15.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Gjirokastra kërkon shtatore për Kadarenë

Në përvjetorin e lindjes, Bashkia e Gjirokastrës e shpall 2016-n “Viti Kulturor Ismail Kadare”

Bashkia e Gjirokastrës, nëpërmjet kryetares së saj zonjës, Zamira Rami, e ka shpallur vitin e ri 2016 si “Viti kulturor Ismalil Kadare”, në nderim dhe respekt të 80-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe, shkrimtarit të madh të lindur në qytetin e Gjirokastrës në 28 janar të vitit 1936. “Qyteti i Gjirokastrës është jo vetëm vendlindja e shkrimtarit tonë të madh e të jashtëzakonshëm, por edhe objekti dhe subjekti i krijimtarisë dhe disa prej veprave të tij më të përkryera letrare, prandaj kemi detyrimin, privilegjin dhe nderin e madh të çelim siparin e nderimit të tij në këtë përvjetor, të promovojmë e organizojmë të gjitha eventet e duhura për t’i dhënë të gjithë vëmendjen, dashurinë e mirënjohjen e merituar këtij kolosi të letërsisë shqiptare e botërore”, u shpreh për gazetën “Shqip” kryebashkiakja Zamira Rami.

Vetë Kadare i ka dhënë gjithmonë një vend, një peshë dhe një vlerësim të veçantë mesazheve dhe nderimeve nga vendlindja, mandej në një intervistë të tij në vitin 2000 dhënë në mediat lokale të Gjirokastrës dhënë me rastin e dhënies së titullit “Nderi i Gjirokastrës” shkrimtari është shprehur: “Ndihem i prekur dhe shumë i nderuar. Kjo vjen, sepse të gjitha nderimet që mund të ketë një shkrimtar, nderimet në vendin e vet, ose në vende të tjera, kanë diçka të mangët, në qoftë se mungon ai, nderimi fillestar, mungon vlerësimi i qytetit të lindjes, i vendit ku ai ka parë për herë të parë botën me sy…”.

Sipas kryetares së bashkisë, Rami, në janar dhe gjatë gjithë vitit 2016, tashmë të shpallur “Viti Kulturor Ismail Kadare” do të organizohen veprimtari të shumta kulturore, të cilat do të fokusohen te jeta, krijimtaria dhe personaliteti i këtij shqiptari dhe gjirokastriti të madh, personaliteti më i shquar dhe më i njohur shqiptar pas Nënë Terezës. “Të gjitha ngjarjet kulturore, të gjitha veprimtaritë festivalet, ekspozitat, shfaqet, premierat e teatrit do të kenë si atribut të tyre jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit, përkushtimin dhe ndjeshmërinë e tij krijuese ndaj vendlindjes, qytetit të gurtë që ai nëpërmjet veprave të tij letrare e bëri të njohur në të gjithë botën”, u shpreh Rami.

Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, institucionet dhe shoqërinë civile vendore, janë duke hartuar në programe të përbashkëta veprimtarish për të realizuar bashkërisht disa veprimtari kulturore të përmasave kombëtare dhe mbarë shqiptare, sikurse është rijetëzimi i shtëpisë së lindjes së shkrimtarit, ngritja e librarisë “Kadare” në zonën historike të qytetit dhe të një muzeu të jetës dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare në banesën e tij të lindjes. Sipas Drejtorisë së Kulturës së Bashkisë Gjirokastër është hartuar një kalendar aktivitetesh sipas të cilit muaji janar 2016 do të jetë muaji ku çdo ditë e tij do të ketë veprimtari dedikuar personalitetit dhe krijimtarisë së shkrimtarit, ndërkohë që trupa e teatrit profesionist do ngjisë në skenë një përshtatje skenike të romanit “Darka e gabuar” të Kadaresë, piktori i njohur me origjinë nga Gjirokastra, Bashkim Ahmeti, do të çelë ekspozitën me krijimtarinë e tij të “Kadare dhe Gjirokastra”. Gjithashtu është menduar organizimi i Festivalit Poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, ndarja e Çmimit Letrar “Kadare” në Gjirokastër, organizimi i një panairi mbarëkombëtar të artizanatit dhe suvenire me emrin, firmën dhe portretin e shkrimtarit Kadare. Vetë kryetarja e bashkisë, Zamira Rami, ka deklaruar se bashkia do t’i propozojë këshillit bashkiak miratimin së shpejti të nismës për ngritjen e shtatores së shkrimtarit të shquar në një nga sheshet kryesore të qytetit Gjirokastër, ndërkohë që ajo në emër të qytetarëve të Gjirokastrës, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kulturore, arsimore dhe akademike të Universitetin “Eqrem Çabej” shkollat 9-vjeçare e të mesme, që ta bëjnë pjesë kryesore të veprimtarive të tyre kulturologjike, Nderimin e Mirënjohjen për veprën e shkrimtarit Ismail Kadare.

Shkrimtari i madh që prej vitesh qëndron në majën e listës së kandidatëve të nominuar për çmimin “Nobel” të letërsisë nga Akademia Suedeze e këtij çmimi, krijuesi që arriti të japë vepra të mëdha, duke e bërë të njohur kështu Shqipërinë, historinë dhe kulturën e saj në gjithë botën, Ismail Kadare lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është sot shkrimtari më i njohur dhe më i përkthyer shqiptar në rreth 50 gjuhë të ndryshme të botës. /Gazeta Shqip

Më Shumë

“Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë”, Totaj thotë se rritën buxhetin e investimeve për projektet e qytetarëve

Komuna e Prizrenit për të dytin vit me radhë ka nisur një praktikë të re të përzgjedhjes së projekteve nga qytetarët. Kryetari i Komunës së...

Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi

Ka vdekur pjestari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës, të...

Lajmet e Fundit