21.1 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 8867

Krasniqi: Fitoi Shpendi, jo Vetëvendosje

0

FlorinKrasniqi-VVFlorin Krasniqi për herë të parë reflektoi publikisht pas epilogut të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Deputeti i Vetëvendosjes si mysafir në Info Magazine të Klan Kosovës nuk u shfaq i kënaqur me rezultatin që subjekti i tij politik e mori në këto zgjedhje.

“Nuk jam i kënaqur me numrin e votave”, deklaroi Krasniqi. Por kosovaro-amerikani tha se fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë jep një shpresë të madhe për lëvizjen e Albin Kurtit. Ai nuk hezitoi t’ia atribuojë krejt meritat Ahmetit për këtë fitore të madhe.

“Shpend Ahmeti e fitoi betejën në dyluftim me Isa Mustafën. Dyluftimi ndonjëherë është mirë që në betejë të mos futen subjektet politike. Mendoj se fitorja e Shpendi i ka dhënë një sqarim gjithë relievit politik të se ardhmes”, theksoi Krasniqi, duke vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të fokusohet në ecurinë e saj si subjekt i qendrës së majtë.

“E ardhmja politike në Kosovë do të ndahet në dy taborre. Në qendrën e majtë e cila do të jetë Lëvizja Vetëvendosje dhe në qendrën e djathtë që është LDK-ja. Vetëm këto dy parti janë të profilizuara. Partitë tjera duhen me shku drejt zhdukjes sepse nuk ofrojnë program për qytetarët”, konstatoi Krasniqi.

Por Krasniqi me ngulm thotë se Vetëvendosje duhet të përcjell rrugën e partisë së qendrës së majtë. E për këtë tha se subjekti politik do të duhet të përballet me rreziqe.

“Partitë e qendrës së majtë rrezikohen prej elementit anarkist ose komunist. Mendoj se Vetëvendosje do të krijojë mbrojtje prej këtyre elemente. E më pas fitorja është e sigurt, sepse partitë e qendrës së majtë siç po e shohim janë në fuqi në Amerikë, në Britani e Gjermani”, përfundoi Krasniqi.

Arrestohen 11 persona për korrupsion në UP

0

PoliciaKS-prangatDrejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar njëmbëdhjetë persona, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, njofton PK-ja.

Bazuar në hetimet policore, personat e dyshuar, gjatë periudhës kohore 2009 – 2012, me qëllim të përfitimit material, kanë pranuar shuma të ndryshme të parave (nga 4 mijë deri në 10 mijë euro) me qëllim të regjistrimit të studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, të Edukimit etj.

Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e plotë të të arrestuarve, duke njoftuar vetëm për moshën dhe dhënë inicialet e tyre. Sipas Policisë të arrestuar janë: E. B. (1984), R. Z. (1984), K. G. (1986), A. J. (1985), L. B. (1987), A. H. (1988), G. M. (1984), M. B. (1984), A. H. (1984), K. M. (1988) dhe M. M. (1983).

Të njëjtit po gjatë kësaj periudhe, kanë përfituar shuma nga 100 deri në 500 euro, për kryerjen e provimeve nga lëndë të ndryshme mësimore, duke hyrë në provim në vend të studentëve tjerë, si dhe duke intervenuar tek profesorët për marrjen e notave kaluese.

Të gjitha veprimet dhe hetimet policore janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe me autorizimin e tij ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore, ku mund të ketë zgjerim të hetimeve edhe ndaj personave të tjerë.

Buzhala: Kuçi fëmijëror

0

Buzhala-KuciËshtë e vërtetë që largimi i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit mund të ketë ndikuar në dëmtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, por kthimi i tyre nuk është shpëtimi i PDK-së. Mossuksesi i PDK-së nuk mund të lidhet me Fatmirin apo Jakupin, sepse PDK ka bërë lëshime të tjera që e kanë dëmtuar atë shumë më shumë.

Kështu tha për ‘Zëri’ Berat Buzhala, deputet i PDK-së.

Duke komentuar ofertën e nënkryetarit të partisë Hajredin Kuçi, i cili një ditë më parë në një intervistë televizive tha se Krasniqi e Limaj mund të kthehen në parti dhe të marrin të njëjtat pozita që i kanë pasur, Buzhala deklaratën e tij e cilësoi të ulët, joserioze e madje fëmijërore.

“Fillimisht shpresoj se kjo deklaratë e Kuçit nuk është bërë në koordinim me kreun e PDK-së dhe nënkryetarit të tij, sepse kjo deklaratë më së paku është e sinqertë, pasur parasysh që veprimet e tilla të unifikimit të partisë nuk bëhen përmes studiove televizive”, tha Buzhala, duke shtuar se në fund të fundit kush është Kuçi, ai mund të jetë nënkryetar, por nuk mundet që në emër të gjithë partisë të thotë ‘hajde tash Limaj kthehu nënkryetar dhe ti Krasniqi sekretar’.

Ndarja e këtyre dy figurave nga PDK nuk ka qenë e thjeshtë, qysh nuk është e thjeshtë as edhe bashkimi, të paktën jo në këtë mënyrë kaq turpëruese, tha ai.

“Me deklaratën e Kuçit, PDK e mori flakareshën e parë duke kërkuar mëshirë prej Limajt e Krasniqit, i konsideroi si shpëtimtarë të partisë dhe tani vjen ai momenti që edhe Limaj edhe Krasniqi të mund të tallen me të”, tha Buzhala, duke shtuar se më e pakta që mundet me pritë PDK prej Limajt e Krasniqit është mëshira nga dikush që ti nuk ke treguar mëshirë për të.

“Kemi rastet kur Limaj është ballafaquar me 100 peripeci dhe PDK e zhvilloi kuvendin pa e pritur atë. E tani si mundesh me pritë mëshirë prej dikujt që ti nuk tregove mëshirë për të”, shtoi ai.

Sidoqoftë, edhe nëse Kuçi e konsideron kthimin e tyre shpëtim të partisë, Buzhala vlerëson se një parti serioze do të duhej të funksiononte edhe pa dy figura si Limaj e Krasniqi.

“Dihet që PDK është dëmtuar me largimin e tyre dhe nuk jam kundër kthimit të tyre, por jam i bindur që bashkimi nuk e shpëton partinë. PDK ka bërë lëshime të tjera që e kanë dëmtuar atë dhe tani ajo nuk bën të merret me pasojat por me shkakun”, tha Buzhala.

Shpëtimi i PDK-së janë reformat në shëndetësi, edukim e sektorë tjerë, pastaj prurja e figurave të reja, projektet të tilla që e përgatisin partinë për tregun e shekullit 21, e jo të shekullit 20. Është vetë elektorati ai i cili së fundi na dëshmoi se kërkon figura të reja e jo të vjetra, tha Buzhala.

“Nëse PDK-në e kanë kapur ethet, ajo duhet t’i largojë ato, të shërohet e jo t’i shtojë me tendenca të tilla si të Kuçit”, përfundoi Buzhala.

Të rinjtë e LDK-së, me Facebook kundër korrupsionit

0

FR-LDKForumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës synon që përmes rrjeteve sociale ta luftoj korrupsionin në vend. Ata kanë hapur një faqe në Facebook me titull “Kosova pa korrupsion”. Sipas udhëheqësve të Forumit Rinor, kjo faqe është një mundësi e re dhe e lehtë për ta denoncuar këtë dukuri.

“Kosova pa korrupsion” është një nismë e të rinjve të LDK-së, përmes se cilës synohet që të ngritet vetëdija e qytetarëve për të denoncuar, luftuar dhe kundërshtuar të gjitha dukuritë korruptive në Kosovë. Kështu tha kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Armend Ibrahimi. Ai tha se beson në një Kosovë pa korrupsion.

“E kemi zgjedh ta adresojmë përmes Facebook-t sepse të rinjtë kanë shumë qasje në rrjete sociale, edhe do të jetë një formë shumë e thjeshtë përmes së cilës ata mund të denoncojnë korrupsionin. Të rinjtë tanë do të jenë në mbikëqyrje të kësaj faqeje dhe të gjitha materialet do të publikohen me emrin ‘Kosova pa korrupsion’ edhe qytetarët do ta kenë të ruajtur konfidencalitetin”, tha ai, transmeton RTK.

Të gjitha këto publikime për një Kosovë pa korrupsion, Ibrahimi tha se do t’i adresojnë dhe do t’i denoncojnë në mekanizmat përkatës, e që shpreson se do të kenë sukses. Ndryshe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, të publikuar nga Transparency International, Kosova renditet në vendin e 111-të të korrupsionit duke u krahasuar me Tanzaninë dhe Etiopinë.

Letërsia shqipe u dëmtua nga regjimet, edhe nga pakujdesia e kuadrove

0

Shkup-Letërsia shqipeInstituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup sot organizoi tribunën shkencore me temë: “Letërsia shqipe dhe shkolla”, ku referuan njohës të këtij lëmi nga ITSHKSH, USHT, UEJL, Universiteti i Shkupit, etj.

Drejtori i ITSHKSH-së, Shefqet Zekolli theksoi se zhvillimi i letërsisë shqiptare, sikurse edhe zhvillimi i shkollës shqipe, kanë kaluar nëpër periudha të rënda kohore, të cilat kanë bartur pasojat e tyre deri në ditët e sotme. Sipas tij, letërsia shqipe shpeshherë ka pësuar goditje të rënda, jo vetëm nga dogmat ideologjike të kohës, por edhe nga pakujdesia apo papërgatitja e duhur e kuadrove, të cilat ligjërojnë letërsinë nëpër shkollat tona, raporton Zhurnal.

Me referate shkencore u paraqitën edhe studiuesit: Prof.dr. Zeqirja Neziri (“Shkenca e let?rsis?, programet dhe librat shkollor t? let?rsis? shqip(tar)e”); Dr. Fatmir Sulejmani (“Si mësohet letërsia në shkollë?”); Prof.dr. Agim Leka (“Ligjërimi dhe mësimi i letërsisë në shkolla”); Prof.dr. Vebi Bexheti (“Letërsia e munguar shqipe dhe kthimi i saj në shkollat tona”); Dr. Shefqet Zekolli (“Vlerat edukative të letërsisë shqipe për fëmijë”); Prof.dr. Avzi Mustafa (“Mbi disa probleme të mësimit të teorisë së letërsisë dhe stilistikës gjuhësore në shkollë”);…

Pastaj, Prof.dr. Izaim Murtezani (“Pozita e letërsisë gojore në tekstet mësimore (gjendja dhe perspektiva”); Prof.dr. Qemal Murati (“Letërsia shqiptare dhe gjuha e tekstit shkollor”); Dr. Salajdin Salihu (“Shkolla shqipe dhe autorët e ekskomunikuar”); Dr. Zeqirja Ibrahimi (“Letërsia shqipe ne shkolla dhe ideologjia”); Dr. Lulzim Murtezani (“Rëndësia psikologjike e letërsisë: roli i saj në plotësimin e motivit te kuriozitetit të fëmijës”); dhe Dr. Sefer Tahiri (“Rinia shkollore midis letërsisë dhe mediave masive”).

Për të përcjellë këtë tribunë shkencore, ishin të pranishëm edhe shumë arsimtarë të gjuhës e letërsisë shjqipe, për të cilët këto ligjërata ishin të mirëpritura, me shpresë se do të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të letërsisë shqipe në shkollat tona.

Limajt pritet t’i bashkohet edhe një Zëvendësministër

0

Fatmir-limajNë kohën kur udhëheqësit e PDK’së po bëjnë thirrje për kthimin e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit në PDK, këta të dy po vazhdojnë të marrin anëtarë të PDK’së.

Burime të Express bëjnë të ditur se Limajt pritet t’i bashkohet edhe një Zëvendësministër i Qeverisë Thaçi II.

Ai është Emin Krasniqi, i cili është i pakënaqur udhëheqjen aktuale të PDK’së dhe ka mospajtime me udhëheqjen aktuale të PDK’së në Kamenicë.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Krasniqi ishte përmendur si kandidat për Kryetar të Kamenicës, por në fund udhëheqja aktuale e PDK’së kishte vendosur ta kandidonte Begzat Sinanin.

“Krasniqi pritet të bëhet pjesë e nismës së Fatmir Limajt, i cili po e përgatit terrenin për të themeluar parti të re”, ka thënë një zyrtar PDK’së.

Burime të Express kanë bërë të ditur se edhe një asambleist i zgjedhur si kandidat i PDK’së në këtë komunë tashmë është rreshtuar me Limajn.

Express ka provuar të kontaktojë me Zëvendësministrin e Infrastrukturës Emin Krasniqi, por ai nuk është përgjigjur thirrjeve telefonike. Të kontaktuar zyrtarë e kabinetit të tij në Ministri kanë thënë se Krasniqi momentalisht nuk ndodhet në zyre.

Ndryshe, raportet e Limajt me Emin Krasniqin kanë qenë të mira prej kohës kur të dy kanë punuar në Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit.

Përveç Krasniqit, edhe Daut Xhemajli Zëvendësministër i Drejtësisë nuk e përkrahë PDK’në. Ai në zgjedhjet e fundit kishte dalë kundër kandidatit të PDK’së për Kryetar të Vitisë, Nexhmedin Arifi.

Thaçi-Daçiq takohen nesër në Bruksel

0

Thaci-Ashton-Dacic5-22Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të takohet nesër, në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që nesër të takohet në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në kuadër të procesit të dialogut dhe stabilizimit të marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, është thënë në një njoftim të lëshuar për medie nga Zyra për Informim e kryeministrit.

Smaka: Pakicat le ta harrojnë shtimin e vendeve të rezervuara

0

riza smakaProfesori i së Drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, kërkesën për shtimin edhe të dy vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet pakicë, e ka cilësuar si kërkesë irracionale dhe megalomane. Sipas tij, kjo kërkesë është në kundërshtim me parimin themelor të drejtësisë.

“Kjo është një kërkesë irrituese, të cilin më së shpeshti është ngritur nga komuniteti serb, duke pretenduar që si minoritet të ketë fuqinë e barabartë me shumicën (shqiptarët). Me autorizimet ekstra që i kanë bërë institucionet e Kosovës për komunitetin serb, kanë ndikuar në rritjen e apetiteve të kësaj pakice. Koncesionet e vazhdueshme të bëra nga institucionet e Kosovës në raport me serbët dhe Serbinë, madje duke tejkaluar edhe standardet të cilat i ka vendosur Bashkimi Evropian (BE) për pakicat, kanë kontribuar në krijimin e kësaj gjendje”, ka thënë ai për Telegrafin.

Smaka theksoi më tej se institucionet e Kosovës nuk është dashur që assesi t’i tejkalojnë standardet e caktuara në konventën kornizë të Këshillit të Evropës (KE) për të drejtat e minoriteteve, në raport me komunitetin serb.

“Nuk duhet të bëhemi më katolik se Papa. BE –ja përmes konventës për të drejtat e pakicave i ka caktuar standardet për pakicat, dhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj konvente. Unë dyshoj se serbët në vazhdimësi do t’i shtojnë kërkesat e tyre, duke mos u kënaqur me pozitën aktuale të cilën e kanë në institucionet e Kosovës. Këto kërkesa janë totalisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, madje edhe nenin e parë të saj thuhet qartë se Kosova është shtet unik, i qytetarëve, duke mos e privilegjuar asnjë etnitet i cili jeton në Kosovë”, ka shtuar ai.

Deputetët e komunitetit jo shumicë në një tryezë ku është diskutuar për vendet e rezervuara në Parlament për komunitetin jo shumicë, kanë propozuar ndryshime kushtetuese, përmes të cilave do të shtohej numri i vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Nuk shihet me shumë optimizëm reforma zgjedhore

0

Zgjedhje-kosove-logoAdaptimi i ligjeve dhe nënligjeve që mund të sjell reformimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, mund të ndikojë në organizimin e zgjedhjeve nacionale për vitin tjetër vlerësojnë në Institutin Demokratik të Kosovës.

Megjithë zotimin e zyrtarëve për përfundimin e reformës zgjedhore deri në fund të janarit të 2014, në zgjedhjet e ardhshme nacionale mund të jetë e vështirë të organizohen sipas ndryshimeve që sjell reforma për arsye të adaptimit të të gjitha akteve ligjore e nënligjore, vlerëson Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas tij kjo reformë më shumë do të jetë apriori deformim i Ligjit për zgjedhje, sesa që mund të konsiderohet si reformë.

“Edhe nëse do të kemi një ndryshim aktual të ligjit për zgjedhje…, atëherë i bjen që para periudhës 6 mujore nuk është mirë që të organizohen zgjedhjet, sepse më pas do të mund të kishte edhe pasoja dhe të derivonin zgjedhje jo të rregullta dhe jo demokratike”, tha ai, transmeton RTK.

Ndërkohë që ish kryesuesi i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Haki Demolli thotë se në esencë nuk do të ketë ndryshim të madh në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij shkaktar i parregullsive në zgjedhjet e kaluara, kanë qenë edhe disa organizma të tjerë institucional të Kosovës.

“Nuk ka qenë ligji shkaktar i të gjitha parregullsive të zgjedhjeve të kaluara, por organizimi i tërësishëm i shoqërisë, përfshirë, KQZ-në, policinë, prokurorinë, si dhe vetë shoqërinë civile”, tha ai.

Ndryshe çështjet për të cilat duhet të arrihet pëlqimi politik, është se a do të jetë Kosova një zonë e vetme zgjedhore apo me më shumë zona, çështja e listave të hapura dhe çështja e votës preferenciale. Reforma zgjedhore mbetet edhe njëra prej kërkesave kryesore të Bashkimit Evropian

Qeveria më e korruptuara, FSK më i besueshmi

0

QeveriaKosoves-NdertesaForca e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe KFOR-i, janë institucionet më të besuara në Kosovë. Kjo u tha sot gjatë publikimit të edicionit të tretë të barometrit kosovarë të sigurisë publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Institucionet më të korruptuara sipas qytetarëve janë Qeveria, sistemi shëndetësor dhe ai gjyqësor.

Edicioni i tretë i barometrit kosovar të sigurisë ofron përmbledhje të perceptimeve publike për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Florjan Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime Juridike tha se për qytetarët e vendit FSK-ja, zjarrfikësit dhe KFOR-i mbeten institucionet më të besuara. Ndërkaq sa i përket Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës qytetarët nuk kanë njohuri për punën e kësaj agjencie.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vlerëson se kërcënimi më i madh i sigurisë në vend është edhe korrupsioni. Sipas anketës, qytetarët mendojnë se qeveria është më e korruptuara, pastaj sistemi shëndetësor dhe ai gjyqësor, transmeton RK.

Sipas këtij barometri procesi i liberalizimit të vizave paraqet një ndër hapat më të rëndësishëm drejt integrimeve në BE. Derisa të anketuarit besojnë se korrupsioni paraqet sfidën kryesore për Kosovën dhe që pengon procesin e liberalizimit të vizave në Kosovë.