Nata e parë e Festivalit të 63të të këngës në RTSH, ka ulur perden, pasi për afro 3 orë e 30 minuta Fest 63 shfaqi jo vetëm spektakël dhe magji skenike, por dëshmoi se Festivali ka qenë dhe mbetet zëri më autoritar i muzikës serioze dhe profesionale në hartën mbarë kombëtare shqiptare. Ishte një mbrëmje që pati gjithçka, muzikë, performancë, klas, ngjyra vokale, spektakël, surpriza deri dhe mesazhe të fuqishme sociale.
Në këtë mbrëmje unike të moderuar nga Ornela Bregu dhe Enkel Demi, performuan 15 këngëtarë, të cilët sollën jo vetëm krijime muzikore shumë të bukura, me tematika të ndryshme sa u përket vargjeve, por edhe performancë skenike unike në mizanskenë, kostumografi, e larmi ngjyrash vokale.
Materialet muzikore u interpretuan në mënyrë mjeshtërore edhe nga Orkestra e Radio Televizionit dhe bendi, duke e çuar në një nivel të ri jo vetëm muzikën në Fest 63, por duke dëshmuar edhe një nivel të lartë profesional me të cilën RTSH përgatit të gjitha eventet e rëndësishme në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në skenë u ngjitën jo vetëm artistë me përvojë në skenat muzikore, por edhe të rinj ambiciozë, të cilët kanë si qëllim jo vetëm të ndërtojnë një kaerrië të suksesshme në botën e muzikës, dhe skena e Fest 63 është vendi i duhur, por edhe të çojnë në skenat ndërkombëtare muzikën shqiptare.
Një performancë elektrizuese ka dhuruar edhe reperi Noizy në skenën e Fest 63. Këngëtari i njohur këndoi kolonën zanore të filmit “Troubleshooters”, ku interpreton edhe vetë ai, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Teksa u ngjit në skenë, Noizy e konsideroi privilegj këndimin në Festivalin e Këngës.
Emocion të jashtëzakonshëm ka përçuar në sallën e pallatit të Kongreseve këngëtari i famshëm francez, Slimane, me dy interpretimet e tij, ku njërin e pati duet me këngëtaren njëkohësisht edhe Drejtore Artistike Elhaida Dani. Slimane, në skenën e Fest 63, shënoi edhe një pikë kulminante të kësaj mbrëmje të parë të festës së Këngës.
Ai ngriti në këmbë të gjithë publikun me këngën e tij hit, “Mon Amour”, me të cilën përfaqësoi Francën në Eurovizon vitin e kaluar. Por edhe më magjik ishte dueti me Elhaida Danin, drejtoresha artistike e këtij festivali.
E veçantë në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhet nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.
Të gjithë anëtarët e jurisë janë profesionistë të spikatur në botën e artit duke filluar që nga muzika e lehtë dhe ajo operistike, nga fusha e letrave dhe ajo pedagogjike. Kryetare e jurisë do të jetë artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë do të jenë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.
Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.
Por nuk ishte muzika ajo që mbizotëroi në natën e parë të Fest 63, pasi Festivali i Këngës nuk ishte vetëm skena e këngës së vërtetë shqipe, por edhe e mesazheve të rëndësishme me theks social.
Jo vetëm në natën e parë, por edhe përgjatë netëve të tjera të këtij edicioni të 63 të Festivalit të muzikës, do të ngjiten në skenë vajza e gra që përmes historive të tyre do të përcjellin mesazhe të fuqishme, vajza dhe gra që kanë mësuar të bëhen të forta, duke dalë mbi steriotipet e shoqërisë sonë.
Një histori të tillë solli Zamira Koleci, gazetare dhe ish-drejtuese e Radio Tiranës. Ajo tregoi vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar në fillimet e karrierës, atëherë kur iu tha se për të ishte e pamundur të bëhej radiokroniste. Por këto fjalë nuk e ndaluan Zamirën, me forcë, kurajë dhe punë, ajo ia doli të ishte një ndër zërat e Radio Tiranës.
Ndërsa Edlira Çepani, aktivistja që nuk heshti kurrë sa herë që u ndesh me padrejtësi në këtë vend, ka emocionuar me mesazhet që ndau në skenën e Fest 63. Ajo u përball me dhimbjen e madhe të humbjes së bashkëshortit, ish-deputetit, Gerti Bogdani, por përmes lotëve të humbjes, Edlira tregon forcë dhe qëndresë./rtsh.al/