15.8 C
Prizren
E diel, 29 Shtator, 2024

Presidente thirri liderët

Monitoruesi i punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se qasja e opozitës për ta bllokuar Kuvendin është e papranueshme dhe nuk duhet të vazhdojë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se në asnjë variant bllokimi i jetës parlamentare nuk është zgjidhje.

“Qasja e bllokimit të organit më të lartë legjislativ është e papranueshme. Qasja bllokuese nuk është zgjidhje, por ajo duhet të zëvendësohet me debat në Kuvend si dhe me dialog në mes të subjekteve politike në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, e jo të zgjidhet bllokimi si formë e reagimit politik”, ka deklaruar Selmanaj, duke shtuar se bllokimi nuk është formë e ardhjes në pushtet.

“Tendencat për të ardhur në pushtet janë legjitime, por duhet garë lojale dhe qasje e përgjithshme publike dhe politike. Më pas duhen gjetur format se si mund të vihet në pushtet, por jo duke bllokuar jetën institucionale”, është shprehur ai.
Selmanaj e ka vlerësuar të nevojshëm ndërhyrjen e presidentes Jahjaga nëpërmjet thirrjes së një takimi në mes të liderëve të subjekteve politike parlamentare për të gjetur zgjidhje.
“Presidentja ka mandat ta garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Në këtë drejtim ajo duhet të kujdeset edhe për jetën parlamentare. Dhe nëse dikush duhet të ndërhyjë, mendoj se është në mandatin e presidentes t’i ftojë liderët e partive parlamentare të diskutojnë për format e mundshme për t’u tejkaluar kjo situatë”, ka theksuar ai. Sipas Selmanajt, faktori ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë sepse drejtuesit e institucioneve dhe subjekteve parlamentare duhet të tregojnë maturi dhe pjekuri politike.

“E kaluara ka treguar se vetëm intervenimi nga jashtë u ka dhënë zgjidhje situatave. Mund të ndodhë edhe tani, por uroj të mos ndodhë, sepse njëherë e përgjithmonë duhet të dëshmojmë se kemi arritur pjekuri politike që problemet eventuale politike t’i zgjedhim vetë, e jo të kërkojmë ndihmë nga të tjerët”, ka deklaruar Selmanaj, duke shtuar se as zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje.

Më Shumë

Lajmet e Fundit