16.8 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Doçi dhe Dashi: Festivali i 53 në RTSH, më i miri i të gjitha viteve

Festivali i 53-të në RTSHFestivali i Këngës në RTSH sonte vjen në natën finale, ku kënga fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovizion”.

Festivali ka mbërritur sivjet në edicionin e 53 dhe në konkurrim nga 26 këngë, në natën finale në Pallatin e Kongreseve do të jenë 18 këngë. Juria e festivalit që do të vendosë për këngën fituese përbëhet nga Agim Doçi, Genc Dashi, Evi Reçi, Fatos Baxhaku, Rona Nishliu, Alida Hisku dhe David Tukiçi. Dy emra të njohur anëtarë të jurisë, poeti i festivaleve Agim Doçi dhe kompozitori dhe ish solisti i Orkestrës së RTSH, Genc Dashi, pohojnë se ky festival ka sjellë prurje mira në krijimtarinë muzikore. Genc Dashi, një personalitet i artit shqiptar e vlerëson këtë vit festivalin me tërë elementët e tij.

“Më vjen mirë që më ftuan të jem pjesë e jurisë, pas 17 viteve që jam larguar nga Shqipëria. Ishte dëshira ime të dëgjoja këngët dhe me aq sa kam ndjekur deri tani ishin të mira. Në Vjenë zhvillohet dhe “Euroviozni”, unë jetoj atje dhe e njoh muzikën. Festivali më ka lënë përshtypje shumë të mira, një teknikë fantastike. Është një perfeksion, por atë e bëjnë dhe mjeshtrat që luajnë muzikën. Aq më tepër dhe Bled Laço si regjisor, që ka bërë një punë shumë të mirë, vlerësoj dhe punën që kanë bërë mjeshtri i madh në muzikë Shpëtim Saraçi, Edmon Zhulali”, pohon Genc Dashi, kompozitori dhe ish solist i orkestrës së RTSH.

Ndërsa poeti i festivaleve, Agim Doçi flet për jurinë, që sipas tij ka qëllim të shikojë trashëgiminë e popullit shqiptar, që e ka shkruar në vargje.

“Falënderoj stafin organizator dhe drejtorin e festivalit, Martin Leka, sepse risia më e madhe e festivalit ishte juria, ku janë njerëz që kanë vlerat e tyre në mbretërinë e këngës. Është një juri e pakorruptueshme, të gjithë anëtarët e jurisë kanë pasur vetëm një qëllim të shikojnë trashëgiminë e këtij populli shqiptar, që të gjithë autobiografinë e tij e ka shkruar në vargje. Në këtë festival edhe pse mungojnë këngëtarët big mund të them me sinqeritet që është një big festival, për meritë të producentëve që nga drejtori artistik Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Jetmir Barbullushi dhe të gjithë interpretuesit që sollën frymë të re, një festival luksoz, një festival dinjitoz”, pohon poeti Agim Doçi.

Pjesëmarrës në festivalet e këngës, këtë herë si anëtar jurie Doçi thekson se ka pasur interpretues që ishin befasi në festival.

“Një skenografi e magjishme, një ekzekutim i instrumenteve të orkestrës që drejtohet nga dirigjentë të talentuar dhe befasia më e madhe ka qenë që “të vegjlit” interpretues kanë befasuar publikun dhe jurinë. Festivali i 53 shpalosi me dinjitet pasurinë e fjalës artistike, siç janë Enver Petrovci, Jorgo Papingji, Ronela Hajati, Pandi Laço. Festivali i 53 shpalosi vlera të pakontestueshme që janë rezultat i punës serioze dhe dashamirësi të stafit organizator”, thekson poeti Agim Doçi.

Edhe pse e vlerëson me tërë komponentët festivalin, si anëtar jurie Doçi veçon më shumë muzikën në këngë. “Në mbretërinë e këngës, në këtë festival në vend të parë vjen muzika, dhe deklaroj nën përgjegjësinë time që muzika ishte më lart se teksti, por duke përmendur me respekt autorin e teksteve Jorgo Papingji dhe Zhuliana Jorgaxhi, njëkohësisht Enver Petrovcin, ky aktor i madh që solli një krijim të veçantë”, u shpreh poeti Agim Doçi.

Norvegjezi Rybak sonte në festival

Alexandër Rybak, norvegjezi fitues i Festivalit Europian në 2009-ën, do të jetë i ftuari i nderit në Festivalin e 53 në RTSH. Vetëm 28 vjeç, Rybak është një zë dhe personalitet artistik, i cili ka fituar miliona fansa nëpër botë. Ai është violinist, këngëtar, kompozitor, aktor dhe ushtron këngën popullore dhe muzikën pop, dhe kjo është hera e parë që Rybak viziton Shqipërinë. Sonte në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH do të jen në skenë emra si Lindita Halimi me “S’të fal”, Erga Halilaj me “Ti s’më njeh”, Venera Lumani me “Dua të jetoj”, Enver Petrovci me “Të vranë bukuri”, Saimir Braho me “Kristal”, Marsela Çibukaj me këngën “S’muj”, Klajdi Musabelliu me “Vetëm te ti besoj”, etj, që do të jenë në gjykimin e jurisë. Festivali “Evropian” do të zhvillohet më 2015 në Vjenë, Austri, dhe do të ketë dhe këngën përfaqësuese nga Shqipëria, ku vendi ynë mori pjesë për herë të parë në Festivalin Evropian në vitin 2004 në Stamboll të Turqisë me këngëtaren Anjeza Shahini dhe këngën “Imazhi yt”. Këngëtarja Hersi Matmuja përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song 2014”, me këngën “Zemërimi i një nate”, e cila u shpall fituese e edicionit të 52 të Festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Artisti Genc Dashi

Genc Dashi, është i njohur në aktivitetin e tij si ish kitarist solist i orkestrës së RTSH. Është larguar nga Shqipëria në vitin 1997 dhe ka jetuar gjatë këtyre viteve në Austri, Vjenë. Është diplomuar për kompozim dhe dirigjim në Akademinë e Arteve dhe në Vjenë diplomohet për kritikë arti, master xhaz dhe blus. Është cilësuar si personalitet i muzikës moderne shqiptare, i nominuar si “rebeli” i muzikës shqiptare. Është i vlerësuar dhe si kompozitor, përmendim dhe muzikën e dramave “Natë me hënë”, “Zgjimi”, “Shtëpia me dy porta”, dhe “Kopraci” e Molierit. Kompozitor karizmatik i rinisë asokohe, titullar i vlerave të muzikologjisë shqiptare rock, pedagog dhe personalitet i folkloristikës shqiptare./Sotnews/

Më Shumë

Mundësitë e granteve nga KIESA prezantohen para anëtarëve të shoqatës “Esnaf” në Prizren

Mundësitë e granteve që ofrohen nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) janë prezantuar para anëtarëve të shoqatës së biznesmenëve...

Nait Hasani viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Janë mbrapa këtyre mureve, padrejtësisht

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ai është shprehur se ata janë këtu gati pesë vjet,...

Lajmet e Fundit