13.7 C
Prizren
E shtunë, 26 Prill, 2025
Home Blog Page 8664

AKA me 3 korrik shpall rezultatet e akreditimit të programeve

0

Studentet kosovarAgjencia Kosovare e Akreditimit tashmë ka përmbyllur procesin e vlerësimit për institucionet e arsimit të lartë në vend dhe pritet që rezultatet të shpallen më 3 korrik.

Zyrtarë të agjencisë bëjnë të ditur se në vlerësim janë përfshirë rreth 26 institucione private dhe publike. Ndërkohë, pas publikimit të rezultateve universitetet publike dhe private do të shpallin konkursin për pranimin e studentëve të rinj.

Vendimet e Agjencisë për akreditimin dhe ri-akreditimin e programeve do të publikohen më 3 korrik, kur edhe do të mbahet mbledhja e Bordit të Agjencisë.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, Ferdie Zhushi Etemi, tha për Radio Kosovën se çdo gjë ka shkuar mirë gjatë procesit të vlerësimit në institucionet e arsimit të lartë. Në prag të shpalljes së konkursit nga ana e institucioneve për pranimin e studentëve të rinj, Zhushi-Etemi, bëri të ditur për maturantët se të gjitha programet e akredituara nga agjencia e akreditimit ofrojnë cilësi.

”Mund të ketë dallime në cilësi të këtyre programeve, mund të ketë programe që janë me të vërtetë shumë të mira e cilësore, por mund të kemi të fushës së njëjtë edhe programe që kanë arritur kriteret por duhet edhe më tutje të bëhet diçka në përmirësimin e tyre. I ftoj maturantët që të kenë qasje, të shikojnë e të informohen”, deklaroi ajo.

Zhushi Etemi, bëri të ditur se në vlerësim janë përfshirë rreth 26 institucione private dhe publike. Ndërsa ende nuk janë në listë për akreditim institucionet e reja në themelim.

“Momentalisht kemi 23 institucione private, kemi tri Universitete Publike që tashmë funksionojnë, në themelim e sipër janë institucionet e reja të cilat nuk i kemi në listë për shkak se nuk e kanë kaluar procesin e vlerësimit të jashtëm. Atyre do tu duhet kohë që të përgatiten, nuk startojnë nga zero por tashmë janë njësi të UP-së të cilat qeveria ka marrë vendim që t’i ngrejë në nivel të institucioneve të pavarura dhe në të ardhmen kjo ofertë do të zgjerohet”.

Ajo që e shqetëson më shumë kryetaren e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, është se shumë oferta nga këto institucione janë klasike. Sipas saj, studentëve ju duhen programe aktuale, për shkak se mundësitë e punësimit janë më të mëdha nëse programet janë interdisiplinare.

Ndërkohë, universitetet publike dhe kolegjet private, ende nuk kanë bërë të ditur se kur do të shpallin konkursin për pranimin e studentëve të rinj, pasi presin rezultatet e Agjencisë së Akreditimit.

Projekti “Brezovica” rrezikon shkatërrimin e vlerave natyrore

0

Brezovica-teleferiketOrganizata joqeveritare “Ec ma ndryshe”, ka reaguar ndaj projektit “Brezovica”, duke thënë se është e papranueshme që në mënyrë institucionale shkatërrohen pyjet që janë nën mbrojtje ligjore. Ky projekt, sipas saj edhe pse si projekt zhvillimor, lehtësisht mund të degjeneroj në shkatërrimin e shekullit të vlerave natyrore.

Drejtues të kësaj organizate thotë se kanë pranuar njoftimin e një grupi të qytetarëve në lidhje me Projektin respektivisht Master Planin për Brezovicën, ku shqetësimi i tyre ka të bëj me rrezikun që ky Projekt të dëmtoj vlerat natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri”.

“Interesi publik në këtë rast është i lartë, meqë në hartimin e Master Planit janë të kyçur direkt Qeveria e Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë, të cilët nëse vihen në zbatim të këtij plani rrezikojnë shkatërrimin e vlerave të rralla natyrore të maleve të Sharrit. Ne bazë të analizave të deritanishme, projekti “Brezovica” edhe pse në opinion paraqitet si projekt zhvillimor me interes nacional lehtësisht mund të degjeneroj në shkatërrimin e shekullit të vlerave natyrore”, deklaron Elmedina Baxhaku, monitoruese nga organizata joqeveritare ”Ec ma ndryshe”.

Projekti “Brezovica” parasheh realizimin e investimeve në rreth tre mijë e pesëqind hektarët e territorit me vlera të rëndësishme natyrore të PK “Sharri”, që me vendim të Kuvendit të Kosovës është shpall interes nacional.

Vlerësimi i ekspertëve të kësaj fushe është se projekti “Brezovica” duhet të ndalet në zonën A me qëllim të parandalimit të shkatërrimit të natyrës. Turizmi mund të zhvillohet në zonat B, C, D dhe E, që nënkupton modernizimin e Qendrës ekzistuese turistike (zona B) dhe zgjerimin e ndërtimin e kapaciteteve të reja turistike në zonat C, D dhe E.

EC Ma Ndryshe konsideron se është e papranueshme që me një anë të investohen miliona euro nga buxheti i Kosovës për ruajtjen dhe mbëltimin e pyjeve të reja, derisa në anën tjetër në mënyrë institucionale shkatërrohen pyjet e gatshme, më të vlefshme dhe më të ruajtura në Kosovë, madje që janë nën mbrojtje ligjore. /PrizrenPress.com/

Krasniqi uron Kroacinë për anëtarësim në BE

0

Krasniqi-Jakup5-21Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi e ka uruar Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Josip Leko, me rastin e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Në telegramin e urimit të kryeparlamentarit Krasniqi thuhet:

I nderuar zoti Kryetar,

Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe në ermin tim personal, me rastin e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t’ju shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta ju dhe tërë popullit të Republikës së Kroacisë.

Kjo ditë e shënuar për Kroacinë, më jep rastin, t’ju siguroj për angazhimin tim dhe të Kuvendit të Kosovës për të vazhduar thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve
tona të shkëlqyera dhe të partneritetit strategjik midis shteteve tona, nëpërmjet bashkëpunimit të frytshëm në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ju lutem zoti Kryetar, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë për Ju dhe për popullin e Kroacisë.

Sot nis patrollimi i përbashkët i policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

0

Kufiri-morineSot nis zbatimi i marrëveshjes për patrullim të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë në territorin e Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Me këtë rast, bëhet edhe nisja e grupit të parë të zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët do të fillojnë patrullimin e përbashkët, transmeton rtk-ja. Gjatë patrullim të përbashkët ata do të mbulojnë kryesisht aksin rrugor nga kufiri deri në Durrës.

Çeku-Imami, nënshkruajnë sot marrëveshjen SOFA në Prizren

0

AgimCeku-ArbenImamiMinistri i FSK-së Agim Çeku dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami, sot nënshkruajnë Marrëveshjen Suplementare SOFA,

Marrëveshja rregullon procedurat e hyrjes-daljes dhe qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës. Ceremonia nënshkrimit do të mbahet sot në Kazermën e FSK-së në Prizren, njofton Ministria e FSK-së.

Po sot, ministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerali Kadri Kastrati, përurojnë urën mbi lumin Drini i Bardhë në Kramovik – aksi rrugor Klinë-Gjakovë, e cila u dëmtua nga shirat.

Montimin e urës së metalit e ka kryer Batalioni i Xhenios i Brigadës për Mbështetje Operacionale të FSK-së. Kjo urë do të mundësojë qarkullim e siguritë të automjeteve, mallrave dhe qytetarëve të asaj ane.

Kosova ka të ardhme evropiane

0

Kukan6-23Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) për Marrëdhëniet me Kosovën, Eduard Kukan, e ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se tani më e rëndësishmja është zbatimi i marrëveshjes nga të dyja palët.

“Fillimisht jam shumë i lumtur për mundësitë që të dyja palët patën të arrijmë këtu ku jemi sot. Nuk mund të jam i lumtur vetëm për marrëveshjen që është arritur në prill ndërmjet dy kryeministrave Thaçi e Daçiq, por do të jem më i lumtur edhe me implementimin e marrëveshjes që do të ndodhë në terren. Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur një dritare për Serbinë, duke bërë që të hapen bisedimet për pranim e saj në Bashkimin Evropian, kurse për Kosovën hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, është një dëshmi se Kosova po shkon drejt integrimit dhe ka të ardhmen evropiane”, ka thënë Kukan në intervistën për “Epokën e re”.

Ai ka bërë me dije se kjo marrëveshje për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është dukur e paimagjinueshme të arrihet, duhet të merret si model i mirë nga të gjitha vendet e tjera të rajonit se si duhet të arrihen rezultate dhe të kalohen ndasitë që kanë palët ndërmjet vete.

“Kjo është një gjë shumë e mirë për neve dhe për të gjithë evropianët në përgjithësi. Ne mund të përdorim si shembull të mirë Kosovën dhe Serbinë, se si kanë arritur një marrëveshje e cila ka qenë e paimagjinueshme. Vetëm të kthehemi mbrapa dy vjet, askush nuk e ka paramenduar se në vitin 2013 do të kemi një rezultat që e kemi sot. Të dyja palët flasin dhe diskutojnë ndërmjet vete. Sot askush s’mund të thotë se nuk është arritur asgjë. Pra, kjo marrëveshje është shembull i mirë, si të gjejnë zgjidhje të pajtueshme të dyja palët”, ka thënë Kukan.

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) për Marrëdhëniet me Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, Eduard Kukan, e ka vlerësuar të rëndësishme edhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën.

“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën është një hap me rëndësi. Kjo është shumë me rëndësi për Kosovën dhe është dëshmi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe kjo është realiste”, është shprehur Kukan.
Në raport me liberalizmin e vizave për Kosovën, Kukan ka thënë se janë duke dhënë kontribut në këtë drejtim. Ai ka thënë se është diskriminim që qytetarët e Kosovës të jenë të izoluar.

“Ne natyrisht po japim kontributin tonë në këtë proces. Ky është një diskriminim që u është bërë qytetarëve të Kosovës. Ju jeni të vetmit që nuk gëzoni liberalizim të vizave. Ne përkrahim që sa më shpejt të përfundoj ky proces, edhe pse Kosova nuk është njohur nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, por Marrëveshje për Stabilizim Asociim është dëshmi se gjërat mund të lëvizin përpara”, ka thënë Kukan.

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) për Marrëdhëniet me Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, Eduard Kukan, ka përcjell mesazh për liderët e Kosovës që të punojnë më shumë dhe t’i kryejnë detyrat që i kanë para vetes për të dëshmuar se janë pro-evropianë.

“Mesazhi im është se ata duhet të punojnë dhe t’i kryejnë detyrat që i kanë para vetes, të dëshmojnë se me punën e tyre janë pro-evropianë në politikat e tyre dhe të punojnë me idenë se vendi i tyre duhet të jetë në Bashkimin Evropian. Po ashtu, edhe populli i Kosovës duhet të përkrahë atë që është me rëndësi për ta, siç ka qenë rasti me bisedimet që janë zhvilluar me Serbinë”, ka thënë Kukan.

Kosova kërkon emisar evropian për të pagjeturit

0

PoletBor-kamioniÇështja e të pagjeturve, ndonëse qe paralajmëruar si një nga temat kryesore para se të niste dialogu Kosovë-Serbi, vazhdimisht është anashkaluar. Tema është diskutuar njëherë në kuadër të dialogu teknik, por pa sukses për shkak të hezitimit të palës serbe. Ajo është diskutuar edhe në takimin e parë të kryeministrave, por sërish pa ndonjë rezultat. Pala kosovare shpreson që hera e tretë të jetë përpjekja kur edhe pala serbe do të bindet se e vërteta për personat e pagjetur duhet të thuhet.

Zv/kryeministrja Edita Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës është në njohuri të dëshmive për bartjen e trupave të të vrarëve nga Kosova dhe për dyshimet se disa nga këta trupa mund të kenë përfunduar në shkritore të ndryshme. Ajo ka thënë se çështja e të pagjeturve do të ringritet menjëherë pasi të përfundojë afati zyrtar i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, shkruan Tribuna.

“Çështja e të pagjeturve ka qenë një temë në dialogun teknik. Por vetëm njëherë është trajtuar në qershor të vitit 2011. Është diskutuar pastaj edhe në takimin e parë të dy kryeministrave. Kryeministri Thaçi e ka shtruar këtë temë dhe ka kërkuar që një emisar special i BE-së ta marrë këtë çështje. Qëllimi ynë është që BE-ja të përfshihet në këtë proces që të ketë rezultate të shpejta”, ka thënë Tahiri.

Buja: Më 1 tetor edhe tri universitete

0

Ram Buja ne punim shkencorMë 1 tetor nisin punën tri universitetet publike, në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë.

“Hapja e këtyre universiteteve po i bënë të ndihen mirë edhe qytetarët e atyre komunave, por edhe të vendeve tjera përreth. Jam i sigurt se në Universitetin e Gjilanit do të kemi studentë edhe nga Lugina e Preshevës”, ka thënë për Epoka e Re ministri i Arsimit, Ramë Buja.

“Hapja e këtyre universiteteve publike e ka edhe një të mirë: fut konkurrencë. Me një fjalë, do t’i fusim në garë se cili po arrin suksese më të mira”.

Institutet paraklinike funksionojnë në kushte shumë të rënda

0

Insituti PatologjikInstitutet paraklinike në QKUK, janë në një gjendje të rëndë infrastrukturore. Mungesa e mjeteve të punës dhe materialeve për kryerjen e analizave të ndryshme në Institutin Patologjik po bënë që shpesh herë diagnozat e pacientëve të gabohen.

Institutet paraklinike të QKUK-së nga dukja e jashtme të lënë përshtypjen se çdo gjë shkon si duhet, por nga brenda është krejtësisht një pamje tjetër.

E salla e Institutit patologjik, ku kryhen analizat histopatologjike sic janë biopsitë, të cilat janë mëse të nevojshme për diagnostikimin e pacientëve kosovar, është në kushte jashtëzakonisht të rënda. Mostrat e mara për analiza ruhen në kavanoze qelqi, në enë me mbishkrimet ”Djath”, ” Tranguj”, ”Domate” etj. Nuk ka frigoriferë për ruajtjen e materialeve, kundërmon erë e rëndë.

Drejtoresha e instituteve, Suzana Manxhaka- Kërliu, vlerëson se gjendja në të cilën punohet në këto institute, në veçanti në atë patologjik, lë për të dëshiruar. Ajo thotë se përballen me mungesë të mjeteve elementare të punës sic janë thikat, dorëzat, reagencat etj.

“Nuk kemi thika, thikat tona janë si të pazarit, nuk kemi letër, dorëza, e mos të flasim për mjete të tjera të sofistikuara”, thotë Manxhuka, transmeton RTK.

Në Institutin Patologjik çdo ditë kryhen rreth 150 analiza histopatologjike, por kushtet jo të mira të punës dhe mungesa e materialit punues kanë bërë që diagnozat e dala nga këto analiza të mos jenë të besueshme nga pacientët kosovarë, të cilët çdo ditë kërkojnë mendime shtesë në vendet e tjera të rajonit. Këtë e pranon edhe vetë drejtoresha Manxhuka.

”Ka raste kur pacientët vinë e thonë që rezultatet tona janë të gabueshme. Po si të mos jenë kur në skemi kushte për punë”, thekson ajo.

E për gjendjen e rëndë në institucionin që ajo drejton, Manxhuka fajëson udhëheqësit e QKUK-së dhe ata të Fakultetit të Mjekësisë. Ajo thotë se ka kërkuar investime disa herë nga këto dy institucione, por siç duket kërkesat kanë mbetur në sirtarë.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, mungesën e investimeve në institute e arsyeton me buxhetin e vogël që ka QKUK-ja. Fazliu pranon faktin se Institutet funksionojnë në kushte shumë të rënda, por premton se do të ndërmarrin hapa të shpejt në përmirësimin e gjendjes.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Naim Haliti, tha nëpërmjet telefonit se që nga fillimi i vitit kanë kërkuar nga Rektorati i UP-së për të përmirësuar kushtet në institutet arsimore, por ende në realitet nuk ka ndodhur gjë.

Zyrtarë nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, ditë më parë kanë deklaruar se kanë dhënë afat kohor për të ndryshuar gjendjen në institute. Në të kundërtën, ata paralajmërojnë mbylljen e tyre.

Rompuy sot në Prishtinë, Bildt nesër

0

Rompuy-Jahjaga7-01Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy sot mbërrin për vizitë në Prishtinë, I cili do të takohet me presindenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, dhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vizita e presidentit të Këshillit të Evropës vjen menjëhërë pas mbledhjes së fundit të tij, të mbajtur më 28 qershor, ku në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian formalisht është miratuar autorizimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit me Kosovën, si dhe vendimi për hapjen e bisedimeve me Serbinë për pranim në Bashkimin Evropian.

Siç transmeton Koha, Rompuy sot do të vizitojë edhe Beogradin.

Ai pritet që në Beograd e në Prishtinë të sjellë mesazhin për detyrat e shtëpisë që presin këto dy vende para se të aderojnë në familjen e Bashkimit Europian.

Këshilli i BE-së është institucioni i tretë me radhë nga shtatë institucionet e BE-së, sipas listimit të bërë me Traktatin e BE-së.

Këshilli i Evropës me seli në Strasburg është një organizatë ndërkombëtare që promovon të drejtat e njeriut, zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin kulturor, dhe është i ndarë plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt do të vijë të martën për vizitë në Kosovë. Një ditë para se të vijë në Prishtinë, ai do të qëndrojë në Beograd. Vizita e tij në Serbi dhe Kosovë, ka për qëllim mbështetjen e shtetit suedez për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.