2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Licencohen 17 mijë mësimdhënës

MeimdhensitMinistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka arritur që deri më tani të bëjë licencimin e më shumë se 17 mijë mësimdhënësve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se ky proces është realizuar me shumë sukses.
“Faza e parë e realizimit të komponentës së dhjetë të procesit të licencimit që ka të bëjë me shpërndarjen e licencave është realizuar me sukses. Deri më tani kemi arritur t’i shpërndajmë mbi 17 mijë licenca. Licencimi nuk është vetëm leje e thjeshtë pune, por mbi të gjitha është një mundësi për zhvillim ose përparim në karrierë”, ka thënë për “Epokën e re” Mustafa.

Ai ka deklaruar se me udhëzimin administrativ 05/2010 është paraparë të jenë katër shkallë të licencave.

“Kemi startuar me shkallën e parë të licencave që nënkupton se në të ardhmen mësimdhënësit nëse i plotësojnë kriteret të cilat kërkohen mund të kalojnë në shkallët e tjera të licencave dhe çdo kalim nga një shkallë e licencës në tjetrën do të përcillet me rritje page prej 10-përqindësh”, ka treguar Mustafa.

Sipas tij, procesi i licencimit ka pasur shumë anë pozitive. “E para, sepse është krijuar baza e të dhënave me të gjitha shënimet e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës. Baza e të dhënave, përveçse përfshinë të dhënat themelore për një mësimdhënës, ajo përmban edhe kualifikimin e tij, numrin e trajnimeve që i ka kaluar, sa prej atyre trajnimeve janë akredituar nga Këshilli Shtetëror i Licencimit të Mësimdhënësve dhe varësisht prej rezultateve në lëndë të caktuara ne bëjmë analiza”, ka shtuar ai.

Sipas zëvendësministrit Mustafa, me krijimin e kësaj baze të të dhënave do të jetë më i lehtë edhe kalimi i një mësimdhënësi nga një komunë në komunën tjetër. Por, ai ka bërë me dije se jo gjithçka ka shkuar mirë.

“Ky proces i ka pasur edhe vështirësitë e veta, sepse janë edhe disa dilema të cilat Këshilli Shtetëror i Licencimit dhe MASHT-i duhet t’u japë përgjigje, p.sh: çfarë do të ndodhë me ata mësimdhënës të arsimit profesional, pastaj me disa drejtime jo të arsimit profesional”, është shprehur ai. Po ashtu, Mustafa ka thënë se është duke u diskutuar se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit të cilët, ta zëmë, e japin lëndën e Biologjisë, por që i kanë përfunduar studimet në Biologji aplikative, jo në programin mësimor të Biologjisë.

“Është ideja që ata nuk i kanë ndjekur studimet në profilin mësimor. Kemi raste të shumë të pedagogëve që punojnë si mësues. A do të licencohen ata? Nëse po, a do të licencohen si mësimdhënës apo pedagogë? Nëse licencohen si mësimdhënës ata që janë në proces, çfarë do të jetë numri i trajtimeve që ata do të obligohen t’i ndjekin, sidomos në lëndët matematikë dhe gjuhë shqipe? Çfarë do të ndodhë me ata që i kanë përfunduar studimet në kolegje private? A janë ato programe që ata i kanë përfunduar të akredituara? Pra, janë disa çështje për të cilat po presim që Këshilli i Licencimit t’i japë përgjigje dhe t’i shndërrojë në një vendim që do të jetë i obliguar ta zbatojnë të gjithë”, është shprehur Mustafa. Ai ka thënë se e kupton shqetësimin e mësimdhënësve që kanë këtë problem, por MASHT-i nuk ka arsye t’i trajtojë më shumë urgjencë.

“Në fund të fundit, kur ata kanë shkuar në një drejtim joarsimor me kohë e kanë ditur se vendi i punës primar nuk do të jetë arsimi. Natyrisht ne jemi duke analizuar modalitetet e ndryshme. Ta zëmë, për pedagogë ka propozime që ata të cilët kanë më shumë se tre vjet përvojë pune si mësues të licencohen si mësues, por me kusht që p.sh në një periudhë njëvjeçare të detyrohen t’i ndjekin së paku 100 orë mësim plotësues nga një program i hartuar nga Fakulteti i Edukimit”, ka thënë Mustafa.

Më Shumë

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

Dominimi i Ballkanit: Klubi, futbollisti dhe trajneri më i mirë për vitin 2024

FC Ballkani ka vulosur edhe një herë statusin e tij si fuqia kryesore në futbollin kosovar, duke fituar tre çmime madhore për vitin 2024....

Lajmet e Fundit