13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Festa e Muzikës shënohet në Kosovë

Festa e Muzikës e cila rëndom mbahet në mbarë botën, tashmë kjo festë po shënohet edhe në Kosovë, madje është një festë që ka marrë rrugën për tu bërë një festë tradicionale. Ky edicion do të ketë muzikë të larmishme dhe promovim të artistëve të rijnë në veçanti.

Projekti vjen si rezultat i bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës me Ambasadën Franceze, Culture for All, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Filarmoninë e Kosovës. Të pranishëm në konferencën e mbajtur në mëngjesin e së hënës ishin të gjithë përfaqësuesit nga institucionet përkatëse të cilët shpalosën këtë bashkëpunim dhe programin i cili do të prezantohet gjatë ditës së nesërme.

Konferencën e hapi drejtoresha e kulturës, Saranda Bogujevci e cila tha që ‘Festa e Muzikës’ ka filluar të bëhet traditë në kryeqytet dhe që ky është viti i tretë që organizohet në një formë më të gjerë.

“Ky festival është duke u bërë tradicional në Prishtinë. Njëra prej arsyeve që ka filluar të organizohet festa e muzikës është që të promovohen te rinjtë dhe muzika e tyre” tha fillimisht Bogujevci.

Ndërsa ambasadorja franceze, Lise Moutoumalaya, u shpreh të ndjehet shumë e lumtur që me një bashkëpunim të ndërsjellë kanë arritur të organizojnë këtë festë.

“Festa e Muzikës është themeluar 35-së vite më parë, është ngjarje speciale, sepse flitet vetëm për muzikën dhe të gjithë provojnë të bëjnë muzikë. Kjo festë festohet në tërë botën dhe jam shumë e lumtur që Kosova është pjesë e kësaj ngjarje mbarëbotërore” tha ndër të tjera Moutoumalaya.

‘Festa e Muzikës’ vjen me një program të ngjeshur gjatë tërë ditës së 21 qershorit. Ky program do të fillojë nga ora 10:00, ku do të ketë performancë nga një grup i fëmijëve nga Aleanca Franceze, gjithashtu do të performojë edhe kori i fëmijëve në krye më këngëtaren Rina Bilurdagu. Programi vazhdon tutje në orën 11:00 deri në orën 14:30 me bende të reja të cilat do të provojnë muzikën e tyre. Nga ora 17:00 do të jetë performanca “Piteri dhe Ujku” e cila vjen nga Filarmonia e Kosovës. Pas një pauze, programi vazhdon me ‘Kampionati Sintor’ i cili do të sjellë artistë shumë të njohur francez dhe ky projekt vjen i bashkëfinancuar nga Aleanca Franceze dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërsa, Dominique Thiange nga ‘Culture for All’ të cilët në bashkëpunim me Filarmoninë do të sjellin shfaqjen “Piteri dhe Ujku” tha që është shumë e lumtur për këtë bashkëpunim dhe sidomos për fatin e madh që kanë një dirigjente me nam si Nathalie Marin.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari foli më gjerësisht për këtë vepër të cilën e vlerësoi si shumë interesante dhe të veçantë dhe tregoi që krahas muzikës vepra do të shoqërohet edhe nga narratorja, Dardana Mehmeti.

”“Piteri dhe Ujku” është një përrallë muzikore që është një vepër për orkestër simfonike dhe në Kosovë vjen premierë në 80-të vjetorin e krijimit të saj. Qëllimi i këtij aktiviteti muzikor dhe kësaj vepre muzikore është kultivimi i shijes muzikore për fëmijë dhe për të rinjtë. Kjo është menduar që përmes përrallës, fëmijëve të ju ofrohet muzika klasike” tha Jashari.

Në këtë edicion të festës së muzikës do të marrë pjesë edhe “Kampionati Sintor” për të cilin projekt foli kompozitori dhe pianisti, Liburn Jupolli, përfaqësues nga shoqata KSMT.

“Ne si shoqatë relativisht e re kemi organizuar projektin “Kampionati Sintor”, ne kemi filluar me këtë ide duke dashur të kemi një platformë ku t’i lidhim muzicientë të moshave të ndryshme, pa dallim nga zhanret muzikore. “Kampionati Sintor” është emër simbol i gjithë muzikës që është bërë me instrumentin muzikor, sint që nga vitet e 30-ta. Për këtë festë ne do të sjellim dy muzicientë shumë të mirë nga Parisi” pohoi Jupolli.

Krejt për fund drejtoresha e kulturës, Saranda Bogujevci, bëri thirrje për të gjithë që t’i bashkëngjiten sa më shumë këtij aktiviteti i cili do të sjellë shumë muzikë si nga vendi ashtu edhe nga bota. “Festa e Muzikës” do të mbahet nesër në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 10:00 e për të vazhduar gjatë tërë ditës. /KultPlus.com

Më Shumë

“Vizitova Krushën e Madhe, e njoha në audiencë zonjën Hoti…”/ Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Ish-shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tash përfaqësues i Sllovenisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë fjalimit të tij ka përmendur...

3:0 për Trepçën, kualifikohet në finale

Trepça është kualifikuar në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Sigal Prishtinës...

Lajmet e Fundit