14.9 C
Prizren
E premte, 8 Maj, 2026
Home Blog Page 8698

Institucionet pa “Republikë”

0

flamuri i kosoves, stema e shtetitOrganet që konsiderohen më peshë të madhe për shtetin, në emërtimet e tyre nuk e mbajnë fjalën “Republikë”
Shumica e institucioneve qendrore të Kosovës, në emërtimet e tyre e bartin fjalën “republikë”, ndërkohë që këtë nuk e hasim në dy komponentët kryesore të rendit dhe sigurisë, e të cilat kanë peshë të madhe për secilin shtet normal – shkruan gazeta Tribuna.

Më herët, kur është formuar Policia e Kosovës, mungesën e fjalës “republikë” përfaqësuesit institucionalë e kishin justifikuar me prezencën ndërkombëtare, por tani që u mor vendimi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), mospërmendja e kësaj fjale, nuk është arsyetuar nga askush pse ka ndodhur. Përveç deklaratave jozyrtare se “Republika” është përjashtuar për shkak se akronimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës do të ishte FARK, një akronim i cili njihet si ide e kamotshme që e kishte shpallur ish presidenti Ibrahim Rugova, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. Ndonjë deklarim zyrtar nuk është bërë deri më tani.

Këshilltarët e Bujës i kanë pushtuar bordet e universiteteve publike

0

RameBuja-ministri arsimitPërveç në bordet e universiteteve publike, dy nga këshilltarët politikë të ministrit Buja janë anëtarë bordi edhe në institucione të tjera
Në MASHT kanë zgjedhur të heshtin për këtë, ndërsa për ekspertët e arsimit ky është okupim, politizim, e kontroll partiak i institucioneve të pavarura – shkruan Koha Ditore.

Këshilltarët e ministrit Ramë Buja, përveç në Ministri, janë angazhuar edhe nëpër detyra të tjera me funksion publik, kryesisht nëpër bordet e universiteteve publike të qyteteve jashtë Prishtinës, por edhe në institucione të tjera arsimore.

Burime të gazetës brenda MASHT-it bëjnë të ditur se Drita Kadriu është anëtare e Bordit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës, Selvie Halimi në atë të Prizrenit, Arbër Morina në atë të Gjilanit, kurse Naser Mrasori është emëruar rektor në Universitetin publik të Pejës. Ai ka qenë këshilltar politik i ministrit Buja deri në kohën e emërimit rektor i UP të Pejës.

E pos në bordet drejtuese në universitetet publike, dy nga këshilltarët, përkatësisht Ragip Gjoshi dhe Elmi Ramadani, janë anëtarë edhe në Bordin e Qendrës së Studentëve. Për më tepër Gjoshi deri tani ka qenë anëtar edhe në Bordin e Këshillit Kombëtar të Kualifikimeve.

Jahjaga, presidente deri më 2016

0

Atifete jahjagaEdhe pse u zhvillua debat mes aktorëve politikë në vend për postin e presidentit që mbahet nga Atifete Jahjaga, duket se kjo e fundit do të qëndrojë në post deri në fund të mandatit në vitin 2016.

Përfaqësuesit e partive politike – PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – thonë për RTK-në se nuk do t’i nxjerrin telashe presidentes Atifete Jahjaga që ta çojë mandatin deri në fund.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Behar Selimi, thotë se mandati i presidentit të Kosovës është i rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ky mandat, sipas tij, përfundon në vitin 2016.

Ndërsa, partia e cila muaj më parë ishte më e zëshmja për ndërprerjen e mandatit të presidentes Jahjaga, Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se nuk kanë arsye për ta kërkuar ndërprerjen e këtij mandati.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se mandati i presidentit nuk mund të ndërpritet para vitit 2016, përveç nëse ndodhin shkelje të kushtetutës së Kosovës. Ndërsa, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se çdo gjë është e mundshme për partitë politike se “me çdo kusht kanë synim pushtetin e jo përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Njohësi i rrethanave politike ne vend, Adnan Merovci, thotë se pavarësisht deklarimeve, posti i presidentit në Kosovë është i negociumeshëm mes partive të mëdha në vend e të cilat synojnë të bëjnë koalicione pas zgjedhore.

Ditë më parë, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jackobson, ka porositur liderët e partive politike ne Kosovë që mos të llogarisin pozitën e Atifete Jahjagës kur të diskutojnë për koalicione. Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale.

Tahiri, Vuçiçit: Lexoje mirë marrëveshjen e Brukselit

0

Edita TahiriZëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk do të ketë zgjedhje të Serbisë në Kosovë, të organizuara nga Serbia. Ajo e porosit zëvendëskryeministrin e parë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vucic, ta lexojë mirë marrëveshjen e 19 prillit të nënshkruar në Bruksel. “Një shtet nuk mund të organizojë zgjedhje në shtetin tjetër, aq më tepër që marrëveshja e Brukselit i ka dhanë fund çfarëdo ndërhyrjeje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës”, thotë Tahiri për KosovaPress.

Ajo ka porositur Vucicin ta lexojë mirë marrëveshjen e Brukselit “që vetë e ka nënshkruar”.

Me praktikat ndërkombëtare ata që kanë dyshtetësinë kanë mundësi të japin kontribut në këto çështje.

“Mund të realizohet përmes një metodologjie të grumbullimit të votave dhe që grumbullimi të bëhet me ndihmën e OSBE-së. Dallimi është që Serbia nuk organizon zgjedhje, por procesi i votimit nëpërmjet grumbullimit të votave është metodë që bëhet për shkak të aty-këtu qytetarëve serb që mund të kenë dyshtetësinë”, shprehet Tahiri.

Çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, e pati komentuar edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, duke thënë se për këtë janë duke u përgatitur modalitetet dhe format, të cilat do të lejonin një gjë të tillë. Dhe, nëse diçka e tillë ndodh, sipas saj kjo do të jetë një shenjë e mirë për demokracinë e Kosovës.

Për analistin Ardian Arifaj, nuk mund t’ju mohohet atyre që kanë nënshtetësi serbe të drejtën për me votu, por se duhet të shikohen mekanizmat se si do t’i mundësohet kjo.

“Çdo mënyrë tjetër ka me qenë në kundërshtim edhe me frymën e normalizimit të marrëdhënieve”, thotë Arifaj, duke shtuar se kjo do të jetë “edhe në kundërshtim me frymën e dialogut, edhe në kundërshtim me marrëveshjet që janë arritur në Bruksel, edhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës, edhe në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2012 në Serbi, OSBE-ja ka ndihmuar që të lehtësojë votimin e qytetarëve më të drejtë vote, bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi ku ishin të përfshirë zyrtarë nga Prishtina dhe Beogradi.

Sipas zyrtarëve Komisionit Zgjedhorë në Serbi, me përkrahje të OSBE-së më 16 mars në Kosovë do të hapen 90 vendvotime. Roli i OSBE-së, sipas tyre, do të jetë transportimi i materialit zgjedhor nga Rashka e Vranja deri te vendvotimet, si dhe sigurimi i votuesve në vendet zgjedhore dhe transportimi i materialit zgjedhor pas votimeve.

“AKEA” në Prizren ndihmon familjet skamnore

0

AKEA 2Aktivistët e OJQ-së AKEA në Prizren,kanë shpërndarë tridhjetë thasë miell për familjet në nevojë,  të  cilët banojnë  në  Qendrën Kolektive “Farmakos” në Prizren.

Ky aktivitet u realizua falë një donacioni prej njëqind thasësh miell, ndihmë  e një afaristi prizrenas.

Pjesa tjetër e miellit do të dedikohet për familjet  e tjera me gjendje të rëndë ekonomike në pjesë të ndryshme të komunës së Prizrenit./PrizrnPress.com/

AKEA ndihma

Edi Rama: Libri i Xhungës, si dritare e hapur nga Elsie te Rushdie

0

Edia Rama PS“31 intervista thjeshtësisht mbresëlënëse. Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip”,- shkruan mes të tjerash në parathënien e librit “Shkrimtarët e shekullit” të autores Rudina Xhunga, kryeministri Edi Rama, një pjesë e së cilës botohet sot në suplementin e Mapos.

Është ky perceptimi i një lexuesi, që jo aq rastësisht është dhe Kryeministri i vendit, që fton në lexim një tjetër lexues, më i madh në numër, aq sa dhe numri i kopjeve që botuesja Arlinda Dudaj do të nxjerrë javën e ardhshme në treg.Libri ka ngjallur interes për shumë e shumë arsye. Dy emra që i paraprijnë leximit; Edi Rama dhe Rudina Xhunga garantojnë suksesin e një libri, vlera më e madhe e të cilit janë padyshim 31 intervista me shkrimtarët më të njohur të shekullit, disa prej tyre nobelistë, e shumë që e kanë pretenduar çmimin më të rëndësishëm të letrave në botë.

Botuesja Dudaj, paraprakisht na zbulon edhe disa sekrete të vogla në bisedën me të. Edi Rama jo vetëm ka shkruar parathënien, por ai është kujdesur edhe për realizimin e kopertinës së librit, në këtë rast ka ngritur krye shpirti i artistit.

Për të zbuluar kopertinën dhe shijen e leximit të një libri të mirë, duhet të presim derisa “Shkrimtarët e shekullit” të Rudina Xhungës të jetë në vitrinat e librarive të Tiranës.

Rama si lexuesi i 31 shkrimtarëve të shekullit

Libri i Rudina Xhungës “Shkrimtarët e shekullit”, botimi i të cilit po “vononte” për shkak të Edi Ramës, do të dalë në fund të javës së ardhshme në treg. Libri ka ngjallur interes ende pa shkuar në duart e lexuesve, jo vetëm sepse në të janë përmbledhur intervistat e 31 shkrimtarëve më të spikatur të shekullit, por edhe sepse leximit të tyre i paraprin parathënia e shkruar nga kryeministri Edi Rama.

“Shfaqje e rrallë, për të mos u humbur”, – shkruan mes të tjerash në parathënien e librit kryeministri Rama.

“31 intervista thjeshtësisht mbresëlënëse. Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra, që vijnë nga larg përmes një si harte shenjash e kodesh nga ato të thesarkërkimeve ku papritur, sheh vende që i njeh pa i pasur shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur, edhe pse i sheh për herën më të parë; apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe, si përtej dritares së hapur drejt botës shqipfolëse nga Robert Elsie, në një intervistë që sjell veçanërisht kënaqësinë e një takimi ku tingulli e tronditja shfaqen bashkë si gur i rënë vrik mbi pasqyrën e ujit për t’u bërë rrathë që përhapen rrotull teje, dhe vështrimi tretet pa ngut duke kapërcyer një e nga një kufijtë që shtyjnë njëri-tjetrin; në rrjedhën e kohës që prej dritares së Salman Rushdie vjen si hapësirë vetjake ku zënë vend me radhë, të gjitha kuptimet e mbledhura bashkë prej kohësh dhe vendesh të ndryshme, dhe kujtesa njehsohet me eksperiencën e fëmijërisë, ndërsa shqetësimi vjen nga kufiri i fundit, ai që refuzon së brendshmi të pushojë së qeni para raportit të paracaktuar në lidhje me dikë, disa a të gjithë….”, – ky fragment i shkëputur nga parathënia e librit është perceptimi i kryeministri Rama si lexues, si një lexues që shijet e tij të leximit ua përcjell edhe të tjerëve, duke i ftuar që si dhe ai ta marrin dhe ta lexojnë këtë libër. Jo vetëm kaq. Kryeministri Edi Rama është dhe njeriu që është kujdesur dhe për ideimin e kopertinës së librit, e për të zbuluar këtë duhet të presim derisa libri të jetë në libraritë e Tiranës.

“Jo kryeministri Edi Rama, por Edi Rama”… Rudina Xhunga gjithmonë kërkon ta ndajë postin nga emri jo vetëm për vitet e njohjes me atë që sot është Kryeministri i vendit, por edhe për faktin se Edi Rama është njeriu që ka nxitur intervistat e gazetares së emisionit “Shqip” në Top Channel me personalitete bashkëkohore, përfshi dhe 31 shkrimtarët, intervistat e të cilëve Rudina Xhunga i ka mbledhur në një libër. Ndaj është e kuptueshme ky interesim i lexuesit për librin, që përveç shijes së mirë të leximit të intervistave me shkrimtarë të njohur si Amos Oz, Orhan Pamuk, Doris Lessing, Atiq Rahimi etj., etj, i paraprijnë dhe dy emra të pushtetshëm në fushën e tyre profesionale; Rudina Xhunga si gazetare dhe Edi Rama si Kryeministër. Kjo pritje së shpejti do të marrë fund. Këtë e pohon dhe botuesja e Shtëpisë botuese “Dudaj”, Arlinda Dudaj: “Libri del në treg të premten e javës që vjen. Siç dhe është bërë e njohur tashmë, libri përmbledh 31 intervista të shkrimtarëve më të njohur të shekullit dhe është kurorëzimi i një pune shumëvjeçare të gazetares Rudina Xhunga në emisionin “Shqip”, një punë që vazhdon”.

Sipas Dudajt, ky libër i drejtohet tërësisht lexuesit shqiptar sepse i ofron lexuesit intervistat e 31 shkrimtarëve, të cilët ata i njohin përmes librave, por përmes rrëfimit të tyre për gazetaren Rudina Xhunga ata do të mund të njohin edhe anën e tyre njerëzore. “Në intervistat e tyre, ata tregojnë për veten dhe sesi e njohin Shqipërinë, sepse autorja e librit është kujdesur që në çdo intervistë t’i pyesë jo për Shqipërinë, por i shikon ata edhe në jetën e tyre familjare, në ëndrrat, ankthet, dëshirat dhe shqetësimet e jetës së tyre të përditshme. Ata shkrimtarët e shekullit, shkrimtarë që kanë marrë “Nobeli”-n apo që kanë qenë pretendentë për çmimin më të rëndësishëm të letërsisë u flasin ekskluzivisht shqiptarëve. Ndaj për këtë arsye është një libër shumë personal për çdo lexues që do ta marrë në dorë”, – thotë Dudaj, e cila na rrëfen edhe disa “sekrete” të vogla të bashkëpunimit me Ramën për botimin e këtij librit. Edhe Dudajt i vjen po natyrshëm që kryeministrit t’i drejtohet me emër. “Edi Rama është një njeri që e do librin dhe vazhdon të jetë pranë librit, edhe pse tani është një njeri me angazhime politike. Atij iu kërkua që kur libri ishte dorëshkrim, (akoma pa u bërë kryeministër), që ta lexonte dhe nëse do t’i pëlqente, të bënte dhe parathënien. Sigurisht që kjo kërkesë erdhi dhe si pasojë e njohjes që autorja vetë ka prej vitesh me Edi Ramën. Dhe ndodhi që ai që është sot Kryeministri i vendit, pranoi ta shkruante parathënien si një njeri që e do librin, dhe jo si politikan. Ndaj parathënia flet pikërisht për perceptimin e tij si lexues. Ai është një lexues që fton në lexim një tjetër lexues”, -thotë Dudaj, e cila shton se dhe për ideimin e kopertinës nuk ka munguar bashkëpunimi i kryeministrit Rama, që me sa duket nuk i ka shpëtuar dot ngacmimit të artistit./MAPO

Nisma për Kosovën nuk dëshiron të bëhet reprizë e PDK-së

0

Limaj,nismaKryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se fillimisht kanë qenë dhjetë deputetë të Parlamentit të Kosovës që kanë dashur t’i bashkohen nismës së tij.

Por, Limaj e ka arsyetuar mosardhjen e tyre me faktin se Nisma për Kosovën nuk ka dashur të bëhet reprizë e PDK’së.

“Nëse do t’i marrshim dhjetë deputetë s’do të ishte Nismë e re. Më mire që kemi vazhduar kështu sepse duam që kjo Nismë e re të jetë e re”, ka thënë Limaj në Rrokum Tv.

“Nuk kemi dashur të bëjmë një lloj reprize të një grupi politik”, ka shtuar ai.

Limaj ka thënë se në Nismën për Kosovën do të ketë fytyra të reja të cilat nuk kanë pasur hapësirë nëpër parti tjera.

“Nisma për Kosovën do të jetë subjekt i hapur dhe i ri për t’iu dhënë njerëzve hapësirë pavarësisht në cilin grup do të jenë”, ka thënë ai.

Virginia Woolf, Pasioni i mendjes

0

Virginia Woolf“Ai donte diçka, donte atë që ajo gjithnjë kishte pasur vështirë t’ia jepte. Donte t’i thoshte se ajo e dashuronte.” Letërsia që shkroi Virginia Woolf nuk ndryshon shumë nga jeta që ajo jetoi. Mendimi filozofik e i ndjeshëm që përshkonte trupin e kësaj anglezeje, që iluminoi Britaninë e shekullit XX, e bënte atë të ishte ndryshe. Ashtu e veshur me fustanet e saj të thjeshta, të mbërthyera deri nën qafën e hollë, ecte çdo mbrëmje rrugëve të Londrës. Ashtu si zonja Dolloway, një prej personazheve më të njohura të letërsisë së saj, Virginia Wolf besonte te dashuria.

Dhe kur kjo forcë që e lidhte më shumë me të shkruarin kishte ikur prej saj, ajo u ngjasonte gërmadhave të një qyteti, që nuk do të ringrihet. Ditarët që ajo ka lënë pas, tregojnë se gruaja gati e trishtuar në kujtesën e bashkëkohësve të saj, kishte bërë një jetë si në librat që shkroi. Asgjë nuk e kishte penguar të ndiqte rrugën drejt shtigjeve të fshehura të zemrës. Klarisa Dalloway, gruaja që u end gjatë rrugëve të Londrës, duke u endur kujtimeve të rinisë së hershme dhe dyzimit në duhet të takonte të dashurin e saj të parë tani që ishte në qytet, është vetë Woolf. Vetëm mendimi se ai ishte në qytet, e kishte bërë të mos ndihej e qetë; takimi me të do të ishte një ringjallje e asaj që kishte kaluar. Iu desh kaq kohë ta harronte, dhe ja ai është sërish aty. Duket sikur ca fije të padukshme lidhin nga larg shpirtrat që ndajnë të njëjtën ëndërr.Ai ishte aty si për t’i kujtuar se ishte koha për të shkruar.

“Nëse duhet të jem e lumtur, është e nevojshme që çdo ditë të merrem me nga pak letërsi”, i thoshte ajo dikur. Woolf lindi në Londër, më 25 janar 1882, nga prindër me përvoja të tjera martesore. Julia Prinsep, e ëma, një grua mjaft e bukur dhe e kultivuar, vejushë kishte pasur tre fëmijë George, Gerald e Stella, në martesën e dytë lindi vajzat Virginia dhe Vanessa (me të cilën raporti i Virginia-s ishte mjaft i ngushtë) dhe djemtë Thoby e Adrian. Kurse Leslie Stephen, i ati, historiograf dhe kritik, i ve edhe ai, gjatë martesës së parë kishte pasur një vajzë me të meta mendore, Laura.

Virginia u edukua në shtëpi nga prindërit, sipas traditave viktoriane. Dhembjet e para të jetës së saj, qenë vdekja e së ëmës kur ishte vetëm 13 vjeçe dhe menjëherë më pas e së motrës, Stella, që i shkaktuan kriza të mëdha pasigurie. Gjatë periudhës së zisë, i ati nuk arriti të ishte aspak një mbështetje e mirë, as për Virginia-n e as për fëmijët apo thjeshtrit e vet, dhe ajo, e vetme, e pambrojtur, nisi të vuante nga indiferenca e botës mashkullore. Edhe pas vdekjes së të atit, depresioni i saj u thellua, duke u ndier në faj se pse nuk ia kishte shprehur plotësisht dhembshurinë e saj. Virginia arriti që gjithsesi të jetonte një jetë normale, të ishte aktive dhe e impenjuar me të shkruarin apo udhëtimet. Në vitin 1904 tentoi për të parën herë të vriste veten; ngushëllimi më i madh ishte miqësia me Violet Dickinson-in, që e mirëpriti në shtëpinë e saj, e kuroi dhe pastaj e prezantoi në “Guardian”, të përjavshmen londineze.

Në vjeshtën e këtij viti, së bashku me të motrën Vanessa dhe vëllezërit Thoby dhe Adrian, Virginia u shpërngul në Gordon Square, në lagjen angleze të Bloomsbury-t, ku mori jetë grupi “Bloomsbury”, një rreth intelektual shkrimtarësh dhe artistësh, që për një tridhjetëvjeçar i dha zë skenës kulturore angleze, duke u mbledhur çdo javë në shtëpinë e botuesit Leonard Woolf për të diskutuar për artin, letërsinë dhe politikën. E lirë më në fund nga prania e të vëllezërve, si ajo ashtu edhe Vanessa, u stimuluan nga ambienti i ri ku ishte futur, me një entuziazëm të rigjetur. Ajo nisi të botonte në suplementin letrar të “Times” të parat kritika letrare. Më 10 gusht të vitit 1912 u martua me Leonard Woolf-in, por shumë shpejt filloi të jepte shenjat e para të një çekuilibrimi mendor dhe tentoi për të dytën herë vetëvrasjen me helm. E mori veten edhe në sajë të të shoqit, që për ta bërë të rifitonte besimin dhe ekuilibrin, i propozoi të themelonin një shtëpi botuese. Kështu lindi “Hogarth Press”, që botoi vepra shkrimtarësh të talentuar, mes të cilëve edhe Mansfield dhe Eliot.

Në vitin 1922, kushtet e saj të brishta mendore pësuan një goditje tjetër, kësaj radhe nga kritikët, mes të cilëve edhe vetë Mansfield-i, të cilët bënë copash romanin e saj “Night and Day” (Natë dhe ditë). Asaj kohe i takon edhe miqësia e saj me Vita Sackville-West-in, shkrimtare dhe poeteshë, nënë e dy fëmijëve me tendenca lesbike të pafshehura (por edhe Woolf-i në rininë e saj kishte qenë e tërhequr nga gratë), me të cilën Virginia nisi një marrëdhënie që nuk e dëmtoi marrëdhënien me Leonardin e që u bë burim frymëzimi. Ishte ajo që e krijoi personazhin Orlandon në romanin me të njëjtin emër.

Me kalimin e viteve, edhe pse e vijoi aktivitetin letrar, krizat depresive u bënë gjithnjë e më të shpeshta, duke u përkeqësuar për shkak të fobive që lindnin nga Lufta e Dytë Botërore (Virginia ishte edhe pacifiste e bindur), derisa më 28 mars të vitit 1941, pasi i shkroi një letër lamtumire të shoqit, mbushi xhepat e xhaketës me gurë dhe humbi në lumë. “E ndiej se po çmendem përsëri. Kësaj radhe nuk do të shërohem. Po filloj të dëgjoj zëra. Nuk arrij të përqendrohem. Prandaj po bëj atë që duket gjëja më e mirë për t’u bërë. Ti më ke dhënë më të madhen lumturi që mund të jepet. Nuk besoj se dy persona do të mund të kishin qenë më të lumtur përpara se të arrinte kjo sëmundje e tmerrshme.

Nuk mund të luftoj më… Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam prej teje. Ke qenë plotësisht i urtë me mua dhe pabesueshmërisht i mirë. Nëse ndokush do të kishte mundësi të më shpëtonte, do të ishe ti…”. Ishte 63 vjeçe. Ndarja e saj nga jeta nuk ishte e lehtë për burrin që i kishte kushtuar gjithë jetën kësaj gruaje të pazakontë, që e kishte dashur që ditën e parë kur e pa të hynte në takimet letrare në apartamentin e tij, me një fletore të vogël në dorë. Vite më vonë, mes koleksionit të letrave të tij, u gjet kjo letër…

“E di që Virginia nuk do të vijë nga studioja e saj përmes kopshtit, e megjithatë shoh në atë drejtim duke e kërkuar. E di që është e mbytur e megjithatë pres ta dëgjoj të hyjë. E di që libri ka mbaruar, megjithatë e kthej faqen.” Virginia Woolf vazhdon të mbetet edhe sot si një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë.

Libri i saj “Një dhomë më vete”, hyn në ato traktate që sollën ndryshime në emancipimin e gruas, dhe rolin e saj në shoqëri. “Që një grua të shkruajë letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë më vete”, shkruan Woolf.

Unë jam djal’ i kurvës!

0

Bledi ManeShkruan: Bledi Mane- Public Enemy

1.Kriza greke na goditi rëndë edhe ne si familje. Babai mori vendimin final për t’u kthyer në vendlindje, ndërkohë që më dukej sikur vetëm unë ndjehesha më i persekutuar nga të gjithë. 16 vite jetese në Athinë më kishin rritur e burrëruar dyfish, ca prej të qenurit i huaj, ca prej sikleteve në familje, e ca prej rropatjeve mes shkollës dhe punës. Dy vjeç isha larguar nga vendlindja dhe kthimi në të nuk ishte emocional aspak. Më dukej si një sfidë, që ose do e mposhtja, ose do më zhyste në një depresion pa kthim. Po lija pas frustrimin alla grek në familje, shoqërinë, stilin e jetës, shkollën, paratë që fitoja nga puna e pjesshme, argëtimet e çmendura, të dashurat…

Qyteza ku kisha lindur, nuk ekzistonte aspak në hojet e memories time. Nuk kisha fare lidhje me të, por për të ngushëlluar veten, po e quaja aventurën e radhës. E para gjë që prindërit e mi bënë për mua, ishte konvertimi i studimeve dhe regjistrimi im në gjimnazin e vetëm të qytetit. Më pas, pa humbur kohë, me kursimet e kurbetit dhe me guximin e tepruar tipik të babait, morëm me qira një ambient, u blenë pajisjet dhe çelëm një furrë buke paksa më ndryshe nga furrat e tjera që operonin gjysëm ilegalisht në qytet. Prindërit e mi dhe unë modestisht kishin punuar shumë kohë në Athinë si furrtarë e për ta profesioni ishte i lehtë, vështirësia hasej vetëm te sesi do avanconte suksesi i biznesit.

Vendlindja ime këtu në Shqipëri, megjithëse ka një emër të mirë dhe njerëz nikoqirë, mbetet aq e varfër, sa herë-herë dukej sikur njerzit do të ndalonin edhe të ngrënin. Fatmirësisht goditëm në shenjë dhe furra jonë e vogël u bë me emër.

Një nga mësueset e mia në gjimnaz, një ditë gjatë orës së anglishtes ma “plasi” mes klasës, natyrisht në gjuhë të huaj:

-Mirë që erdhët ju se na ishte mykur stomaku me bukët e lodhura. Jeni jo vetëm punëtorë e të pastër, por jeni edhe të bukur, sidomos ti dhe jot ëmë ndriçoni pas banakut kur shisni…

Unë vazhdoja të ndiqja të njëjtin ritëm jete edhe këtu në këtë humbëtirë. Shkollë, palestër, basketboll, ndihmë prindërve te furra e bukës. Pjesa më e bukur ishte kur shiste nëna dhe unë, ngaqë meshkuj të lodhur dhe vajza të reja e dinin orarin tonë e dyndeshin të blinin prodhimet tona dhe flirtonin me ne. Qeshja me veten sepse sa primitive dukeshin gjuajtjet e tyre ndaj nesh, aq edhe dëshpëruese liria e tyre e cunguar.

Megjithëse po bënim më shumë se një vit që ishim kthyer, unë shumicën e eksperiencave seksuale i kisha me studentet që vinin nga Tirana. Ato më dukeshin më të ftilluara e më të çlirëta. Dinin si puthej, dinin si të të morniconin edhe trupin kur bëje seks. Ndryshe nga këto laraskat e këtushme e qanin edhe seksin oral. Megjithëse kot mburresha dhe unë.

Si djalë edhe unë lirinë time treçerekëshe e kisha. Babai, që s’e bëj dot shok, ma nxinte ditën. Duke jetuar në një qytet të vogël, të vogël ma kishte lënë dhe lakun e argëtimeve në fytin tim. Zyrtarisht në familje, megjithëse ishim vetëm tre vetë, nuk i kishim dhënë njëri-tjetrit lirinë dhe konfidencën e duhur. Babai, tipik si prej këtyre anëve, kontrollonte jo vetëm financat e familjes, por edhe shkollimin tim, oraret e mamasë gjatë punës, njohjet e mia. Për të qenë i sinqertë, babai kishte filluar të na nxinte jetën më keq se bukët e djegura kur i harronim gjatë natës në furrë, por unë si mashkulli i dytë në vatrën tonë, kisha fiksim të aktroja si toger.

Një nga arsyet pse e doja kthimin e sforcuar në Shqipëri ishin edhe prindërit.

Qyshkur im atë më pëshpëriti një herë në vesh për time më, gjithçka ndryshoi në mua:

-Ti tani je burrë, kishte afruar buzët e ujdisura me mjekrën e zezë pranë veshit tim. Ti tani je 13 vjeç dhe kupton nga dynjaja, vazhdonte monologun babai një natë të Vitit të Ri kur si familje kishim shkuar të argëtoheshim me miq grekë e shqiptarë. Unë, i hutuar nga atmosfera festive, nuk po ua kapja fillin fjalëve të babait, e ngaqë fryma e tij e nxehtë, mpleksur me uzon e festës, më gudulisnin deri poshtë daulles së veshit, e mora si një nga broçkullitjet e dehjes. Por babai kokëfortë si gjithmonë ngulmonte edhe më:

-E shikon mamanë tënde?

-E shikon si e shikojnë këta pushtat rreth e qark?

-E shikon si e përpijnë me sy sikur ta kenë gruan e tyre?

-E shikon kur kërcen kjo jona? Të gjithë shtangen si statujat e Akropolit!

-E shikon…? Jo vetëm unë, por edhe ti duhet ta ruash tët ëmë se jemi refugjatë dhe greku ta përlan. Ta përlan si gruan e Sotirit, ta përlan e të le ty rrugëve dhe mua si kukudh. E shikon???

Mbaj mend që mbylla sytë, mbulova fytyrën me duart e djersitura dhe nuk doja të shikoja nga turpi që ndjeja as njerëzit vërdallë, as babain që më krisi frymëmarrjen dhe as mamanë që qeshte me gratë e tjera dhe shkëlqente mes tyre. Pas fjalëve, babai iu kthye pijes me dolli, ndërsa unë rrëshkita për në tualet. U kyça brenda banjës dhe kundroja veten në pasqyrë. Doja t’i flisja vetes, por fjalët e babait më bënin sa me turp aq edhe agresiv. Viti i ri që gdhiu pas pak minutash më gjeti më të rritur e më të përgjegjshëm. Tani e tutje, veç obligimeve modeste të fillim adoleshencës, më duhej të ruaja si gardian edhe nënën. Ajo ishte vërtetë e bukur, me forma llahtar të frikshme dhe bukuria e saj më kallte datën. Kisha frikë se mos ma rrëmbenin grekët, shqiptarët, armenët, bullgarët, arabët, rumunët. Bukuria e nënës dhe xhelozia e babait më kishin tjetërsuar. Po e shikoja nënën me sy tjetër dhe ende nuk e kuptoja se xhelozia ime ishte e tepruar!

Asnjëherë nuk i rashë në sy mamasë. Prej distance e kontrolloja me sy kur dilnim jashtë shtëpisë në Athinë ose kur shkoja i rrija te furra e bukës. Madje, edhe punën e nisa si çirak krejt i vogël me qëllim mësimin e zanatit dhe mbikëqyrjen e saj. Çdo blerës mashkull më dukej sikur vinte enkas për të, por t’u them të drejtën, ashtu fshehurazi ndjehesha edhe mirë. Babai, si shqiptar i djallëzuar, kishte kombinuar çdo orar të saj për të mos e lenë vetëm asnjë herë. Kur mbaronte punë ai, e zëvendësoja unë, dhe kur unë mungoja, ai nisej vërtik pranë saj. Isha i sigurt që mamaja e kishte nuhatur lojën e ne meshkujve dhe kurrë asnjë herë nuk e dha veten. Punë, shtëpi, vizita dhe shopping familjar, gjithçka që bëhej në shtëpinë tonë, ajo nuk braktisej. Madje, madje edhe kur fillova të ngacmohesha me greket e shkollës, edhe kur puthja fshehurazi në ndonjë klasë mbetur bosh, nuk kisha nerva që puthjen ta zgjasja pa fund. Më fanepsej ajo, ime më, dhe dukej sikur edhe ajo puthej fshehurazi si unë, por jo me babain.

Indiferenca dhe urtësia e nënës karshi planit tonë, e tërbonte babain. Nëna thjesht buzëqeshte ëmbël edhe kur babai i bërtiste, i afrohej e i mbështeste kokën me flokët e bukur mbi supet e tij. Ai e shtynte duke e lenë të vetme të ngrirë më këmbë ku i shquheshin në siluetën e profilit vithet dhe gjokset e saj plot forma të plota.

Unë ndjehesha mirë dhe keq njëkohësisht e doja ta përqafoja mamanë time, por nga dritarja që kishte hapur në kokën time babai, më dukej sikur shikoja ata, ushtarët dashnorë të pafund që gjuanin dhe ngacmonin seksualisht nënën time.

-Edhe atyre kështu u buzëqesh mamaja ime, fantazoja i lebetitur dhe porsi babai, unë doja t’i bërtisja nënës.

Kriza greke shtoi edhe krizën e besimit në familjen tonë dhe ardhja në Shqipëri m’u duk një taktikë sa e zgjuar, aq edhe e sforcuar e babait.

Ai mendonte se duke u kthyer në një qytet të vogël, do të kontrollonte më shumë nënën.

Ndërkohë unë sa më shumë rritesha, aq më shumë kuptoja se me mamanë ne po luanim keq. Ndryshe nga ç’e prisja, ashtu si babai, vendlindja jonë na stabilizoi pakëz financat, por po na shkatërronte si njerëz.2./

-Oooooooou, bërtiti Genci, shoku im i klasës e u plas në tokë si brumi i bukës që dryj me duar në furrën tonë. Ooooou, më vrave o shkërdhatë, më shau klithshëm shtrirë mbi fushën me barin kauçuk të kalçetos ku po luanim atë mbrëmje.

-Mos shaj, iu hakërreva duke e parë nga lart poshtë. Qepe gojën se të mbys, i klitha dhe unë i djersitur nga loja dhe nga ofendimi.

-Ti më rruan trapin, m’u përvesh ai dhe të tjerë djem i erdhën në ndihmë

-Mbylle gojën grek muti, ma përplasi të sharën e dytë portieri i skuadrës time.

-Ik ore pederast, u hodh një i tretë. Ik o të shkërdhefsha mamanë, që e ka dashnore Kleoja, trajneri i futbollit!

Nuk pata kohë ta përpunoja të sharën e fundit se moria e grushtave më bombardoi. Nuk munda të numëroja dot as numrin e boksierëve dhe as lumin e të sharave, të cilat fillonin e mbaronin vetëm me pallimet dhe dashnorët e nënës time. Brenda pak sekondash, u enjta me grushta dhe me emra kollovarësh që për gati 12 muajt e fundit kishin bërë namin në provincën e humbur me nënën time të bukur…

E kisha vënë në gjumë xhelozinë për mamanë që im atë ma kishte injektuar një natë dimri në Athinën perverse dhe hipokrite. Bashkë me xhelozinë e zgjuar, zgjova dhe retrospektivën e vitit që po kalonin në qytezën e plakur. U bëja inventar të gjitha insituatave në shtëpi, në dyqan, në kafene, në rrugë, ndjekjeve “rastësore” që u bëja ecejakeve të mamasë dhe asnjë herë nuk më dilte askush i dyshimtë. Madje mbaj mend kur më zinte gjumi fundjavave që punoja me të në furrën e bukës, ndjeja tek më puthte e më ledhatonte në fytyrë duke më lenë veç njollave të dashurisë edhe njollat e bardha të miellit. Kisha frikë ta doja nënën time, sepse edhe muret, rrugët, lulishtet bashkë me njerzit e qytetit po ma tregonin me gisht si të përdalë. Një prej vajzave që refuzova ta kisha të dashur, më goditi porsi shokët e futbollit me një sms në celularin tim:

-Ça pret nga doçi i një baxhelle, që e solli burri nga Greqia se nuk la pensionist grek pa bërë seks me evro!

Paqja mes meje dhe nënës u prish përgjithmonë. Tani në shtëpi ishim bërë dy burra që e gjykonim çdo sekondë, e kontrollonim gjithçka të saj, po ia neverisnim të qenurin edhe nënë, edhe bashkëshorte. Babai u bë më agresiv edhe në alkool, edhe në dhunë, ndërsa unë e ndjeja se po perversohesha si shtazë. Nuk rrihej më nëna në dhomën e gjumit, por kudo nëpër shtëpi, edhe në syrin tim.

-Buçet kështu e duan, më udhëzonte babai dhe në sytë e mavijosur të nënës nuhasja pushtetin dhe kanibalizmin tim.

-Trego ku shkërdhehesh me atë mut trajneri, pyeste babai, ndërsa unë nuk gjeja dot edhe sikur një shkëndijë fakti a prove. Heshtja klasike e mamasë na detyroi që një mbrëmje t’i shkonim trajnerit të ekipit të qytetit në shtëpi e teksa i trokitëm në derë, ia nximë sytë dhe buzët pa i lenë kohë për shpjegim. Policia, prokuroria, qyteti, shkollat, spitali, dyqanet, kafenetë tashmë kishin material të bollshëm dhe historia e nënës time ecte paralel me episodet e telenovelave të trishtueshme turke.

Në furrën e bukës njerëzit më tepër justifikonin blerjen e ndonjë panineje vetëm e vetëm të shikonin mamanë të kalbur nga druri dhe iknin me fytyra të ngërdheshura. Biznesi ynë po rrudhej, ndërsa nëna nuk ishte më e bukur si më parë. Qyteti kishte filluar të harronte hallet e tij, derisa një ditë u zgjua edhe ai i shtangur.

Para 3 javësh, nëna ime i iku kësaj bote duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku jetonim. Varrimi i saj më trembi dhe më goditi me grushta, me shpulla, me shkelma… Njerëzit ishin të gjithë aty dhe qanin. Qanin ata që e vdiqën. Mendova, edhe unë kontribuova në vrasje e a s’mund të qaj bashkë me ta?

E fillova të qaj me dënesë sepse më vinte inat me veten, qaja sepse e etiketova në heshtje dhe veten si djali i një kurve, por kurrë nuk ia gjetëm dot dashnorët që flinin në fantazitë e mendjes time, në fantazitë e mendjes së babait tim!

2./Shënim i rëndësishëm

Ky është urimi më i mirë në fund të një feste hipokrite, që mund t’ua bëj grave dhe vajzave të provincës në këtë 8 mars.

Pasi kanë mbaruar dallaveret e Tiranës me pizza dhe sufllaqe, ju lutem pranoni urimet më të mira ju femrat e Shqipërisë tjetër, ku dhuna e meshkujve godet më shumë e më shpesh se tritoli i opozitës së Aldo Bumçit dhe Arben Ristanit. Ndoshta u gabova, por këta dy të fundit donin t’ua vidhnin festën. Gëzuar!!!

fb.com/bledi.mane

Jenuzi ‘harron’ të formojë qeverinë e re në Dragash

0

SalimJonuziSalim Jenuz nuk ka arritur të formojë ende qeverinë e re në Dragash. Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj,që kur kanë përfunduar zgjedhjet lokale, Jenuzi nuk ka mundur të zgjedh drejtorët e rinj të Ekzekutivit. Ai ende është duke punuar me drejtorët e mandatit të kaluar.

Burimet e PrizrenPress-it bëjnë të ditur se Jenuzi nuk është duke u marrë fare me formimin e qeverisë së re.

“Kryetari Jenuzi ka harruar krejt për të formuar qeverinë e re”, tregon me kusht anonimiteti një anëtar i PDK-së në Dragash.

Salim Jenuzi dhe PDK-ja në Dragash në zgjedhjet e fundit lokale, fituan edhe një mandat për të qeverisur komunën e Sharrit. Fitoren Jonuzi e siguroi për të tretën herë në balotazhin e 1 dhjetorit, përballë kandidatit të LDK-së,Fatmir Mehmeti.

Për të arritur deri të fitorja, ai në balotazh ka mbledhur rreth vetit në koalicion edhe pesë subjekte të tjera politike, në mesin e tyre edhe CDU-në

Burimet e “PrizrenPress-it”, bëjnë të ditur se koalicioni i PDK-së me CDU-në, po i shkakton probleme kryetarit Salim Jenuzit, në formimin e qeverisë së re në Sharr. Ai nuk është duke mundur që të ndaj ‘kulaçin” e pushtetit në mes të partive politike në koalicion dhe PDK-së.

“Jenuzi ka ra në hall të madh .Nuk është duke ditur se si t’ia lidhë kryet formimit të qeverisë së re”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.Sipas të njëjtit burim, pakënaqësi për numrin e madh të partive në koalicion kanë shprehur edhe anëtarët brenda PDK-së.

” Pesë partitë politike në koalicion nuk heqin dorë nga marrëveshja që kanë arritur në balotazh”.

Ekzekutivi i Komunës së Dragashit, përbëhet prej tetë drejtorive. Ndërkaq, PDK-ja në balotazh, ka lidhë koalicion me pesë subjekte politike, AKR-në,AAK-në,”Vakat”,GIG dhe CDU-në. Në opozitë kanë mbetur vetëm LDK-ja dhe Bashkimi Demokratik.

“Tash janë shfaqur shumë pakënaqësi edhe brenda PDK-së. Jenuzi për t’i ikur konfliktit të brendshëm po e heshtë formimin e qeverisë së re”.
Jenuzi në balotazhin e 1 dhjetorit ka dal fitues përballë kundërkandidatit të LDK-së, Fatmir Mehmeti./PrizrenPress.com/