7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Rreth 300 mijë armë në duart e kosovarëve

FerdinandNikollaMësimdhënësit duhet të merren më shumë me nxënësit nga këndi edukativ dhe arsimor. Qeveria duhet urgjentisht të rishikojë udhëzimin administrativ që rregullon disiplinën në shkolla. Dyshohet se në Kosovë ende janë rreth 317 mijë armë të paligjshme në duart e qytetarëve. Ferdinand Nikolla, Kordinator i Saferworld për Kosovë flet për Tribunën

Saferworld është një organizatë e pavarur joqeveritare që punon me qeveritë dhe shoqëritë civile në planin ndërkombëtar dhe atë kombëtar të shteteve veç e veç ku vepron. Ajo merret me hulumtimin, promovimin dhe zbatimin e strategjive të reja për të rritur sigurinë e njerëzve dhe për të parandaluar dhunën e armatosur. Kjo organizatë me seli në Londër, është e shtrirë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Pika kryesore e fokusit të kësaj organizate janë çështjet e sigurisë. Pas rasteve të fundit të dhunës në shkollat e Kosovës, ku për rreth një muaj pati tre vrasje të nxënësve, në intervistë për Tribunën, Kordinatori i Saferworld për Kosovë Ferdinand Nikolla, thotë se planet që afër institucioneve edukative të ketë policë, nuk janë të mira. “Mendoj se kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes që mbase do të pengonete veprimet e dhunshme gjatë kohës sa policia qëndron aty, por në momentin kur policia largohet, gjendja mbetet e njejtë”, thotë Nikolla.

Tribuna: A ka siguri të mjaftueshme në shkollat e Kosovës?
Nikolla: Në përgjithësi shkollat duken të sigurta por incidentet e fundit, duke përfshi edhe humbjet e jetës së nxënësve tregojnë për një trend në rritje të konfliktit dhe pasigurisë në shkollat publike. Për më keq, kjo gjendje vazhdon të trajtohet në mënyrë reaktive pa ndonjë ide të qartë për shkaktarët dhe për zgjidhjet e duhura. Ende mbretëron idea që policia duhet ta ruajë çdo cep të shkollës, dhe se mësimdhënësit, prindërit dhe vet nxënësit janë vetë spektatorë!

Tribuna: Ditët e fundit po përdoren edhe armët nga nxënësit, që në disa raste pati edhe pasoja tragjike. Cila është zgjidhja më e mirë për të eliminuar këtë dukuri?
Nikolla: Është tragjike që nxënësit kanë arritë që seriozisht të rrezikojnë jetën e njëri tjetrit duke përdorë edhe armë zjarri. Zgjidhja duhet të fillojë nga vetë shtëpia ku prindërit duhet të sigurohen që fëmijët e tyre të mos kenë qasje në armë. Pastaj, mësimdhënësit duhet të ndërmarrin veprime të kontrollit për armë në shkolla (oborr, klasa) për të penguar futjen e armëve në shkollë. Sipas nevojës, në kordinim me përsonelin mësimor dhe prindërit, edhe policia mund të bëjë ndonjë bastisje në mënyrë që nxënësit të mos kenë përshtypjen se askush nuk po i monitoron dhe se ata munden që shkollën ta kthejnë në arenë të krimit. Mësimdhënësit duhet të merren më shumë me nxënësit dhe atë nga këndi edukativ dhe arsimorë. Në fund të fundit, mësimdhënësit nuk janë aty vetëm për t’u mësuar shkronjat dhe numrat. Ata janë aty për të ndikuar edhe në zhvillimin e personalitetit të tyre dhe sjelljet qytetëruese.

Tribuna: Konsiderni se është zgjidhje prezenca e policisë afër shkollave?
Nikolla: Mendoj se kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes që mbase do të pengonete veprimet e dhunshme gjatë kohës sa policia qëndron aty, por në momentin kur policia largohet, gjendja mbetet e njejtë. Institucionet qeveritare dhe komunale të arsimit bashkë me policinë, këshillat e shkollave, këshillat e prindërve, ekspertë të arsimit e sigurisë, psikologë e sociologë, mjekë e pedagogë, duhet që së bashku të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të bërë një analizë të thellë të shkaktarëve të rritjes së konfliktit dhe dhunës në shkollat publike, sidomos ato të mesme. Kjo, sepse mendoj që këtij problemi deri tani institucionet ju kanë qasur në mënyrë sipërfaqësore – dërgo policinë dhe duhet të jemi mirë! Mendoj se institucionet dhe akterët relevant që përmenda më lartë duhet të studijojnë seriozisht nëse edhe faktorë të tjerë janë duke ndikuar në rritjen e pasigurisë në shkolla si p.sh.kushtet ekonomike e sociale të nxënësve, familjeve të tyre, mundësitë e kufizuara për të shprehur talentin e tyre, mungesa e perspektivës për të rinjtë, papunësia dhe varfëria, drejtësia e manipuluar dhe moszbatimit i ligjeve. Qeveria duhet urgjentisht të rishikojë udhëzimin administrativ që rregullon diciplinën në shkolla.Nxënësve që vijnë më armë në shkollë nuk duhet së pari t’u jepet vërejtje gojore nga mësimdhënësi, pastaj me shkrim, etj etj. Kjo është absurde! Pas një analize të tillë duhet të ndërmerren veprimet e nevojshme drejt zgjidhjes. As qeveria, as institucionet komunale dhe shoqëria në përgjithësi nuk e din ende pse konflikti dhe dhuna në shkollat publike është në rritje. Fillimisht duhet ta gjejmë përgjigjen e pastaj të veprojmë! Nuk adresohet problemi vetëm duke vendosuar policinë në derë të shkollës.

Tribuna: Ju si organizatë për parandalimin e dhunës së armatosur, a keni ndërrmarrë ndonjë iniciativë se si të parandalohet dhuna në shkolla, qytete, etj?
Nikolla: Ne gjatë periudhës 2009 – 2012 në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Han të Elezit dhe Shtime jemi angazhuar për të ndërtuar një bashkëpunim të ndërsjellë në mes të institucioneve komunale të arsimit, policisë, nxënësve dhe prindërve si parakusht për çfarëdo veprimi drejt adresimit të problemit. Me leje të mësimdhënësve, prindërve, policisë, etj, ne kemi ofruar edhe mbështetje financiare për instalimin e kamerave nëpër disa shkolla fillore dhe të mesme në mënyrë që mbikqyrja për disiplinën dhe sigurinë në shkollë të jetë më e lehtë nga personeli arsimor. Po ashtu, që nga viti 2008 kemi avokuar tek institucionet qeveritare që ato të hartojnë një strategji nacionale për siguri në shkolla në mënyrë që Kosova të ketë një vizion më të qartë dhe një qasje më të qëndrueshme kundrejt këtij problemi. Vetëm këto ditë MASHT-i ka ndërmarrë një hap të tillë dhe tashmë ka formuar grupin punues për hartim të strategjisë për siguri në shkolla ku jemi ftuar edhe ne. Si antarë i këtij grupi jam optimist se do të gjejmë një përgjigje të problemit në mënyrë që të vendosim pastaj disa hapa të duhur drejt adresimit të problemit.

Tribuna: A keni të dhëna se sa armë mbajnë në duar qytetarët e Kosovës?
Nikolla: MPB ka të dhëna të sakta për armëmbajtje me leje, por asnjëherë nuk mund të dihet sa është numri i armëve ilegale. Një raport që ne kemi publikuar në vitin 2009 tregon se në Kosovë ende gjenden në posedim të paligjshëm rreth 317 mijë armë. Megjithatë, duke ditur që policia e Kosovës çdo vit konfiskon një numër të madh të armësh ilegale sypozohet që ky numër të ketë rënë. Në komunat veriore të Kosovës gjendja është edhe më e keqe për shkak të mos kontrollit të kufirit dhe mos-zbatimit të ligjit.

Tribuna: Cila është zgjidhja që sa më pak armë të përdoren nga qytetarët?
Nikolla: Zgjidhja kryesore mendoj është që të funksionojë më mirë dora e shtetit, pra të zbatohen ligjet, të mos ndikohen policët, prokurorët dhe gjykatësit në hetimin dhe gjykimin e rasteve. Pra, duhet të krijohen kushtet për një funksionin të shtetit ashtu siç e parashef ligji, në mënyrë që pastaj besimi nga qytetarët tek këta të fundit të filloj të rritet. Deri tani, besimi është mjaft i ulët. Një shembull i thjeshtë ku instituconet tona çdo ditë e më shumë janë duke dështuar në adresimin e brengave reale të sigurisë së qytetarëve janë rastet e vjedhjeve dhe hajnisë së banesave dhe shtëpive në Prishtinë. Kjo bën që qytetarët të gjejnë forma për të mbrojtur vet familjen dhe pronën. E në këtë rast, arma mbetet zgjidhja e vetme. Pastaj, vendosja e rendit dhe sigurisë në veri të Kosovës, mund të ndikojë pozitivisht në uljen e disponimit të qytetarëve për armën. Për më shumë, paqa dhe siguria në rajon e sidomos raporti i Kosovës me Serbinë, çdo herë do të jetë shkaktarë i mbajtjes ose jo të armëve.

Tribuna: Sipas jush a do ta zgjidhte këtë problem zbatimi i plotë i Ligjit për Armë?
Nikolla: Ligji për armët nuk e zgjidhë problemin e armëve ilegale në Kosovë. Kjo sepse ligji për armët rregullon vetëm kontrollin e armëve në posedim të ligjshëm. Ligji për armët qytetarëve të Kosovës u lejon marrjen e lejes për armë vetëm për aktivitetet e gjuetisë, shenjëtarisë, ose për qëllime koleksioni. Pra, jo për të mbrojtur familjen dhe pronën, sic kanë shumë shtete të tjera nëpër botë. MPB ka hartuar një strategji për grumbullim të armëve ilegale, ku parashihet edhe amnestia për grumbullim vullnetarë të armëve, por që me të drejtë duket se në këtë kontekst politik dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon nuk duket e favorshme të ndërmerren veprime konkrete. Duket që edhe një dekadë, çështje a posedimit të armëve ilegale nuk do të mund të futet në rend dite në Kosovë e as rajon.

Tribuna: Shumë fëmijë ditën e kalojnë rrugëve të vendit, përfshirë edhe si lypës. Rritja e tyre në këtë mënyrë, sa mund të jetë rrezik për të ardhmen?
Nikolla: Lypja në Kosovë tashmë ka marrë përmasa tepër shqetësuese. Problemi është se ky fenomen po trajtohet vetëm nga këndi socio-ekonomik e jo edhe i sigurisë. Fëmijët janë duke u keqpërdorur nga prindërit e tyre për përfitime ekonomike dhe kjo është e ndaluar me kod penal dhe konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve. Për më shumë, lypja në formën e organizuar, sidomos nga pjestarë të komunitetit romë nga Shqipëria duhet të nxisë policinë dhe prokurorinë të ndërmarrin hetime më të thella për të identifikuar motivet e vërteta të lypjes dhe implikimet e mundshme kriminale për trafikim.

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

I shkaktuan vazhdimisht dhunë psikike – viktima nga Malisheva përfundon në QKUK

Një grua nga Malisheva ka përfunduar për trajtim mjekësor në QKUK, si pasojë e ushtrimit të dhunës psikike ndaj saj nga dy persona. Rasti ka...

Lajmet e Fundit