Sot pasdite, i është dhënë lamtumira e fundit vogëlushit 12 vjeçar, Adem Badalli nga Zhuri, i cili nuk i kishte mbijetuar plagëve të marra nga aksidenti që pësoi ditën e mërkurë me 31 dhjetor, ditën e fundit të vitit që lamë pas, pasi ishte goditur nga një veturë duke tentuar të kalojë rrugën në aksin rrugor Prizren – Vërmicë.Mijëra banorë të Zhurit dhe fshatrave përreth dhe qytetit të Prizrenit, bashkëmoshatarë të të ndjerit nga bankat shkollore dhe klubi i futbollit “ Lidhja e Prizrenit”, sot u mblodhën në varrezat e këtij lokaliteti për ti dhënë lamtumirën e fundit Ademit.
Në ceremoninë e varrimit janë mbajtur edhe disa fjalime, me ç’rast nga kolektivi i shkollës ku i ndjeri i vijonte mësimet, janë vlerësuar lartë sjellja dhe angazhimet e tija gjatë procesit mësimor, dhe u tha se ai ishte i dashur për të gjithë për vetitë që posedonte.
Ndërkaq, imami Behlul Hoxha, e vlerësoi akt burrëror vendimin e familjarëve të të ndjerit, për t’ia falur gjakun personit që në ditën kritike e kishte goditur me veturë Ademin e vogël. Me të marr lajmin për vdekjen Badallit, ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Ismajl Berisha, aktualisht trajner futbolli ka thënë se kjo ishte një humbje e madhe. Ai ne profilin e tij ne Facebook ka shkruar se Ademi premtonte shumë dhe si futbollist me talentin e tij.
“Sot shkolla e futbollit Lidhja e Prizrenit ka humbur njërin prej fëmijëve më të mirë, më të edukuar që kishte në mesin e saj edhe pse i kyçur vonë në mesin tonë, Ademi premtonte shumë dhe si futbollist me talentin e tij. Por butësia e tij ishte mbi të gjitha që bëri Ademin të dashur për të gjithë, prandaj në emrin tim personal dhe kolegut Xhevat dhe stafit të shkollës sonë, ju shprehim ngushëllime familjes së Ademit, gjithë shokëve që padyshim do të iu mungoj shumë dhe i falënderojmë të gjithë ata që na kanë shprehur edhe neve ngushëllime. Ti ishe një engjëll në këtë botë, e Allahu engjëjt i mban afër vetit, të mori edhe Ty afër vetit.” ka shkruar ai …/TV Prizreni/