Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Komunën e Suharekës, për t’u njoftuar me zhvillimet e përgjithshme në komunë dhe për të diskutuar me qytetarët për nevojat, problemet dhe sfidat e tyre.
Në një takim me kryetarin e komunës, Sali Asllanaj dhe udhëheqjen komunale, Presidentja Jahjaga u njoftua për gjendjen e përgjithshme në këtë komunë, e cila, sikur edhe komunat e tjera të vendit, po përballet me vështirësi në zhvillimin ekonomik.
E shoqëruar nga kryetari i komunës, ajo bëri homazhe dhe vendosi kurorë lulesh te lapidari i 500 viktimave civile të luftës, në Suharekë.
Gjatë vizitës në Suharekë, Presidentja vizitoi vendin ku në vitin 1999 u krye masakra mbi anëtarët e familjes Berisha.
Ajo gjithashtu bashkëbisedoi me qytetarë dhe dëgjoi hallet dhe problemet me të cilat ata përballen në përditshmërinë e tyre në të gjitha fushat.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe fabrikën e këpucëve “Solid” në Suharekë dhe i inkurajoi drejtuesit dhe punëtorët që ta vazhdojnë dhe ta zgjerojnë edhe më tej biznesin e tyre.
Në një deklaratë bërë në Suharekë, Presidentja përkujtoi se ka vizituar një numër komunash dhe është njoftuar me gjendjen e përgjithshme të tyre, sidomos me problemet e qytetarëve.
“Procesi i shtetndërtimit nuk është një proces që ka përfunduar, por është një proces i vazhdueshëm dhe ne si institucione kemi shumë punë për të bërë. Ne e dimë që kemi ende punë për të bërë sa i përket gjenerimit të vendeve të punës, rimëkëmbjes ekonomike së shtetit tonë, tërheqjes së investimeve të huaja, por këtë punë ne duhet ta bëjmë së bashku me qytetarët tanë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta çojmë zhvillimin e shtetit tonë në rrugën e duhur”, tha Presidentja Jahjaga.
Jahjaga tha se nuk ka shkuar në Suharekë thjesht vetëm për të dëgjuar hallet e qytetarëve, që janë probleme serioze dhe që ajo i di shumë mirë, por gjithsesi për t’i adresuar të gjitha këto probleme dhe për të gjetur zgjidhje për to.
Presidentja gjithashtu tha se vizitoi vendin ku ka ndodhur masakra e madhe mbi familjen Berisha në Suharekë, që ajo e quajti si një nga dhimbjet më të mëdha të popullit tonë, një çmim i paguar që ne sot të jemi një popull i lirë, një popull sovran dhe me një perspektivë të hapur drejt integrimeve euroatlantike.
“Jam thjesht këtu që të ofroj përkrahjen time institucionale dhe personale këtyre familjeve dhe të vendosim në kujdesin institucional objektet e tilla”, tha Jahjaga./PrizrenPress.com/