36.3 C
Prizren
E premte, 4 Korrik, 2025

Rikthimi i Unionit në rajon

Shqiprim PulajShkruan: Shqiprim Pula

Nëpërmjet traktatit të Lisbonës, Unioni Europian (UE), ka tentuar të unifikoj dhe promovoj sistemin normativ, synimet e zgjerimit dhe vlerat e saj. Brenda këtij traktati, është menduar të prezantohet edhe fuqia konsoliduese e Unionit në këndvështrimin global, të institucioneve dhe mekanizmave për zbatimin e politikave institucionale. Kriteret si; ligjore, ekonomike dhe politike të njohura edhe si ‘kriteret e Kopenhages’ janë kërkuar të përmbushen si parime normative në veçanti për vendet aspiruese të Ballkanit perëndimor, si parime të amputuara brenda procesit të stabilizim asocimit (SAP). Vëmendja e rikthyer nga UE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka bërë që, të gjitha vendet pa-përjashtim ti nënshtrohen kritereve dhe kuadrit ligjor konform edhe përkufizimeve të Traktatit kushtetues të Lisbonës.

Natyrisht asnjë nga këto vende të Ballkanit Perëndimor nuk ka ecur me të njëjtin hap përsa i përket përmbushjes së ‘detyrimeve’ karshi Brukselit, duke e konsideruar edhe faktorin historiko-politikë. Por, procesi i integrimit dhe ‘europianizimit’ të Ballkanit, jo vetëm se kërkon kohën e vet, por kërkon edhe vëmendje të kujdesshme në tejkalimin e vështirësive apo sfidave në reformat që duhet bërë, e të cilat nganjëherë janë edhe të dhimbshme. Vëmendja dhe përkushtimi i Brukselit kundrejt vendeve aspiruese ka mundësuar kthimin politik kryesisht tek vendet me potenciale për krijim krizash politike në Ballkan, njëherit ka rritur edhe kredibilitetin e saj, në skenën botërore politike, edhe si aktor global politikë-bërës. Andaj, kuadri ligjor i përforcuar edhe me traktatin kushtetues të Lisbonës, ka mundësuar krijimin e mekanizmave edhe të eksportimit të akteve normative tek vendet kandidate, duke e Europianizuar rajonin.

Duhet theksuar se, nganjëherë Brukseli ka përdorur edhe metodën e kushtëzimit politik, duke e imponuar kuadrin normativ si justifikim për përafrim me Unionin Europian. Shpeshherë, pasiviteti i lidershipit apo edhe mos-shmangja nga politik-bërja tradicionale në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka ndikuar në qëndrueshmërinë e ndryshimeve ligjore dhe institucionale. Për këtë, mekanizmi i stabilizim asocimit, ka mundësuar përpjekjet e Brukselit për të mos-shmangur interesimin për procesin integrues të rajonit, nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nganjëherë, mos-unifikimi i gjuhës politike, për shkak të lidhjeve politike të më hershme të vendeve anëtare të Unionit me vendet e Ballkanit, kanë reflektuar edhe në diferencime brenda-për-brenda procesit të integrimeve, duke mënjanuar në thelb vlerat si të eksportuara për të gjitha vendet. E që në fakt, do të duhej të ishin vlera që mbështeten në interesa dhe nevoja, në mënyrë që edhe zbatimi i tyre të kishte legjitimitet të plotë.

Aspekti normativ dhe synues i Mekanizmit të Stabilizim Asocimit ka përcaktuar promovimin dhe zbatimin e parimeve demokratike; promovimin dhe krijimin e hapësirës për ekonomi të lirë të tregut; të drejtat mbi respektimin e pakicave dhe nxitjen e bashkëpunimeve rajonale. Këto, në esencë janë thelbi i këtij mekanizmi dhe se përcjell periudhën e tranzicionit, dhe ndërkohë të europianizimit të Ballkanit Perëndimor. Agjenda e Selanikut e vitit 2003, ndryshe i njohur edhe si Zagrebi II, konfirmoi se, Unioni Europian edhe më tej, do të angazhohet më seriozisht për të ruajtur stabilitetin, forcuar demokracinë, promovuar sundimin e së drejtës dhe lirinë e mediave. Të gjitha këto të shpalosura si vlera të deklaruara edhe në traktatet e mëhershme nga vendet e mëdha dhe themeluese të Unionit.

Kosova me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit, konfirmon qëndrueshmërinë e shtetësisë, përputhshmërinë e legjislacionit me acquis-në, mbështetjen e duhur të administratës shtetërore dhe depolitizimin e saj, stabilitetin e mjedisit politik, pjekurinë qytetare në respektim të të drejtave të pakicave, fuqizimin dhe respektimin e sundimit të së drejtës, organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore etj., e tëra dhe në funksion të përafrimit politik në mes të Prishtinës dhe Brukselit, si të zbërthyera dhe vlerësuara mbi reformat e përmbushura edhe në kuptim të statusit për lëvizje të lirë brenda zonës Schengen, e që, njëherit është inkurajim i rritjes së hapave për përmbushje të kritereve të tjera për të fituar statusin e vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për procesin e anëtarësimit.

Procesi i integrimit vazhdon të mbetet agjendë shtetërore e qeverisë së Republikës së Kosovës, duke u përcaktuar në mesin e prioriteteve madhore politike. Institucionet dhe konsolidimi i tyre demokratik, përgjegjshmëria qeverisëse, politikë-bërja shtetërore nga pozita me pjesëmarrjen edhe të opozitës, qëndrojnë në thelbin e vlerësimeve nga ana e Brukselit, andaj dhe, në kontekst të integrimit në Union Europian, institucionet e Republikës së Kosovës duhet përgjigjur pritshmërive të Brukselit përsa i takon edhe fuqizimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

(Autori është Njohës Ligji dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare)

Më Shumë

Albi Shpuza zyrtarisht pjesë e Prizrenit

Prizreni ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Albi Shpuza, i cili i bashkohet skuadrës bardhekaltër si përforcim për edicionin e ri. “Nga talentet më të spikatura...

Arrestohen dy prizrenas në Kukës, po trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri

Dy kosovarë janë arrestuar në Kukës, nën dyshimin se po trafikonin armë zjarri nga Kosova në Shqipëri. Sipas Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë Sh....

Lajmet e Fundit