22.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

192 vjet nga lindja e prijësit ushtarak Haxhi Zeka

Haxhi Zekë Byberi, i njohur si Haxhi Zeka, ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, duke u shquar si prijës ushtarak në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.

 

Ai u lind më 20 dhjetor 1832 në Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Familja e tij u shpërngul në Pejë. Ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte shumë karizmatik.

Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre.

Në Kuvendin e Parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.

Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste.

Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.

Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm te sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani.

Atje kaloi dy vjet mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.

Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit, të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës, ku u mblodhën 450-500 vetë, dhe ku u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.

Në prill-maj 1899 organizoi komitetet e para të luftëtarëve të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.

Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt 1901, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku shprehu shqetësimet e tij për viset shqiptare, duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.

Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviq, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zaimin që ta vriste Haxhi Zekën, më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.

Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në vilajetin e Kosovës. Dorasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes. /kp

Më Shumë

Shkolla “Ruzhdi Berisha” në Dragash bëhet me kabinet të infermierisë – investim prej 18 mijë eurosh

Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash është pajisur me një kabinet të ri të infermierisë, i cili do të shërbejë për...

Dy aksidente brenda gjysmë ore në Prizren

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur në dy vende të ndryshme në Prizren brenda gjysmë ore. “Kanë qenë dy aksidente rreth orës 16:00 dhe 16:30. Në...

Lajmet e Fundit