Greva e gjykatësve, e cila filloi me 3 mars, po shkakton probleme të mëdha duke zvarritur dhe rritur numrin e lëndëve.
KALLXO.com-i ka mësuar se nga fillimi i grevës deri më sot, në Gjykatën Themelore të Prizrenit janë shtyrë 235 seanca gjyqësore.
Vetëm ditën e hënë ishin të planifikuara që të mbaheshin 38 seanca gjyqësore, mirëpo greva e gjykatësve pamundësoi mbajtjen e tyre.
Valon Totaj, përfaqësuesi i grevistëve nga Gjykata Themelore e Prizrenit, tha se për momentin nuk ka asgjë konkrete rreth përmbushjeve të kërkesave të gjykatësve.
“Të premten përfaqësuesit e 7 gjykatave themelore të Kosovës kemi pasur një takim me kryesuesin e KGjK-së, z.Enver Pecin, ku prezentë kanë qenë edhe dy anëtarët e KGjK-së Agim Maliqi dhe Armend Berisha, mirëpo përkundër që takimi ka zgjatur rreth 2 orë e gjysmë, nuk ka pasur asgjë pos përkrahjes nga KGjK-ja,” tha gjykatësi Totaj.
KALLXO.com-i shkroi për takimin e kreut të KGjK-së me grevistët, pas të cilit Enver Peci tha se është i gatshëm të tërhiqet nga drejtimi i Këshillit Gjyqësor, nëse nuk plotësohen kërkesat e gjykatësve.
Gjyqtarët po kërkojnë rritje të pagave për 25 për qind, nivelizim të pagave me prokurorët dhe 200 euro në muaj për rrezikshmëri në rastet e gjyqtarëve të departamenteve të krimeve të rënda.
Vaton Totaj, po ashtu bëri të ditur se brenda kësaj jave do të mbahet edhe një mbledhje në KGjK-së, e cila tha se do të jetë ose e jashtëzakonshme, ose do të mbahet mbledhja e rregullt e KGjK-së të mërkurën, ku pika kryesore dhe e vetme do të jetë greva e gjykatësve.
“Ne jemi të vendosur që grevën ta vazhdojmë deri në realizimin e kërkesës që ka të bëjë me pagesën në emër të rrezikshmërisë në punë, në shumën prej 200 euro. Po e theksoj, kjo marrëveshje është arritur në muajin maj të vitit të kaluar, në mes ministrit të drejtësisë Hajredin Kuçi, Shoqatës së Gjyqtarëve dhe KGjK-së,” tha Totaj.
Edhe në gjykatat tjera të vendit po mbahen vetëm seancat me të paraburgosur dhe ato që konsiderohen urgjente.