22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

“Baladë e humbur”

Pas 12 vitesh mungesë, poetja Selvete Abdullahu rikthehet në fushën e letërsisë me vëllimin e dytë poetik, “Baladë e humbur”, që u editua këto ditë përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.

Libri i saj i parë “Emërtimi i ditës së nesërme” ishte botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në vitin 2003, me mbiemrin e saj të vajzërisë, Selvete Dërguti. Ndërsa tash, pas një stabilizimi familjar e profesional, Selvetja i rikthehet dashurisë së pare, poezisë.

Vëllimi më i ri poetik i kësaj poeteje, me gjithsej 72 poezi, renditet në pesë cikle, tematikash të ndryshme.

Derisa cikli i parë “Jeton në zemrën time” preokupim kryesor ka atdhetarizmin, cikli i dytë, “Me strajcën e zbrazur”, shtjellon dhe prekë anën sociale të këtij populli . E, cikli i tretë, “Përqafimi yt jam” trajton tematikën e dashurisë. Ndërsa dy ciklet e fundit, “Nga gjithë këto trazime” si dhe “Për teket e valëve të rrëmbyeshme” që janë dhe ciklet më të realizuara të librit, prekë përditshmërinë tonë përmes refleksioneve meditative e ngjyrave poetike duke dëshmuar një afinitet të kënaqshëm poetik.

Librin në tërësi e karakterizon një bashkëbisedim i rrjedhshëm poetik, falë një gjuhe artistike dhe të pasur me figura të nduarduarta.

Preokupimet poetike të Selvete Abdullahut janë po ato preokupime të njeriut tonë të përditshëm, të cilat shpërfaqin dromca të ndryshme të kësaj jete, herë me tone pesimizmi e herë optimizmi.

Këtë mendim ka edhe njëri nga recensentët e këtij libri, Nexhat Rexha i cili thotë se poezia e Selvetes në vëllimin poetik “Baladë humbur” është realizim e reflektim i përditshmërisë sonë. Ajo ngërthen në brendi të vargjeve artikulimin e pritjeve të mundimshme, të cilat vijnë me ofshamat e ditëve të humbura.

Sipas këtij kritiku mjaft të angazhuar, në të gjitha ciklet poetike, autorja ka shprehur frymën lirike në suaza të përjetimit artistik e real. Tematika e shtruar në libër ka afërsinë shtjellimit në shprehjen e vargut sa racional, po aq edhe ilustrativ në shenjimin e arritshmërisë sa më origjinale. Autorja në vargjet e saj arrin të dokumentoje, dhembjen si kërkesë dhe si pritje për të shëruar plagët e zjarrta të dashurisë njerëzore. Mënyra e parashtrimit poetik vjen si shkrirje e refleksionit edukativ në këtë baladë të humbur, e cila kërkon rrugën e ripërtritjes për një ditë të lumtur.

Përditshmëria e dhembjes arrin të pasqyroj frymën e arsyes në vargun e angazhuar si mesazh dhe si ndërtim e kaheve orientuese për shpalosjen e botës me kontradita në zhvillimin e proceseve shoqërore. Libri ka arritshmërinë e realizmit artistik në suaza të prekjes, e përjetimit të gjërave në konkretizimin e vargut si rezultat i qëndrimit objektiv, të motimivimit për të arritur tek universalja ekzistenciale. Qartësia e vargut në tërësinë poetike arrin funksionalizimin përmes figurave të goditura artistike. Vepra ka mbarshtrim të thuktë gjuhësor dhe ajo vjen si rezultat i vargut të zgjedhur, i cili të përvetëson në koncentrimin e përjetimit poetik në libër.

Ky vëllim poetik, do të përurohet në përmbyllje të manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 26 dhjetor 2015, që për here të gjashtë organizohet radhazi këtu në Gjilan e mjedise tjera të Kosovës./KultPlus.com

Më Shumë

Kurti: Edhe pas një çerek shekulli fati i Ukshin Hotit nuk është zbardhur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u...

25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit

Sot janë bërë 25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit. Për të shënuar këtë ditë sot nga ora 11:00, do të mbahet manifestim përkujtimor...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit