Arrestimi i deputetëve të opozitës nxit trazira
Pa tërheqjen e marrëveshjeve të 25 gushtit, nuk ka paqe
“Rrahman Morina dhe Ali Shukria i ditëve të sotme duhet ta dinë se arrestimet dhe bastisjet e torturat e familjeve të atyre, që mendojnë ndryshe, nuk do të japin rezultat, siç nuk kanë dhënë as në të kaluarën”, tha deputeti Zafir Berisha
Fillimi i aksionit për arrestimin e deputetëve të opozitës nga Policia e Kosovës, sipas përfaqësuesve të opozitës, nuk do të mund t’i ndalojë ata që të vazhdojnë t’i kundërvihen Qeverisë dhe Kuvendit për të penguar mbarëvajtjen e punës së këtyre institucioneve, deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet për Asociacionin e komunave dhe Demarkacionin.
Për me tepër, opozita paralajmëron se kjo situatë e re e krijuar në vend nuk do të shkojë në funksion të stabilizimit, por vetëm në përshkallëzimin e saj të mëtutjeshëm. Opozitarët theksojnë se me këto veprime të fundit të Qeverisë, që ka urdhëruar instalimin e një shteti policor, me qëllim të arritjes së qëllimit të vet, neutralizimin e opozitës dhe zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit, Kosova rrezikon të futet në një cikël të pandalshëm të dhunës, pasi që kjo Qeveri është pozicionuar në favor të sakrifikimit të stabilitetit të shteti për hatër të Serbisë.
Deputeti i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, dhe para syve të policisë që po përpiqej të mërkurën për ta arrestuar në sheshin kryesor të kryeqytetit, tha se me këtë Qeveri dhe me këto veprime nuk mund të ketë zgjidhje kompromisi, sepse kjo klasë politike po e dhunon shtetin./Kosova Sot/