18.4 C
Prizren
E hënë, 28 Prill, 2025

Tha ky, tha ai … gazetaria!

Virtyt Gacaferri

Me magjistraturë nga Universiteti i Kardifit dhe me 20 vjet përvojë gazetarie në Kosovë dhe më gjerë, si dhe me tekste të përkthyera nga së paku pesë gjuhë të huaja, mendoj se kam të drejtë të jap një mendim për gazetarinë. Shpresoj se gardianët e krejt gazetarëve nuk me sulen!

Në vitet ’90 të shekulli XX, një grup gazetarësh, me çanta të varura në një krah, me diktafon, fletore dhe laps, bënin rrugën Presidencë – QIK – Punto, duke raportuar kush çka kishte thënë. (Për gjeneratat e reja, këtë shëtitje do të përkthehej si Tiffany – Muzeu i Pavarësisë – Qafa.) Këta ishin gazetarët më të respektuar të qytetit, por puna e tyre kryesore ishte riorganizimi i fjalëve të pesë figurave kryesore politike të kohës: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Hydajet Hyseni, Adem Demaçi dhe Shkelzen Maliqi si analist i pavarur.

Fatkeqësisht, kjo qasje ndaj gazetarisë vazhdon të dominojë edhe sot. Një nga shembujt më të qartë të humbjes së kotë të resurseve mediale është mënyra se si mbulohet puna e Kuvendit të Kosovës. Ekipet e mediave qëndrojnë në ndërtesë, shpesh në ballkon, duke raportuar fjalë për fjalë kush çka tha. Politikanët, ndërkohë, e shfrytëzojnë këtë vëmendje për të ndezur opinionin publik dhe për të shtyrë agjendat e tyre personale e duke kërkuar fajtorë. Për mua, raportimi i punimeve të Kuvendit, si lajm kryesor, është i pakuptimtë dhe kundërproduktiv. Duke u dhënë politikanëve hapësirë në ballinat e mediave, i stimulojmë ata të merren më shumë me manipulimin e publikut, me ushqimin e egos duke e shikuar deklaratën e raportuar në media, sesa me zgjidhjen e problemeve reale.

Mediat një ditë bojkotuan raportimin nga Kuvendi i Kosovës. Për këtë punë nuk duhet pasur guxim – duhet vetëm vetëdija profesionale se fjalët boshe nuk janë lajm. Bojkoti ishte hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Lajmet nga Kuvendi nuk duhet të jenë kurrë prioritet i parë. Duhet të fokusohemi në analizimin e pasojave të veprimeve (apo mosveprimeve) të Kuvendit, jo në fjalët që thuhen aty – aq më tepër kur çdo qytetar mund t’i ndjekë ato drejtpërdrejt në televizor apo internet.

Ndërkohë, kur në Kuvend nuk ndodhte asgjë e raportohej gjithçka, një kamerë amatore regjistronte një të rritur duke sulmuar me shqelm një fëmijë në fushë sportive, duke përdorur gjuhë raciste. Kjo ngjarje u shpërnda në rrjetet sociale derisa më në fund arriti në mediat tradicionale. Dhe, sërish, çfarë bënë mediat? Në vend që të hulumtonin fenomenin e racizmit në sport dhe masat për ta luftuar atë, iu kthyen zakonit të vjetër – duke kërkuar deklarata nga deputetët e zgjedhur nga minoritetet. Mirë që reaguan, por pyetja kryesore mbeti pa përgjigje: çfarë keni bërë deri më sot për ta luftuar këtë dukuri? A e keni trajtuar ndonjëherë seriozisht këtë problem?

Mediat, të cilat janë të mbrojtura me ligj, dhe gazetarët të cilët gëzojnë mbrojtje më të madhe se qytetarët e tjerë nga policia, duhet të mbajnë përgjegjësi për punën e vet. Ne, qytetarët, u kemi mundësuar atyre të kenë këtë status të privilegjuar dhe në këmbim ata na kanë borxh raportimin cilësor dhe profesionalizmin e vazhdueshëm.

Për ta përmbyllur, unë nuk besoj se ka shumë shpresë që gazetaria jonë të largohet shpejt nga qasja “tha ky, tha ai” drejt një gazetarie më përmbajtjesore. Është më lehtë të raportosh fjalët e politikanëve sesa të bësh hulumtim mbi realitetin. Për më tepër, shpesh kryeredaktorët bëhen ata gazetarë politikë të cilët këtë lloj raportimi e kanë kthyer në profesion të përjetshëm.

Në anën tjetër, qytetarët shpesh u besojnë më shumë politikanëve, opinionistëve apo “influencerëve” sesa mediave tradicionale. Kjo situatë e re, jo vetëm në Kosovë, po krijon një realitet ku besimi nuk kthehet më te mediat, por shpërndahet në burime të ndryshme – që shpesh mund të jenë edhe manipulative.

Prandaj, me këtë qasje dhe me këto standarde, është vështirë të flasim për rikthim të besimit në media. Por, së paku, ne si qytetarë dhe profesionistë mund ta hapim debatin dhe të kërkojmë më shumë: më shumë thelb, më pak fjalë boshe.

Më Shumë

Lajmet e Fundit