Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mori pjesë sot në aktivitetin “Green Talks”, të organizuar nga OJQ “EC Ma Ndryshe”.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe anëtarët e ‘Eko Klubit’, përfaqësuesit e këshillave të nxënësve dhe mësimdhënësit e disa shkollave të mesme të larta të qytetit, përfshirë “Gjon Buzuku”, “Remzi Ademaj”, “Luciano Motroni”, “Ymer Prizreni” dhe “Lorenc Antoni”.
Diskutimi u fokusua në çështjet mjedisore brenda shkollave dhe në komunitet, me nxënësit që prezantuan aktivitetet e realizuara përmes projektit “Eko Shkolla”.
Kryetari Totaj prezantoi nismat e Komunës për mjedisin, duke theksuar synimin për të krijuar një Prizren të gjelbër.
“Ky debat është pjesë e përpjekjeve tona për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve në mbrojtjen e mjedisit. Ndryshimi fillon nga ne, dhe çdo hap që bëjmë sot drejt një mjedisi më të gjelbër, është një investim për një të ardhme më të pastër dhe të shëndetshme,” u shpreh Totaj.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se ka asgjësuar 21 ton peshk me parazit. Agjencia thekson se epiket inspektuese profesionale të mjeksisë veterinarë të AUV-së, në kontrolle fizikë organoleptik, vërejtën shenja të prezencë se parazitëve në produktin peshk i ngrirë.
Sipas njoftimit të kësaj agjencie, asgjesimi është bërë pas hulumtimit të plotë mbi dyshimin e prezencës se parazitëve lloji Anisakis (krimba) në peshk të ngrirë.
“Duke u bazuar në Ligjin e Veterinarisë dhe Ligjin e Ushqimit fillimisht u larguan nga tregu dhe qëndroi i bllombuar deri ne hulumtim të plotë, pas konfirmimit me anë të analizave laboratorike. U nxor vendim qe malli brenda afatit kohorë ligjor nga operatori ekonomik duhet të kthehet në vendin e origjinës ose ne të kundërtën duhet të paraqes kërkesë për asgjësim. Në pamundësi të kthimi asgjësohen 21,380 kg peshk i llojit Merluc produkt nga importi. Sipas legjislacionit në fuqi kjo sasi e peshkut nuk plotësonte kriteret ligjore për konsum publikë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, sasia është ndaluar për qarkullim në treg.
Ndeshja mes Deçanit dhe Prizrenit kishte degjeneruar në dhunë. Klubi i futbollit Deçani është dënuar me zhvillimin e tri ndeshjeve jashtë stadiumit të saj dhe pa praninë e shikuesve, ndërsa dënime kanë marr edhe lojtarët që janë përfshirë në zënkën që ndodhi në këtë përballje.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka dënuar fillimisht klubin e Deçanit për dhunën e shfaqur.
Ndeshja për xhiron e dytë të Ligës së Dytë në mes të Deçanit dhe Prizrenit u ndërpre pak para fundit pas përleshjes mes lojtarëve në fushë e po ashtu sulmit fizik ndaj lojtarëve mysafirë nga tifozët vendas.
“Sjelljet e tilla janë të papërshtatshme, të papranueshme dhe josportive. Kjo mund të shkaktojë dëme për imazh dhe integritetin e sportit në përgjithësi. Ky vendim është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të FFK-së”, shkruan në arsyetimin e FFK-së.
Lojtarët e përfshirë në përleshje, Donat Aliçkaj e Beqir Tolaj të Deçanit si dhe Bill Willson i Prizrenit janë dënuar me gjashtë ndeshje moslojë.
Megzon Rogova i Deçanit u suspendua me dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq, të cilin e mori për shkak se kishte tërhequr për flokësh Willsonin e Prizrenit.
Klubi i futbollit Deçani është dënuar me zhvillimin e tri ndeshjeve jashtë stadiumit të saj dhe pa praninë e shikuesve. Vendimi është marrë të enjten nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Sot është nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e parkut në lagjen Vataj të fshatit Astrazup. Marrëveshja u arrit mes Komunës së Malishevës, përkatësisht nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, dhe kryetarit të komisionit për ndërtimin e parkut, Rrahim Morina.
“Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Komuna e Malishevës do të financojë një pjesë të projektit për ndërtimin e parkut, ndërsa pjesën tjetër do ta mbulojnë komuniteti i lagjes”, thuhet në njoftimin e komunës, duke theksuar se ky bashkëpunim tregon angazhimin e ndërsjellë për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e hapësirave të reja për komunitetin.
“Palët janë zotuar që të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij projekti, i cili pritet të ofrojë përfitime për komunitetin që jetojnë në këtë lagje dhe jo vetëm”, thuhet më tej./PrizrenPress.com/
Edon Zhegrova pritet që verën e ardhshëm të bëjë hapin e madh në karrierë.
Në Spanjë dhe Francë po raportohet se skuadra e Real Madridit po monitoron Edon Zhegrovën, i cili po ashtu është i interesuar për një lëvizje në “Santiago Bernabeu”.
Madje, thuhet se Zhegrova mund të përfundoj në Real Madrid edhe para përfundimit të sezonit aktual.
25-vjeçari ka treguar paraqitje të mira te Lille, duke u shndërruar në lojtarin kryesor të ekipit nga Franca, gjë që ka tërhequr vëmendjen e klubit mbretëror.
Ai ka kontratë me Lillen deri në verën e vitit 2026 dhe kartoni i tij vlerësohet rreth 25 milionë euro, shumë kjo simbolike për një klub të madh si Real Madridi.
Zhegrova prej janarit të vitit 2022 është pjesë e Lillet kur iu bashkua nga Baseli, ndërsa është rritur shumë në kampionatin francez.
Gjatë kësaj vere, interesim për Zhegrovën patën shfaqur ekipe nga Italia e Anglia, përfshirë këtu Juventusin, Milanin e Manchester Unitedin.
Këtë sezon, Zhegrova ka 4 gola në 7 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa sezonin e shkuar e mbylli me 12 gola e 10 asistime në 47 ndeshje të luajtura me fanellën e Lillet.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të premten do të ndërpritet qarkullimi i automjeteve për një orë në segmentin nga objekti i Administratës deri te Shtëpia e Bardhë për shkak të shënimit të “Ditës pa Makina”.
“Nesër, më 20 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në orën 12:00 do të bllokohet rruga nga objekti i Komunës së Prizrenit (rruga “Remzi Ademaj”) deri në kryqëzimin me rrugën “Adem Jashari” dhe deri në Sheshin e Komandant Drinit, respektivisht para Shtëpisë së Bardhë. Me këtë rast shënohet simbolikisht ngjarja ndërkombëtare “Dita pa Makina” që organizohet në shumë vende të botës, në të cilën qytetarët lëvizin pa makina dhe në vend të tyre ngasin biçikleta, karroca apo edhe ecin”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Në të njëjtën kohë është theksuar se qëllimi i kësaj ngjarjeje është inkurajimi i qytetarëve për shfrytëzimin e mjeteve transportuese urbane, zbutja e ndikimeve të ndryshimeve klimatike globale, ku rritja e vëmendjes i kushtohet bashkëveprimeve të menjëhershme për shëndetin, që vijnë së bashku me reduktimin e emetimeve të karbonit.
“Luteni për mirëkuptim dhe ftoheni të gjithë ta festoni “Ditën pa makina”!”, përfundon njoftimi i Komunës.
Dje Këshilli Komunal i Prizrenit ka përkujtuar 25-vjetorin e krijimit të saj si komuna e parë e Kosovës së pasluftës, e krijuar më 15 qershor të 1999-s nga Qeveria e Përkohshme e asaj kohe, ku kryetar ishte emëruar Kadri Kryeziu.
Ky i fundit në këtë ceremoni u ka ndarë mirënjohje disa personaliteteve të shquara për kontributin e dhënë në atë kohë në themelimin dhe funksionimin e komunës së Prizrenit, të parën në Kosovën e lirë, ndër ta edhe Ilir Kullën.
Kulla nder vite ka qenë zyrtar i lartë në Shqipëri, analist politik dhe gazetar. Ai gjithashtu ka qenë veprimtar shumë aktiv gjatë dhe pas luftës së Kosovës dhe gëzon një përkrahje këtu në Kosovë./Epoka e Re/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren u ka bërë apel konsumatorëve që të sigurojnë pagesën e rregullt të faturave për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.
“Pagesat në kohë janë thelbësore për të shmangur procedurat përmbarimore apo shkyçjet e shërbimeve. Përveç kësaj, grumbullimi i rregullt i të ardhurave lejon financimin e projekteve që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve të ofruara”,thuhet në njoftim.
“Arkëtimi i duhur i mjeteve financiare është kyç për investime të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese”.
Në njoftimin e “Hidroregjioni Jugor” theksohet rëndësia e pagesave të faturave të ujit, duke u cilësuar si një përgjegjësi e përbashkët qytetare.
“Kjo ndihmon në ruajtjen e burimeve natyrore dhe garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë, duke kontribuar gjithashtu në mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e furnizimit me ujë. Gjithashtu, këto pagesa lejojnë investime që synojnë përmirësimin e shërbimeve në të ardhmen”.
Kompania njofton gjithashtu se konsumatorët mund të paguajnë faturat në të gjitha njësitë operative, përmes llogarive bankare ose aplikacionit E-HRJ.
Më 19 shtator 1630, në fshatin Gur të zonës së Hasit lindi Pjetër Bogdani, i njohur në italisht si Pietro Bogdano, kleriku dhe shkrimtari më origjinal i letërsisë së hershme shqiptare.
Ai mund të cilësohet si një mjeshtër i gjuhës shqipe dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII. Bogdani ka hyrë në kujtesën shqiptare edhe duke qenë teologu më i madh i krishterë në gjuhën tonë.
Pjetër Bogdani shkollimin fillor e kishte marrë në Bullgari. Veprimtaria e tij si klerik fetar kishte nisur më 1651, kur kishte filluar të punoj si meshtar në Pult dhe në fshatrat e Prizrenit.
Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty mëson gjuhët e Lindjes, teksa diplomoi më 1658 për teologji dhe filozofi dhe morri titullin doktor.
Më pas emërtohet ipeshkiv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë.
Më 1675 fillon rrugëtimi i librit të tij “Çeta e profetëve”, të cilën e shkruan në atë kohë dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit “Propagandës së Fidesë” për botim. Pastaj, ai filloi ta përkthej librin. Veprën e tij të përgatitur për botim ai e merr me vete më 1658 kur shkoi në Venedik.
Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull ndryshe.
Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.
Vepra “Çeta e profetëve ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.
Ai ishte i përkushtuar për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi me një dashuri të madhe. Bogdani në kohën e pushtuesit osman kërkoi lejimin e librave në gjuhën amtare, teksa punoi vazhdimisht për zhvillimin e kulturës shqiptare dhe çlirimin e vendit.
Me veprat e Pjetër Bogdanit letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.
Murtaja ia sjell vdekjen në Prishtinë më 6 dhjetor 1689. / KultPlus.com
Hetues policor nga Drejtoria e Krimeve Kibernetike më 18.09.2024 kanë arrestuar të dyshuarin nga Suhareka pasi në rrjete sociale vazhdimisht kishte shpërndarë materiale me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Policia bënë të ditur se, me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “Material me përmbatje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.