Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Shoqatës kulturo-artistike “Malësori” dhe në edicionin e 36-të të Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”.
“Pesë dekada përkushtim e punë të palodhshme për ruajtjen e vlerave të folklorit burimor, përmes veshjeve, instrumenteve e këngës popullore, e kanë shndërruar këtë manifestim në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet ku jetojnë shqiptarët. Është një vendtakim i përvitshëm për mijëra artdashës dhe një skenë ku vlerat kulturore marrin hov”, u shpreh në hyrje të fjalës së tij kryeministri Kurti.
Në vijim, Kurti tha se ky manifestim, që mbahet në fillim të muajit maj, përkon me datat simbolike të pajtimit të madh të gjaqeve më 2 maj 1990, ngjarje kjo e cila ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku po zhvillohet manifestimi edhe sivjet, njofton Kryeministria.
“Përballë sfidave dhe periudhave të vështira të së kaluarës, “Hasi Jehon” ka qëndruar si një dëshmi e gjallë e rezistencës dhe angazhimit për ruajtjen e identitetit tonë kulturor”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes institucionale dhe financiare për të gjitha fushat e kulturës, veçanërisht në fushën e folklorit, ku kemi mbështetur në vazhdimësi ansamblet, manifestimet, studimet dhe botimet në tërë territorin e vendit, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë.
“Hasi Jehon” është më shumë se një festival: është një urë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar”, tha kryeministri.
Shoqata kulturo-artistike “Malësori”, me projektin Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, është mbështetur nga Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë vitit 2021 është përkrahur me shumën 7 mijë euro, në vitin 2022 kjo përkrahje është më shumë se trefishuar në vlerën prej 25 mijë euro. Ndërkohë, festivali ka marrë mbështetje edhe në vitin pasues me vlerë prej rreth 27 mijë euro, ndërsa kjo përkrahje gjatë vitit 2024 ka arritur në vlerën prej 30 mijë euro.