12.1 C
Prizren
E enjte, 18 Shtator, 2025
Home Blog Page 8699

IQPM reagon: “Dëmtimi” i automjeteve në Damanek, është një e pavërtetë e madhe

0

IQPM-logoIniciativa Qytetare Për Malishevën (IQPM), ka reaguar pas “dezinformatës” së kreut aktual të Malishevës, Isni Kilaj, për gjoja dëmtimin e veturave dhe pengimin e fushatës zgjedhore në fshatin Damanek, duke drejtuar gishtin kah IQPM dhe kandidati i saj Veton Kastrati.

“IQPM bën me dije tërë opinionin publik dhe të gjitha organet shtetërore, Policinë e Kosovës dhe Komisionin Komunal Zgjedhor se kjo është një e pavërtetë e madhe”, duke shtuar se kandidati i saj për kryetar, Veton Kastrati, ka qenë në fushatë me IQPM në fshatrat Magjarë dhe Shkozë gjatë asaj kohe.

“IQPM dhe të gjithë anëtaret e saj nuk janë fare të interesuar të merren me asnjë subjekt politik garues në Malishevë e aq më pak me grupin qeverisës tanimë të dështuar, ne do të merremi vetëm me popullin dhe qytetarët e Malishevës, të cilëve do t’ua kthejmë dinjitetin”, thuhet në komunikatë të IQPM.

IQM po ashtu shkruan se ia bën me dije skenaristit të ngjarjeve të shëmtuara në të kaluarën, i cili siç duket prapë është aktivizuar për skenarë të tillë që janë të dëmshëm dhe të rrezikshëm për Malishevën, se ka ardhur koha që çmimin e merituar ta marrë më 3 nëntor, përmes votës së lirë e demokratike.

“Jemi të sigurt që qytetarët e Malishevës e dinë fortë mirë se kush është ai i cili është mësuar të gjuajë gurin dhe të fshehë dorën, dhe prapë të përfitojë pushtetin, duke ngritur kurthe për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e deri te kundërshtarët politikë. Por është fundi i këtij grupi tërësisht të dëmshëm dhe destruktiv për  skenën politike në Malishevë”.

Pos tjerash, IQPM i bën thirrje Hashim Thaçit që të marrë masat e duhura për të futur nën kontroll këtë grup të degjeneruar në Malishevë, i cili ka uzurpuar institucionet lokale dhe degën e PDK-së në Malishevë, edhe pse “konsiderojmë se e gjithë kjo është e orkestruar nga dy individë, nga Hashim Thaçi dhe Isni Kilaj, të cilët i ka verbuar mbajtja e pushtetit me çdo formë”.

IQPM iu bën thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe kurtheve që cilat po i ngre grupi joformal dhe dega e PDK-së në Malishevë./PrizrenPress.com/

Drejtorë shkollash apo menaxherë qendrash votimi?

0

SmalieNë Kosovë është politizuar edhe emërimi i drejtorëve në sektorin parauniversitar, thonë udhëheqës të Sindikatës së arsimit dhe ekspertë për çështje të kësaj fushe, duke shtuar se kriter për zgjedhjen e drejtorëve, është afërsia me akëcilën parti që udhëheq komunën.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ali Shabani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se emërimi i drejtorëve të shkollave në baza partiake dhe pa kritere, është bërë i zakonshëm në këtë sektor.

“Kjo çështje shihet haptas, se nëpër komuna, kryesisht drejtorë të shkollave emërohen militantë të partive. Fatkeqësisht është kjo, edhe pse në komuna aty-këtu ka ndonjë drejtor të partive tjera, në mënyrë që të kamuflojë situatën, ose janë njerëz të afërt, të cilët për shkak të nepotizmit, edhe mbahen në krye të institucioneve arsimore”, thotë Shabani.

Edhe Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pohon se nuk merret për bazë aftësia profesionale e kandidatit potencial, por prioritet në konkurse mbetet dëgjueshmëria dhe përfaqësimi i interesave të partisë në pushtetin lokal.

Ai, madje, shprehet se shpeshherë drejtorët e shkollave emërohen me idenë se ata do të jenë menaxherë të qendrave të votimit dhe jo menaxherë të një institucioni edukativo- arsimor.

“Unë mendoj se arsyeja qëndron në faktin se komunat duan të kenë kontroll mbi shkollat, pasi ato janë në varësi të komunave. Shkollat, përveçse punësojnë një numër të caktuar të kuadrit, që janë punonjës publik dhe bartës të komunës, ato janë edhe qendra votimi”.

“Nëpërmjet shkollave në shumë zona, konkretisht në ato rurale, bëhen ndikime te popullata, ato vlejnë edhe si qendra të komunitetit, ku njerëzit mblidhen, takohen, bisedojnë e kështu me radhë. Dhe, në këtë kulturën tonë është shumë e zakonshme që komunat të shprehin vullnetin për të ushtruar një farë kontrolli mbi shkollën”, pohon Pupovci.

Ndryshe, Ali Shabani thotë se SBASHK-u ka kërkuar nga autoritetet kompetente që kjo dukuri të parandalohet.

“Ne kemi kërkuar disa herë që politika të jetë larg shkollës, sepse shkolla do profesionalizëm dhe jo politikë, por fatkeqësisht një gjë e tillë ekziston sot. Aktualisht, ka shumë ushtrues detyre të drejtorëve dhe pritet 3 nëntori të dëshmojnë veten ata në zgjedhjet lokale, ose të ndodhë e kundërta”, konsideron Shabani.

Në anën tjetër, udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, theksojnë se nuk mund të përjashtohen raste të tilla, por që ankesa për këtë çështje, nuk arrijnë në Ministri të Arsimit.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Administratës së Arsimit Parauniversitar, thotë se emërimi i drejtorëve të shkollave nuk është kompetencë e Ministrisë, por e kryetarit të komunës.

Megjithatë, ai shprehet se në raste të parregullsive dhe ankesave eventuale të paraqitur, ministria kontrollon situatën se a janë respektuar procedurat, dhe jep rekomandime, por prapë vendimin e merr kryetari i komunës.

“Nuk besoj se ndodh kjo, edhe pse nuk përjashtohet rasti, por ne si ministri, nuk marrim ankesa të tilla. E kemi Departamentin e Inspeksionit”.

“Natyrisht, Inspeksioni shkon e incizon gjendjen dhe shikon se a janë respektuar procedurat dhe jep vlerësim, ai mund të japë rekomandime, ndryshe nuk ka të drejtë të marrë vendime, sepse vendimin e nxjerrin organet komunale në bazë të Ligjit për arsim”, potencon Istogu.

Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve arsimore, mësimdhënësit, asistentët dhe instruktorët, zgjidhen përmes një konkursi publik në bazë të meritës personale, pa asnjë lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për arsye reale apo të supozuara që ka lidhje me gjininë, racën, gjendjen martesore, orientimin seksual, përkatësinë etnike, nevojat e veçanta, pasurinë, vendin e lindjes, pikëpamjet politike ose filozofike apo rrethanat e tjera.

Autoritetet që bëjnë emërimet, siç përcaktohet në këtë ligj, krijojnë procedura të drejta, të hapura dhe transparente për angazhim bazuar në kualifikimet dhe nevojat e postit.

Kilaj: Realizimi i projekteve, meritë e banorëve të Damanekut

0

Kilaj-fshati damanekuPartisë Demokratike e Kosovës (PDK) Dega në Malishevë, mbrëmë ka mbajtur një tubim në fshatin Damanek. Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj tha se realizimi i projekteve, nuk është meritë vetëm e tij, ose e qeverisë komunale, por në radhë të parë, është meritë e banorëve të Damanekut.

“Edhe Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Thaçi, i ka përkrahur të gjitha projektet për Malishevën dhe të gjithë së bashku, kemi arritur ti realizojmë të gjitha që ju kemi premtuar. Edhe sonte ju them se të gjitha projektet për katër vitet e ardhshme, si në infrastrukturë, bujqësi dhe të tjera, do të realizohen, pasi kemi projekte konkrete dhe të planifikuara nga ekspertët tanë”, tha Kilaj.

“Ne jemi PDK-ja e vërtetë, e fjalës, e punës, për qytetarin dhe shtetin. Ne nuk kemi fjalë boshë, premtime boshe, por të realizueshme. Ashtu sikur kemi arritur që ti bëjmë të gjitha këto në katër vitet e fundit, ashtu do ti realizojmë premtimet në katër vitet e ardhshme”, tha në fund Kilaj, duke ju bërë thirrje për fushatë të qetë, pa fyerje.

Edhe Naser Krasniqi, ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe Damanekut, që ta votojnë PDK-në. “Unë kam vendosur ta përkrahi PDK-në, pasi këtu e gjej veten, tek vlerat e mirëfillta, te respekti që ka ndaj qytetarit dhe për punën që PDK e bën në të mirë të qytetarëve të Malishevës. Andaj, votoni për Isni kIlaj dhe PDK-në, për të vazhduar qeverisjen e mirë, për Malishevën Evropiane”, tha Krasniqi.

Edhe bartësi i listës së PDK-së për Kuvendin e Komunës së Malishevës, Adem Berisha, bëri thirrje për ta votuar Isni Kilaj dhe për kandidatët e PDK-së, pasi sipas Berishës, “këtu janë vlerat”. “Me votën për Isni Kilaj dhe për PDK-në, ju votoni për ta vazhduar qeverisjen e mirë. Për të votuar kandidatët e PDK-së, ju votoni për më të mirët, pasi 34 kandidatët tanë, janë profesioneve dhe të moshave të ndryshme, përmes së cilëve, të gjithë qytetarët, do të kenë mundësi ti realizojnë kërkesat e tyre”, tha Berisha./PrizrenPress.com/

LDK: Shkoza do të trajtohet ndryshe

0

LDK-shkoza ne malisheveKandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Salih Morina ka vizituar banorët e fshatit Shkozë, i cili theksoi se me qeverisjen e LDK-së, Shkoza do të trajtohet ndryshe. Ai tha se dera e kryetarit të Komunës do të jet gjithmon e hapur për qytetar.

“Do ketë qeverisje transparente e cila do të punoj me përkushtim për të përmirsuar jetën e qytetarit, do të ketë zhvillim ekonomik, do të ketë menaxhim të drejtë të buxhetit, do të përmirsojm gjendjen në shëndetësi në mënyrë që të ofrojëm shërbime më të shpejta dhe më të mira për qyetarët. Prioritet i veqantë për LDK-në do të jetë rinia, ne do të ofrojmë më shumë mundësi për ta”, tha Morina.

Ai ju premtoi banorëve funksionalizimin e ujësjellësit, përfundimin e kanalizimeve si dhe ndërtimin e rrugëve të lagjeve në Shkozë.

Duke kërkuar mbështetje të fuqishme, Morina ju bëri thirrje banorëve të Shkozës që sa më shumë të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për LDK-në dhe kandidatin e saj, si dhe kandidët për Këshilltar Komunal.
Kurse, kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Januz Kastrati, duke kërkuar mbështetje të fuqishme nga banoret e Shkozës, ai tha se me LDK arsimi ne Malishevë do të jet ndryshe do tu kthehet dinjiteti i humbur i mësuesve, me këte rast ai përmendi darkat që pushteti ne ikje po i jep vetëm para fushatës elektorale.

“Në Malishevë LDK-ja do të fitoj bindshëm dhe pa balotazh sepse kandidati i LDK-së për kryetar komune Salih Morina si dhe kandidatët e LDK-së për asamble komunale jan më të mirët”, tha Kastrati.

Ndërkaq, kryetari i Nëndegës së LDK-së në Shkozë, Besnik Bytyqi, njëherit edhe kandidat për asamble komunale nga radhët e LDK-së foli për ngecjet dhe dështimet e projekteve në fshatin Shkozë, si dhe mos gadishmërinë e pushtetit aktual për ti përfunduar këto projekte./PrizrenPress.com/

Favoritët injorojnë debatet në RTK

0

Eqrem Kryeziu dhe MujaDebati i organizuar mbrëmë nga televizioni publik, RTK, me kandidatët për kreun e qytetit të Prizrenit ishte pa dy kandidatët kryesor të kësaj komune, Ramadan Mujën të PDK-së dhe Eqrem Kryeziu e LDK-së.

Këta të dy, nuk brengosen për faktin që nuk kanë qenë pjesë e këtij debati.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha për Indeksonline, se debatet televizive nuk janë në plan të parë për të.

“Mospjesëmarrja ime ka qenë angazhimi në punë të tjera dhe skam pasur mundësi të marrë pjesë. Jemi në fushatë dhe është aktiviteti shumë dinamik”, tha Muja.

Kurse për debatet e tjera, ai nuk premton që do të jetë prezent.

“Unë kam punë me qytetarin e komunës së Prizrenit, nuk kam nevojë me u reklamu aty në televizionet qendrore”, tha Muja.

Sipas të parit të Prizrenit, zotimet e tij duhet të jenë për qytetarin e Prizrenit e jo të Prishtinës.

Kurse kandidatit për kryetar të Prizrenit nga radhët e LDK-së, Eqrem Kryeziut, nuk i intereson kjo pyetje.

“Aaaaa… pa’i jo, nuk i komentoj ato gjana që kanë kalu”, theksoi Kryeziu.

Gjithashtu edhe në debatin e parë të në RTK, të organizuar për kryetar të Prishtinës, ka munguar Isa Mustafa

“Autoriteti meritë” dhe “autoriteti karrige” në politikë!

0

Adnan AbrashiShkruan: Adnan Abrashi

(Mos mendo se je autoritet, në qoftë se je më i çmuari ndër më budallenjtë)

Autoriteti si virtyt në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, nënkupton ndikimin e fortë mbresëlënës të një personi, duke shkaktuar tek personi apo personat tjerë dhuntinë psikologjike të nderimit dhe respektit ndaj tij. Për të qenë dikush i tillë në një rreth të caktuar shoqëror, patjetër si karakteristikë të përgjithshme duhet të disponoj: inteligjencë të nivelit të konsiderueshëm, virtyte të larta morale, karizëm reflektues, si dhe aftësi të treguara profesionale në bazë të meritave gjatë një periode kohore në punë. Ky autoritet, ndryshe mund të quhet edhe si: “autoritet i meritës”.
Në kuptimin e ngushtë profesional, individët autoritativ, kur janë të dalluar për një fushë të caktuar, në të shumtën e rasteve konsiderohen edhe si “ekspert”, apo “autoritete të profesionit”. Këta si veçori të përgjithshme i karakterizon: titulli i nivelit arsimues në profesion, eksperienca e duhur, rezultatet e shumta të treguara në atë fushë, dhe, patjetër, në rend të parë, duhet të kenë respekt të lartë nga vetë kolegët e profesionit të tyre të ngushtë. Këta njerëz të “autoritetit të meritës”, apo ekspert të profesionit, vazhdimisht në vete ndjejnë mangësinë e dijes dhe konsideratës së duhur ndaj të tjerëve, kështu që, përmes përsosjes gjithnjë në rrjedhojë, janë në kërkim permanent të këtyre vlerave. Thjesht, ata për vete mendojnë si në frymën e atij postulati sokratian: “Di aq, sa s’di asgjë!
A thua, sa kemi këso autoritete te ne dhe ku mund t’i gjejmë ata?
Fatlumsisht, kemi mjaft; fatkeqësisht, në këtë shoqërinë tonë kurrkujt nuk i nevojiten, sepse sot pakkush i kërkon. Më së paku mund t’i gjesh aty ku vendoset nga lartë – në PUSHTET. Ata s’janë aty, sepse nuk dinë të vardisen; nuk dinë të imponohen dhe as të lajkatojnë, prandaj edhe me arsye të plotë nuk janë në ato vende ku ne jemi mësuar t’i kërkojmë zakonisht.
Përveç autoritetit të mirëfilltë të meritës, si më shpesh në praktikën tonë të përditshme kosovare hasim në personalitete të ashtuquajtura, si: “autoritete të karriges”. Këta individ të pajisur me këtë lloj autoriteti, në krahasim me të parët, respektin e të tjerëve ndaj tyre nuk e ndërtojnë mbi bazat e vlerave të sipërcekura subjektive, por mbi vetë autoritetin objektiv ekzistues institucional ku punojnë, apo në krye të së cilës gjenden aktualisht.
Fatkeqësisht, këso farë autoritete sot kemi mjaftë dhe kudo; në të gjitha fushat e jetës tonë shoqërore. Ama, dorën në zemër, më tepër janë në politikë.
Pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror – demokratik, këso autoritete të karriges, ka çdo kund dhe kudo në botë. Ama, këta të tanë janë specifik. Janë gjithnjë si “sui generis” në mesin e shumë “sui generis-ave” tona të tjera.
Dhe… pse më tepër mund t’i hasësh ata bash në politikë?!
– Sepse, politika është “streha” dhe “prodhuesja” më e madhe e kuadrove që pretendojnë për këtë lloj autoriteti;
– Sepse, me të hyrë në këtë shoqëri të të “zgjedhurve”, aty për një afat shumë të shkurtë, nuk eliminohet vetëm fukarallëku i mendjes, por edhe ai material;
– Sepse, dikur materialisht të varfër, mjaft nga ta askush-a dhe kurrkush-a, pa kurrfarë vlera morale dhe profesionale në jetë, përmes marrjes me këtë “zanat” të çmueshëm, brenda natës bëhen të pasur dhe dikush-a me autoritet;
– Sepse, ata, kudo që të gjenden, janë të kërkuar në çdo moment: në zyre, shtëpi, kafene…permanent bombardohen nga thirrjet, e veçanërisht ato telefonike në celular. Ata që deri më dje vështirë i mësonin operacionet më elementare të manipulimit me aparatin mobil të dhuruar “bakshish” prej “bacit” që punon në Gjermani, sot si “autoritete politike me karrige” i mbajnë në xhepa 3 sosh. Edhe pse me vete i kanë nga tri, vështirë se në ndonjë thirrje lajmërohet aq lehtë, përveç nëse telefonata nuk është bërë nga shefi i tyre urdhërdhënës hierarkik të cilit me servilizëm të madh i nënshtrohet, apo nga ndonjë pronar firme që ka konkurruar në tender, me të cilin dihet se çka bisedohet.
Vërtet është përjetimi i radhë kur pa nda të kërkon çdo kush; kur të gjithë të tjerët kanë nevojë për ty. Sa kënaqësi është kur edhe të panjohurit të përshëndesin në rrugë; në cilindo lokal ku hynë, tjetërkush pagunë për ty. Por, nga të gjitha këto “lezete”, si më e preferuar është kur i lusin gazetarët dhe mediet. Kuptohet, nëse në atë moment, nuk janë eventualisht në ndonjë “mut – aferë”. Edhe pse si ftesë e mezipritur, as atyre menjëherë nuk i thonë “po”, por: “caktoni terminin tek sekretaresha ime”, “së pari më duhet ta shikoj agjendën e aktiviteteve javore”, “ju lutem, lajmërohuni më vonë”, “dëgjohemi nesër”… janë disa prej arsyetimeve të zakonshme për zhegitje të qëllimshme taktike që praktikisht krijojnë efekt më të madh për autoritetit.
Fjalitë me zhargone shabllonistike të mësuara përmendësh dhe përdorimi sa më i shpeshtë i shprehjeve të huaja në dialekt, është stili i “pasur i komunikimit elokuent” i intervistave të tyre nëpër medie, si: multietnicitet (shumëkombësh), oportunitet (përshtatshmëri), reciprocitet (dyanshmëri), informalitet (jashtligjshmëri), kredibilitet (besueshmëri), aproksimativitet (përafërshmëri) … Sa më të pakuptimtë dhe më të koklavitura të janë këto shprehje, aq si më të mençur i vlerësojmë ne ata.
E, kur ky “autoritet karrige” dikur patjetër bie nga pushteti dhe i soset mandati në atë post, me të dhe në të, ndodh një fenomen. Së pari: si më e afër, fillon mos t’ja “fus” gruaja e vet; pastaj vijon radhazi: miqtë të dikurshëm, fqinjët e anashkalojnë, kafexhiu nuk qeras ma dhe e lypë pagesën… E, sa për gazetarët, për ta as që ekzistojnë më…
Vërtet është një ndjenjë e çuditshme kjo periodë “pas-autoritative – karrige”?! Kudo që të shkosh, dhe këdo që ta takosh, e ndjen se të ushton në vesh ajo fjali e mallkuar: “Ooo… sa hajni i madh që ishte, ky piss… “
Kështu në fund, mbase përfundon fati i “autoritetit karrige”! Por, kurrë diçka e ngjashme, nuk mund të ndodhi me autoritetin meritë…!

Shqiptari nga Prishtina boton roman për fëmijë në gjuhën frënge

0

midax13Kështu bart titullin romani i parë për fëmijë i Ilir Xheladini, i shkruar në gjuhën frënge. Është një rrëfim i tipit të fabulave, që ngjall kërshërinë fëmijërore. Iliri është një emër i ri në botën e letrave. I lindur në Kosovë, ku ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme, ai ka provuar veten si shkrimtar vetëm në gjuhën frënge. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Zvicër, në pjesën franceze të saj, në kantonin Neuchatel.

Për portalin albinfo, Ilir Xheladini tregon se bëhet fjalë për një rrëfim i tipit të fabulave.

Merimanga Midax ka një ëndërr: të ngjitet në majën e pemës së vjetër e cila përkëdhel e para rrezet e diellit në mëngjes, dhe të shohë nëse bota vazhdon përtej lëndinës ku ai jeton. Një ditë, ai vendos dhe merr rrugën.

Gjatë udhëtimit të tij, ai takohet me xixëllonjën Etlea, me merimangën Grab dhe me Dea-në, një dallëndyshe e re, e cila lëndohet rëndë nga një skifter. Midax e shpëton dallëndyshen dhe lidhin miqësi. Ky takim shënon fillimin e një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm që do të dërgojë larg, shumë më larg se do mund të kapte imagjinata e një merimange…

Libri është botuar në Francë nga shtëpia botuese “Jetsdencre” dhe del nga shtypi më 1 nëntor.

Romani u pëlqye shumë edhe nga Patrice Garcia, i cili njihet për krijimet e tij në filma me renome si “Elementi i pestë”, “Arthur et minimoys” e shumë të tjerë, tregon Iliri. Garcia u ka dhënë njëherësh imazhet e para personazheve të Midax dhe Deas duke krijuar kopertinën e librit.

Nuk duhet harruar edhe intervenimin e Kushtrim Kunushevcit i cili u shtoi harmoninë këtyre personazheve, shpjegon më tutje Iliri rrugën e romanit nga ideja deri te botimi.

Por, si u bë që Iliri të shkruajë vetëm në gjuhën frënge? I pyetur nga albinfo.ch nëse shkruan edhe në gjuhën shqipe, Iliri përgjigjet se nuk ka guxim ta bëjë këtë. “Druaj se në gjuhën shqipe nuk do të arrij t`u jap thellësinë e duhur mendimeve dhe peshën e duhur fjalëve”.

Megjithatë, shpjegon Iliri më tutje, për t’ua ofruar këtë roman edhe lexuesve shqiptarë, ai punën do t`ia besojë një përkthyesi.

I lindur në Prishtinë në vitin 1973, Iliri në moshën 18 vjeçare ishte vendosur në Zvicër, në Kantonin e Neuchâtel-it.

“Kam punuar dhe vazhdimisht kam kryer kurse të gjuhës frënge dhe në informatikë. I pasionuar pas librave, që nga rinia kam botuar poezi dhe tregime në revista për fëmijë. I lidhur ngushtë me artin kam marrë pjesë në disa ekspozita, festivale të filmit. Kam luajtur edhe në dy filma të metrazhit të gjatë si: “Një dimër i tërë pa zjarr” i Greg Zglinski dhe “The War its Over” i Mitko Panov, thotë Xheladini.

Zanafilla e idesë për këtë libër të tij të parë i erdhi nga Albani, djali i tij, të cilit i kishte premtuar se do t’ia shkruante tregim. “Dhe kështu, faqe pas faqeje, tregimi zhvillohej duke përfunduar në një roman prej 117 faqesh”, tha ai.

Suharekë, rrahje në kafiteri

0

ilustrim rrahjeRaportohet se në një kafiteri në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, në njërën prej kafiterive të qytetit ka pasur një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve.

Prej gjashtë të dyshuarve meshkujve, ka ardhur deri te rrahja në mes tyre, me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar dy prej tyre, transmeton Indeksonline

Këta të fundit janë dërguar për tretmanë mjekësorë në spitalin rajonal të Prizrenit, njofton Policia e Kosovës.

Muja, i sëmurë për gjykatë, i shëndoshë për fushatë

0

Muja dhe Thaci ne fushateRamadan Muja, kryetar i Prizrenit, duket mirë me shëndet. Edhe gripi me gjasë i ka kaluar. Shkaku i gripit, gjyqtari i EULEX-it, shtyu seancën gjyqësore ndaj Mujës dhe të tjerëve.

Ajo ishte paracaktuar të mbahet më 19 shtator 2013. Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha, atë ditë deklaroi se kryetari Ramadan Muja është i ftohur dhe se me rekomandimin e mjekëve nuk ka marrë pjesë në gjykim.

“Është me grip të lehtë. Mjekët e kanë rekomanduar të pushojë”, ishte shprehur Berisha. Ata ditë kryetari Muja nuk mori pjesë as në seancën e Asamblesë Komunale në të cilën ishte diskutuar buxheti komunal për vitin 2014. Mungesa e tij bëri që gjyqtari i EULEX-it, të shtyjë seancën për një ditë tjetër. Por pa caktuar datën. E një e tillë nuk është parashikuar se do të mbahet së shpejti. Së paku jo para datës 10 tetor. Kështu deklaron Ruzhdi Berisha, avokat i kryetarit Ramadan Muja.Kandidati i PDK-së, Muja i kontaktuar nga gazetari i Tribunës nuk ka pranuar të flasë për këtë cështje. Ai madje e ka quar ‘n..t’ samës’ gazetarin duke ia mbyllur telefonin

Limaj i quan shqetësuese spastrimet e pushtetit lokal ndaj mësimdhënësve

0

Limaj 3Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se spastrimet dhe kërcënimet që po i bëhen mësimdhënësve në Malishevë janë shqetësuese. Ai në një takim të përfaqësuesve të IQPM-së në fshatin Magjarrë të Malishevës u ka thënë qytetarëve të tubuar se ai kërkon votën e zemrës dhe të bindjes për IQPM-në. “Begaj dhe kolegët e tij janë të gatshëm me marrë përgjegjësi dhe me e çue komunën drejtë ndryshimeve “, ka thënë Limaj, shkruan KD.

Sipas tij në komunën e Malishevës ekziston një garniturë që rreth 20 vjet e cila është harxhuar .” Me votën tuaj çojeni në shtëpi këtë garniturë”, ka thënë Limaj.

Ndërkaq kreu i kësaj Iniciative, Ragip Begaj , u ka kërkuar të pranishmëve që ta votojnë Iniciativën Qytetare të Malishevës. “IQPM-ja është prodhim vendor, nuk dirigjohet nga askush jashtë Malishevës”, tha Begaj.