4.4 C
Prizren
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

VV në Prizren: Dënimi i Abdullah Thaçit, vendim i padrejtë i gjykatës

Lëvizja Vetevendosje! në Prizren reagon ashpër ndaj vendimit të padrejtë dhe joligjor të Gjykatës Themelore në Prizren me të cilën Abdullah Thaçi, ish-punëtor i Procredit Bank është dënuar me gjobë prej 5000 euro, sepse, sipas aktakuzës, gjendjen e llogarive të Drejtorit të Arsimit në Prizren Nexhat Çoçajt, dhe mësimdhënësit Bekim Thaçi, i kishte futur në një zarf dhe ia kishte dorëzuar Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila këto llogari bankare i ka përdorur për të ushtruar kallëzim penal ndaj tyre.

“Sipas aktgjykimit të gjykatës, Abdullah Thaçi është dënuar për shkak se ka thyer procedurat e aplikueshme bankare, respektivisht marrëveshjen mbi konfidencialitetin dhe moszbulimin e informacioneve bankare, pavarësisht se ato dëshmi i janë dërguar prokurorisë dhe flasin për keqpërdorim të parasë publike nga Drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj. Neni 203, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës thotë se “personi nuk është penalisht përgjegjës sipas paragrafit 1. të këtij neni nëse e ka zbuluar informacionin konfidencial për interes publik nëse interesi i tillë peshon më shumë se mos zbulimi i informatës së fshehtë”. Andaj, me aktgjykimin e vet për këtë rast Gjykata Themelore e Prizrenit, përpos që ka marr vendim të padrejtë ka bërë edhe shkelje ligjore”, thuhet në komunikatën e VV-së.

“Më 8 gusht, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren deponoi kallëzim penal, pranë Prokurorisë Komunale në Prizren, ndaj Nexhat Çoçajt, Drejtor i Arsimit të Komunës së Prizrenit, dhe Bekim Thaqit, mësimdhënës, për keqpërdorim të parasë publike. Sipas dëshmive që ia dërguam Prokurorisë, ne konsiderojmë se Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaqi u kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe rrjedhimisht kanë kryer këto vepra penale: 1. Neni 339 par 1 dhe 5,shpërdorim i pozitës zyrtare dhe i autorizimit; 2. Neni 340 pa par 1dhe 3, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës; 3. Neni 341 par 1 dhe 3 mashtrim në detyrë; dhe 4. Neni 342 përdorim të paautorizuar të pasurisë”.

“Prandaj, në bazë të nenit 220 par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i propozuam Prokurorit Publik Komunal që të fillojë hetimin kundër Bekim Thaqit dhe Nexhat Çoçajt, pasi që ekziston dyshim i bazuar se këta, kanë kryer veprat penale, duke u mbështetur në provat e paraqitura. Këto keqpërdorime kanë ndodhur me rastin e organizimit të “Javës së Remzi Ademajt”, manifestim ky për nder të dëshmorit, në vitin 2011”.

“Karakteri universal i drejtësisë, e në veçanti i së drejtës penale është që të parandalojë dhe të eliminojë pasojat e mundshme që do të mund të jenë shkaktuar si pasojë e një veprimit i cili në vete përmban rrezikshmëri shoqërore. Kjo rrezikshmëri në vete përmban një hierarki brenda të së cilës bëhet edhe klasifikimi i interesit të përgjithshëm të ndjekjes penale. Kjo hierarki shprehet në parimin e quajtur anti-drejtësi. Sipas këtij parimi interesi i shoqërisë është gjithmonë që të zbulojë dhe të ndjek veprat që paraqesin rrezikshmëri më të madhe shoqërore. Rasti në fjalë është pikërisht e kundërta. Madje kjo është shpërfaqja kryesore e aparatit të PDK-së në krye me Ramadan Mujën. Prona, shteti dhe familja janë paradigma që e shpjegon ndërlidhshmërinë se më e rëndësishme është llogaria bankare e Nexhat Çoçajt, sesa llogaria e qytetarëve të Komunës së Prizrenit”. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Probleme me furnizimin me ujë në disa zona të Prizrenit për shkak të ndërprerjes së energjisë

KRU Hidroregjioni Jugor njofton konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga mbrëmja e djeshme, më 17 dhjetor 2025, në ora 21:00,...

PDK-ja në Prizren nis fushatën zgjedhore me homazhe në Landovicë dhe te Monumenti i Lirisë

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren dhe njëherësh kryetar i Komunës, Shaqir Totaj, së bashku me kandidatët për deputetë të...

Lajmet e Fundit