12.8 C
Prizren
E diel, 29 Shtator, 2024

Shtyhet seanca e gjykimit të Nexhat Çoçajt

Seanca e gjykimit ku Nexhat Çoçaj akuzohet për keqpërdorim detyre është shtyrë për mungesë të avokatit të tij dhe një të akuzuari.

Bashkim Nevzati, avokati i drejtorit të arsimit në Prizren Nexhat Çoçajt kishte njoftuar me shkrim Gjykatën themelore në Prizren se sot gjendet në një seancë tjetër civile në Prishtinë.

Sot mungoi edhe i akuzuari Bedri Çejku, pasi fletëkthesa e postës për gjykatën konstatonte se aty jetonte një palë e panjohur. Çeku kishte marrë pjesë në dy seancat e para të këtij gjykimi.

Sot ishte paraparë të dëshmonte Arbër Rexhaj, aktivist i “Vetëvendosjes” në Prizren, i cili edhe kishte ngritur kallëzimin penal ndaj drejtorit Çoçaj. Ky kallëzim penal është pjesë e aktakuzës ndaj drejtorit të arsimit.

Rexhaj, shtyrjen e seancës e konsideroi të qëllimshme.

“Këto zvarritje po bëhen qëllimisht për ta shtyrë sa më shumë vendimin edhe unë personalisht edhe LVV-ja kemi thënë se ne nuk besojmë në këto organe të drejtësisë dhe këto organe të drejtësisë kanë treguar disa herë që dinë të marrin vendime të gabuara dhe selektive, tha Rexhaj”.

Kallëzimi penal i “Vetëvendosjes” ndaj Nexhat Çoçajt ishte ngritur, pasi ky subjekt siguroi gjendjen e llogarive bankare të drejtorit të arsimit në Prizren dhe mësimdhënësit Bekim Thaçi. Nga kjo gjendje e llogarive “Vetëvendosje” pretendon se Komuna e Prizrenit i kishte transferuar në llogarinë e Çoçajt 12 mijë e 803 euro për Manifestimin “Java e Remzi Ademajt”.

Kjo është pika e parë e aktakuzës kundër Çoçajt.

“Nexhat Çoçaj, gjatë periudhës kohore maj- qershor të vitit 2008 në Prizren, si person zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të fitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në atë mënyrë që si kryetar i këshillit organizativ “Manifestimi i javës Remzi Ademaj” në xhirollogarinë e tij bankare, alokohet shuma 12 mijë e 803 euro nga Komuna e Prizrenit,” thuhet në këtë pikë të aktakuzës.

Për dorëzimin e gjendjes së llogarive bankare të Çoçajt e Thaçit në selinë e “Vetëvendosjes” në Prizren u dënua më 18 gusht me 5 mijë euro gjobë ish-punonjësi i Bankës “ProCredit” Abdullah Thaçi.

“I akuzuari Çoçaj, përmes kësaj shume të mjeteve, pa një procedurë të tenderimit ka paguar fatura furnitorëve përmes transferit, ka bërë blerje me kartelë nëpër qendra tregtare, ka tërhequr mjete në shuma të ndryshme nga bankomati, ka bërë po ashtu tërheqje të parave nga llogaria rrjedhëse, të cilat i ka alokuar Kuvendi Komunal i Prizrenit dhe atë më datë 14.11.2008, shumën prej 2 mijë euro dhe më datë 04.12.2008 shumën prej 1 mijë e 137 euro, pa u ditur destinacioni i shpenzimit të parasë publike,” vijojnë të shpjegohen veprimet e Çoçajt në aktakuzë.

Përmes këtyre veprimeve prokuroria akuzon Çoçajn se ka kryer keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Çoçaj, akuzohet se gjatë periudhës maj- qershor 2009 në Prizren, ka keqpërdorur sërish manifestimin e javës që mbahet në emër të dëshmorit “Remzi Ademaj”.

Kësaj radhe aktakuza thotë se Çoçaj nuk merr mjetet në xhirollogarinë e tij, por mjetet prej 11 mijë euro, alokohen në xhirollogarinë e ndërmarrjes botuese “Bogdani”, pronar i së cilës është vetë ai.

Në pikën katër të akuzës, Çoçaj, sërish në vitin tjetër, gjatë muajve maj- qershor 2011, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, së bashku me arsimtarin Bekim Thaçi. /Kallxo.com

Më Shumë

Dy vetura të policisë aksidentohen mes vete në Prizren

Një aksident mes dy veturave të Policisë së Kosovës, është regjistruar ditën e premte në Prizren. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, përveç që janë shkaktuar...

Vazhdon restaurimi i Kullës së Cikajve në Gjonaj

Punimet për restaurimin e Kullës së Cikajve, një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë arkitektonike shqiptare, po vazhdojnë në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Ky projekt...

Lajmet e Fundit