10.3 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 9087

Japin dorëheqje nga PK-ja, interesohen t’i bashkohen Zafirit

0

PartiaKonservatoreeKosoves-logoEnde pa u formuar mirë, Partia Konservatore, ka filluar të përballet me dorëheqjet e para. Për shkak të mospajtimeve, gjashtë anëtarë të Kryesisë kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.

Taner Kotel, Merit Ashikferrki, Nurja Qyrt, Sebel Shole dhe Diner Derver, kanë dorëzuar me shkrim dorëheqjen e tyre në Partinë Konservatore. Ata akuzojnë kryetarin e PK-së, Munir Bashën për shpifjen që ka bërë në drejtim të tyre.

Partia Konservatore është formuar pas përplasjeve dhe largimit të disa anëtarëve nga Partia e Drejtësisë. Ky subjekt politik për herë të parë ka planifikuar të garojë në zgjedhjet lokale në Prizren.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress-it” bëjnë të ditur se gjashtë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesisë se PK-së, kanë filluar të interesohen për të kaluar te Bashkimi Demokratik i Zafir Berishës. “Ata janë të interesuar që t’i bashkëngjiten Zafir Berishës”.

Gjashtë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga PK-ja, sipas burimit të “PrizrenPress-it”, në ditët e ardhshme do të negociojnë me kryetarin e Bashkimit Demokratik të Prizrenit, Zafir Berisha për të kaluar në këtë subjekt politik. /PrizrenPress.com/

doreheqja e PK

Shahini: Haraçi po heshtet

0

AgimShahini-akbSektori privat në Kosovë ballafaqohet me barriera të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Ndërsa, krimi i organizuar dhe haraçi po dëmtojnë në masë të madhe këtë sektor, thotë në intervistën e javës të Radios Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Ai, madje, shton se problemi qëndron se fenomeni i haraçit ekziston, por që po heshtet.

REL: Zoti Shahini, me cilat probleme po ballafaqohet sektori privat? Ka ndonjë përmirësim në këtë fushë?

AGIM SHAHINI: Problemet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ambienti i infrastrukturës ligjore, i cili nuk është në favor të zhvillimit ekonomik të prodhimtarisë dhe ekonomisë vendore, por është i orientuar në favor të importit të produkteve të gatshme. Dhe, kjo ka bërë që sektori privat, sidomos ai prodhues të ngecë, në krahasim me atë të shërbimeve të tregtisë, i cili është në avancim për çdo ditë.

Prandaj, sa më shpejt që bëhen ndryshime të politikave ekonomike dhe atyre fiskale, ne do të kemi mundësi që t’i tejkalojmë barrierat e trashëguara nga viti në vit dhe ta zhvillojmë sektorin privat.

REL: A po e rrezikon këtë sektor krimi i organizuar? Është thënë shpesh herë se bizneset përballen edhe me haraç…

AGIM SHAHINI: Krimi i organizuar në çdo shtet ekziston, diku më shumë, diku më pak, por sidomos në vendet në tranzicion, siç është Kosova, që pushteti i ekzekutivit është bartur në forma të ndryshme, si nga UNMIK-ut në pushtetin tonë, tashmë EULEX-i. Dhe, kjo ka ndikuar që krimi i organizuar të rritet dhe të jetë prezent në Kosovë dhe në mase të madhe po pengon zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Nisur nga kjo, ka perceptime që në Kosovë ekziston korrupsioni, haraçi. Krim të organizuar ka në sektorë të ndryshëm dhe kjo është një ndër imazhet më të këqija që i dërgohet Kosovës, përmes këtyre fenomeneve negative.

Kurse, institucionet e Kosovës, në disa sektorë pak mund të luftojnë, por sido që të jetë, kur flasim për krimin e organizuar, flasim për një term shumë të gjerë, të sferave të ndryshme të sektorëve të ndryshëm. Sidoqoftë, ky fenomen ekziston, është i zhvilluar në Kosovë, por institucionet vendore dhe ndërkombëtare ende nuk kanë arritur ta luftojnë në masën e duhur. Edhe institucionet më të larta shtetërore duke u nisur nga Presidenca, kanë organizuar Task-forca të ndryshme për parandalimin e krimit të organizuar, korrupsionit, por ende nuk kanë mundur që ta eliminojnë këtë fenomen.

REL: Kush, sipas jush, kërkon haraç nga bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Zakonisht, kjo lidhet me krimin e organizuar, sepse të kërkosh haraç nga dikush, duhet të jesh ose kriminel, ose të jesh i lidhur me kriminelët. Apo edhe të kesh lidhje direkte apo indirekte me këto grupe, sepse haraçi është termi më i vrazhdtë që përdoret në gjithë botën dhe luftohet më së shumti.

Edhe pse Kosova është një shtet në tranzicion, kjo nuk është e zhvilluar sa është në shtet tjera. Po marrim shtetet për rreth që i kemi, por ne nuk është dashur ta kemi fare këtë fenomen negativ. Për ta luftuar haraçin, institucionet vendore duhet të jenë më të përgatitura, por mbi të gjitha denoncimin e haraçit duhet ta bëjnë ata që kanë problem. Dhe, ky është një nga fenomenet më të këqija dhe i heshtur, sepse shumica e atyre që ballafaqohen me këtë problem, heshtin dhe nuk kanë guxim ta paraqesin.

Dhe, derisa heshtet, haraçi zhvillohet. Për t’u parandaluar kjo duhet të luftohet, institucionet kompetente duhet të ballafaqohen. Zakonisht ky fenomen është i shprehur tek ato grupe, të cilët bëjnë biznes të jashtëligjshëm dhe grupet që merren me këtë, kanë informata që punojnë jashtëligjshëm, nuk i paguajnë taksa shtetit dhe ata e marrin rolin e shtetit.

REL: A kanë lidhje partitë politike apo përfaqësues të institucioneve qeveritare më bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Natyrisht, ky fenomen nuk është i izoluar, sepse edhe bizneset kanë interes që të jenë të lidhura me partitë politike, institucionet shtetërore, individë të caktuar në pozita të caktuara për të krijuar favore për vete. Por, njëkohësisht edhe vetë përfaqësuesit e disa subjekteve politike kanë interes që të jenë më afër biznesit, për shkak se u nevojiten për përfitime, qoftë edhe për financimin e fushatave të ndryshme. Dhe, kjo është një ndihmë reciproke, njëra ndaj tjetrës.

Por, nuk ka asgjë të keqe nëse respektohen ligjet, rregullat e lojës dhe nëse nuk shantazhohen bizneset e tjera. Përderisa është një rrugë fer dhe bashkëpunim i tyre është vullnetar, nuk ka asgjë të keqe, por nëse kjo kalon me kushtëzime, atëherë hyn në grupin e të dyshuarve për korrupsion dhe fenomene negative që nuk i bën të barabartë në treg konkurruesit biznesor.

REL: Ka raste në Kosovë që favorizohen kompani të caktuara?

AGIM SHAHINI: Natyrisht që ka, këto nuk janë të panjohura në Kosovë dhe këto ne vazhdimisht i dëgjojmë nga perceptimet e njerëzve të biznesit, shoqërisë civile, mediumeve. Por, ajo që është shumë me rëndësi, më shumë ka perceptim se sa vetë luftim kundër këtyre fenomeneve negative.

Ne ende nuk kemi të gjykuar për korrupsion, nuk kemi të gjykuar për favore që i kanë bërë njëra-tjetrës, por këto mbeten perceptime, sepse të dyja palët duhet të jenë partnerë dhe partnerët normalisht se i bëjnë marrëveshjet sekrete edhe që ta mbrojnë njëri- tjetrin, sepse kjo e dëmton edhe atë që merr, por edhe atë që jep.

REL: Zoti Shahini, tashmë ka përfunduar “Bursa e punësimit”. Sa është numri i punëtorëve që kanë arritur të lidhin kontrata dhe çfarë profilesh janë kërkuar më tepër?

AGIM SHAHINI: “Bursa e punësimit” në këtë vit, edhe pse ka qenë shumë e kufizuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ne kemi arritur një sukses të thekuar. Mbi 190 punëtorë tashmë janë në vende të punës, janë duke punuar në sektorë të ndryshëm, zakonisht në sferat e agrobiznesit, sepse aktualisht është sezoni dhe kërkohen më shumë punëtorë. Por, së shpejti ne do të kemi edhe një punësim tjetër, meqë janë në procedurë aplikacionet të tjera, që nuk janë shqyrtuar nga bizneset dhe ky numër do të rritet.

Ka qenë një gatishmëri shumë e madhe dhe numri i punëkërkuesve ka qenë shumë i madh. Kjo tregon se në Kosovë mungojnë shumë politika nxitëse për zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm. Mungojnë politikat për një zhvillim ekonomik më të përshpejtuar, sepse qytetarët kërkojnë më shumë vende të reja të punës, kërkojnë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe sektorin privat këta të rinj e shohin si shpëtim dhe strehim për të gjetur mundësi dhe të ardhura për ta dhe familjet e tyre.

KDI: Dialogu Kosovë-Serbi, dirigjon punën e Kuvendit

0

KDI-KS-logoInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin gjashtëmujor (Fletënoitimin) e monitorimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën janar-qershor 2013. Në një konferencë për media, KDI ka paraqitur punën dhe angazhimet individuale të secilit deputet, grupeve parlamentare dhe komisioneve parlamentare.

KDI ka vlerësuar se kjo periudhë është karakterizuar me një kontroll sipërfaqësorë parlamentar, me një proces ligjbërës pa konsultime të nevojshme me publikun dhe faktorët tjerë relevant, dhe me një rol jo edhe aq përfaqësues të interesave të qytetarëve, gjë që ka dëshmuar se Kuvendi i Kosovës ka deficit të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e obligimeve dhe mandatit kushtetues që ka.

“Edhe më tutje tema e cila po e mban nën dirigjim punën e Kuvendit të Kosovës, është çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo temë ka derivuar debate të gjata dhe të ashpra, shmangie të shpeshta të Rregullores, fjalor jo-parlamentar, tensione deri në përdorim të dhunës fizike brenda dhe jashtë Kuvendit, duke lënë nën hije mandatin dhe instrumentet tjera kushtetuese që ka ky institucion përfaqësues”, thuhet në raportin e KDI-së.

Sipas këtij raporti komisioni parlamentar më aktiv është ai për Buxhet dhe Financa, me gjithsej 26 mbledhje. Pas tij renditet Komisioni për Zhvillim Ekonomik me 23 takime dhe ai për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor me 19 takime. Ndërsa komisioni më pasiv – apo me më pak mbledhje të mbajtura ka qenë ai për Mbikëqyrjen e AKI-së, me gjithsej 9 takime përgjatë gjashtë muajve. Ndërkohë, Nën-komisioni për Mandate dhe Imunitete, ka mbajtur vetëm 7 takime. Ndër tre komisionet me më pak mbledhje të mbajtura është edhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike me 11 takime.

Sa i përket deputetëve ai Visar Ymeri i Vetëvendosjes, është shpallur si deputeti me aktiv në Kuvendin e Kosovës, ndërsa deputetja serbe, Rada Trajkoviq me pasivja. /PrizrenPress.com/

Deputetët më aktiv

1. Visar Ymeri 3.97 %
2. Halit Krasniqi 3.92 %
3. Alma Lama 3.10 %
4. Myzejene Selmani 2.86 %
5. Albulena Haxhiu 2.51 %
6. Ardian Gjini 2.30 %
7. Teuta Haxhiu 2.26 %
8. Time Kadriaj 2.26 %
9. Arben Gashi 2.13 %
10. Muhamet Mustafa 2.00%
11. Teuta Sahatqija 2.00 %

Deputetët më pasiv :

1. Rada Trajkovic – 0.33 %
2. Florin Krasniqi – 0.26 %
3. Sreten Ivanovic – 0.24 %
4. Skender Hyseni – 0.22 %
5. Sasha Gjokic – 0.20 %
6. Vesimir Savic – 0.15 %
7. Ukë Rugova – 0.15 %
8. Vesna Mikic – 0.11 %
9. Bali Muharremaj – 0.11 %
10. Azem Syla – 0.09 %

Partitë në Prizren, garojnë me programe zgjedhore

0

Partite-Logot8-03Partitë politike në Prizren për herë të parë në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti do të garojnë me programe konkrete zgjedhor. LDK-ja, AAK-LDD-ja, BD-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje! janë në fazën përfundimtare të hartimit të programit të tyre zgjedhor.

Kandidati i AAK-së-LDD-së për kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashi tha se aktualisht është në fazën përfundimtare të hartimit të programit me të cilin do të garojë në zgjedhjet e nëntorit. Ai shpreson se ky program do të mirëpritet nga qytetarët.”Jam duke e punuar programin me të cilin do të garoj për kryetar të Prizrenit”, tha Kabashi.

Ai nuk dyshon aspak në fitoren e 3 nëntorit të këtij viti. Sipas tij, fitorja në nëntor do të jetë e padiskutueshme, pikërisht për shkak programit me të cilin do të garojë. “ Është e padiskutueshme që do të fitoj në zgjedhjet e nëntorit. Jam i sigurt se programi zgjedhor do të përkrahet dhe përqafohet nga qytetarët ”, tha Kabashi për “PrizrenPress”.

Edhe kandidati tjetër i BD-së për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha tha se në zgjedhjet e nëntorit do të garojë me program zgjedhor. Sipas tij, programi i BD-së do të jetë konkretë në zgjidhjen e problemeve dhe përmisimin e jetës së qytetarëve.”BD-ja do të jetë një alternativë për nxjerrjen nga korrupsioni të Prizrenit dhe përmisimin e jetës së qytetarëve”, tha Berisha. Sipas tij, pushteti aktual e ka degraduar dhe shndërruar Komunën e Prizrenit në anarki.”BD-ja do t’ia kthej dinjitetin qytetarëve dhe Prizrenit”, tha Berisha.

Në nëntor me program zgjedhor do të garojë edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu. Zëdhënësi i LDK-së, Nderim Gashi tha se aktualisht janë në fazën përfundimtare të hartimit të programit zgjedhor. “Oferta jonë do të jetë e pranueshme nga shumica e qytetarëve të Prizrenit. Do jetë një program që do të bëjë kthesën e madhe ku qyteti ynë do hyjë në një fazë të zhvillimit të hovshëm ekonomik”, tha Gashi.

Ai tregon se LDK- ja në Prizren ka kohë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e nëntorit. “Kemi filluar me aktivitete ende pa u zyrtarizuar kandidati për kryetar të Komunës. Në këtë aspekt të organizimit jemi mirë dhe jemi të bindur se do t’i përmbushim të gjitha detyrat që ia kemi përcaktuar vetës”, tha Gashi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Arbër Rexhaj, ndërkaq tha se në zgjedhjet e nëntorit Vetëvendosje! në këtë qytet do të jetë subjekti i vetëm që do ta ketë alternativën lokale të shtypur. ”Alternativa e Vetëvendosjes në Prizren do të jetë e shtypër dhe t’iu shpërndahet qytetarëve të komunës sonë. Do të jetë hibridizim mes alternativës qendrore”, tha Rexhaj. Sipas tij, alternativa e Lëvizjes Vetëvendosje! do t’i ketë parasysh shumë seriozisht edhe specifikat e qyteti të Prizrenit.”Ekonomia lokale do të jetë pikë -qëndrimi ynë alternativ”, tha Rexhaj për “PrizrenPress”.

Ai tregon se në alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, parashihet luftimi i korrupsionit, depolitizimi i arsimit, shëndetësisë dhe sektorëve të tjerë. ” Arsimi në Prizren duhet të depolitizohet, kurse shëndetësia duhet t’i kthehet qytetarit përmes pastrimit të korrupsionit brenda saj”, tha Rexhaj.

Ai tregon VV-ja do të dalë me alternativë edhe për infrastrukturën. “Ne do të ofrojmë alternativën të njëmend për qytetarin, si dhe do të jemi shembull i mirë i qeverisjes nëse këtë na beson qytetari i Komunës sonë”, tha Rexhaj. /PrizrenPress.com/

Partitë parlamentare nuk kanë borxhe në KQZ

0

Partit parlamentare-logotNë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka aplikuar ende asnjë subjekt politik për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Subjektet parlamentare janë më komode në këtë drejtim, ngase nuk kanë asnjë borxh të mbetur nga zgjedhjet e fundit, por e njëjta nuk ndodhë me subjektet jashtë parlamentare, borxhi i përgjithshëm i së cilave kalon mbi 40 mijë euro.

Asnjë prej partive parlamentare nuk kanë borxhe të mbetura nga zgjedhjet e kaluara. Këtë e konfirmon udhëheqësja e zyrës për regjistrimin e partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi, duke iu referuar të dhënave të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Mavriqi thotë se me partitë parlamentare nuk ka problem, për shkak se borxhi i tyre u ndalet nga fondi për demokratizimin e partive politike.

“Ne nuk kemi konfirmim prej PZAP-it se ndonjë parti e ashtuquajtur e madhe ka borxhe të papaguara, mirëpo partitë të cilat kanë fituar vende në Kuvendin e Kosovës ato fitojnë nga fondi mjete. Kur ato kanë borxhe ne ua zbrezim atë borxh nga ai fond. Për atë edhe nuk mund të mbesin borxh”, deklaroi Mavriqi për Radio Kosovën.

Por, problem mbeten subjektet jashtë parlamentare dhe kandidatët e pavarur. Borxhi i përgjithshëm i tyre, sipas Mavriqit, është 40 mijë e 100 euro. Ajo thotë se Lidhja Demokratike e Dardanisë i ka ende borxh 9 mijë e 200 euro, kurse partia Fryma e Re, që tashmë është çregjistruar nga regjistri i partive politike ka një borxh prej 3 mijë e 50 euro. Sipas Mavriqit, janë edhe Partia Liberale e Kosovës dhe Partia Demokristiane për Integrim që ende kanë borxhe dhe disa iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur, borxhet e të cilëve sillen nga 500 deri në 1000 euro.

Albert Krasniqi nga Instituti KIPRED thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë më rigoroze në shqiptimin e dënimeve dhe certifikimin e partive politike.

“Kjo tregon një papërgjegjësi të madhe të partive politike për t’i përmbushur obligimet e ttyre që i kanë marrë me rastin e kandidimit. KQZ-ja duhet të jetë shuëm më rigoroze në shqiptimin e dënimeve dhe në moscertidfikimin e atyre partive që nuk i kanë shlyer të gjitha borxhet që i kanë ndaj këtij institucioni”, tha ai për Radio Kosovën.

Krasniqi thotë se me ligjet në fuqi që e rregullojnë legjislacionin për partitë politike, janë të parapara qartë dënimet dhe sanksionet dhe sipas tij, mjafton vetëm që ky legjislacion të respektohet nga ana e subjekteve politike.

Presidentja e vendit ka shpallur datën 3 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Deri më tani, përveç një iniciative qytetare, asnjë subjekt tjetër politik nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ. Afati për certifikimin e subjekteve politike është 4 shtatori.

Daçiç: Nuk e di a kam të drejtë vote në Prizren

0

Ddacic5-20Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi mbrëmë që nuk e di nëse ka të drejtë të votojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, por që gjithsesi do të dëshironte të votonte, po qe se kjo është e mundur, në mënyrë që të nxiste serbët që të dalin në zgjedhje lokale të nëntorit.

Pas bisedimeve që pati me zëvendëskryeministrin dhe shefin e diplomacisë sllovake, Mirosllav Llajçak, Daçiq tha se e ka pyetur drejtorin e zyrës për Kosovën, Aleksandar Vullin, se a ka të drejtë të votojë në zgjedhjet kosovare pasi është i lindur në Prizren. Mirëpo, për këtë akoma nuk ka marrë përgjigje.

“Nuk e di se a kam të drejtë vote, por mendoj që pjesëmarrja ime në ato zgjedhje do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për serbët e Kosovës, sepse në këtë mënyrë do t’iu tregonim të gjithë serbëve që duhet të dalin në zgjedhje, gjë që është me rëndësi sepse organet serbe në Kosovë do të mund të konstituoheshin edhe zyrtarisht dhe do të pranoheshin ndërkombëtarisht”, tha Daçiq, transmeton agjencia Fonet.

Të dashurosh një shqiptar

0

libri shiptareVetëm një burrë mund të ndryshonte jetën e Rozës. Prej kohësh, ajo ishte zhytur në rutinën e punëve të përditshme në një qytet të vogël në Australi, duke ndier se kishte humbur dalëngadalë pasionet që e bënin të ndihej grua. Një ditë, Roza vendos të ndryshojë. E tërhequr nga udhëtimet, ajo zgjedh Europën Lindore për të pushuar, duke besuar se aty do të njihte dhe një burrë që mund t’i ndryshonte ditët. Ajo ndalon në Dubrovnik. Jemi në kohën kur ish-Jugosllavia ka nisur të shpërbëhet dhe konfliktet e kësaj pjese të rajonit ndihen kudo.

Një mbrëmje në një bar të këtij qyteti të bukur, ajo njihet me një djalosh të ri shqiptar, i cili e tërheq menjëherë gruan me pamjen dhe gjestet e tij. Për më shumë se dy javë, ata jetojnë një marrëdhënie të artë dashurie, plot erotizëm dhe fantazi. Ajo bëhet rob e zemrës së saj, duke i besuar këtij djaloshi gjithçka, pa e besuar se qëllimi i tij ishte diçka tjetër. Më shumë se pasionin e Rozës, i riu shqiptar dëshironte emigrimin për në Australi, duke u martuar me të. Roza ishte duke jetuar një marrëdhënie të rrezikshme por nuk e dinte… Kjo është historia që shkrimtarja australiane Donna Mazza ka zgjedhur për të rrëfyer në librin e saj “Shqiptari”, i cili ka qenë një ndër librat më të lexuar në vendin e saj, duke i dhënë dhe çmimin “TAG Hungerford”. Shkrimtarja, që ashtu si personazhi i Rozës i donte udhëtimet, zgjodhi një burrë shqiptar për të përshkruar pasionin dhe burrin që mund të ndryshojë jetën e një gruaje, dhe pse ky ndryshim ishte thjesht një iluzion e qëllimet e tij ishin të tjera. Një rrëfim që e sjell mashkullin shqiptar si joshës dhe të rrezikshëm njëkohësisht. Në vitin 2003, shkrimtarja bashkëkohore spanjolle Susana Fortes boton romanin “Një histori dashuri shqiptare”, i cili u mirëprit menjëherë nga kritika. Në qendër të librit është historia e një familje nga Elbasani e shkatërruar nga regjimi komunist.
Nëna e Ismailit dhe Viktorit vdiq kur dy djemtë e saj ishin ende të rinj. Ismaili ishte poet i cili arrin të mbijetojë nga revolucioni kulturor i viteve ‘70, ku ndikimet e huaja në letërsi u spastruan. Vite më vonë ai nis të dyshojë për vdekjen e nënës, duke besuar se ajo nuk kishte vdekur aksidentalisht, por vrasja e saj mund të kishte qenë një komplot politik. Duke kërkuar në të shkuarën e nënës, ai zbulon një lidhje dashurie që ajo ka pasur, si dhe planin që kishte bërë me të dashurin për t’u arratisur nga Shqipëria. Teksa zbulon dashurinë e nënës, ai nis të ndjejë për gruan e vëllait të tij, Helenën. Tensioni i tyre seksual në jetesën brenda një shtëpie sa vjen e bëhet më i paduruar.

Ata prekin ngadalë duart e njëri-tjetrit poshtë mbulesës së tavolinës, teksa janë duke ngrënë drekën, ose darkën. Duke dashur të ruajnë besnikërinë, ajo ndaj të shoqit, dhe ai ndaj vëllait, në fund ata i dorëzohen dashurisë, duke krijuar një tension në familje. Libri i “Forbes” është një përshkrim i hollësishëm i karaktereve dhe psikologjisë shqiptare, duke dhënë përmes kësaj historie të zgjedhur me kujdes, jo vetëm dramën e madhe të komunizmit, por dhe moralin e një shoqërie. Por ajo çfarë e bën të veçantë këtij roman është fakti se shkrimtarja ka zgjedhur t’u vendosë personazheve emrat e një çifti të njohur e të dashur për të, të shkrimtarit Ismail Kadare e të bashkëshortes së tij Helena. Dhe pse ngjarja në libër nuk përputhet me historinë e tyre të dashurisë, për Fortes të gjitha dashuritë janë të mëdha, kur janë të tilla. Temat nga Shqipëria duket se kanë qenë temat më të dashura për shkrimtarët dhe publicistët pas viteve ‘90. Rënia e perdes së diktaturës, i bëri shumë shkrimtarë të vizitonin apo të bënin kërkime mbi historinë e këtij vendi, për të njohur personazhe e për t’i risjellë ata në karaktere letrarë. Nëse bëjmë një studim mbi atë çfarë është shkruar në letërsi nga autorë të huaj, ajo është më produktive se ajo që është shkruar brenda hapësirës sonë. Në vitin 2011, shkrimtarja amerikane Francine Prose do të kthehej në një nga autoret më të komentuara në media pikërisht për historinë që tregonte në librin e saj “Një jetë amerikane”.

Lula, vajza 26-vjeçare nga Tirana, është një emigrante nga Shqipëria në vitin e parë të vendosjes në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur vendi ende nuk kishte kapërcyer shokun dhe panikun që lanë sulmet terroriste të 11 shtatorit. E gjithë kjo atmosferë, shpjegon autorja, rrëfehet përmes syve të freskët të një vajze të re nga Tirana. Historia e vajzës shqiptare është historia e mijëra vajzave e djemve shqiptarë, por edhe miliona njerëzve nga kombe të tjera që hodhën sytë nga Amerika për një të ardhme më të mirë. Ajo ndodhet në Shtetet e Bashkuara me vizë turizmi, kur i buzëqesh fati dhe një amerikan vendos ta punësojë për t’u kujdesur për djalin e tij adoleshent dhe ta ndihmojë për të marrë dokumentet e qëndrimit përmes një miku të tij jurist. “Dy personazhet kryesore amerikane duan vërtet ta ndihmojnë. Por këta burra në roman nuk janë përfaqësues të qeverisë, por janë amerikanë liberalë që mendojnë se mund ta ndihmojnë Lulan. Kjo është një ndër bindjet dhe fantazitë e mrekullueshme amerikane, se ne mund të ndihmojmë njerëzit të asimilohen në kulturën dhe shoqërinë tonë”, është shprehur autorja. Me disa ndërlikime të papritura dhe shpesh dramatike, me prezantimin e një grupi shqiptarësh me histori të dyshimta dhe synime të errëta, subjekti merr ngarkesën e jetës së shumë imigrantëve të ballafaquar me alternativën e ekzistencës përtej ligjit.

Çdo gjë fillon me shfaqjen një ditë dimri të një makine të markës “Lexus” para shtëpisë ku Lula jeton dhe kujdeset për adoleshentin amerikan. Kush mund ta bënte mbërritjen e kësaj makine më dramatike se sa dalja prej saj e tre shqiptarëve, të përfshirë në jetë kriminale, të cilët trokasin një ditë në portën e Lulas dhe i kërkojnë asaj të fshehë diku në shtëpinë ku punon, një revolver. Pikërisht këtu fillon shtjellimi i subjektit. Shkrimtarja njihet për labirintet e personazheve të romaneve të saj dhe për satirën djegëse e realizimin tronditës të subjekteve të saj. Në një stil që u përngjet filmave me kauboj, romani mbyllet me Lulan për herë të parë në jetën e saj pas timonit të shoferit, duke nisur një makinë të vjedhur në perëndim të diellit, në një autostradë të ngarkuar në hyrje të Nju Jorkut, drejt një jete të panjohur por plot shpresë, e pajisur me dokumentet e qëndrimit, që i garantojnë Lulas vendin e saj në tokën e premtuar. Historia e Lulas është vetëm një prej dhjetëra historive të treguara nga shkrimtarë të huaj mbi emigracionin shqiptar. Marrja e temave nga Shqipëria për romane, apo tregime letrare daton herët në letërsinë dhe publicistikën botërore. Skënderbeu ka qenë gjithnjë burri frymëzues për të gjitha shkrimtaret që kërkonin të gjenin një burrë të pashëm dhe ideal si personazhin e tyre. Janë dhjetëra romanet e shkruara mbi këtë figurë, dhe nga autorë që datojnë që në shekulli XVI-XVII.

Një pjesë e tyre kanë mbetur dhe anonimë, por ajo që nxjerrin në pah këto libra është fakti se Skënderbeu ka qenë jo vetëm një figurë e rëndësishme historike, por dhe një personazh i dashur për studiuesit dhe shkrimtarët… Pas viteve ‘90, por edhe para tyre, një nga personazhet të cilit i janë kushtuar më shumë libra është ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Pavarësisht rolit të tij të errët në historinë e vendit, Hoxha vijon të mbetet një nga figurat që vazhdon të eksplorohet jo vetëm nga autorët e huaj por edhe ata shqiptarë. Ndërsa në Shqipëri pushteti komunist nuk kishte rënë, shtëpia botuese “Chatto & Windus” hodhi në treg “Kujtimet e Enver Hoxhës” më 1986-n, nën redaktimin e John Holliday. Po në këtë vit në botën anglishtfolëse është botuar libri “Enver Hoxha dhe jeta e tij”. Kujtimet me Stalinin dhe Hrushovin, ditarët e tij, dhe dhjetëra libra dedikuar kësaj figure nga publicistë dhe historianë të huaj janë botuar që para viteve ‘90. Më pas historia e Shqipërisë, sidomos vitet e komunizmit, kanë qenë në vëmendjen e historianëve të huaj, të cilët e kanë vizituar atë për të dhënë një version të historisë sipas këndvështrimit të tyre, por dhe dokumenteve që i janë ofruar nga institucionet përkatëse. Adam Yamey boton librin “Shqipëria në mendjen time”. Të tjerë autorë japin një version të historisë së Shqipërisë, por dhe të natyrës dhe zakoneve të saj. Veriut të vendit i janë kushtuar një mori librash, po kështu zakoneve të tij… Interesant është libri “Nesër do të vdesësh” nga Reona Peterson Joly dhe Every Muggleton. Libri tregon izolimin 50-vjeçar të shqiptarëve nga feja…
Një figurë historike së cilës i janë dedikuar një sërë librash është dhe mbreti Zog. Periudha e shkurtër e monarkisë shqiptare, por dhe fati i tij si personazh kanë tërhequr vëmendjen e një sërë historianësh, të cilët kanë sjellë këndvështrime interesante që do t’i vlejnë historisë sonë në të ardhmen… Janë të pafund librat e shkruar për Shqipërinë, apo ata që janë frymëzuar nga personazhe shqiptarë… Pavarësisht kritikave që kanë një pjesë e tyre, për mënyrën sesi janë ndërtuar historitë, në thelb ata janë një pasqyrë e së shkuarës dhe së tashmes, parë nga një sy i huaj, i cili e tregon historinë pa emocione dhe pa paragjykime të cilat shpesh një autor shqiptar mund t’i ketë./shqip/

Ramadani: Thaçi të harrojë Suharekën dhe Rahovecin

0

Burim Ramadani AAKSekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka kërkuar nga lideri i PDK-së Hashim Thaçi, që të harrojë “marrjen” në nëntor të Suharekës, Rahovecit dhe komunave të tjera që janë qeverisur nga AAK-ja.

“Suhareka, Rahoveci dhe komunat e tjera edhe pas nëntorit do të vazhojnë të qeverisen nga AAK-ja”, tha Ramadani në emisionin Interaktiv.Lideri i PDK-së Hashim Thaçi në takimin e fundit në Suharekë ka kërkuar mobilizim për “marrjen” e fitores së AAK-së së në këtë komunë. Sekretari i AAK-së, Ramadani, ndërkaq tha se Suhareka dhe Rahoveci janë udhëhequr mirë nga AAK-ja./PrizrenPress.com/

Gjykimi për Limajn, i panevojshëm

0

Fatmir LimajAvokati i Limajt, Tomë Gashi, ka vlerësuar se gjykimi për MTPT-në është krejtësisht i panevojshëm. “Kemi kërkuar që Gjykata e Apelit t’i aprovojë në tërësi kundërshtimet të cilat janë paraqitur ndaj aktakuzës sa i përket Fatmir Limajt. Gjithashtu, kemi kërkuar që aktakuza të mos konfirmohet, por të hidhet poshtë në tërësi, të mos shkohet fare në gjykim, sepse gjykimi do të jetë krejtësisht i panevojshëm”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se mbi provat e njëjta kryetarja e trupit gjykues në rastin e MTPT-së, Ana Adamska Gallant, ka sjellë vendime të ndryshme. “Në njërën anë thuhet se provat të cilat janë marrë në shtëpinë e deputetit Fatmir Limajt janë prova joligjore dhe të papranueshme, në anën tjetër me ato prova nxirret vendimi të shkohet me katër vepra penale në gjykim që, sipas kryetares së trupit gjykues, do të duhej të fillonte dikur në shtator”, ka thënë Gashi, duke shtuar se të gjitha pikat e aktakuzës është dashur të hidhen poshtë. “Nëse provat e njëjta janë analizuar dhe janë hedhur poshtë nga aktakuza, atëherë e njëjta gjë do të duhej të ndodhte edhe me katër pikat e tjera të aktakuzës të cilat janë konfirmuar”, ka thënë Gashi.

“Hyalomma”, rrezikon Malishevën dhe Suharekën

0

Rriqrat6-21Një ndër shkaktarët kryesor të etheve hemorragjike, konsiderohet se është rriqra i njohur si Hyalomma. Kjo është konstatuar nga një hulumtim shkencor që është bërë gjatë dy viteve të fundit në Kosovë. Ky hulumtim është bërë nga profesor Kurtesh Sherifi, njohës i mirë i parazitologjisë.

Gjatë një studimi të bërë nga Kurtesh Sherifi, profesor i parazitologjisë me sëmundje invazive dhe ligjshmëri veterinare, është konstatuar se banorët e Malishevës dhe Suharekës janë më të rrezikuarit nga “rriqra e fortë”, apo siç njihet në gjuhën shkencore “Hyalomma”. Në një intervistë për Radio Kosovës, Sherifi potencon se përqindja më e lartë e kësaj familje të rriqrës është e pranishme në këto dy komuna.

“Në Komunën e Malishevës janë analizuar 242 mostra ku 238 apo 98% të tyre është konstatuar se është i përhapur rriqra Hyalomma marginatum. Rastin e njëjtë e kemi edhe në komunën e Suharekës ku janë analizuar 161 mostra dhe prej tyre 158 ose 98% kanë rezultuar se i takojnë familjes Hyalomma marginatum”, theksoi ai.

Sipas profesor Sherifit, ndër faktorët kryesor që ndikojnë në përhapjen e kësaj gjinie të rriqrës në këto dy komuna, janë edhe kushtet klimatike.

“Është vërtetuar se në vendet ku toka është e fragmentuar, janë parcela të vogla, një pjesë e tyre nuk janë të punuara gjithashtu në to ka edhe shkurre, pastaj edhe kullosja e bagëtive dhe të gjitha këto janë vende ku mund të rriten dhe të zhvillohet ky lloj i rriqrave. Gjithashtu në shumëzimin e tyre rol të rëndësishëm luan edhe temperatura dhe lagështia”.

Po ashtu, profesor Sherifi thotë se ndërhyrja e institucioneve për të ndikuar në parandalimin e këtij virusi është e vonshme.

Vetëm gjatë këtij viti, si pasojë e pickimit të rriqrave kanë vdekur tetë persona. Ndërkohë, zyrtarë të QKUK-së i kanë thënë Radio Kosovës se në Klinikën Infektive ndodhen të shtrirë edhe 5 pacientë të tjerë të dyshuar.