10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shahini: Haraçi po heshtet

AgimShahini-akbSektori privat në Kosovë ballafaqohet me barriera të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Ndërsa, krimi i organizuar dhe haraçi po dëmtojnë në masë të madhe këtë sektor, thotë në intervistën e javës të Radios Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Ai, madje, shton se problemi qëndron se fenomeni i haraçit ekziston, por që po heshtet.

REL: Zoti Shahini, me cilat probleme po ballafaqohet sektori privat? Ka ndonjë përmirësim në këtë fushë?

AGIM SHAHINI: Problemet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ambienti i infrastrukturës ligjore, i cili nuk është në favor të zhvillimit ekonomik të prodhimtarisë dhe ekonomisë vendore, por është i orientuar në favor të importit të produkteve të gatshme. Dhe, kjo ka bërë që sektori privat, sidomos ai prodhues të ngecë, në krahasim me atë të shërbimeve të tregtisë, i cili është në avancim për çdo ditë.

Prandaj, sa më shpejt që bëhen ndryshime të politikave ekonomike dhe atyre fiskale, ne do të kemi mundësi që t’i tejkalojmë barrierat e trashëguara nga viti në vit dhe ta zhvillojmë sektorin privat.

REL: A po e rrezikon këtë sektor krimi i organizuar? Është thënë shpesh herë se bizneset përballen edhe me haraç…

AGIM SHAHINI: Krimi i organizuar në çdo shtet ekziston, diku më shumë, diku më pak, por sidomos në vendet në tranzicion, siç është Kosova, që pushteti i ekzekutivit është bartur në forma të ndryshme, si nga UNMIK-ut në pushtetin tonë, tashmë EULEX-i. Dhe, kjo ka ndikuar që krimi i organizuar të rritet dhe të jetë prezent në Kosovë dhe në mase të madhe po pengon zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Nisur nga kjo, ka perceptime që në Kosovë ekziston korrupsioni, haraçi. Krim të organizuar ka në sektorë të ndryshëm dhe kjo është një ndër imazhet më të këqija që i dërgohet Kosovës, përmes këtyre fenomeneve negative.

Kurse, institucionet e Kosovës, në disa sektorë pak mund të luftojnë, por sido që të jetë, kur flasim për krimin e organizuar, flasim për një term shumë të gjerë, të sferave të ndryshme të sektorëve të ndryshëm. Sidoqoftë, ky fenomen ekziston, është i zhvilluar në Kosovë, por institucionet vendore dhe ndërkombëtare ende nuk kanë arritur ta luftojnë në masën e duhur. Edhe institucionet më të larta shtetërore duke u nisur nga Presidenca, kanë organizuar Task-forca të ndryshme për parandalimin e krimit të organizuar, korrupsionit, por ende nuk kanë mundur që ta eliminojnë këtë fenomen.

REL: Kush, sipas jush, kërkon haraç nga bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Zakonisht, kjo lidhet me krimin e organizuar, sepse të kërkosh haraç nga dikush, duhet të jesh ose kriminel, ose të jesh i lidhur me kriminelët. Apo edhe të kesh lidhje direkte apo indirekte me këto grupe, sepse haraçi është termi më i vrazhdtë që përdoret në gjithë botën dhe luftohet më së shumti.

Edhe pse Kosova është një shtet në tranzicion, kjo nuk është e zhvilluar sa është në shtet tjera. Po marrim shtetet për rreth që i kemi, por ne nuk është dashur ta kemi fare këtë fenomen negativ. Për ta luftuar haraçin, institucionet vendore duhet të jenë më të përgatitura, por mbi të gjitha denoncimin e haraçit duhet ta bëjnë ata që kanë problem. Dhe, ky është një nga fenomenet më të këqija dhe i heshtur, sepse shumica e atyre që ballafaqohen me këtë problem, heshtin dhe nuk kanë guxim ta paraqesin.

Dhe, derisa heshtet, haraçi zhvillohet. Për t’u parandaluar kjo duhet të luftohet, institucionet kompetente duhet të ballafaqohen. Zakonisht ky fenomen është i shprehur tek ato grupe, të cilët bëjnë biznes të jashtëligjshëm dhe grupet që merren me këtë, kanë informata që punojnë jashtëligjshëm, nuk i paguajnë taksa shtetit dhe ata e marrin rolin e shtetit.

REL: A kanë lidhje partitë politike apo përfaqësues të institucioneve qeveritare më bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Natyrisht, ky fenomen nuk është i izoluar, sepse edhe bizneset kanë interes që të jenë të lidhura me partitë politike, institucionet shtetërore, individë të caktuar në pozita të caktuara për të krijuar favore për vete. Por, njëkohësisht edhe vetë përfaqësuesit e disa subjekteve politike kanë interes që të jenë më afër biznesit, për shkak se u nevojiten për përfitime, qoftë edhe për financimin e fushatave të ndryshme. Dhe, kjo është një ndihmë reciproke, njëra ndaj tjetrës.

Por, nuk ka asgjë të keqe nëse respektohen ligjet, rregullat e lojës dhe nëse nuk shantazhohen bizneset e tjera. Përderisa është një rrugë fer dhe bashkëpunim i tyre është vullnetar, nuk ka asgjë të keqe, por nëse kjo kalon me kushtëzime, atëherë hyn në grupin e të dyshuarve për korrupsion dhe fenomene negative që nuk i bën të barabartë në treg konkurruesit biznesor.

REL: Ka raste në Kosovë që favorizohen kompani të caktuara?

AGIM SHAHINI: Natyrisht që ka, këto nuk janë të panjohura në Kosovë dhe këto ne vazhdimisht i dëgjojmë nga perceptimet e njerëzve të biznesit, shoqërisë civile, mediumeve. Por, ajo që është shumë me rëndësi, më shumë ka perceptim se sa vetë luftim kundër këtyre fenomeneve negative.

Ne ende nuk kemi të gjykuar për korrupsion, nuk kemi të gjykuar për favore që i kanë bërë njëra-tjetrës, por këto mbeten perceptime, sepse të dyja palët duhet të jenë partnerë dhe partnerët normalisht se i bëjnë marrëveshjet sekrete edhe që ta mbrojnë njëri- tjetrin, sepse kjo e dëmton edhe atë që merr, por edhe atë që jep.

REL: Zoti Shahini, tashmë ka përfunduar “Bursa e punësimit”. Sa është numri i punëtorëve që kanë arritur të lidhin kontrata dhe çfarë profilesh janë kërkuar më tepër?

AGIM SHAHINI: “Bursa e punësimit” në këtë vit, edhe pse ka qenë shumë e kufizuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ne kemi arritur një sukses të thekuar. Mbi 190 punëtorë tashmë janë në vende të punës, janë duke punuar në sektorë të ndryshëm, zakonisht në sferat e agrobiznesit, sepse aktualisht është sezoni dhe kërkohen më shumë punëtorë. Por, së shpejti ne do të kemi edhe një punësim tjetër, meqë janë në procedurë aplikacionet të tjera, që nuk janë shqyrtuar nga bizneset dhe ky numër do të rritet.

Ka qenë një gatishmëri shumë e madhe dhe numri i punëkërkuesve ka qenë shumë i madh. Kjo tregon se në Kosovë mungojnë shumë politika nxitëse për zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm. Mungojnë politikat për një zhvillim ekonomik më të përshpejtuar, sepse qytetarët kërkojnë më shumë vende të reja të punës, kërkojnë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe sektorin privat këta të rinj e shohin si shpëtim dhe strehim për të gjetur mundësi dhe të ardhura për ta dhe familjet e tyre.

Më Shumë

Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit