29.1 C
Prizren
E enjte, 19 Qershor, 2025

Bedri Cahani – Një jetë në shërbim të arsimit, sportit dhe atdheut

Shkruan: BESIM MUHADRI

Bedri Cahani lindi më 15 prill 1959 në Gjakovë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i vijoi në Degën e Edukatës Fizike në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe më pas në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës, ku përfundoi edhe ciklin master, duke u profilizuar si një specialist i përkushtuar i arsimit dhe sportit.

Në gusht të vitit 1980, nisi punën në arsim si mësimdhënës në shkollën fillore “Zekeria Rexha” të Gjakovës. Përkushtimi i tij profesional u shoqërua gjithnjë me angazhim qytetar dhe shoqëror, veçanërisht gjatë viteve të okupimit të dhunshëm serb në Kosovë. Për shkak të qëndrimit të tij aktiv në mbrojtje të shkollave shqipe dhe kundër ndërhyrjeve brutale të pushtetit serb, ai u detyrua të largohej nga Kosova në vitin 1993, duke kaluar disa vite në Shqipëri dhe në vendet perëndimore.

Pas përfundimit të luftës, Bedri Cahani u kthye në Kosovë, ku u përfshi menjëherë në jetën institucionale. Nga viti 2000 deri më 2003 ishte udhëheqës i sektorit të sportit në Drejtorinë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjakovë, e më pas drejtor i kësaj drejtorie deri në vitin 2006. Në nivel qendror, nga viti 2006 deri më 2009, udhëhoqi Departamentin e Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa në periudhën 2010–2012 drejtoi Drejtorinë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë.
Nga viti 2012 e deri në daljen në pension më 14 prill 2024, ishte drejtor i Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ku dha shembullin e një drejtuesi të përkushtuar, i vlerësuar për përformancën dhe integritetin profesional.

Përveçse arsimtar, Bedri Cahani është një figurë e njohur dhe e respektuar në sport, veçanërisht në fushën e bodybuildingu-t. I identifikuar me këtë sport që në rininë e hershme, ai ishte kampion dhe përfaqësues i Kosovës në shumë gara ndërkombëtare, si Kampionati Evropian në Rumani (1996), Kampionatet Botërore në Jordani, Poloni, Çeki e Greqi, si dhe pjesëmarrës aktiv në aktivitete evropiane të fitnesit dhe kulturës fizike. Nga viti 1990 deri në vitin 1993, kur ishte në krye të Federatës së Bodybuildingu-t të Kosovës, dha një kontribut jetik në mbrojtjen e sportit dhe në mbajtjen gjallë të frymës së rezistencës kombëtare. Për këtë arsye ishte vënë në shënjestër të pushtuesve dhe u detyrua ta lëshonte vendin.

Në Shqipëri, ku qëndroi për një periudhë, themeloi Federatën e Bodybuildingu-t, duke forcuar lidhjet sportive mbarëkombëtare. Ai ka qenë gjithashtu bashkëthemelues i klubit të boksit “Gjakova”, selektor i kombëtares kosovare të bodybuildingu-t (2000–2003), monitorues i fitnesit në Lausanne të Zvicrës (1998–2000), si dhe i diplomuar në shkollën zvicerane të Kulturës Fizike dhe Bodybuildingu-t.

Për kontributin e tij është nderuar me diploma dhe mirënjohje, përfshirë edhe nga Federata Ndërkombëtare e Bodybuildingu-t dhe Fitnesit (FFBB).

Bedri Cahani mbetet një ndër figurat më të gjithanshme në fushën e arsimit dhe sportit në Kosovë. Ai përfaqëson një model të rrallë të mësimdhënësit, sportistit dhe qytetarit të angazhuar, i cili në çdo etapë të jetës së tij ka qenë udhërrëfyes për brezat e rinj, duke kontribuar pa kushte për vendin dhe shoqërinë.

(Marrë nga libri në proces: Hasi – Katër shekuj shkollë dhe arsim shqip)

Marketing

 

Më Shumë

Komuna e Rahovecit merr vlerësim të mirë nga ZKA-ja sa i përket menaxhimit të financave

Komuna e Rahovecit zyrtarisht ka pranuar raportin nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). “Me kënaqësi ju njoftoj se Komuna e Rahovecit ka pranuar raportin e...

Prizreni, qyteti që i ka dhënë shumë kombit

Haziz Hodaj Sot, më 12 qershor, përulemi me ndjenjë të veçantë dhe krenari përpara një date që shënon një kthesë historike për qytetin tonë –...

Lajmet e Fundit