5.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Si e robëroi Italia Shqipërinë

Si e robëroi Italia ShqipërinëDokumente të paanalizuara më parë mbi ndërhyrjen financiare të qeverisë së Musolinit në Shqipëri gjatë kohës mes dy luftërave botërore paraqesin me detaje zhvillimin e ngjarjeve që përcaktuan fatin e shtetit të shqiptar si një strukturë e dobët dhe e pafuqishme, ndërsa shqiptarët vuanin urie, sjell gazeta Shqip, me autor Gjergj Erebara.

Historia e ndërhyrjes financiare të qeverisë fashiste italiane në shtetin shqiptar gjatë periudhës së Republikës presidenciale të Zogut, si dhe dekadës së sundimit të tij si mbret absolut, ka qenë deri tani fragmentare, e kufizuar te disa dokumente të pjesshme. Por një kërkim i ri mbi arkivat e Italisë nga ana e një historiani ekonomik të universitetit të Napolit “Federico II”, japin për herë të parë një panoramë të plotë dhe të detajuar. Lorenzo Iaselli e publikoi studimin e tij si temë diplome, ai bazohet te mbledhja e qindra dokumenteve nga arkivat e Italisë.

Rëndësi strategjike

Italia, sipas Iasellit, pati një interes strategjik në kontrollin e Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1921 i dha një “mandat” Italisë mbi republikën e re shqiptare, pasi një marrëveshje mes Romës dhe Athinës që synonte ndarjen e vendit tonë, dështoi të materializohet. Pas dështimit të marrëveshjes Tittoni-Venizelos, Italia u bë mbrojtësja më e flaktë e Shqipërisë dhe territorit të saj të dalë nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Pakti Tittoni–Venizelos synonte njohjen e pretendimeve të Greqisë në Shqipërinë e Jugut, me kushtin që Greqia të njihte sovranitetin e Italisë mbi Vlorën. Ai dështoi kur shqiptarët arritën të bëjnë një luftë të suksesshme (Lufta e Vlorës) gjatë vitit 1920, e cila përfundoi me detyrimin e Italisë për t’u tërhequr nga Shqipëria.

Synimi i Italisë ishte kundërreagimi ndaj fuqisë diplomatike të Francës në rajonin e Ballkanit dhe ndërprerja e kontrollit të brigjeve të Adriatikut nga Serbia dhe Greqia, gjë që kapitalizohej në kontrollin e ngushticës së Otrantos. Njësoj si edhe sot, italianët i jepnin rëndësi të veçantë pozicionit transit të Shqipërisë si portë për Rajonin e Ballkanit. Ata kishin bërë plane dhe studime më herët për ndërtimin e një hekurudhe në linjën Durrës-Selanik-Stamboll, (që sot njihet si korridori paneuropian numër 8), pra Shqipëria shihej si një portë për ekspansion në Orient.

Ndërhyrja e kapitalit italian në Shqipëri, thotë Iaselli, u lehtësua nga qeveritë e Anglisë dhe SHBA-së, të cilat në këtë kohë kishin interes të bashkonin Italinë në paktin e sigurisë për rajonin industrial gjerman të Rinit dhe më në përgjithësi, të kundërreagonin ndaj hegjemonisë në rritje të Francës në Europën Orientale.

Dy instrumentet

Italia krijoi për qëllimet e veta dy instrumente financiare: Banka Kombëtare e Shqypnis, e cila u themelua me një marrëveshje mes dy vendeve në vitin 1925 dhe “Societa per Lo Sviluppo Economico dell’ Albania”, (SVEA).

Përmes krijimit të Bankës Qendrore, Italia mori sovranitetin monetar të Shqipërisë, gjë që i lejoi të mbajë nën tutelë ekonominë e Shqipërisë dhe të mbajë nën varësinë e vendimeve të bankës buxhetin e shtetit, rrjedhimisht kapacitetin e Shqipërisë për t’u zhvilluar. Nga ana tjetër, SVEA ishte një instrument që synoi të mbingarkojë me borxhe Shqipërinë, borxhe që vendi nuk kishte mundësi t’i shlyente, gjë që i hapte rrugën kontrollit të gjithanshëm të administratës publike nga ana e kredidhënësve italianë. Zogu, nga ana e tij, e pranoi këtë paketë nga Italia, me qëllimin që të përdorte paratë për të konsoliduar pushtetin e vet brenda vendit.

Iaselli bën të ditur se synimi i programit të kreditimit të ndërtimit të shtetit shqiptar nga ana e Italisë nuk lidhej fare me investimin dhe kthimin e kredisë. SVEA dha kredi të stërmëdha dhe të paimagjinueshme për buxhetin e shtetit të një vendi të varfër dhe të ri. Ndërsa buxheti i shtetit shqiptar siguronte 20 milionë franga ar të ardhura, kontrata u firmos për 50 milionë franga. Kjo është njësoj sikur sot Shqipëria të nënshkruante një marrëveshje për kredi me vlerë mbi 10 miliardë dollarë njëherësh. Natyrisht që shanset për ta ripaguar qenë minimale.

Projekte të pavlera

Përmasat e mëdha të kredisë qenë njëra anë e problemit. Destinacioni i përdorimit të saj ishte një anë tjetër. Shqipëria në atë kohë dukshëm kishte nevojë për të përmirësuar tokën në përdorim për bujqësi dhe blegtori, si dhe për shtimin e tokës nën sistem shfrytëzimi. Kjo nënkuptonte nevojën për investime në projekte të tharjes së kënetave, programeve të kullimit e vaditjes, transferim teknikash bujqësore, agroindustri, e natyrisht, manifakturë. Ekonomia shqiptare e kohës, në mënyrë të thjeshtëzuar ishte ajo e një vendi që kishte nivel të ulët popullimi, dhe për shkak të densitetit shumë të ulët, ishte një vend gjerësisht blegtoral. Eksportet kryesore të vendit qenë prodhimet blegtorale dhe lëndët drusore. Pra formati ekonomik i shqiptarit ishte shitja e blegtorisë në këmbim të drithit dhe mallrave të gatshme. Hapi logjik ishte zhvillimi i bujqësisë dhe manifakturës elementare si veshje e këpucë. (Këtë hap logjik Shqipëria e hodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me ndihmat sovjetike në vitet 1950). Por fondet e SVEA-s u derdhën në fusha krejt të tjera.

Të dhënat e mbledhura nga Iaselli tregojnë se mes viteve 1925-1938, kreditë e Italisë qenë 217 milionë lireta, nga të cilat, 34 për qind i morën rrugët, 25 për qind urat, afro 15 për qind u shpenzuan për Portin e Durrësit. Mbi 20 për qind e kredive u hodhën për ngritjen e zyrave publike. Natyrisht, siç ndodh rëndom edhe tani, mbi 6 për qind e të gjitha kredive u përdorën për studime. Këto investime u përqendruan në pjesën dërrmuese në vitet 1930-1932, ndërsa ranë në nivele minimale në vitet që pasuan.

Italia pati një përqasje krejt tjetër, pasi pushtoi Shqipërinë. Fondet e hedhura pas vitit 1939 nuk kishin më për synim robërimin e vendit, përkundrazi, synonin zhvillimin.

Për këtë arsye, bujqësia, industria minerare e industria energjetike qenë objektivat kryesore. Në vend të rrugëve, filluan të ndërtohen hekurudha. Hekurudha mund të përdoret nga pjesa dërrmuese e popullsisë, ndryshe nga rrugët, të cilat mund të përdoren ekskluzivisht vetëm nga ajo pjesë e popullsisë që disponon mjete transporti, një makinë apo një karrocë.

Edhe vetë kreditë e dhëna nga Italia nuk është se u përfituan shumë nga Shqipëria. Bilanci i pagesave të vendit tregon se pjesa dërrmuese e kredive që Shqipëria mori, përfunduan pothuajse menjëherë në Itali për të paguar importe mallrash të lidhura me punët publike të financuara nga këto kredi. Nuk duhet të habisë askënd pra fakti që punët publike të financuara me para grant apo me kredi nga Italia gjatë dy dekadave të fundit përfunduan gjithashtu në Itali, nga ku vinin kompanitë që fituan tenderët.

Sabotim i hapur

Ndërsa investonte për të robëruar shtetin e ri shqiptar, Italia u përball si të gjitha vendet e botës me krizën e vitit 1929, pastaj me rrënimin e vlerës së liretës më 1936-n etj. Banka Qendrore e Shqipërisë e kishte zyrën qendrore në Romë. Atje mbahej rezerva valutore e vendit, si dhe të gjitha paratë. Niveli i kreditit ishte shumë më i vogël sesa niveli i depozitave.

Në vitet 1931-1933, bota pësoi një ndryshim të madh. Pothuajse të gjitha vendet u detyruan të kalojnë nga regjimi i standardit të këmbimit të arit në regjimin e standardit të këmbimit të bullionit, ose në braktisjen totale të paritetit. Standardi i këmbimit të arit nënkuptonte detyrimin e Bankës Qendrore për të këmbyer me flori ose me monedha të këmbyeshme në flori paranë në qarkullim që kishte emetuar. Standardi i bullionit nuk e bënte këtë gjë me monedha të zakonshme ari, por me lingota, pra respektimi i së drejtës së shkëmbimit kryhej vetëm për arsye tregtare në shuma të mëdha. Natyrisht, kjo bëri që shumica dërrmuese e popullsisë të kishte në dorë letra pa vlerë reale, sepse shumica dërrmuese nuk kishte sasi të mjaftueshme për të blerë një lingotë.

Ndërkohë, Banka Kombëtare e Shqypnis i mbante rezervat e veta valutore pjesërisht në ar, pjesërisht në monedha të tjera të këmbyeshme si sterlina angleze dhe në një sasi të vogël, në lireta italiane. Më 1931-shin, banka kishte 20 milionë franga rezervë valutore, e barasvlefshme me të ardhurat buxhetore të një viti, (pak a shumë aq sa ka edhe sot). Në masën 70 për qind, kjo mbahej në valuta të forta dhe në masën 25 për qind në flori. Gjatë vitit 1931 filloi tronditja e liretës. Si pasojë e krizës botërore, kjo monedhë, ashtu si edhe monedhat e tjera, përfshirë sterlinën, filloi të humbiste vlerë. Hapi logjik për çdo bankë qendrore në një situatë të tillë ishte që të shiste rezervat e veta në monedhat që shkëputeshin nga standardi i arit dhe të blinte drejtpërsëdrejti flori, argjend apo mjete me vlerë më të qëndrueshme. Lireta ishte një nga ato monedha që u godit më fort dhe rrjedhimisht, logjika ta donte që banka të mos blinte lireta.

Shqipëria u përball me një situatë të tillë, por në përmasa shumë më të vogla, rreth vitit 2001. Rezerva valutore e Shqipërisë në atë kohë ishte në shumicën dërrmuese në dollarë, në një kohë kur dollari po humbiste vlerë përballë euros. Një masë spekulante do të ishte që Shqipëria ta këmbente të gjithë sasinë e rezervës së vet valutore në euro menjëherë dhe të priste që kjo monedhë të rritej duke fituar qindra milionë. Por një hap më i logjikshëm ishte diversifikimi. Kjo qe çfarë Banka e Shqipërisë bëri. E ndau rezervën valutore pjesërisht në euro dhe pjesërisht në dollarë. Kur ulet vlera e dollarit, rritet vlera e euros dhe anasjelltas. Në këtë kohë bëhej fjalë që dollari të humbiste 10 deri në 20 për qind të vlerës së vet përballë euros.

Në vitin 1930, 10 apo 20 për qind qenë shifra të vogla. Monedhat e vendeve të ndryshme përballeshin me zhvlerësime të tilla një herë në disa vjet ose një herë në disa muaj. Kjo nuk duket se shqetësoi drejtuesit italianë të Bankës Qendrore të Shqipërisë në atë kohë. Në vend që të shisnin valutat e veta në këmbim të arit dhe të qëndronin sa më larg të ishte e mundur nga lireta, ato vendosën pikërisht të shesin valuta të forta dhe të blejnë lireta. Ndërsa lireta zhvlerësohej, banka vijonte ta blinte. Ajo kishte për synim të ndihmonte përpjekjet e Bankës së Italisë për mbrojtjen e vlerës së lirës në treg dhe jo për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. Ministri shqiptar i Financave, një personazh sot jo shumë i njohur me mbiemrin Gera, propozoi konvertimin e menjëhershëm të të gjithë rezervës valutore, por kjo nuk u dëgjua.

Italia kishte edhe një detyrim teorik. Ajo duhej të garantonte vlerën e monedhës shqiptare dhe kursit fiks të këmbimit me arin. Më 1936-n, lireta u zhvlerësua dhe banka e Italisë hoqi dorë nga mbrojtja e saj në tregun valutor. Aventurieri Musolini e pati vendosur këtë vend në armiqësi me botën, pasi pushtoi Etiopinë dhe Anglia e vende të tjera i vunë embargo. Si pasojë e detyrimit për të mbrojtur këmbyeshmërinë e frangut shqiptar, Italia pranoi të derdhë kapital shtesë te Banka Kombëtare e Shtypnis për të kompensuar humbjet nga zhvlerësimi. Në total, 28.5 milionë lireta u shtuan në rezervën valutore të Shqipërisë, të cilat kishin një barasvlerë teorike prej 3,260 kilogramësh ar. “Në çdo rast, siç nënvijëzon Roselli, ‘asnjë gram ar nuk doli realisht nga Italia’”, shkruan studiuesi Iaselli. (A. Roselli ishte një studiues tjetër që publikoi në vitin 1986 një studim mbi marrëdhëniet financiare gjatë sundimit fashist mes Shqipërisë dhe Italisë.)

Ne kemi dëgjuar shumë për “frangun e fortë”, monedha që gabimisht i referohemi si “monedha e kohës së Zogut”, me të cilën mund të blije çdo valutë tjetër pa kurrfarë problemi edhe në Itali, Greqi apo vende të tjera. Kjo ishte shumë e vërtetë. Ndërsa e gjithë bota braktiste standardin e arit, Banka Qendrore e Shqipërisë vijoi ta mbante. Ajo e mbajti edhe ndërsa Italia vetë e braktisi. Arsyeja ishte e thjeshtë: banka e ruante standardin e arit duke mos hedhur kartëmonedhë në qarkullim në Shqipëri. Për rrjedhojë, buxheti i shtetit dhe e gjithë ekonomia e Shqipërisë paralizohej. Rezerva valutore nuk shërbente për të ndihmuar ekonominë e Shqipërisë së varfër, por përdorej si pjesë e rezervës valutore të Italisë.

Në Shqipëri kjo politikë u konvertua me të shpejtë në katastrofë. Mitrush Kuteli raporton se, si për shkak të mungesës së monedhës, vendi u reduktua në stadin e shkëmbimit të mallit me mall. Një restorant jepte një shënim krediti, pra restoranti u detyrua të emetojë një monedhë hipotetike në mungesë të monedhave reale. Nga viti 1936, vendi mbeti pa mjetet monetare më minimale për të paguar drithin e nevojshëm për mbijetesë. Eksportet u rrënuan. Një krizë buke raportohet se vrau një pjesë të konsiderueshme të foshnjave që lindën në vitet 1935 e ’36. Ndërkohë, Banka Kombëtare e Shqypnis, në raportin e vet vjetor, shkruante: “Rimkambja e shqueme në vjetin 1935 ndër disa sektore t’ekonomis shqiptare asht vërtetue e zgjanue edhe në vjetin 1936. Sikurse asht përmende në relacjonin e maparshëm elementat e favorshëm të nji të tillë rimkambje janë bazue veçanërisht në vleftësimin e disa eksportimeve themelore të Shqipnies n’arritjen e t’ardhunave të reja financjare nga jashtë”.

Nuk e di pse me përjashtim të faktit që ky raport është shkruar në gegnisht, nuk ka asnjë dallim tjetër nga shumë raporte të Bankës Qendrore të shkruara gjatë viteve të fundit.

Më Shumë

Glauk Konjufca bëhet baba për herën e tretë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se sot është bërë baba për herë të tretë. Ai ka bërë të ditur se është...

Ardienne GodBold rikthehet te KBF Bashkimi për pjesën e dytë të sezonit

Pas një viti mungese, Ardienne GodBold, e njohur me nofkën "Nunu", është rikthyer te KBF Bashkimi. Ky rikthim i saj vjen si përforcim për...

Lajmet e Fundit