24.7 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025

Të gjenden vrasësit e Komandant Rebelit

Këshilli organizativ i fshatit Muhoc, ka shënuar përvjetorin e dhjetë të vrasjes misterioze të Muhamet Xhemailit, i njohur në popull si Komandant Rebeli.

Në këtë manifestim përkujtimor, merrnin pjesë familjarë të dëshmorëve të kombit, veteranë të luftës UÇPMB-së, përfaqësues partiakë dhe nga fusha e shoqërisë civile, si dhe qytetarë të shumtë nga Malësia e Bujanocit, Presheva, Medvegja, Gjilani e Prizreni. Manifestimi përkujtimor ka filluar me Himnin Kombëtar dhe me një minutë heshtje kushtuar dëshmorëve të kombit.

Një fjalim të zgjeruar për jetën dhe veprimtarinë e Muhamet Xhemailit dhe trimave të tjerë e ka prezantuar kryetari i Këshillit Organizativ, Vesel Sabedini, për të vazhduar pastaj me fjalimet e ish-ushtarëve dhe ushtarakëve të UÇPMB-së, familjarëve të dëshmorëve Arif Abazi nga Presheva, prindi i dëshmorit Artan Abazi, pastaj Milaim Elashani nga Malisheva e Kosovës, prindi i dëshmorit Agim Elshani, Gëzim Mazreku nga Gjilani, vëllai i dëshmorit Besim Mazreku, Haxhi Hyseni nga Tërnoci, prindi i dëshmorit Komandant Lleshi etj.

Me fjalimet e tyre komemorative janë paraqitur edhe Avdil Ramadani, nënkryetar i Partisë Republikane, subjekt i vetëm politik, i cili ka marrë pjesë aktive në organizimin e këtij përvjetori, pastaj Idriz Sinani, kryetar i Forumit Ndërkombëtar i të drejtave të Njeriut me karakter ballkanik nga Kumanova, Selami Bajrami, kryetar i Bashkësisë Lokale nga Zarbinca, Shaban Shaqiri nga Muhoci etj.

Manifestimi përkujtimor kushtuar Komandant Rebelit dhe dëshmorëve të tjerë të çështjes kombëtare, është pasuruar edhe me recital poezish nga poetja Rabije Bytyqi nga Prizreni dhe një grup nxënësish nga shkolla të ndryshme të Anamoravës, si dhe me një program kulturor SHKA “Shpëtimi”, nga Medvegja.

Në fund të këtij manifestimi përkujtimor janë lexuar nga organizatori telegrame dhe janë vënë kurora në lapidarin e dëshmorëve.

Për dallim nga vitet e kaluara në këtë përvjetor, nuk ka marrë pjesë bashkëshortja e Komandan Rebelit, Enkelejd Xhemaili dhe tre fëmijët e saj, ngase ka qenë e shtrënguar për shkak presioneve ta lëshonte vendin dhe të kërkonte strehë shpëtimi në perëndim. Malësia e Bujanocit, ditën e 12 korrikut e kujton me dhembje për vrasjen e Muhamet Xhemailit, ish-komandantit të Zonës Operative të Qarrit, i njohur si Komandant Robeli. Jo vetëm banorët e Malësisë së Bujanocit, por edhe më gjerë Muhamet Xhemailin e njihnin për komandat të rreptë dhe atdhetar të flaktë. Ai, ishte ndër komandantët e fundit, që i dorëzoi armët KFOR-it, në emër të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Me të përfunduar konfliktet në Luginë të Preshevës, në vitin 2002, Muhamet Xhemaili zgjidhet këshilltar komunal në Bujanoc.

Tre vjet më vonë, pikërisht në vitin 2005, në Gjilan vritet në rrethana misterioze Muhamet Xhemaili, 47 vjeçar, i njohur si Komandant Rebeli.

Për meritat luftarake dhe atdhetare, banorët e fshatit Muhoc, komandantit të tyre i kanë ngritur një lapidar me emrat e tre dëshmorëve të kombit, të cilët i përkujtojnë tradicionalisht për çdo vjet.

Muhoci, gjithashtu, në hyrje të Ambulancës së fshatit ka vënë pllakën përkujtimore për humanistin Doktor Ilazin, legjendën e Malësisë.

Këshilli Organizativ dhe disa nga oratorët e këtij manifestimi përkujtimor, e kanë kritikuar pushtetin lokal në Gjilan dhe Bujanoc, të cilët pak kanë bërë për zbardhjen e vrasjes misterioze të Komandant Rebelit, si dhe dhanë një varg kritikash në adresë të institucioneve komunale, të cilat nuk morën pjesë në këtë manifestim përkujtimor, bile në njëfarë mënyre edhe tentuan ta pengojnë organizimin me moslejimin e ofrimit të karrigeve nga shkolla dhe shantazhe të tjera të natyrës politike. /Epoka e re/

Më Shumë

Vetëvendosje në Prizren kërkon anulimin e procesit për ndarjen e subvencioneve në kulturë e sport

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani dhe Ilir Gashi, të mërkurën kanë kundërshtuar praktikën e DKRS-së...

Zyrtare: Ballkani përforcohet me mbrojtësin kroat Ivica Batarelo

Ballkani ka zyrtarizuar përforcimin më të ri për sezonin e ri dhe bëhet fjalë për mbrojtësin kroat Ivica Batarelo. Batarelo është 27-vjeçar dhe ka një...

Lajmet e Fundit