargjet e Çajupit, ‘Kur bëre derr’ e arinë, ç’deshe që bëre Turqinë’; unë këtë që e kam mësuar si nxënës e mbaj mend edhe pas 45 viteve. Një poezi idiote; për cilin shtet mik thuhet se është më i keq se derri e ariu? Si mundet që ende sot pretendohet që përmbajtje të tilla të mbahen në tekste shkollore? Njësoj thuhet në tekstet e serbëve e maqedonasve për ne”, – deklaron ai. Krasniqi thotë se në tekste mund të vihet poezia “Fshati im” e Çajupit, jo një poezi aq intolerante sa ajo më lart. Sa u takon kundërshtarëve, publicisti shton se “elitat me maskën e ateizmit e modernizmit mbrojnë ideologji filoor-todokse e filogreke, janë kompromentuar duke sulmuar islamin. Ne s’kemi marrë sadisfaksion për krimet e Greqisë në Çamëri e të Serbisë në Kosovë, e ndërkohë merremi me Perandorinë Osmane, për të cilën nuk është faktuar që ka pasur ndonjë projekt spastrimi etnik për shqiptarët, sikundër ishin ‘Nacertania’ dhe ‘Megali-idea’. Merren me neootomanizmin; pse s’merren me pansllavizmin, që është ekstremisht i rrezikshëm për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, e Mal të Zi?

Poezia e
cilësuar
“idiote”

Punërat e Perëndisë

Zot i math e i vërtetë,
çdo pun’ e ke bërë vetë;
bëre qiejtë dhe denë,
bëre yjtë dhe dhenë,
bëre diellin’ me dritë,
bëre nat, e bëre ditë,
bëre erënë dhe retë,
bëre pemëtë me fletë,
bëre hënëzën me yje,
bëre fusha, male, pyje,
bëre zogjtë, që këndojnë
dhe lulet që lulëzojnë,

bëre dimër’ e beharë,
bëre kuaj e gomarë,
bëre misër edhe grurë,
po më shumë bëre gurë.
Si bëre kaqë të mira,
bëre dhe shumë egërsira:

bëre arinë dhe derrë,
bëre… po ç’nukë ke bërë?
Bëre botënë të tërë,
bëre dhe djallë me brirë!
Çdo pun’ e ke bërë mirë,
po një gjë bëre pa mënde
dhe prishe punën tënde:

Kur bëre derr’ dhe arinë,
Ç’deshe që bëre Turqinë?
Se të mos qenkej kjo farë,
bota do të vinte mbarë,
dhe do të lulëzonte,
Shqipëria do t’gëzonte.

Në Zym të Hasit banorët gjejnë një qyp me lira

0

qypiNuk po flasim për personazhet e përrallave por për një person që në të vërtetë quhet Hekuran Qollaku e jeton Zym të Prizrenit.

Klan Kosova raporton se ai gjeti qypin derisa ishte duke groposur në afër murit të shtëpisë së tij.Besohet se lirat e gjetura datojnë që nga koha e Turqisë.

Disa nga banorët e fshatit thonë se gjetja e lirave dëshmon lashtësinë e vendit, e të tjerë thonë se qypi me liria duhet t’i dorëzohet shtetit.

Vazhdon fushata kundër migrimit ilegal

0

Fushata kundër migrimit ilegalMinistria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me Zyrën Zvicerane në Kosovë po vazhdon turneun informativ me autobus, në 40 lokacione të Kosovës, në kuadër të fushatës gjithëpërfshirëse për procesin e Liberalizimit të Vizave në Kosovë.

Komuna e Gjakovës ishte sot nikoqire e turneut me autobus, të cilët qytetarët u njoftuan nga aktivistët e fushatës “Rrugët e Çeluna” mbi liberalizimin e vizave dhe vetëdijesimin për migrimin ilegal.

Qytetarët e Gjakovës kanë marrë shpjegime lidhur me vështirësitë në rrugët e daljes në perëndim, për rreziqet që mund të hasin dhe për mënyrën e jetesës së emigranteve shqiptarë në vendet e ndryshme të botës.

Aktivistët të cilët janë duke vizituar çdo komunë, përveç informacioneve, po shpërndajnë edhe broshura, bluza dhe materiale promovuese për informimin sa më të saktë të qytetarëve për procesin e liberalizimit. Përveç Gjakovës në ditën e 5 të fushatës “Rrugët e Çeluna” ky turne me autobus vizitoi edhe komunën e Junikut, Deçanit dhe Xërxen e Rahovecit.

Shqipja, sivjet jo në Panairin e Librit në Shkup

0

Panairi librit-ShkupNga shtëpia botuese “Buzuku” në Prishtinë thonë se ata nuk kishin marrë asnjëherë ftesë për të qenë pjesë e panairit, prandaj si pasojë nuk kanë qenë asnjëherë pjesëmarrës. “Jo, nuk jemi pjesëmarrës. Arsyeja kryesore është sepse nuk kemi pasur ftesë për të qenë prezent atje. Realisht ngjarjet e tilla zakonisht janë me ftesa, ne kemi edhe praktika nga vendet e tjera si Frankfurti, Tirana e gjithashtu edhe nga panairet që organizon Prishtina. Zakonisht organizimet e tilla bëjnë ftesa. Në këtë panair edhe ashtu nuk është se marrin pjesë kushedi se sa botues shqiptarë. Në Shkup përqendrohen në literaturën e tyre dhe nuk ju japin rëndësi të madh botuesve shqiptarë apo autorëve shqiptarë” thotë për KultPlus Besian Zeneli nga Buzuku.

Ka nisur me datë 8, ndërsa edhe për disa ditë në Arenën Metropolis në Shkup po qëndron i hapur Panairi i Librit 2014. I 26-ti me radhë, ky panair sivjet sjell mbi 70 botues, promovime librash e botime të reja nga trevat ballkanike.

Në stenda me çmime të panairit do të shiten librat nga produksioni më i ri botues në Maqedoni dhe botimet e përkthyera, zhanre të ndryshme, letërsi shkencore, enciklopedi dhe fjalorë, libra për fëmijë.

Megjithatë, duket se botuesit shqiptarë nuk kanë shfaqur interesim që shtëpitë e tyre botuese dhe prurjet e tyre të jenë të pranishme në këtë Panair Ndërkombëtar Libri.

Në këtë panair, numri i botuesve shqiptarë është simbolik. Arsyet për mos pjesëmarrje të botuesve shqiptarë janë nga më të ndryshmet.

“Në këtë panair marrin pjesë 5-6 shtëpi botuese shqiptare. Shtëpitë botuese nga Kosova nuk janë prezentë, kështu ka qenë edhe vitet e tjera. Mendoj se është një gjë shqetësuese sepse ky panair në Shkup duhet të jetë qendër ku takohen të gjitha shtëpitë botuese shqiptare dhe frekuenca e tyre të jetë sa më e madhe”, ka deklaruar Nehat Avziu, përfaqësues i shtëpisë botuese “Albas”.

Botuesit nga Kosova nuk ishin ftuar që të jenë pjesë e këtij panairi, edhe pse nga Organizatorët e Panairit të Shkupit dhe Shoqata e Botuesve dhe Librarive të Maqedonisë (SHBLM) është paralajmëruar pjesëmarrje edhe e botuesve të huaj nga Bullgaria, Shqipëria, Serbia (e prezantuar nga Biblioteka kombëtare), Italia dhe Suedia (nëpërmjet ambasadave të tyre në Shkup) dhe Hungaria (Instituti Balashi nga Budapesti dhe Lektorati për gjuhë hungareze pranë Fakultetit filologjik “Bllazhe Koneski”).

Nga shtëpia botuese “Buzuku” në Prishtinë thonë se ata nuk kishin marrë asnjëherë ftesë për të qenë pjesë e panairit, prandaj si pasojë nuk kanë qenë asnjëherë pjesëmarrës.

“Jo, nuk jemi pjesëmarrës. Arsyeja kryesore është sepse nuk kemi pasur ftesë për të qenë prezent atje. Realisht ngjarjet e tilla zakonisht janë me ftesa, ne kemi edhe praktika nga vendet e tjera si Frankfurti, Tirana e gjithashtu edhe nga panairet që organizon Prishtina. Zakonisht organizimet e tilla bëjnë ftesa. Në këtë panair edhe ashtu nuk është se marrin pjesë kushedi se sa botues shqiptarë. Në Shkup përqendrohen në literaturën e tyre dhe nuk ju japin rëndësi të madh botuesve shqiptarë apo autorëve shqiptarë” thotë për KultPlus Besian Zeneli nga Buzuku. Sipas tij, çmimet e larta nëpër panaire, mos respektimi i uljes së kostove të shitjes dhe trajtimi jo meritor i autorëve shqiptar po bënë që sidomos në këtë Panair vit për vit të ketë më pak prurje shqip. Ai thotë se me kushte të mira do të ishin pjesë e Panairit.

Të këtij mendimi janë edhe botuesit nga Shqipëria. “Pengesa e parë është dogana, e dyta është blerësi, a ka interes botuesi ta sjellë librin këtu nëse nuk i shitet. Problemi tjetër është edhe trajtimi, stendat tona janë në periferi, kurse ato të botuesve maqedonas janë në qendër dhe me lloj-lloj zbukurimesh dhe më të privilegjuara”, është shprehur Apostol Duka nga shtëpia botuese “Labova”.

Gjatë shtatë ditëve të manifestimit të Panarit do të ketë promovime të përditshme dhe lexim në Qendrën promovuese të galerisë në Arenën Metropolis.

Motoja panairit të sivjetmë është “Panairi i librit – panair për dashurinë ndaj fjalës së shkruar”.

Panairi hapet çdo ditë në ora 10 e mbyllet në orën 20, ndërsa çmimi për biletë është 30 dinarë dhe 20 dinarë për vizita në grupe.