20.7 C
Prizren
E martë, 5 Maj, 2026
Home Blog Page 8761

Izeti promovon librin “Tesavufi në Ballkan”

0

MetinIzeti-Tesavufi në BallkanNë Shkup është promovuar libri i fundit i profesorit të USHT-së, Metin Izeti, “Balkanlar’da Tasavvuf” (Tesavufi në Ballkan). Ky libër është në fakt ribotim i kësaj vepre dhe shkëputje nga disertacioni i doktoratës të prof. Izetit.

Në fillim kryetari i Qendrës Kulturore Turke “Junus Emre” Hajati Develi bëri hapjen e promovimit të librit “Balkanlar’da Tasavvuf” si dhe foli për aktivitetet e shumta që i ka bërë qendra të cilën ai e përfaqëson, më pastaj autori i librit Metin Izeti me dy-tre fjalë, foli për përmbajtjen teknike të librit, ndërsa duke qenë mysafir special i mbrëmjes, para të pranishmëve iu drejtua edhe Shejh Omer Tugrull Inançer nga Turqia, i cili duke marrë shkas nga libri, foli edhe për rëndësinë që ka studimi i tesavvufit islam, transmeton Zhurnal.

Ai u ndal hollësisht duke shpjeguar se përshpirtshmëria islame është ushqimi i vetëm që e mban gjallë qenien myslimane. Shejh Inançer u ndal edhe në rëndësinë që kanë pasur teqetë në Ballkan për kultivimin e këtyre vlerave shpirtërore dhe përcjelljen e tyre nga gjenerata në gjeneratë.

Në këtë drejtim vuri theksin në kontributin që kanë dhënë teqetë në trojet shqiptare, që vazhduan të funksionojnë dhe të kontribuojnë për shoqërinë shqiptare edhe atëherë kur në Turqi ishte ndaluar veprimtaria e tyre.

Që kjo mbrëmje të jetë edhe më e begatshme, në fund një grup nga Ministria e Turizmit të Republikës së Turqisë shfaqi një kolazh me këndime të tesavvufit, të përzgjedhura nga disa rajone të Ballkanit. Ky aktivitet u organizua nga Qendra Kulturore Turke “Junus Emre”, përfaqësia në Shkup.

Pacolli vlerëson dorëheqjen e Gashit

0
Behxhjet pacolliZëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli e ka vlerësuar lartë aktin moral të dorëheqjes së rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi.
“Dorëheqja e tij duhet të shërbejë si pikënisje për një hetim sa më të shpejtë të gjithë profesorëve në UP, dhe të mos ngelet z. Gashi kurban i aferave të jashtëligjshme në këtë institucion të rëndësishëm. Dorëheqja e z. Gashi ka qenë e nevojshme pas zhvillimeve dramatike që ndodhën para rektoratit të UP-së ndërsa, është për keqardhje çdo tendencë manipulimi të studentëve nga individë kushdo qofshin ata për qëllime krejtësisht private”, ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, Pacolli.

Rreth 300 mijë armë në duart e kosovarëve

0

FerdinandNikollaMësimdhënësit duhet të merren më shumë me nxënësit nga këndi edukativ dhe arsimor. Qeveria duhet urgjentisht të rishikojë udhëzimin administrativ që rregullon disiplinën në shkolla. Dyshohet se në Kosovë ende janë rreth 317 mijë armë të paligjshme në duart e qytetarëve. Ferdinand Nikolla, Kordinator i Saferworld për Kosovë flet për Tribunën

Saferworld është një organizatë e pavarur joqeveritare që punon me qeveritë dhe shoqëritë civile në planin ndërkombëtar dhe atë kombëtar të shteteve veç e veç ku vepron. Ajo merret me hulumtimin, promovimin dhe zbatimin e strategjive të reja për të rritur sigurinë e njerëzve dhe për të parandaluar dhunën e armatosur. Kjo organizatë me seli në Londër, është e shtrirë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Pika kryesore e fokusit të kësaj organizate janë çështjet e sigurisë. Pas rasteve të fundit të dhunës në shkollat e Kosovës, ku për rreth një muaj pati tre vrasje të nxënësve, në intervistë për Tribunën, Kordinatori i Saferworld për Kosovë Ferdinand Nikolla, thotë se planet që afër institucioneve edukative të ketë policë, nuk janë të mira. “Mendoj se kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes që mbase do të pengonete veprimet e dhunshme gjatë kohës sa policia qëndron aty, por në momentin kur policia largohet, gjendja mbetet e njejtë”, thotë Nikolla.

Tribuna: A ka siguri të mjaftueshme në shkollat e Kosovës?
Nikolla: Në përgjithësi shkollat duken të sigurta por incidentet e fundit, duke përfshi edhe humbjet e jetës së nxënësve tregojnë për një trend në rritje të konfliktit dhe pasigurisë në shkollat publike. Për më keq, kjo gjendje vazhdon të trajtohet në mënyrë reaktive pa ndonjë ide të qartë për shkaktarët dhe për zgjidhjet e duhura. Ende mbretëron idea që policia duhet ta ruajë çdo cep të shkollës, dhe se mësimdhënësit, prindërit dhe vet nxënësit janë vetë spektatorë!

Tribuna: Ditët e fundit po përdoren edhe armët nga nxënësit, që në disa raste pati edhe pasoja tragjike. Cila është zgjidhja më e mirë për të eliminuar këtë dukuri?
Nikolla: Është tragjike që nxënësit kanë arritë që seriozisht të rrezikojnë jetën e njëri tjetrit duke përdorë edhe armë zjarri. Zgjidhja duhet të fillojë nga vetë shtëpia ku prindërit duhet të sigurohen që fëmijët e tyre të mos kenë qasje në armë. Pastaj, mësimdhënësit duhet të ndërmarrin veprime të kontrollit për armë në shkolla (oborr, klasa) për të penguar futjen e armëve në shkollë. Sipas nevojës, në kordinim me përsonelin mësimor dhe prindërit, edhe policia mund të bëjë ndonjë bastisje në mënyrë që nxënësit të mos kenë përshtypjen se askush nuk po i monitoron dhe se ata munden që shkollën ta kthejnë në arenë të krimit. Mësimdhënësit duhet të merren më shumë me nxënësit dhe atë nga këndi edukativ dhe arsimorë. Në fund të fundit, mësimdhënësit nuk janë aty vetëm për t’u mësuar shkronjat dhe numrat. Ata janë aty për të ndikuar edhe në zhvillimin e personalitetit të tyre dhe sjelljet qytetëruese.

Tribuna: Konsiderni se është zgjidhje prezenca e policisë afër shkollave?
Nikolla: Mendoj se kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes që mbase do të pengonete veprimet e dhunshme gjatë kohës sa policia qëndron aty, por në momentin kur policia largohet, gjendja mbetet e njejtë. Institucionet qeveritare dhe komunale të arsimit bashkë me policinë, këshillat e shkollave, këshillat e prindërve, ekspertë të arsimit e sigurisë, psikologë e sociologë, mjekë e pedagogë, duhet që së bashku të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të bërë një analizë të thellë të shkaktarëve të rritjes së konfliktit dhe dhunës në shkollat publike, sidomos ato të mesme. Kjo, sepse mendoj që këtij problemi deri tani institucionet ju kanë qasur në mënyrë sipërfaqësore – dërgo policinë dhe duhet të jemi mirë! Mendoj se institucionet dhe akterët relevant që përmenda më lartë duhet të studijojnë seriozisht nëse edhe faktorë të tjerë janë duke ndikuar në rritjen e pasigurisë në shkolla si p.sh.kushtet ekonomike e sociale të nxënësve, familjeve të tyre, mundësitë e kufizuara për të shprehur talentin e tyre, mungesa e perspektivës për të rinjtë, papunësia dhe varfëria, drejtësia e manipuluar dhe moszbatimit i ligjeve. Qeveria duhet urgjentisht të rishikojë udhëzimin administrativ që rregullon diciplinën në shkolla.Nxënësve që vijnë më armë në shkollë nuk duhet së pari t’u jepet vërejtje gojore nga mësimdhënësi, pastaj me shkrim, etj etj. Kjo është absurde! Pas një analize të tillë duhet të ndërmerren veprimet e nevojshme drejt zgjidhjes. As qeveria, as institucionet komunale dhe shoqëria në përgjithësi nuk e din ende pse konflikti dhe dhuna në shkollat publike është në rritje. Fillimisht duhet ta gjejmë përgjigjen e pastaj të veprojmë! Nuk adresohet problemi vetëm duke vendosuar policinë në derë të shkollës.

Tribuna: Ju si organizatë për parandalimin e dhunës së armatosur, a keni ndërrmarrë ndonjë iniciativë se si të parandalohet dhuna në shkolla, qytete, etj?
Nikolla: Ne gjatë periudhës 2009 – 2012 në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Han të Elezit dhe Shtime jemi angazhuar për të ndërtuar një bashkëpunim të ndërsjellë në mes të institucioneve komunale të arsimit, policisë, nxënësve dhe prindërve si parakusht për çfarëdo veprimi drejt adresimit të problemit. Me leje të mësimdhënësve, prindërve, policisë, etj, ne kemi ofruar edhe mbështetje financiare për instalimin e kamerave nëpër disa shkolla fillore dhe të mesme në mënyrë që mbikqyrja për disiplinën dhe sigurinë në shkollë të jetë më e lehtë nga personeli arsimor. Po ashtu, që nga viti 2008 kemi avokuar tek institucionet qeveritare që ato të hartojnë një strategji nacionale për siguri në shkolla në mënyrë që Kosova të ketë një vizion më të qartë dhe një qasje më të qëndrueshme kundrejt këtij problemi. Vetëm këto ditë MASHT-i ka ndërmarrë një hap të tillë dhe tashmë ka formuar grupin punues për hartim të strategjisë për siguri në shkolla ku jemi ftuar edhe ne. Si antarë i këtij grupi jam optimist se do të gjejmë një përgjigje të problemit në mënyrë që të vendosim pastaj disa hapa të duhur drejt adresimit të problemit.

Tribuna: A keni të dhëna se sa armë mbajnë në duar qytetarët e Kosovës?
Nikolla: MPB ka të dhëna të sakta për armëmbajtje me leje, por asnjëherë nuk mund të dihet sa është numri i armëve ilegale. Një raport që ne kemi publikuar në vitin 2009 tregon se në Kosovë ende gjenden në posedim të paligjshëm rreth 317 mijë armë. Megjithatë, duke ditur që policia e Kosovës çdo vit konfiskon një numër të madh të armësh ilegale sypozohet që ky numër të ketë rënë. Në komunat veriore të Kosovës gjendja është edhe më e keqe për shkak të mos kontrollit të kufirit dhe mos-zbatimit të ligjit.

Tribuna: Cila është zgjidhja që sa më pak armë të përdoren nga qytetarët?
Nikolla: Zgjidhja kryesore mendoj është që të funksionojë më mirë dora e shtetit, pra të zbatohen ligjet, të mos ndikohen policët, prokurorët dhe gjykatësit në hetimin dhe gjykimin e rasteve. Pra, duhet të krijohen kushtet për një funksionin të shtetit ashtu siç e parashef ligji, në mënyrë që pastaj besimi nga qytetarët tek këta të fundit të filloj të rritet. Deri tani, besimi është mjaft i ulët. Një shembull i thjeshtë ku instituconet tona çdo ditë e më shumë janë duke dështuar në adresimin e brengave reale të sigurisë së qytetarëve janë rastet e vjedhjeve dhe hajnisë së banesave dhe shtëpive në Prishtinë. Kjo bën që qytetarët të gjejnë forma për të mbrojtur vet familjen dhe pronën. E në këtë rast, arma mbetet zgjidhja e vetme. Pastaj, vendosja e rendit dhe sigurisë në veri të Kosovës, mund të ndikojë pozitivisht në uljen e disponimit të qytetarëve për armën. Për më shumë, paqa dhe siguria në rajon e sidomos raporti i Kosovës me Serbinë, çdo herë do të jetë shkaktarë i mbajtjes ose jo të armëve.

Tribuna: Sipas jush a do ta zgjidhte këtë problem zbatimi i plotë i Ligjit për Armë?
Nikolla: Ligji për armët nuk e zgjidhë problemin e armëve ilegale në Kosovë. Kjo sepse ligji për armët rregullon vetëm kontrollin e armëve në posedim të ligjshëm. Ligji për armët qytetarëve të Kosovës u lejon marrjen e lejes për armë vetëm për aktivitetet e gjuetisë, shenjëtarisë, ose për qëllime koleksioni. Pra, jo për të mbrojtur familjen dhe pronën, sic kanë shumë shtete të tjera nëpër botë. MPB ka hartuar një strategji për grumbullim të armëve ilegale, ku parashihet edhe amnestia për grumbullim vullnetarë të armëve, por që me të drejtë duket se në këtë kontekst politik dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon nuk duket e favorshme të ndërmerren veprime konkrete. Duket që edhe një dekadë, çështje a posedimit të armëve ilegale nuk do të mund të futet në rend dite në Kosovë e as rajon.

Tribuna: Shumë fëmijë ditën e kalojnë rrugëve të vendit, përfshirë edhe si lypës. Rritja e tyre në këtë mënyrë, sa mund të jetë rrezik për të ardhmen?
Nikolla: Lypja në Kosovë tashmë ka marrë përmasa tepër shqetësuese. Problemi është se ky fenomen po trajtohet vetëm nga këndi socio-ekonomik e jo edhe i sigurisë. Fëmijët janë duke u keqpërdorur nga prindërit e tyre për përfitime ekonomike dhe kjo është e ndaluar me kod penal dhe konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve. Për më shumë, lypja në formën e organizuar, sidomos nga pjestarë të komunitetit romë nga Shqipëria duhet të nxisë policinë dhe prokurorinë të ndërmarrin hetime më të thella për të identifikuar motivet e vërteta të lypjes dhe implikimet e mundshme kriminale për trafikim.

Nesër diskutohet raporti i Ban Ki-Moon për Kosovën

0

Thaci-OKBTë hënën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të diskutohet raporti rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Në raportin e tij më të ri për Kosovën, sekretari Ban i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të inkurajojë dhe të mbështesë procesin e dialogut Kosov-Serbi.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është nisur për në New York, ku do të marr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit.

Opozita kritikon MPJ-në për neglizhencë ndaj politikave të BE-së

0

VjosaOsmani-LDKKryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani kritikoi Ministrinë e Punëve të Jashtme se është treguar neglizhente në procesin e anëtarësimit të Kosoves në Këshillin e Evropës. Ajo tha se sikur Kosova të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës sovraniteti i Kosovës do të ishte shumë i fortë. Ndërsa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se gjatë këtij viti Kosova do të fillojë procedurat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm i BE që e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe pse Ministria e Jashtme ka paralajmëruar që nga vitit 2011 se shumë shpejtë edhe një jnstitucion tjetër i BE-së do ta njeh realitetin e krijuar me 17 shkurt 2008, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Vonesa po kritikohet nga subjektet opozitare në Kuvend. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani theksoi se MPJ-ja është duke u treguar neglizhente.

”Në fakt është e pafshme që Ministria e Punëve të Jashtme e ka prolonguar aplikimin në Këshillin e Evropës deri tani, siç e dini votat përfundimtare që duhet për anëtarësim 2 të tretat e anëtarëve të Këshillit të Evropës ka kohë që ekzistojnë. Krejt çka duhet është një lobim brenda asamblesë parlamentare të KE-së dhe kjo punë edhe pse është premtuar nga kjo ministri që nga viti 2011, nuk ka pasur hapa konkret”, theksoi Osmani, transmeton RTK.

Megjithatë zyrtarë të Minsitrisë së Punëve të Jashtme paralajmërojnë se brenda vitit do të fillojnë procedurat për aplikim në Këshillin e Evropës, ani që sipas zëvendësministrit të jashtëm, Petrit Selimi ky proces nuk varet nga vullneti i Kosovës.

”Tani kët vit, ashtu siç ka thënë ministri Hoxhaj po bëhen të gjitha përgatitjet juridike, ligjore e politike që Kosova të fillon procedurën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

Ndërsa Osmani kritikoi edhe mosbashkëpunimin e Ministrisë së Jashtme me Komisionin që ajo e drejton. Ajo tha se sikur Kosova të aplikonte brenda këtyre ditëve, do të kishte gjasa që ky zhvillim të përmbyllej deri në fund të vitit.

”Nuk mund të them me muaj se sa merr kohë ky proces, mirëpo nëse fillohet tani ka mundësi që të ketë lëvizje shumë të rëndësishme gjatë këtij viti. Nëse shtyhet prapë nga MPJ-ja atëherë do të prolongohet një proces i anëtarësimit në një organizatë që do të ishte esenciale për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës”.

Ndryshe edhe rezoluta e Parlamentit Evropian e miratuar ditë më parë, ka bërë thirrje për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Franca përfundon misionin e saj ushtarak në Kosovë

0

KFORi francezFranca ka përfunduar misionin e saj ushtarak në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. 320 ushtarët e mbetur kanë lënë vendin gjatë gjysmës së parë të vitit, bëhet e ditur nga shtabi i përgjithshëm francez.

Kanë mbetur vetëm disa oficerë në Kosovë që janë të punësuar në Shtabin e Përgjithshëm të misionit ushtarak ndërkombëtar. Franca në kuadër të KFOR-it kishte dërguar 6 mijë ushtarë në veriun e trazuar të Kosovës në fillim të misionit të NATO-s në vitin 1999.

MAShT: Nafta në shkolla nuk është kancerogjene

0

Shkolla-nxenesitMinistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), respektivisht Departamenti i Inspeksionit, pas inspektimit me ekspertizë që është bërë në disa shkolla, ka konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve.

MAShT ka dërguar në terren inspektoret e arsimit, pas situatës së krijuar të premten, kur u mbyllen disa nga shkollat e Prishtinës, me arsyetimin se për ngrohje në shkollat e kryeqytetit është përdorur naftë me sasi të lartë të sulfurit.

Departamenti i Inspeksionit ekspertizën e ka bërë në shkollat: “Sami Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla e re në Hajvali. Ndërsa, përveç inspektorëve të arsimit, në këtë inspektim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga inspektorati i Ministrisë së Punës, nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Instituti i Mjekësisë së Punës – Shërbimi për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe drejtorët e shkollave përkatëse.

“Në bazë të matjeve të përqendrimit të gazrave kimike (dioksidit të karbonit, monoksidit të karbonit dhe gazrave nitroze), me pajisjen Multianalizer të kompanisë “Dragen”, kemi konstatuar se përqendrimi i gazrave toksike në ambientet dhe mjediset shkollore është: CO2-0,030% – 0,070% (në kufijtë normal), monoksidi i karbonit (CO-0,0 ppm), dioksidi i sulfurit (SO2-0,0ppm) dhe gazrat nitroze (Nox – 0,0ppm)”, thuhet në raportin e Departamentit të Inspeksionit, ku është konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve të përcaktuara.

Po ashtu, MASHT, pas kërkesës së bërë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të kuptuar përmbajtjen e cilësisë së naftës që përdoret për ngrohje në shkollat e Prishtinës, ka marrë përgjigjen nga kjo e fundit se derivatet e naftës të përdorura për nxehje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara dhe rregulloret në fuqi në Kosovë.

“Prandaj, MAShT siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin”, thuhet në njoftimin e MAShT.

Po ashtu, MAShT bën thirrje që shkollat, respektivisht nxënësit dhe mësimdhënësit, të mos përdoren për agjenda të politikave ditore. /PrizrenPress.com/

Begaj cakton ditën e premte për takim me qytetarët

0

RagipBegaj-kryetariMalishevesKryetari i Malishevë, Ragip Begaj, ka caktuar ditën e premte për t’u takuar dhe biseduar me qytetarët. Takimet do të mbahen çdo të premte nga ora 13:00 deri në ora 16:00.

“Dera e zyrës së kryetarit Ragip Begaj do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët çdo të premte”, njofton KK në Malishevë.

“Kryetari Begaj do të jetë në dispozicion të qytetarëve, për t’u njohur me brengat e tyre, andaj luten të gjithë ata qytetarë, që duan ta takojnë kryetarin, të vijnë cdo të premte prej orës 13:00”. /PrizrenPress.com/

Artistja që i shndërron personazhet në skulptura prej libri

0

Jodi Harvey-BrownBrenda saj jetojnë dy dashuri. Njëra për artin, e tjetra është pasioni për lexim. Imagjinata e ka shëtitur nëpër secilën qoshe të botës, teksa personazhet e librave që ka lexuar deri vonë i ka përfytyruar vetëm brenda kokës së saj.

Tre vjet më parë ajo do ta gjente formulën. Një gërshetim mes artit dhe dëshirës për të lexuar do të merrte formën e një shprehjeje unike në art, shkruan KD.

Jodi Harvey-Brown (26), është artistja amerikane që ka marrë vëmendje botërore me skulpturat e saj prej libri. Ajo ka sfiduar imagjinatën duke u dhënë formë reale karaktereve të librave, tek ka sjellë në jetë skulpturat unike që i bën në faqe librash.

Harry Potter, Bambi, Tom Sawyer, janë disa prej personazheve më të famshëm të letërsisë, të cilëve Brown u ka dhënë formë nëpërmjet letrës. Por imagjinata e saj kapërcen kufijtë e librave. Ajo mbërrin deri tek hapja e Kutisë së Pandorës.

S’ka interesim për rrëzimin e Qeverisë

0

QeveriaKosoves-NdertesaPavarësisht zhvillimeve aktuale, analistët politikë, Ardian Arifaj dhe Shkëlzen Maliqi, nuk parashikojnë rrëzim të Qeverisë nga opozita. Ata kanë thënë se nuk është në interesin e asnjë partie politike, sidomos atyre opozitare, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Analisti politik Ardian Arifaj ka thënë se partitë opozitare asnjëherë deri më tani nuk kanë qenë të afta për t’i bashkërenduar veprimet e tyre në mënyrë që ta rrezikojnë seriozisht jetëgjatësinë e Qeverisë. “Kjo Qeveri ka jetuar deri më tani në masë të madhe duke iu falënderuar një opozite të përçarë dhe të paftë për t’i bashkërenduar veprimet e veta. Opozita në Kosovë në këta katër vjet gati asnjëherë nuk ka qenë e aftë t’i bashkërendojë veprimet e veta. Edhe pse shpeshherë matematika ka qenë në favor të opozitës, opozita asnjëherë nuk ka arritur të veprojë e bashkuar dhe me atë matematikë të arrijë ta rrezikojë Qeverinë”, ka thënë Arifaj për Epokën e re.

Ai ka vlerësuar se rrëzimi i Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do të ishte në dobi të asnjërës nga partitë politike, në veçanti atyre opozitare. “Vendi edhe ashtu është duke shkuar në zgjedhje nacionale, pra nuk shihet ndonjë dobi në nxitimin për të rrëzuar Qeverinë dhe për të shkuar në zgjedhje, sidomos pa e përfunduar reformën zgjedhore. Kështu që, nuk ka nevojë edhe opozita të ngutet të rrëzojë Qeverinë dhe të shkojë në zgjedhje menjëherë. Në fakt, kur e shohim gjendjen brenda partive politike opozitare, të cilat nuk janë të konsoliduara përbrenda ende, është vështirë për të parë ndonjë interes për partitë politike opozitare që të shkojnë në zgjedhje qysh tani”, ka deklaruar Arifaj.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve nacionale sipas kalendarit zgjedhor do të ishte e favorshme për të gjitha partitë politike në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të konsolidohen plotësisht. “Më e mira do të ishte që zgjedhjet të mbahen sipas kalendarit zgjedhor dhe para mbajtjes së tyre të përgatitet reforma elektorale. Është në interes të të gjitha partive të konsolidohen brendapërbrenda, pastaj në fushatë elektorale të mos merren me përçarjet dhe problemet e brendshme, por të përqendrohen në prezantimin e programeve dhe ofertave sa më bindëse për votuesit”, është shprehur Arifaj.

Ndërkohë analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se te disa parti opozitare ka munguar vullneti të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje. “Opinionet për rrëzimin e Qeverisë nuk kanë qenë të shumta, por sporadike, sepse nuk kishim opozitë të bashkuar as për çështje madhore. Te disa parti opozitare ka munguar vullneti që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje. Megjithatë, edhe nëse nuk ka opozitë të mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë, është e mundshme mundësia e dytë e vetërrëzimit të Qeverisë, sipas skenarit tashmë të njohur nga viti 2010”, ka thënë Maliqi në një intervistë për “Epokën e re”.

Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka thënë se ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme nuk kanë fuqi ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës. “Opozita nuk ka as fuqi e as dëshirë ta rrëzojë Qeverinë. I kuptoj prononcimet e opozitës nëpër medie, të cilat i bën për kalkulime politike. Deri më tani nuk e kemi parë asnjë mocion të votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse do të kishte vullnet të njëmend për rrëzimin e Qeverisë, opozita do ta shtronte këtë mocion, por realiteti ka treguar se opozita është shumë e përçarë. Më shumë ka probleme të unifikimit të qëndrimeve të opozitës sesa të mazhorancës”, ka thënë Bajrami për Epokën e re.

Ai ka kërkuar nga partitë opozitare ta lënë anash debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të merren me përfundimin e reformës zgjedhore. “Ne si mazhorancë nuk do ta mbivotojmë reformën zgjedhore, do t’i prijmë konsensusit, por nuk do të marrim përgjegjësi për divergjencat të cilat i ka krijuar opozita. Ju e dini se edhe në ish-Komisionin për Reformë Zgjedhore më shumë ka pasur divergjenca në mes të opozitës sesa PDK-së. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë korrekte dhe konstruktive në mënyrë që ta arrijmë këtë konsensus, që liderët politikë t’i japin përgjigjet e fundit për reformën. Nuk mendoj se duhet të ketë më shumë se edhe një takim në mes të liderëve, sepse tani reforma ka ardhur në Kuvend dhe ky institucion ka mekanizmat e vet për t’i çuar proceset përpara”, ka deklaruar Bajrami.