Në Gjykatën Themelore në Prizren, me kërkesën e të akuzuarit Agron Sopaj, është shtyrë seanca e ditës së martë, për arsye se i njëjti deklaroi se nuk ishte në gjendje të përcjellë seancën për shkak të problemeve shëndetësore.
Gjatë seancës, avokati i të akuzuarit Sopaj, Nazmi Mustafi, ka dorëzuar gjykatës raportin mjekësor në lidhje me shëndetin e të mbrojturit të tij, duke shtuar se në bazë të raporteve mjekësore, ai nuk është në gjendje të mirë psikike për të përcjellë gjykimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues Ajsere Skenderi ka pyetur të akuzuarin nëse është i gatshëm që të jetë i pranishëm në seancë, por ai deklaroi se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për të përcjellë gjykimin dhe kërkoi që seanca e sotme të shtyhet.
Kryetarja e trupit gjykues, Skenderi, ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit Sopaj duke e shtyrë seancën në afat të pacaktuar.
Në këtë rast, i akuzuar për pjesëmarrje në rrahje ka qenë edhe Bekim Xhaferi, por në rigjykim Prokuroria ka hequr dora nga akuza ndaj të njëjtit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, e ku i akuzuari Rinor Xhaferi, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e ishte dënuar me 15 muaj burgim. Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues kishte rikulifikuar veprën penale nga “Vrasje në tentativë” nga neni 178 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal, në veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, par.1.1 të Kodit Penal.
Kurse, Bekim Xhaferi ishte shpallur fajtor për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” dhe të ishte dënuar me tre muaj burgim.
Ndërsa, Agron Sopaj ishte shpallur fajtor për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Për lëndim të rëndë trupor, Sopaj ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.
Apeli kishte kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, par.1, nënpar. 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi, akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.
Sipas Prokurorisë, vepra ishte kryer në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.
Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga prokuroria ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohej se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.
Me këto veprime, Bekim Xhaferi po akuzohet se ka kryer veprën penale, pjesëmarrja në rrahje.
Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.
Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.
Me këto veprime, ai akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” si dhe “Lëndim i lehtë trupor”. /BetimipërDrejtësi