9.6 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026
Home Blog Page 9105

Selimi përfundon deklaratën para Salustros

0

SulejmanSelimi5-25(E plotësuar) Ka përfunduar deklaratën e tij para prokurorit Salustro, ish komandanti i Shtabit të përgjithshme të UÇK-së, Sylejman Selimi. Avokai i Selimit, Tomë Gashi tha se klienti i tij ka dhënë një deklaratë sqaruese shumë të shkurtë, lidhur me interesimin e prokurorit Salustro, për pozicionin e tij gjatë luftës, në vitin 1998.

Gashi pohoi se pas kësaj deklarate sqaruese, beson se prokurori Salustro, do të pushojë hetimet ndaj Selimit dhe të tjerëve.

Ai tha se kanë bërë kërkesë për zbutjen e masës së paraburgimit, me ndonjë masë tjetër. Ndërsa tha se Selimi nuk është pyetur sot për keqtrajtimet në Likoc, për të cilat akuzohet, por vetëm për pozicionin e tij në UÇK.

 

Rrecaj: Akuzat ndaj Jasharit, të pabaza

Të akuzuarit e “Grupit të Drenicës” sot po intervistohen nga prokurori Mauricio Salustro. Deri më tash është intervistuar Sahit Jashari, ndërkohë në këto çaste, po përballet me prokurorin Salustro Sulejman Selimi dhe në orët e pasdites pritet të intervistohet edhe Sami Lushtaku dhe të tjerët. Shtatë të pandehurit po akuzohen për krime lufte të kryera në rajonin e Drenicës.

Menjëherë pas intervistimit të Sahit Jasharit, avokati i tij mbrojtës, Tahir Rrecaj, i ka thënë Radio Kosovës se në raport me klientin e tij, prokurori nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Ai tha se Mauricio Salustro nuk ka dëshmi me të cilat do ta vërtetonte dyshimin e bazuar mirë, ashtu siç kërkohet me kodin e procedurës penale për të ngritë aktakuzë.

“Ne i kemi ofruar prokurorit një propozim për grumbullimin e dëshmive shtesë, me të cilat do të vërtetohej se akuzat e ngritura kundër Sahit Jasharit kinse në vrasjen e Ivan Bullotoviqit në vitin 1989 nuk qëndrojnë. Sepse, në vet shkresën e prokurorisë ekzistojnë dëshmi se atë vrasje ka mundur ta kryejnë krejt dikush tjetër. Pra, jo vetëm që nuk e ka kryer Sahit Jashair por, asnjëri nga personat e dyshuar që akuzohen si “Grupi i Drenicës” nuk e ka kryer atë vrasje”, ka thënë ai, transmeton RTK.

Pas Jasharit, prokuroi Salustro interviston Sulejman Selimin. Ndërkohë, procesi i intervistimit të të pandehurve pritet të zgjasë deri vonë. Ndërkohë, intervistimi i Sami Lushtakut, pritet të bëhet në orët e paditës. Shtatë të akuzuarit janë Sylejman Selimi, Sami Lushtaku vëllezërit Jahir e Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli. Dhe të gjithë këta gjenden në paraburgim që nga muaji i kaluar.

 

Sot, “Grupi i Drenicës” para Salustros

Shtatë të pandehurit e “Grupit të Drenicës” do të përcillen sot (e mërkurë) nga Qendra e paraburgimit deri në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ku pritet të paraqiten për t’u përballur me pyetjet e Prokurorit italian Mauricio Salustro, lidhur me akuzat për krime lufte.
Këtë e ka konfirmuar për Express edhe mbrojtësi i të pandehurit Sahit Jashari, avokati Tahir Recaj.

“Me ftesë të Prokurorit Salustro do të paraqitemi para Prokurorisë në Prishtinë, ku të pandehurit do të merren në pyetje lidhur me akuzat për krime lufte. I mbrojturi im Sahit Jashari do të paraqitet në ora 10: 30”, tha Recaj.

Ish- Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, përballjen me Salustron do ta ketë në orën 11:30, ndërsa menjëherë pas tij është radha e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Avokati Recaj tha se është në dijeni që Prokurori është në përfundim të hetimeve.

Ndërsa, pohoi se vendimi për ngritje apo jo të aktakuzës pritet të kumtohet në fund të shtatorit eventualisht në muajin tetor të këtij viti.

“Ne presim përmbyllje të hetimeve meqë me sa kemi informata Prokurori ende nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzës lidhur me akuzat që ua vë”, tha Recaj.

Burime ndërkombëtare të Express ndërkaq bëjnë të ditur se Salustro është i bindur në fajësinë e të dyshuarve dhe se pritet që qysh në tetor ta ngrit aktakuzën ndaj të pandehurve.

Që të gjithë të dyshuarit gjenden në Qendrën e paraburgimit qysh prej muajit të kaluar.

Përveç, Sylejman Selimit dhe ish- Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku të dyshuar të tjerë janë edhe ish- komandanti i brigadës 111, Jahir Demaku; vëllai i tij, Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi.

Selimi akuzohet për shtatë vepra penale, Lushtaku me tri vepra penale, ndërsa Sahit Jashari me tetë vepra penale.

Sipas pretendimeve të Salustros ish- pjesëtarët e UCK-së dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK’së në Likovc (komuna e Skënderajt). Ndërsa, Sami Lushtaku dyshohet për vrasjen e një civili.

Sipas Prokurorit Salustro, ish- komandanti Sylejman Selimi me autoritetin e tij si anëtar i UÇK-së dhe si person që ka ushtruar kontroll mbi qendrën e burgimit në Likofc në bashkëpunim me Sami Lushtakun, Avni Zabelit dhe Sahit Jasharit, dhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të pacaktuar civilësh shqiptarë, të mbajtur në qendrën e burgimit.

Dhunë dyshohet se Selimi ka ushtuar edhe mbi një dëshmitarë tjetër të rastit, duke e rrahur atë me grushte dhe shkopinj druri.

“Ka urdhëruar dëshmitarin B, një civil të mbajtur në qendrën e burgimit në Likofc, të qëllonte vazhdimisht dëshmitarin A me një copë druri dhe shtypi organet gjenitale të dëshmitarit A, dhe e tërhoqën në tokë më pas”, thuhet në një dokument të hartuar nga prokurori që po udhëheq me hetimet që është publikuar në mediat vendore.

Kryetari i Skënderajt ndërkaq po hetohet për vrasjen e një burri në Galicë të Dubovcit duke e qëlluar tri herë në kokë dhe për keqtrajtimin e disa të burgosurve në qendrën e burgimit të UÇK-së.

Sahit Jashari, ndërkaq po hetohet për dhunim trupor të Ivan Bulatovic, një oficer serb i policisë të mbajtur peng nga UÇK-ja.

Fyle sot viziton Beogradin, nesër Prishtinën

0

Fyle5-29Komisionari për shtrirje i BE, Stefan Fyle sot nis vizitën në Beograd në kuadër të së cilës me kreut shtetëror serb do të bisedojë mbi hapat e ardhshëm të Serbisë në rrugën drejtë BE dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit me Prishtinën. Ndërkaq, nesër Fyle do ta vizitojë edhe Prishtinën.

Fyle pritet të bisedojë me presidentin e Serbisë, me qeverinë dhe anëtarët e parlamentit mbi situatën aktuale dhe hapat e ardhshëm lidhur me fazën e re në të cilën po hynë Serbia në negociatat për përafrim me BE dhe vendimin e Këshillit të Evropës prej 28 qershorit mbi hapjen e negociatave.

Stefan Fyle po ashtu pritet të prezantojë në Beograd strukturat e domosdoshme që duhet t’i ketë vendi për procesin e negociatave dhe do të parapërcaktojë prioritetet për agjendën evropiane të Serbisë – vazhdimin e reformave, zbatimin e Marrëveshjes (së Brukselit) me Prishtinën, rolin rëndësishëm në rajon dhe promovimin pajtimit.

Vizita e komisionarit për shtrirje të BE do të jetë simbolikisht hyrje në fillimin e analizës krahasuese të harmonizimit të dispozitave të Serbisë me virtytet juridike të BE, të ashtuquajturin skrining, që formalisht do të nis në shtator ose tetor.

Me të në Beograd arrijnë edhe misioni teknik i Komisionit Evropian (KE), i cili të enjten, kur Fyle u drejtohet ligjvënësve serb, të gjithë sekretarëve të shtetit dhe ekspertëve për integrime evropiane do t’u jap direktivat e para për hartimin e strukturës negociatore.

Të enjten Fyle pritët të vizitojë edhe Prishtinë, ku do të takohet me përfaqësuesit më të lartë shtetëror, por gjithashtu me një fjalë rasti do t;i drejtohet edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Me dokumente të Serbisë në zgjedhje të Kosovës?

0

ValdeteDaka-zgjedhjetKryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka ka deklaruar se serbët në zgjedhjet lokale më 3 nëntor do të mund të votojnë me dokumente të Serbisë.

Sipas mediave serbe, Daka ka thënë se sipas nenit 90 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, dokumentet identifikues shërbejnë vetëm për identifikim të votuesit të regjistruar në regjistrat zgjedhorë dhe se në nen nuk shkruan nëse dokumentet duhet të jenë të Kosovës apo të Serbisë.

Ajo ka theksuar se KQZ do do të hapë zyrat e veta në veri të Kosovës dhe se OSBE “do të ketë rol të lehtësuse të zgjedhjeve” ndërsa ka theksuar se asnjë parti politike nga veriu nuk është regjistruar në KQZ dhe se afati i fundit për regjistrim është 4 shtatori.

Daka ka shtuar se sot është afati i fundit për regjistrimin e koaliconeve paarzgjedhore që do të bënin partite politike.

Rezistenca arbërore antiosmane antigreke dhe antipravosllave

0

Avdi IbrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Nga viti 1371 deri në vitin 1571 Turqisë iu deshën 200 vite për ta pushtuar në tërësi token e arbërit,pra 200 vite qëndresë bënë arbërit,200 vite krenari arbërore,200 vite dhimbje dhe tragjedi në token arbërore.Pas 200 vite qëndrese bien në dorën e turqëve edhe Ulqini dhe Tivari,ku barbaria turke okupuese i shkatërroi pamëshirshëm këto qytete dhe shum qytete e vendbanime arbërore duke vra arbër nga të gjitha grupmoshat,ku një pjesë e arbërve kishin ikur në Italin fqinje duke e mbushur këtë shtet me “rracë” arbëreshe.

Nga viti 1371 deri në vitin 1912 plot pesë shekuj e gjysmë kombi arbënor që më von u quajt shqiptar i cili kishte hequr të zitë e ullirit nga sllavët dhe grekët,tani njejtë po hiqte të zitë e ullirit edhe nga turqit.Kështu nga keqtrajtimet, reprezaljet,plaqkitjet, dhunimet,uzurpimet,vrasjet,ky popull edhe pse i madh aso kohe,filluan nga dhuna e pushtetit dhe fesë (ideologjisë), një pjesë e popullsisë të kaloj në ortodoksin greke, një pjesë në ortodoksin pravosllave,dhe një pjesë po islamizohej.Megjithkëtë shqiptarët arritën ti mbajnë tre kuvende të mëdha si ai në Dukagjin të Matit,kuvendi i dytë në Podgoricë dhe ai i treti në Prokuple në skajin më verior të Arbërisë,kuvende këto që u mbajtën në vitet 1602 dhe 1603.Ku kërkohej të vazhdonte kryengritja kundër Perandorisë Otomane turke dhe greko e pravosllave.

Në këta shekuj të zaptimit Osman shqiptarët njohën një periudhë lirie,me heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu,nga 28 nëntori i vitit 1443 ku në Krujë ngriti flamurin me shkabën dy krenare,e deri 11 vjet pas vdekjes së tij më 1468.mandej turqit zaptuan Kështjellën e Shkodrës,mbas një qëndrese e trimerie të jashtëzakonshëm,fillon një periudhë e errët për shqiptarët nga viti 1479.edhe pse nuk do të mungojnë kryengritjet e herë pas hershme,të frymzuara nga heroi kombëtar Skënderbeu,por megjitha atë ato kryengritje shuhen nga një ushtri që aso kohe ishte më e forta në botë,Perandoria Osmane.

Kështu pas shum kryengritjesh e përpjekjesh shqiptarët arrin në vitin 1912 ta shpallin Pavarsin e Shqipërisë me ngritjen e flamurit kombëtar të Skënderbeut në Vlorë nga plaku Ismail Qemali,Në aktin e Pavarësimit të Shqipërisë morën pjesë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare që mbeten jashtë shtetit posa të themeluar.

Himni i Flamurit është himni kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë më1912. Himni, shkruar nga Aleksander Stavre Drenova ( ASDRENI ), njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Himni i Flamurit.

Himni Kombëtar
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vend.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Luftrat ballkanike qenë një ogur i zi për popullin shqiptar të lasht e autokton të Ballkanit, ku pjesa e madhe e trojeve shqiptare dhe shqiptarët u ndanë dhunshëm nga fuqit e mëdha dhe mbetën jashtë kufijëve politik të Shqipërisë,në kuadër të kësaj padrejtësie që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve,zuri fill Lëvizja për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar të tyre me Shqipërinë.Brenda kësaj Lëvizje mbijnë organizata e grupe të shumta e nga më të ndryshmet,të cilat në mendjet e programet e tyre politike objektiv kishin sëndërtimin e dëshirës së flaktë për tu bashkuar më amen e vetë SHQIPËRINË.

Lënia e gjysmës së trojeve shqiptare jashtë kufijëve politik të Shqipërisë,pushtuesit sllave e grek zbatuan planet e tyre djallëzore,në përndjekjen e shqiptarëve ku nisi shpërngulja e tyre me dhunë për në Turqi.me qindra e mijëra shqiptarë u shpërngulën me dhunë e metoda të ndryshme çnjerëzore,dhe kështu filloi kolonizimi i trojeve shqiptare në Kosovë e Çamëri.

Mirpo Mbretëria serbo-kroato-sllovene,e në veçanti mbretria e Serbisë në krye me gjakpirsin e “Cërrna Rukës”,Nikolla Pashiçin,përkundër djegieve,reprezalieve,dhe dëbimeve të shqiptarëve për në Turqi e Shqipëri,nuk ia doli ta pastroj Kosovën,Maqedonin Perëndimore,viset shqiptare që administrativisht ndodheshin nën Serbi,ku përfshihej Lugina e Preshevës,si dhe viset shqiptare nën Malin e Zi.Ndërsa, Greqia duke zbatuar metodat ma barbare ndaj çamëve,arriti gati tërësisht ta pastroj Çamërinë prej shqiptarëve.Një gjendje e tillë e rëndë e shqiptarëve mbreteroi edhe pas luftës së Dytë Botërore nën pushtimin e Jugosllavisë së Titos,ndonse shqiptarët morën pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare,kundër pushtuesve nazifashist.Të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që morën pjesë në Luftën Antifashiste u zhgënjyen,ku shumica e pjesmarrëse të kësaj lufte u eleminuan,u vranë,u burgosën, e u dënuan dhe vuajtën dënimet e tyre burgjeve të Jugoslavisë.Me qindra të tjerë u menjanuan nga jeta publike,shoqërore dhe ekonomike duke vuajtur më pastaj për bukën e gojës.

Policia sekrete jugosllave OZNA dhe më vonë UDB-a,në çdo kohë e moment i ndiqnin patriotët shqiptar,i burgoste dhe i torturonte çoftë edhe për “fajin” më të vogël.Por megjithë këtë rezistenca e popullit shqiptar në Kosovë dhe viset shqiptare vazhdon me Lëvizjen pë Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar.Të gjitha këto organizata,grupe të vogla e të mëdha,shpeshëherë e quanin vetën lëvizje.Sipas mendimit tim këto lëvizje nuk ishin për vete,secila prej tyre veç e veç dhe një nga një,por ishin pjesë të lëvizjës së kahershme kombëtare shqiptare.Organizata ilegale nga ana e shqiptarëve janë formuar më së shumti pas Luftës së dytë botërore e këtej.Lufta e Shaban Polluzhës me shokët e tij bashkëmendimtar e bashkëatdhetar që i kthyen pushkën Jugosllavisë dhe Serbisë fashiste si dhe kuislingëve shqipfolës të Fadil Hoxhës.Këtë e dëshmojnë proceset e shumta penale që u zhvilluan në gjyqet e Jugosllavisë,të cilët kishin për objektiv likuidimin e patriotëve shqiptar në vitet 1945,1946,1948 dhe procesin e kurdisur të Prizrenit në vitin 1956 ku u dënuan me qindra patriot shqiptar me burgim të rëndë dhe një pjesë e tyre edhe u pushkatua,siç ishte rasti: Marie Shllakut,Ajet Gërgurit,Halim Spahisë e shumë të tjerë.Këto procese penale politike nuk kanë pushuar as pas procesit të montuar të Prizrenit.

Proqese gjyqësore penale të motivuara politikisht ka patur edhe në vitin 1951 në Gjilan nxirren në gjyq një grup patriotësh të udhëhequr prej Jusuf Humollit,më 1957 nxirret në gjyq grupi i Rexhep Abdullahut,më 1961 nxirret para gjyqit organizata e udhëhequr nga Kadri Halimi dhe Ali Aliu nga Presheva,më 1964,nxirret para gjyqit organizata e udhëhequr nga Adem Demaçi.Gjatë hetimeve policët,udbashët gjakpirës kanë zbatuar metodat më të egra e tejet shtazarake për të nxjerr të dhëna dhe fakte të imponuara për ta pranuar “fajin” e pa qenë.Pas demonstratave të vitit 1968 të cilat i udhëheqi Osman Dumoshi u vra i riu Murat Mehmeti,më 1975 u montuan edhe dy procesa tjera politike kundër Adem Demaçit dhe të tjerëve si dhe të një grupi studentësh të udhëhequr nga Adem Rukiqi.Pas demonstratave të vitit 1981 u nxorën në gjyq njëri pas tjetrit,siç ishte prof Mr.,Halil Alidema,regjisori Ekrem Kryeziu,prof.Mr.Ukshin Hoti dhe Mentor Kaçi e shum të tjerë.Pastaj nxirret para gjyqit grupi i udhëhequr nga Hydajet Hyseni e shum e shum të tjerë.

Selimi: Misioni im në Vetëvendosje sapo ka filluar

0

Kurti,Krasniqi, SelimiKa lënë AAK-në dhe pas një pushimi nga jeta aktive politike i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Të hënën dolën fjalët se ka lënë Vetëvendosjen dhe është rikthyer sërish në AAK. Por, ai e ka mohuar këtë gjë.

Deputeti Rexhep Selimi, ka thënë se nuk e ka ndërmend të lëvizë nga ky subjekt dhe madje as nga koncepti i tij.

Gjatë një interviste për Tribunën, ish gjenerali i luftës ka deklaruar se do t’i mbetet besnik deri në fund partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, derisa lajmet për largimin e tij i ka quajtur gënjeshtra.

Tërhiqet prokurorja, Sali Asllanaj del i pafajshëm

0

SaliAsllanaj-LDK-suharekeProcesi gjyqësor ndaj Sali Asllanajt, i akuzuar se si ish-kryetar i Suharekës kishte krijuar favore të kundërligjshme kompanisë “Benaf” ka marrë fund.

Prokurorja Erveha Gashi ka hequr dorë nga aktakuza me arsyetimin se i mungojnë dëshmitë, shkruan Zëri.

Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj. Ai akuzohej për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për “Ben-Af”.

Avokati Sehad Haliti, është shprehur i kënaqur me këtë epilog . “Nga fillimi kam konsideruar se ngritja e aktakuzës ndaj Sali Asllanajt ka qenë e pa bazë”, tha Haliti.

 

PDK-ja do t’i rikandidojë fituesit

0

BasriMusmurati6-06Partia Demokratike e Kosovës ka në plan që në ato komuna ku udhëheq t’i rikandidojë të njëjtit kandidatë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë për “Epokën e re” se pjesa më e madhe e kryetarëve aktualë që kanë treguar suksese në qeverisje nuk kanë arsye të mos kandidojnë. Ai ka bërë me dije se deri më 15 gusht PDK-ja do t’i bëjë publike të gjithë emrat e kandidatëve për kryetarë komunash.

“Pjesën më të madhe të tyre, të cilët kanë pasur sukses të veçantë, besoj s’kemi arsye t’i ndërrojmë. Nëse eventualisht ka dikush që ka pasur më shumë mandate, duhet menduar nëse duhet rifreskuar, meqë mund të ketë kryetarë komunash të cilët nuk janë të interesuar të kandidohen për shkak se kanë punuar një kohë, kanë pasur rezultate, por dëshirojnë të tërhiqen nga ky aktivitet shumë intensiv”, ka thënë Musmurati.

Ai ka bërë me dije se deri më 15 gusht PDK-ja do t’i bëjë publike të gjithë kandidatët për kryetarë komunash. “Ende nuk kemi mbajt ndonjë mbledhje të kryesisë për t’i caktuar kandidatët për kryetarë komunash sepse kemi pasur punë të tjera. Megjithatë, do t’i bëjmë publike kandidaturat në kuadër të afatit ligjor dhe sipas ligjit kemi të drejtë ta bëjmë deri më 4 shtator, por ne do t’i zyrtarizojmë kandidatët më së largu deri në gjysmën e muajit gusht”, ka treguar Musmurati, duke shtuar se tashmë është bërë identifikimi i shumicës prej kandidatëve, qoftë kryetarë aktualë të komunave, apo edhe zyrtarë të tjerë të partisë.

“Në një farë mënyre një pjesë të tyre (kandidatëve) i kemi të identifikuar për shkak të sukseseve që kanë pasur qoftë si kryetarë të deritashëm, qoftë si aktivistë të dalluar të partisë”, ka thënë Musmurati.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se përcaktimi i kandidatëve nuk është punë e ngutshme për PDK-në. Mirëpo, sipas Musmuratit, PDK-ja do t’i bëjë publikë të gjithë emrat e kandidatëve në të njëjtën ditë. “Pavarësisht se ndonjë subjekt politik ka dalë me emra të kandidatëve për kryetarë të komunave, ne këtë punë nuk e kemi edhe aq të ngutshme. Emrat kur t’i japim do t’i japim të gjithë përnjëherë e jo si subjektet e tjera politike për çdo ditë nga një”, ka theksuar Musmurati.

Ai është shprehur i bindur se PDK-ja në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do t’i fitojë shumicën dërrmuese të komunave. “Çdo parti politike synimin e ka ta marrë pushtetin qind për qind, por kjo askund në botë nuk është e mundshme. Prandaj ne angazhohemi t’i fitojmë pjesën dërrmuese të komunave dhe shanset i kemi shumë reale. Mirëpo varet krejt nga fakti se sa do të angazhohemi ne si subjekt politik në fushatën parazgjedhore dhe në fushatën zgjedhore”, është shprehur Musmurati.

PDK-në nuk ka kush ta mposhtë në Prizren dhe Gjilan

Ndonëse është parashikuar garë e “nxehtë” në komunën e Prizrenit dhe të Gjilanit, Musmurati ka deklaruar se PDK-në nuk ka kush ta mposhtë, sidomos në këto dy komuna. “Pikërisht këto komuna nuk kemi ndonjë problem sepse në Komunën e Gjilanit dhe në Komunën e Prizrenit s’ka kush na mund, falë punëve që janë kryer në qeverisjen komunale në këto dy komuna nga kryetarët aktualë dhe stafi i tyre. Prandaj, angazhimi i tyre, realizimi i projekteve të shumta, themelimi i universiteteve publike në këto dy qendra të mëdha komunale, ka bërë që të krijohen kushtet që s’ka kush ta mund PDK-në”, ka thënë Musmurati. Por, për dallim nga Prizreni e Gjilani, Musmurati e sheh me të vështirë “betejën” për kryeqytetin, ndonëse ka thënë se PDK-ja është forcuar edhe në këtë komunë. “Në Prishtinë na duhet një angazhim pak më i madh, edhe pse kanë ndryshuar raportet dukshëm pas strukturimit të PDK-së në kryeqytet”, ka vlerësuar sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati.

Betimi pengon zbatimin e marrëveshjes

0

Edita TahiriProcedura e betimit të policëve dhe gjyqtarëve serbë që priten të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës ka dalë të jetë pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.
Pala serbe po refuzon që pjesëtarët e strukturave që do t`i bashkohen Policisë së Kosovës të bëjnë betimin si dhe të marrin pjesë në procedurat tjera të pranimit në këtë polici.

Burime të gazetës “Tribuna”, kanë bërë të ditur se është përgatitur një procedurë e trajnimit të këtyre pjesëtarëve në qendrën e trajnimit të Vushtrri, por një gjë e tillë është kundërshtuar të martën në dialogun teknik nga ana e palës serbe.

Beogradi po refuzon që edhe gjyqtarët që kanë qenë pjesë e gjykatave paralele dhe do të kalojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës ta bëjnë betimin.

Përkujtohet Beteja e 16 Korrikut të UÇK-së

0

UCKNë vendin ku u zhvillua njëra ndër betejat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prizren, të vendi i quajtur “Kulla e Hoqës”, sot është përkujtuar beteja e 16 Korrikut e vitit 1998. Me këtë rast janë përkujtuar edhe dëshmorët dhe martirët e këtij fshati.

Kryetari i Komunës Ramadan Muja, duke e u ndërlidhur me luftën e lavdishme të ushtarëve të UÇK-së, tha se gjaku i dëshmorëve, është themeli i lirisë së Kosovës.

“Ushtarët e UÇK-së u përballën me një makineri të madhe serbe, e cila nuk e respektonte asnjë ligj të luftës, por me të drejtën, guximin dhe dashurinë për atdheun, dolën fitues edhe në betejën e 16 Korrikut, dhe në të gjitha betejat që u zhvilluan anë e kënd Kosovës”, tha Muja.

Kryetari i Këshillit Organizativ për përgatitjen e këtij tubimi përkujtimor Reshit Buduri u shpreh krenar për luftën e ushtarëve të lirisë. Në këtë vend tha ai UÇK-ja fitoi betejën e parë më ushtrinë e policinë serbe. Me këtë rast, në shenjë respekti për dëshmorët e kombit nxënësit e shkollës së fshatit Hoqë e qytetit shfaqën një program artistik.

Me 16 korrik të vitit 1998 në Komunën e Prizrenit, konkretisht në Rajonin e Vrrinit që UÇK-ja e kishte shpallur Zonë të lirë u përballën në betejë të drejtpërdrejtë ushtarët e lirisë me forcat okupatore serbe. Zafir Berisha komandant i njësitit gueril evokon kujtime 15 vjet pas kësaj beteje. Berisha tha se pas pritës së 7 korrikut që nga forcat serbe iu bë njësitit gueril të UÇK-së te laku i Billushës, beteja e 16 korrikut ishte njëra ndër betejat e para të drejtpërdrejta mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe u ku fituese doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës./TVO/

Vdekjet nga rriqrat

0

NaimCahani-kdiNaim Cahanaj

Shfaqja e etheve hemorragjike të shkaktuara nga Nairovirus, që është anëtar i familjes së viruseve Bunyaviridae e që bartet nga rriqrat, në Kosovë po i mbush 60 vjet, ndërsa virusi është izoluar tek në vitin 1990. As më 2013 Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shëndetit publik në vend nuk kanë arritur që ta frenojnë këtë virus e lëre më ta parandalojnë ose ta zhdukin fare. Qeveria ka dështuar për të krijuar strategjinë kombëtare të luftës anti virusit Krime-Kongo dhe për pasojë vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2013 vdiqën gjashtë qytetarë.

Tatjana Avsic-Zupanc, udhëheqëse e Institutit për Mikrobiologji dhe Imunologji në Universitetin e Lubjanës, që është qendër referente e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për diagnostikim dhe hulumtim të arbo –viruseve dhe viruseve që i shkaktojnë ethet hemorragjike krime-kongo. Ajo është gruaja që e ka izoluar virusin e ri të etheve hemorragjike në Kosovë më 1990 dhe që e ka quajtur “Kosova-Hoti” – sipas një viktime të rriqërave atëbotë.

Ethet hemorragjike krime-kongo shkaktohen nga infeksioni me virusin e bartur me rriqra, ku sëmundja se pari është zbuluar ne Crimea me 1944 dhe me vonë është gjetur edhe në Congo me 1969 nga e ka marrë edhe emrin. Përndryshe ethet hemorragjike në Kosovë janë paraqitur në vitin 1954, ku kanë ndodhur edhe rastet e para të vdekjeve.

Sipas infektologeve shpërthimet epidemike kanë qenë në vitet 1991, 1995, 2001, 2005.

Problemi më i madh është ai i identifikimit, nëse një person është pickuar nga rriqra. Rrezikshmëria më e lartë është kur pickon rriqra femër sepse lëshon një enzyme anestetike e cila eviton dhimbjen, dhe në ketë forme infektimi mund të zhvillohet pa qenë në dijeni se është pickuar nga rriqra.

Ky virus ka marrë përmasa endemike në disa rajone të vendit si Malishevë, Rahovec, Suharekë, Klinë, Gjakovë etj.

Tatjana Avsic-Zupanc problemin e etheve hemorragjike në Kosovë e bëri të njohur në arenën profesionale ndërkombëtare dhe hapi rrugë për bashkëpunim intensiv në drejtim të çrrënjosjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë. Mirëpo 23 vjet më vonë, (2013) ajo sërish vjen në Kosovë dhe nuk sheh ndonjë përparim, ngase në këtë vit kanë vdekur gjashtë të infektuar nga ky virus. Katër raste në Malishevë, një në Rahovec dhe një në komunën e Gjakovës.

Kjo sëmundje, është bio-terroriste dhe virusi “Kosova Hoti”, është 99% i ngjashëm me virusin Drosdov në Rusi. Ky lloj rriqrash shumohet në prill, kurse mundësia e infektimit me ethe hemorragjike është e madhe deri në mesin muajit korrik..

Këtë virus e bartë një lloj i rriqrës së larme, e cila më parë nuk ka ekzistuar në rajonin tonë, andaj duhet të merren masa nga niveli qendror, për ta luftuar dhe gjetur shkaktarin dhe mënyrën e eliminimit të këtij virusi.

Prej marsit 2013 e deri më sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 2551 pickime nga rriqrat, ku gjithsej janë sëmurë 13 persona me ethe hemorragjike Krime-Kongo në tërë Kosovën.

Me fillimin e ngrohjes së motit filloi edhe rishfaqja rriqrave. Qytetarët e Malishevës dhe rrethinë dezinfektojnë edhe bagëtitë e tyre, në mënyrë që t’i shmangen rrezikut nga rriqrat e infektuara. Komuna e Malishevës ia ka dhënë tenderin një kompanie private, për t’i dezinfektuar më shumë se 30 zona endemike në Malishevë. Shuma e projektit për dezinfektim ka kushtuar më shumë se 5 mijë euro. Mirëpo kjo nuk mjaftoi që të mbrohej jeta e katër qytetarëve.

Komuna e Malishevës me një sipërfaqe prej 306.3 km2, me 44 vendbanime dhe me një popullsi rreth 70 mijë banorë është vendi me i rrezikuar nga ethet hemorragjike.

Rasti më i dhimbshëm vitin e kaluar ishte ai i vdekjes së nxënëses 16 vjeçare nga fshati Plloqicë e Malishevës, Albana Gashi. Rasti tjetër i fundit, që ka ndodh këtyre ditëve është ai i vdekjes se Muharrem Thaçi 31 vjeç nga Balinca e Malishevës nga i njëjti shkaktar.

Nga ana tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka deklaruar se pickimi qytetarëve nga rriqrat është në rënie. Sipas tyre, situata është stabile dhe nën kontroll dhe se të gjitha institucionet shëndetësore të cilat janë përgjegjëse për trajtimin e pickimit të rriqrave, i kanë kryer obligimet të cilat bien mbi to.

Porse gjashtë jetë njerëzish u shuan!?

Malisheva është zona më e rrezikuar nga pickimi i rriqërave, por as sivjet, megjthëse vdiqën katër persona, nuk është vërejtur ndonjë aktivitet i madh i nivelit qëndror të pushtetit.

Si për ironi, zyrtarë të IKSHP kanë deklaruar se edhe po të digjeshin tërë fushat, malet, njerëzit e kafshët, rriqrat do të shpëtonin!?Institucionet kompetente shtetërore, nuk qajnë shumë kokën për vdekjen e gjashtë personave në mungesë të trajtimit të duhur të kësaj shfaqjeje endemike që nga viti 1990, në ndërkohë që u bënë apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm kur t’i ekspozohen vendeve ku rriqrat janë prezent.

“Nëse qytetarët dëshirojnë të ruhen nga pickimi i rriqrave, le t’i mbulojnë pjesët e ekstremiteteve të poshtme. Vishni pantollone…” – kjo, sipas tyre është mjeti i vetëm efikas për t’iu shmangur pickimit të rriqrave!?.

Porse në komunën e Malishevës nuk kanë qenë të zdeshur mbi 1200 banorë që më 2013 janë pickuar. Prej tyre 45 janë dërguar në QKUK, ndërsa 12 prej pacientëve kanë rezultuar pozitiv me ethet hemoragjike, katër prej të cilëve, kanë ndërruar jetë, duke quar në 15-të numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje që nga pas lufta në Malishevë.

Në Malishevë, është krijuar një situatë e rëndë, pas vdekjes edhe të personit të katërt nga ethet hemoragjike. Dita më kritike ka qenë ajo e 17 qershorit 2013, ku deri në mbrëmje, numri i të pickuarve nga rriqrat ka arritur në 75, kurse me 21 qershor kanë kërkuar ndihmë mjeksore 51 pacientë, 65 pacientë i janë nënshtruar analizave laboratorike.

Këto shifra vetvetiu flasin për nivelin e alarmit.

Ministria e shëndetësisë këtë vit ka ndarë një shumë prej 150 mijë eurove për këtë epidemi, gjë që është shumë minimale në krahasim me përmasat dhe gjendjen alarmante që është në Kosovë e posaçërisht në zonat endemike. Me kaq para jo vetëm që nuk do të arrihet të bëhet as dezinsektimi selektiv e lëre më që të blehen doza të ilaçit Ribavirinë, i cili është një bar eksperimental që si bar antiviral i jepet pacientit për forcimin e imunitetit.

Dezinsektimi selektiv që po aplikohet pothuajse çdo vit nuk është efektiv dhe është metodë e vjetruar, e sëkëndejmi e pa suksesshme për parandalimin e etheve hemorragjike krime-kongo, sepse bëhet dezinsektimi vetëm i atyre vendeve qe frekuentohen nga qytetarët, por jo edhe fushat, mali etj, e që në këto vende po ndodhin rastet më të shpeshta të pickimit të rriqrave.

Ekipet e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë në terren nga marsi 2013 tërë kohën duke koordinuar aktivitetet e dezinsektimit selektiv në katër komuna (Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë.) Pos Ekipeve të Institutit, QKMF-ve komunale, Drejtorive të shëndetësisë në terren janë angazhuar 40 punëtor sezonal të mbuluar me rroga nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ku Instituti Kombëtar i ka trajnuar dhe furnizuar me material të nevojshëm, veshmbathje dhe mjete pune të siguruara nga Ministri i Shëndetësisë.

Në aspektin e kompetencave të aktiviteteve të mbytjes së rriqrave, kjo veprimtari i takon Ministrisë së Bujqësisë, Agjesionit të Ushqimit dhe Veterinës dhe Komunës së Malishevës.Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro, është kryer faza e parë e dezinsketimit dhe është duke vazhduar faza e dytë, kjo është mundësia e vetme e komunës, kurse Ministria e Shëndetësisë nuk i ka mbështetur me as një cent.

Gjithashtu Qeveria do të duhej të urdhëronte ndonjë ekip ekspertësh të IKSHP që të eksperimentojnë vaksinën që përdoret për këtë dedikim në Argjentinë, njëkohësisht të gjurmonte për zbulimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike krime-kongo në Kosovë. Ashiqare, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e merr me seriozitet ketë çështje, dhe kjo u dëshmua kur gjatë qershorit rriqërat u bënë temë edhe në Kuvendin e Kosovës porse pas zhurmës gjithçka pllakosi në heshtje.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ajo e Bujqësisë, e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe ajo e Ambientit duhet t’i bashkojnë forcat, paratë dhe njerëzit dhe të ndërtojnë një strategji kombëtare për parandalimin e kësaj sëmundjeje, që deri më sot ka marrë jetët e shumë njerëzve.
Në këto zona endemike, qendrat spitalore, ato të mjekësisë familjare, duhet të ndihmohen nga Prishtina me njerëz dhe para, me medikamente përkatëse dhe preparate dezinsektuese e dezinfektuese, duke filluar në mars, deri në shtator- tetor.

Zonat endemike në tërë Kosovën duhet të mbulohen nga ekipe mobile dezinsektimi e dezinfektimi (duhet të aplikohet spërkatja e përgjithshme me aeroplan); të ngrihen qendra mobile sezonale nga mjekë vullnetarë qoftë edhe duke kërkuar ndihmë nga organizatat “Mjekët pa kufij” dhe OBSH-ja, ekspertë epidemologë, etj..

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës duhet të ketë rendësi jetike jeta e qytetarëve ngase e drejta për trajtim adekuat shëndetësor është e drejtë themelore e njeriut.

Ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, e njeh të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut. Në deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, Neni 25, theksohet që çdokush ka të drejtë për një standard jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Kushtetuta e Republikës së Kosovës pohon angazhimet e Kosovës në Deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, prandaj ajo e pranon të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut.

60 vjet alarm, 23 vjet që nga izolimi i virusit dhe 14 vjet pas luftës e pesë vjet nga pavarësia e vendit, në shekullin 21, në Kosovë njerëzit ende vdesin nga rriqërat.

Për kë bie këmbana? – pyeste Ernest Hemingway në librin e tij me këtë titull ironik.Ai përdor frazën madhështore të filozofit të shekullit 17 John Donne, që në vitet 1930 shkaktonte dhimbje koke në çdo mledhje publike europiane, ku pyetja mbetej se cili popull e kishte radhën përballë fashizmit, nazizmit apo çdo lloj invazioni tjetër luftarak.

Por në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me shfajen e vdekjes nga agjensë bio-terrorisët dhe askush nuk po jep përgjegje ndaj alarmit. John Donne shkrunate: “Asnjë njeri nuk është një ishull i mbyllur në vetvete. (…)

Çdo vdekje njerëzore më pakëson, sepse unë bëj pjesë në njerëzimin. Dhe kështu mos të te shkojë kurrë në mendje të pyesesh për kë bie këmbana: Ajo bie per ty.”

(Autori është Menaxher Projekti në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)