Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prizren.
15-vjeçarja, Silan Görenç është therë me thikë për vdekje nga babai i saj në rrethana ende të paqarta.
E mitura ishte nxënëse e klasës IX-6 në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Prizren. Kjo shkollë, ka shprehur ngushëllime për ish-nxënësen e tyre, me fjalë prekëse.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të nxënëses sonë nga klasa IX-6, e cila filloi rrugën e përjetësisë në këtë mëngjes pranvere, pa na thënë lamtumirë. Një rreze e artë ndriçoi sot për të fundit herë para lindjes së diellit, si shëmbëlltyra më e denjë e tij. Një lule plot jetë dhe ëndrra u shkëput padrejtësisht nga gjiri i shokëve, shoqeve, mësimdhënësve dhe tërë atyre që e njohën”, thuhet në reagimin e shkollës.
Në përfundim, shkolla ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe gjithë ata që e njohën viktimën.
Babai i viktimës (shtetas turk) la të plagosur rëndë edhe vajzën tjetër, derisa lëndime i shkaktoi edhe vetit.
Vrasja e rëndë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, ku u dhanë detaje shtesë.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu u deklarua para mediave për rastin ku ndër të tjerash theksoi se të njëjtit po jetonin në banesën ku ndodhi krimi prej gjashtë muajsh dhe se nuk ishte raportuar ndonjëherë për ndonjë rast që po hetoheshin.
“Mund të konfirmojmë se rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 jemi njoftuar nga policia për një vrasje. Mund të konfirmojë se kemi një viktimë, një person të vdekur e mitur 15 vjeçare dhe një vajzë tjetër të mitur 10 vjeçare e lënduar dhe gjithashtu kryesi i veprës penale është i vetëlënduar. Të gjitha këto janë kryer me një mjet të mprehtë thikë. Është një rast i rëndë që ka ndodhur, pra ka ndodhur brenda familjes”, deklaroi Kryeziu./PrizrenPress.com