9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Nuk të vendos dot në shtrat…

Ditarët që zbuluan historinë e fshehtë të dashurisë së Henri Miller me Anais Nin: Rrëfime erotike nga orët që kaluan bashkë dy personazhet e njohur të letrave të shekullit XX

Alda Bardhyli

“Anais, kur u ktheva mbrëmë në shtëpi, desha të ishe këtu, sepse e mbajta erën e parfumit tënd. Më mori malli për ty! E kuptova që nuk të kisha thënë se ç’mrekulli është kur je këtu me mua! Nuk them kurrë gjëra të tilla. Shiko, ky sirtari është plot me teshat e tua-me çorapë. Dua që ta lësh parfumin tënd kudo!…”. Henry Miller, do t’i hidhte këta rreshta në një letër, vetëm pak orë pasi ishte kthyer në apartamentin ku ndante jetën me të shoqen, Xhunin, duke ndjerë atë zbrazëtinë e padurueshme pas çdo ikjeje nga Anais Nin. Ndërsa ajo, e vetme në Luvesienë, ndjente në mendje atë peshën e trupit të tij, teksa flinte përbri të sajit. Përsëriste me vete që do donte që ky të ishte çasti i fundit, ashtu siç donte gjithnjë që çasti më i bukur të ishte gjithnjë i fundit, përpara se Xhuni t’i zbulonte dhe gjithçka të merrte fund. Anais e dinte se ai e donte ashtu me butësi, me sentimentalizëm, ndërsa Xhuni ishte ajo që i frymëzonte pasionin. Ajo ishte aty për t’i qetësuar kujtimet, muzën, për t’i dhënë besim. Ajo rrinte pranë Henryt, shkrimtarit, ndërsa ai i jepte atë dashurinë tjetër. Ndër historitë e mëdha të dashurisë në letrat botërore, ajo mes shkrimtarëve Henry Miller dhe Anais Nin është padyshim një ndër historitë që mbart brenda jo vetëm pasionin, por dhe udhëtimin në hapësirat e padukshme të mendjes, mbi laboratorin e krijimit. Vetëm disa muaj pas takimit të parë në Paris më vitin 1932, pas disa martesave të dështuara, Anais dhe Henry do të nisnin të jetonin një histori të gjatë pasioni, që do të linte pas dhe shkrimet më të bukura mbi dashurinë. Ata nuk ishin thjesht dy dashnorë, por dhe dy intelektualë që përmes letrave që i shkruan njëri-tjetrit, na sjellin sot një kontekst tjetër të dimensioneve të kohës kur jetuan. Ndryshe nga Miller, kritikët e ndajnë profilin e Anais midis shkrimtares dhe ditarshkrueses. Që në adoleshencën e hershme ajo do të magjepsej pas shkrimit të ditarëve, duke shënuar në blloqet e pafund gjithë jetën e saj. E padyshim një ndër historitë më të bukura që është zbardhur nga këta ditarë, për t’u shndërruar në një libër më vete, është raporti i saj me çiftin Miller, Henri dhe Xhunin. Anais ka hedhur në ditar çdo detaj të kësaj historie, që nga takimi i tyre i parë, duke mos nguruar të përshkruajë dhe ndjesitë erotike të një raporti që e priste prej vitesh. Në atë kohë ajo mendonte se nuk do ta botonte kurrë këtë ditar, pasi nuk mund të lëndonte të shoqin, Hju Gillerin, por edhe shumë burra të tjerë që e kishin dashur. Deri në mesin e viteve pesëdhjetë, ngaqë tregimet dhe novelat nuk kishin arritur ta bënin dot aq të njohur, ajo filloi të mendonte për një mënyrë tjetër për botimin e ditarit, pa rrezikuar të lëndonte njeri. E ndau mendjen të botonte emra të vërtetë dhe të hiqte vetëm ato pjesë që lidheshin me jetën e saj personale, të shoqin dhe të dashurit e saj. Kështu ajo botoi librin që prej botimit të parë më 1966, është botuar në më shumë se 40 gjuhë, dhe së fundmi, edhe në shqip nën përkthimin e Engjëllushe Shqarrit. Vajza puritane katolike, që nuk arrinte dot të hidhte në ditar përvojat e saj epshndjellëse si modele, shkruan në këta ditarë zgjimin e pasionit. Dashuria e bën kurajoze, ashtu siç shprehet edhe vetë. “Po rrezikoja martesën dhe lumturinë time për të fjetur me letrën e Henrit nën jastëk, me dorën mbi të”. Ajo shkon me gëzim të takohet me të. I trembet butësisë së tij, që është aq e ngjashme me të. “Më kujtohet se, që ditën e parë kur u njoha me të, prisja që ta merrte ai drejtimin e bisedave, të veprimeve, drejtimin e të gjitha gjërave. Me hidhërim kujtova vullnetin e hatashëm të Xhunit, iniciativën, tiraninë e saj. Thashë me vete se nuk janë gratë e forta që i bëjnë burrat e dobët, por janë burrat e dobët që i bëjnë gratë tepër të forta. Kam qëndruar para tij e nënshtruar si gratë latine, e gatshme për t’u zotëruar prej tij. Ai më ka lejuar ta zotëroj. Është i shqetësuar se a do ta doja, dhe sa shumë do ta doja. E ka lënë arsyen të ndërhyjë në lumturinë tonë”, shkruan Anais. Ishte hera e parë që ai ishte në shtrat me një grua të nivelit të tij. Ashtu si të gjithë burrat gjithnjë kishte zgjedhur gra që kishte epërsi ndaj tyre. Dhe pse takimet e tyre ishin të shkurtra njëorëshe, ato ia ngacmonin më shumë dëshirat. Sapo kthehej në shtëpi ajo ndjente nevojën t’i shkruante sërish. “Harrova të të them se të dua dhe se kur zgjohem në mëngjes, vras mendjen se si të zbuloj mënyra të tjera për të vlerësuar. Ndjeva nevojën t’i thosha se e doja, ngaqë këtë gjë nuk po e besoja edhe vetë. Përse para syve të mi Henri Miller është bërë i vogël, pothuaj fëmijë? E kuptoj pse Xhuni thotë për të: E dua Henrin si të ishte fëmija im”. Por orët pa të duken torturuese për Anais. “Henri nuk largohej dot prej meje. Ndenji dy ditë që arritën kulmin me një shpërthim të tillë seksi aq sa vazhdova të përvëlohesha nga pasioni për një kohë të gjatë. Nuk dua t’ia di për shqetësimet. Rri shtrirë dhe vetëm bëj dashuri me të, duke marrë prej tij një dashuri të tillë që përligj vetë ekzistencën time. Më merret goja kur ia them emrin. Çdo ditë është tjetër njeri me thellësi dhe ndjenja të reja”.  Ky raport intim do të kishte ndikim dhe personalitetin e saj krijues. Ai nuk ishte vetëm dashnori, por dhe kolegu, mësuesi. Mbrëmjeve vonë ai i fliste për librin e Artur Mahen “Kodra e ëndrrave”. Ajo rrinte dhe e dëgjonte me shpirt. Ai i thoshte butësisht: Po të flas gati-gati si prind. Në atë çast ajo ishte gjysmë grua gjysmë fëmijë. “E di që një pjesë e imja fsheh fëmijën, që i pëlqen ta habisin ta mësojnë, ta drejtojnë. Kur dëgjoj, jam fëmijë dhe Henri bëhet prindëror. Përfytyrimi që nuk më ndahet-ai i një ati erudit, letrar, shfaqet sërish dhe gruaja bëhet prapë e vogël. Më kujtohen fraza të tjera, si: Nuk do të të bëj keq, ty jo, dhe delikatesa e tij e pazakontë me mua, marrja nën mbrojtje, Ndihem e tradhtuar. E mrekulluar nga puna e Henrit, jam bërë fëmijë. Përfytyroj një burrë tjetër që më thotë: Nuk bëj dot dashuri me ty. Nuk je grua, je fëmijë”, shkruan Anais. Ajo i dashuron gjithçka. “Edhe kur rrimë të qetë, përsëri e dua, i dua duart, kyçet, qafën, gojën, ngrohtësinë e trupit të tij, së bashku me kërcimet e papritura të mendjes së tij. Më pas ulemi të hamë dhe bisedojmë për Xhunin dhe Dostojevskin”. Por dhe ai dorëzohet para saj. “E marrtë dreqi Anais. Nuk të adhuroj, të dua”, i thotë ai. Kjo nuk është një dashuri si të tjerat, është ndryshe dhe për Henri Miller, i cili besonte se asnjë grua nuk mund ta bënte të marrë. Anais shndërrohet në një personazh për të, duke bërë atë lojën e jashtëzakonshme që atij i ndodhte më parë veç në studio. Ajo kërkon të zhvishet e gjitha dhe e fton ndryshe nga të tjerat në një lojë të rrezikshme ku përfshihet seksualiteti dhe mendja. Historia e tyre do të ketë një rol emancipues në historinë e letrave dhe është një çast i rëndësishëm për letërsinë moderne kur u shfaq hapur tema e seksualitetit. Por në këtë histori ata nuk ishin asnjëherë vetëm, pasi në të njëjtën kohë Anais ushqente emocione dhe për të shoqen e tij Xhunë. “Henri nuk më bën dot ta dua më pak Xhunin, por mund të më torturojë ta bëjë atë të duket e pakapshme, e më pak egoiste në sytë e mi, duke provuar se ajo nuk ekziston, se është vetëm një përfytyrim i shpikur nga ne të dy, nga mendja e Henrit dhe poezia ime”, shprehet ajo në fillim të njohjes me Henrin, pa rënë ende në dashuri me të. Qindra letra dashurie të mbetura në kohë, tregojnë se dy shkrimtarët e kthyen në një libër të jashtëzakonshëm historinë e tyre të dashurisë dhe se asnjë personazh në kolanën e veprave që Henri Miller la pas, nuk mund të ketë stofin e mrekullueshëm të burrit që ai qe, në shtratin e Anais Nin.

Ditarët e Anais

Që në moshë të re, Anais Nin e dinte se do të bëhej shkrimtare. Në moshën njëmbëdhjetëvjeçarë, poshtë tregimeve të veta vinte nënshkrimin: “Anais Nin- anëtare e Akademisë Franceze”. Me frëngjishten e një nxënëseje shkolle, ajo shkroi tregime dhe drama të shumta, që dukeshin sikur i dilnin vetvetiu prej një imagjinate tejet të fortë, që bëhej edhe më e harlisur për shkak të nevojës së Anaisit për të mbajtur nën zap dy vëllezërit më të vegjël. Ajo e kuptoi se këtë detyrë mund ta kryente duke u treguar atyre histori pafund, që më pas t’i kthente në krijime teatrore. Më 1914 kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, nisi të shkruante ditarin e saj, tanimë të famshëm në formën e një serie letrash drejtuar të atit, i cili e kishte braktisur familjen. Ajo e trajtonte ditarin si të besuarin e saj, dhe shkroi në të pothuajse çdo ditë të jetës së saj, në frëngjisht deri në vitin 1920 dhe më pas në anglisht. Ditarët e shkruar me dorë që përmbajnë rreth 35.000 fletë, (tani gjenden në Departamentin e Përmbledhjeve të Posaçme të UCLA-së). Me kalimin e viteve, të shkruarit e përditshëm, pa lexues, apo censurë e bënë Anaisin të aftë të përshkruante përjetime të çastit. Ajo shkroi pa ndërprerje për dyzet e pesë vjet më radhë, si letërsi artistike, ashtu edhe ditar. Më 1933 ajo shkruante në ditar: “Libri im (romani) dhe ditari ngatërrohen vazhdimisht me njëri-tjetrin. Nuk mundem dot as t’i ndaj, as t’i pajtoj. I tradhtoj të dy. Megjithatë, ditarit i qëndroj besnike. Faqet që marr nga ditari, i fus në roman, kurse faqet e romanit nuk i fus kurrë në ditar, duke shpalosur besnikërinë njerëzore ndaj vërtetësisë së ditarit”.

Në fund të viteve njëzet, Xhon Erskini i tha Anaisit se ditari përmbante shkrimet e saj më të mira, ndaj dhe ajo filloi të bluante në mendje idenë e botimit të “shumë faqeve” të tij. Në atë periudhë, ditari mund të ishte botuar i plotë, sepse Anaisi nuk kish asgjë për të fshehur. Më pas do t’i duhej të sajonte shumë plane për botimin e tij: si ta kthente ditarin në roman; ta botonte në formë ditari, por me emra imagjinarë; ose ta botonte në formë ditari duke përdorur emra të vërtetë, së bashku me emrat imagjinarë.

(Pjesë nga ditarët)

Xxx

Orët e gjata me Henrin janë ato më të madhërishmet. Ai bie në një qetësi të thellë, teksa rri mbi punët e tij dhe herë-herë buzëqesh. Ka tek ai diçka prej xhuxhi, prej satiri dhe prej studiuesi gjerman. Në ballë ka gunga të forta, që duket sikur do t’i pëlcasin. Papritur trupi i tij duket i brishtë, i përkulur. Teksa rri aty më duket se ashtu siç i shoh trupin mund t’i shoh edhe mendjen: si labirint, pjellore, të ndjeshme. Adhuroj gjithçka që përmban koka e tij, si dhe impulset që i dalin me shtëllunga. Është shtrirë në shtrat me trupin e harkuar pas shpinës sime, me krahët e hedhur mbi gjoksin tim. Dhe në rrethin e vetmisë sime, e di që kam gjetur një çast dashurie absolute. Madhështia e tij i mbush dhe i shëron plagët, i qetëson dëshirat. E ka zënë gjumi. Sa e dua! Më duket vetja si një lumë që ka dalë nga shtrati….

Anais Nin

E vetmja gjë që mund të them është se jam marrosur pas teje. U përpoqa të të shkruaja një letër, por nuk munda. Po pres me padurim të të takoj. E marta është shumë larg. Por jo vetëm e marta. Nuk e di se kur do të vish të flesh një natë tek unë, kur mund të rrimë bashkë për një kohë të gjatë. Torturohem që mund të të kem vetëm për disa orë dhe pastaj më duhet të lë të ikësh. Kur të shoh, të gjitha  ato që doja të të thosha, më ikin nga mendja. Koha është kaq e çmuar dhe fjalët kaq të kota. Por ti më bën shumë të lumtur, sepse me ty mund të bisedoj. Dashuroj ndriçimin tënd, përgatitjet e tua për të fluturuar, këmbët e tua si darë, ngrohtësinë midis këmbëve të tua. Dua të të shoh për një kohë të gjatë dhe me zjarr, të ta ngre fustanin, të të përkëdhel, të shoh me imtësi. A e di që nuk të kam parë ende sa duhet? Ka ende shumë shenjtëri në qenien tënde. Nuk di si të ta them se ç’ndiej për ty. Jetoj në pritje të përhershme. Ti vjen dhe koha ikën rrëmbimthi, si në një ëndërr. Vetëm kur ti ikën, filloj dhe e kuptoj plotësisht praninë tënde. Por atëherë është tepër vonë. Ti më mpin. Rrekem të përfytyroj jetën që bën në Luvesienë, por nuk mundem. Libri yt? Edhe ai duket irreal. Vetëm kur ti vjen dhe të shoh me sy, piktura bëhet më e qartë. Por kur ti ikën aq shpejt, nuk e di ç’të mendoj. Po e kuptoj më së miri legjendën e Pushkinit. Të shoh me sytë e mendjes të ulur në atë fron, me xhevahire rreth qafës, me sandale, unaza të mëdha, me thonjtë e lyer, me zërin e çuditshëm prej spanjolleje, duke jetuar njëfarë gënjeshtre, që nuk është tamam gënjeshtër por një përrallë. Po flas paksa i dehur Anais. Them me vete: “Kjo është e para grua me të cilën mund të jem plotësisht i sinqertë”. Më kujtohet kur the: “Mund të ma hedhësh, sepse unë nuk do ta merrja dot vesh”. Kur shëtis përgjatë bulevardeve dhe mendoj për ato fjalë, e kuptoj se nuk ta hedh dot, edhe pse do të doja ta bëja. Dua të të them se nuk mund të jem kurrë besnik në kuptimin absolut, nuk e kam atë aftësi. I dua shumë gratë ose jetën, cilado qoftë, nuk e di. Megjithatë, qesh Anais…Më pëlqen kur të dëgjoj të qeshësh. Je e vetmja grua që ke sensin e gëzimit, një tolerancë të mençur-jo ke më shumë, duket se ti më nxit të të tradhtoj. Dhe për këtë të dua. Pse e bën këtë dashuria ime? Oh, sa e bukur është të duash, e në të njëjtën kohë të jesh i lirë…

Henri Miller

I dashur, sot jam e pasur, por pasurinë e kam edhe për ty. Nuk e kam vetëm për vete. Tani të gënjej çdo ditë, por duhet ta kuptosh që gëzimet që më dhurojnë t’i jap ty. Sa më shumë marr për vete aq më e madhe është dashuria që ndiej për ty. Sa më shumë gjëra i mohoj vetes, aq më e varfër do të jem edhe për ty i dashur. Nuk do të ketë asnjë tragjedi po të më ndjekësh në këtë ekuacion. Ka ekuacione që janë të qarta. Një i tillë do të ishte: të dua ty dhe si rrjedhojë heq dorë nga bota dhe jeta për ty. Do të kishe përpara një murgeshë të shtrirë përtokë, të helmuar nga pyetje që nuk do t’u përgjigjeshe dot edhe po të vrisnin. Pa shihmë mua sonte. Po kthehemi bashkë në shtëpi. Unë kam provuar kënaqësinë. Po ty nuk të lë jashtë. Eja futu në trupin tim të hapur dhe provoje. Unë mbart jetën. Dhe ti e di. Kur më sheh lakuriq nuk rri dot pa më dëshiruar. Trupi im të duket i pafajshëm dhe i tëri i yti…

Anais Nin

Të hënën kur Hjuja u nis për në Londër, shkova me nxitim te Henri. Dy net në ekstazë. I kam ende gjurmët e të puthurave të tij, kurse natën e shkuar qe aq i papërmbajtur sa më lëndoi. E ndërprisnim dashurinë për të bërë biseda të zgjatura. Ai është xheloz. Më çoi në Montparnas, por një hungarez simpatik që më rrinte pranë, me paturpësi më bënte shenja. Më pas, Henri tha se donte të më mbante mbyllur me kyç dhe se isha krijuar vetëm për çaste intime. Kur më pas në Montparnas, mendoi se isha shumë e butë dhe e brishtë për të qëndruar mes turmës, donte të më mbronte të më fshihte. Ka menduar shumë ta lërë Xhunë. Me mua ndihet i plotë dhe e di që e kam dashur më shumë se ajo. Natën rrimë shtrirë dhe flasim për këtë gjë, por e di se ai nuk mund dhe nuk duhet të mendojë ta lejë Xhunin, pasionin e tij. Po të isha unë në vendin e tij nuk do të hiqja dorë prej saj. Xhuni dhe unë nuk e përjashtojmë përkundrazi e plotësojmë njëra-tjetrën. Henri ka nevojë për të dyja. Xhuni është ngacmuesja ndërsa unë limani. Me Xhunin ai ka njohur dëshpërimin kurse me mua harmoninë. Ia them të gjitha këto fjalë, ndërsa ai më mban shtrënguar në krahët e tij… Kam zotëruar burrin më të vështirë që mund të zotërohet. Por unë i di caqet e pushtetit tim. E di gjithashtu se për të plotësuar nevojat e burrave duhemi unë dhe Xhuni bashkë… Henri më ka dashur; oh unë jam e dashura e tij. Kam marrë gjithçka që mund të merret prej tij, shtresat më të fshehta të qenies së tij, oh, çfarë fjalësh, çfarë ndjenjash, çfarë vështrimesh, çfarë përkëdheljesh, dhe të gjitha këto bëjnë dritë vetëm për mua…E kam parë të qetësohet prej butësisë sime, të frymëzohet prej dashurisë sime, e kam parë të pasionuar, zotërues, xheloz.

Anais

Më Shumë

Totaj pret atletin e MMA-së nga Velezha, Gjoni Palokaj

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot atletin e MMA-së (Mixed Martial Arts) me prejardhje nga Velezha, Gjoni Palokaj. Palokaj aktualisht mban dy tituj...

S’është në Evropë, por në Kosovë – fshati Bellanicë shembull për të tjerët

Nuk është në Evropë por në Kosovë. Bëhet fjalë për fshatin Bellanicë në Malishevë. Bukuria, pastërtia e pamja mahnitëse janë disa nga karekteristikat e këtij...

Lajmet e Fundit