1.4 C
Prizren
E martë, 16 Dhjetor, 2025

Parkimi ilegal i automjeteve theksohet si shqetësim në Këshillin për Siguri në Prizren

Parkimi ilegal i automjeteve, duke pamundësuar qarkullimin e lirë të këmbësorëve në trotuaret e qytetit të Prizrenit, është adresuar si shqetësim në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Drejtori i Inspektorateve,  Islam Ukimeri ka theksuar se shenjëzimi është bërë në shumicën e rrugëve dhe se përkundër kësaj automjetet parkohen në mënyrë ilegale në trotuare.

“Rekomandimi është që të merren masa sidomos në qendër të qytetit, sepse po pamundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në trotuare”, ka thënë Ukimeri.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Prizren, Nexhdet Mrasori ka theksuar se për këtë çështje shqiptohen gjoba, por se ato nuk mjaftojnë për ta zgjidhur problemin.

“Për automjetet në trotuar ne shqiptojmë gjoba. Rreth 11 mijë gjoba janë shqiptuar deri më tash. Por vetëm gjobat nuk janë zgjidhje. Duhet krijuar vende adekuate për parkimin e automjeteve”, ka thënë Mrasori, raporton Telegrafi.

Ngjashëm është shprehur edhe shef i operativës në trafikun rrugor nga DRP në Prizren, Arben Elshani, i cili ka propozuar edhe vendosjen e pengesave me qëllim të pamundësimit të parkimit të automjeteve në trotuare.

“Për parkingjet ilegale ne mund ti shqiptojmë 200-300 gjoba në ditë. Mirëpo nuk është zgjidhje. Zgjidhja është pamundësimi i parkimit të automjetit në trotuar, me vendosjen e pengesave, ashtu që të rritet siguria e këmbësorëve”, është shprehur ai.

Ndërkaq kryetari Shaqir Totaj ka pohuar se Komuna e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për adresimin e këtij problemi.

“Jemi duke u marrë me çështjen e parkingjeve dhe jam shumë i sigurt se me një afat optimal kohor do ta adresojmë këtë problem. Edhe në qoftë se nuk mund të bëjmë zgjidhje ideale, të paktën do ta zbusim problemin. Por kjo sa varet prej numrit të parkingjeve, gjobave, aq varet edhe nga kujdesi i qytetarëve, pa dashur që të keqkuptohem, mos me i përdor makinat aty ku nuk është e domosdoshme”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Ai ka vlerësuar se megjithatë gjobat duhet shqiptuar për shkeljet e bëra.

“Gjoba për parkimin ilegal është mjet ndërgjegjësues. Pengesat për parkimin e automjeteve në trotuare në disa vende janë bërë, por është e pamundur në gjithë qytetin që të zbatohet kjo praktikë, edhe për shkak të buxhetit të kufizuar”, ka thënë Totaj.

Megjithëkëtë ai ka shprehur bindjen se një bashkëpunim i ngushtë i Komunës dhe Policisë së Kosovës mundëson ngritjen e performancës për përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.

Më Shumë

41 aksidente e mbi 1 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

41 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 16 prej tyre kanë qenë me të lënduar dhe 25...

Vdes një grua në aksidentin mes veturës e kamionit në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një grua ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”. Policia ka njoftuar se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi...

Lajmet e Fundit